Crown Agents kërkon zgjatjen e kontratës me qeverinë shqiptare pavarësisht dështimit të rritjes së të ardhurave doganore sipas kushteve të kontratës aktuale.

“Para se të vija këtu, punoja në Shkup. Atje cigaret qenë më të lira,” thotë David Smith, përfaqësues i kompanisë së konsulencës Crown Agents në Shqipëri ndërsa po pi një cigare në derën e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Smith ka të drejtë! Cigaret në Shqipëri kushtojnë më shtrenjtë se sa në Maqedoni si dhe 50 lekë për paketë më shtrenjtë se sa kushtonin në vitin 2013, kur ai mbërriti në Shqipëri për të këshilluar qeverinë shqiptare si të mbledhë më shumë të ardhura doganore. Vetëm se buxheti i shtetit nuk ka parë ndonjë rritje mbresëlënëse të të ardhurave doganore pavarësisht konsulencës së kushtueshme të Crown Agents.

Qeveria shqiptare nënshkroi një kontratë në nëntor 2013 me kompaninë angleze Crown Agents, një korporatë ndërkombëtare me prani në dhjetëra shtete. Në bazë të kontratës, Crown Agents do të përfitonte 4.1 milionë euro në vit (të përjashtuara nga taksat) dhe në këmbim, do të ndihmonte doganat shqiptare për të zbatuar më mirë ligjet aktuale. Crown Agents merrte përsipër të kryente inspektime, të zbulonte shkelje doganore, të identifikonte të ardhura të munguara, të fuste praktika moderne në analizimin e rrezikut dhe rrjedhimisht, identifikimin e evazionit, të luftonte korrupsionin në dogana, të përmirësonte cilësinë e administratës përmes trajnimeve etj.

Në fund, të gjitha këto masa, duhej t’i jepnin Shqipërisë “një rritje prej 1% në vit në nivelin e të ardhurave doganore të mbledhura nga Administrata Doganore, shprehur si përqindje e PBB-së”. Kjo është çfarë është shkruar në kontratë.

“Ne zbatuam të gjitha kushtet e kontratës, por jo kushtin e të ardhurave,” tha Smith për BIRN.

Gjatë vitit 2014, doganat shqiptare siguruan 150.7 miliardë lekë të ardhura për buxhetin e shtetit. Vlerësimi i FMN-së për PBB-në e Shqipërisë qe afro 1.4 trilionë lekë, dhe të ardhurat e mbledhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për vitin 2014 qenë afërsisht 10.8 për qind e PBB-së. Kjo qe vetëm 0.4 për qind të PBB-së më shumë se sa në vitin 2013. Por duhet të kemi parasysh se në fund të vitit 2013, qeveria shqiptare rriti taksat mbi cigaret dhe karburantet, të cilat mblidhen në dogana, atëherë qeveria duhej të mblidhte rreth 100 milionë euro vetëm nga rritja e taksave dhe 100 milionë të tjera nga puna e Crown Agents, ose, gati 2 për qind të PBB-së më shumë. Për këtë arsye, rritja e të ardhurave me 0.4 për qind të PBB-së sugjeron njëkohësisht që puna e Crown Agents nuk qe efektive dhe rritja e taksave qe një dështim total.

Në letrën e mirëkuptimit drejtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar më herët këtë muaj, qeveria e Shqipërisë pranoi se puna e Crown Agents nuk kishte dhënë rezultat. “Rritja e madhe e të ardhurave e pritur në kohën e nënshkrimit të kontratës nuk është realizuar ende,” thuhet në letrën e qeverisë për FMN-në, e cila deklaronte se gjithsesi kishte vendosur të vijonte me konsulencën e kësaj kompanie.

Qeveria në fakt në kontratën me Crown Agents i ka dhënë vetes të drejtë të ndërpresë marrëdhëniet pas vitit të parë në rast se nuk realizohen objektivat. Por qeveria, jo vetëm që vendosi të mos e përdorë këtë klauzolë, por tashmë ka në dorë ta ndërpresë kontratën në vitin e dytë, pra rreth nëntorit të këtij viti, ose ta zgjasë atë për një vit tjetër. Çdo vit i kushton taksapaguesve shqiptarë rreth 4.1 milionë euro.

Zyra e Kryeministrit Edi Rama nuk iu përgjigj pyetjeve me shkrim të BIRN për komente.

Në një intervistë për BIRN, Smith, përfaqësuesi i konsulentit anglez, pretendoi se të ardhurat e qeverisë u rritën me 0.8 për qind të PBB-së, ndërsa shtoi se rritja e taksave nuk ka funksionuar për të krijuar të ardhura shtesë dhe se kontrabanda vijonte në shkallë të gjerë. Nuk është e qartë se si është llogaritur kjo gjë, por Crown thotë se shifrën prej 0.8 për qind e ka marrë nga një deklaratë e Ministrisë së Financave.

“Ne jemi zhgënjyer për raportimet në media mbi letrën e qeverisë për FMN-në për shkak qe objektivat janë arritur pothuajse tërësisht,” tha Smith.

Pyetur nga BIRN se si ai llogarit efektin prej 0.8 për qind të PBB-së, duke marrë parasysh rritjen e taksave të kryera në fillim të vitit 2014, Smith tha se sipas mendimit të tij, shifrat e PBB-së nuk janë ende të qarta ndërsa të ardhurat shtesë nga taksat e reja nuk u realizuan për shkak të evazionit fiskal.

“Me ndryshimet në taksim në janar 2014, ne patëm problemin që ndryshimet u njoftuan shumë më herët se sa të ndodhnin. Shumë njerëz blenë cigare para hyrjes në fuqi të ligjit”, tha ai.

“Ajo që pamë vitin e kaluar qe një rënie e madhe e importit të deklaruar të cigareve në Shqipëri. Ajo rënie qe një sasi domethënëse në të ardhura të humbura për qeverinë. Pyetja është se cilat qenë shkaqet e rënie,” tha ai.

Sipas tij, rënia i detyrohet pjesërisht rritjes së importeve para hyrjes në fuqi të akcizës së re por pjesërisht edhe për shkak të rritjes së kontrabandës. “Fakti është që rritja e akcizës në janar 2014 i bëri cigaret në Shqipëri në mënyrë më domethënëse se sa në vendet fqinje. Dhe kjo rriti trafikun,” tha ai.

Sipas Smith, trafiku i cigareve ilegale është një aktivitet profesional, i cili nuk mund të luftohet me inspektimet e Crown Agents. “Të nevojitet të kesh [shërbime] inteligjente për të luftuar atë lloj trafiku,” tha Smith për BIRN.

Një mrekulli që nuk ndodhi 

Në prill 2013, gjatë fushatës elektorale, Edi Rama deklaroi se kishte ndër mend t’i jepte doganat në menaxhim të huaj. Sipas tij, kontrata me një agjenci ndërkombëtare të specializuar do të ulte në mënyrë drastike korrupsionin dhe arbitraritetin.

Në korrik 2013, pasi kishte fituar zgjedhjet por nuk ishte bërë ende kryeministër, Rama përmendi për herë të parë Crown Agents si agjencia që do të luftonte korrupsioni dhe evazionin fiskal.

Në nëntor, Crown Agents fitoi kontratën mes debateve që kjo kontratë pritej të kushtonte mbi taksapaguesit 4.1 milionë euro ndërsa përfitimet qenë të dyshimta.

Gjatë vitit të parë të qeverisjes, qeveria u mburr shpesh me rritjen e bollshme të të ardhurave doganore e tatimore në krahasim me periudhën paraardhëse. Por në fakt, të ardhurat ekzistonin vetëm në deklarata.

Sipas Smith, rritja e të ardhurave me 1 për qind të PBB-së ose afro 100 milionë euro falë administrimit më të mirë dhe falë luftës kundër korrupsionit e evazionit fiskal është një objektiv realist.

“Aktualisht vlerësohet se evazioni ha diku mes 15 dhe 20 për qind të të gjitha të ardhurave të mundshme doganore,” tha Smith. Kjo është e barazvlefshme me rreth 220 milionë euro të ardhura shtesë nga niveli i vitit 2014, pa marrë parasysh rritjen e taksave, e cila u krye edhe në janar të këtij viti.

Smith ia hedh fajin “mosbashkëpunimit” të administratës doganore si dhe ekzistencës së evazionit fiskal “profesional”, siç e quan ai, kontrabandë në nivel të lartë që nuk kapet dot përmes inspektimeve rastësore por që duhet të luftohet nga agjencitë ligjzbatuese si sektori i krimit ekonomik në Policinë e Shtetit.

Ai rendit një numër rastesh të kontrabandës. “Kemi gjetur në treg pulla fiskale të falsifikuara,” thotë ai, si dhe raste kur “hapnim një kuti me shishe birre ku në rreshtin e parë kishte shishe me pullë fiskale ndërsa në rreshtat e mëposhtëm nuk kishte më pulla fiskale,” thotë Smith.

Sipas tij, inspektimet e Crown Agents kanë sjellë deri tani identifikimin e rasteve të kontrabandës apo evazionit fiskal, të cilat teorikisht duhej t’i sillnin shtetit 20 milionë euro. Por kjo vetëm teorikisht.

Smith pranon se programi i konsulencës i kompanisë së tij është i shtrenjtë. “Administrimi fiskal duhet të kushtojë diku mes 1 deri në 2 për qind të totalit të taksave të mbledhura” thotë ai.

Kostoja aktuale është aktualisht 4.1 milionë euro në vit ndërsa përfitimet janë krejtësisht të paqarta. Por Smith është i lumtur. “Unë besoj që projekti ynë i konsulencës ia vlen dhe se duhet të zgjatet [sipas kontratës] për vitin e tretë, madje të rinovohet edhe për më vonë,” tha ai.

Në total, sipas statistikave të FMN-së për prodhimin e brendshëm bruto dhe statistikave të Ministrisë së Financave për të ardhurat buxhetore, rezulton se në vitin 2014, të ardhurat doganore u rritën me 0.4 për qind të PBB-së në krahasim me vitin 2013, ndërkohë që barra fiskale mbi karburantet dhe cigaret u rrit me gati 1 për qind të PBB-së duke sjellë një mungesë në të ardhura si përqindje e PBB-së ndoshta edhe më të lartë se sa në vitin 2013.

17 Komente

"...Smith ia hedh fajin “mosbashkëpunimit” të administratës doganore si dhe ekzistencës së evazionit fiskal “profesional”, siç e quan ai, kontrabandë në nivel të lartë që nuk kapet dot përmes inspektimeve rastësore por që duhet të luftohet nga agjencitë ligjzbatuese si sektori i krimit ekonomik në Policinë e Shtetit"

Mister Smith, te ato 4 milionë Eurot që fitoni nga puna, unë si taksapages i rregullt nuk do i shmangem. Do e paguaj në kohë, por ndërkohë ju kërkoj me politesë të na shihni vërtet ashtu siç jemi, pa komplekse. Do ju shërbejë për më tej.Ju, kur erdhët, me siguri kujtuat se trafikantët tanë dhe ivazorët ishin disa ordinerë pa vlerë. Ju me siguri nuk e keni ditur se ky ves te ne ishte si një bageti e majmur, nuk e dinit se ai sektori i doganave zotërohej nga të "rinj" të shkathët,të mençur, me përvojë, doemos anëtarë të thekur të partisë në pushtet (ah LSI, të qofsha falë)dhe të lidhur me 1000 fije me pushtetin, të gatshëm për ta shijuar herë pas here lugën e gjellës me të tjerë. Ne zoti Smith vjedhjen e pasurisë publike e quajmë virtyt, të cilin ju, pavarësisht këtij shkrimi brilant të Xhorxhit, është i vështirë për ta zbuluar si mekanizëm dredharak, se ska kush t'ua mësojë dhe as t'u udhëheqë, sepse për të hyrë në strofkën e vesit ju pengon vetëkëaqesia. Dhe, së fundi, ju z. Smith nuk e dinit kur morët koncesionin se ne doganierët, (gjyqtarët, prokurorët, tatimorët, ...) mes parasë dhe shëndetit të Shqiperisë zgjedhim si rregull ato të parat (parat pra...Mos bëni sukur nuk dëgjoni!).

" .... Në bazë të kontratës, Crown Agents do të përfitonte 4.1 milionë euro në vit (të përjashtuara nga taksat) dhe në këmbim, do të ndihmonte doganat shqiptare për të zbatuar më mirë ligjet aktuale. Crown Agents merrte përsipër të kryente inspektime, të zbulonte shkelje doganore, të identifikonte të ardhura të munguara, të fuste praktika moderne në analizimin e rrezikut dhe rrjedhimisht, identifikimin e evazionit, të luftonte korrupsionin në dogana, të përmirësonte cilësinë e administratës përmes trajnimeve etj...." 

 

smiley  smiley  Eh i shplafte panukulla qeveritaret shqiptare. 

4 mil neto per ti rene me dore me brizin dhe spiropalin. Hallall.

Po ai marin mema si nuk boni nje reportazh per crown agents mer vlla!
Po ai mero haleja, kol sallaksi, blend uturaku, po ai i famshmi filip tsakoulis si sboni gjo mer vlla!!!

Vetem birn bo artikuj gazetarie , kta tjeret bojn muhabet koti.

Hej se harrova ate lecezin e qelbet dhe ate fshataren nga lushnja

Gjergji s'na thot asigjo interesante...blah blah

Car kushtesh ka thyer CA? Di Gjergji me lexu kontrate?

Ca jeni ju Englezet, sa ju preket interresi gati per lufte, gjithe poplli ushtar.

s'ka pun lufte ktu - po Xherxhi s'na ka thon gjo per kushtet e kontrates dhe si kto nuk i kan permbush

Xherxhi eshte watchdog, ka detyre vetem te lehi.

S'e thote Gjergji? Ja se ta thote Smith:

“Ne zbatuam të gjitha kushtet e kontratës, por jo kushtin e të ardhurave,” tha Smith për BIRN.

Investigimi do te ishte me i sakte nese tregohej c'ka calltisur Crown gjetke me dhenie keshillash, se dhe kjo qe ti te rrisesh te ardhurat doganore, pa pasur asnje autoritet executiv me duket bullshit. Eshte njesoj sikur PAMECA qe keshillon Ministrine e Brendshme te premtoje uljen x perqind te kriminalitetit ne vend duke keshilluar policet.

Pastaj, te paguash 350,000 Euro ne muaj per marrje keshillash, nuk mund te quhet me hapje bythesh, po shqyerje. Nje llogari te thjeshte te thote se me kaq para ti mund te punesosh nja 500 kontrollore dhe te vendosesh kamera vezhgimi ne cdo skute te pikave doganore. Kjo per te luftuar korrupsionin. Sa per per keshilla, dogana ka 24 vjet qe merr nga nderkombetaret dhe problemi nuk eshte se nuk dine, por se nuk duan.

Ja nje interviste e plote e David Smith dhene nje gazetareje. Po te kini durimin ta lexoni do te shikoni qe thelbi i bisedes se tij eshte komplet ndryshe nga sa na e paraqet bukuroshi gazetaruc Erebara.

wow...interviste me pyetje dhe pergjigje logjike..sa e rralle, fatkeqesisht

Cili eshte thelbi i bisedes se tij, me pak fjale, ne Shqip (TM Pjeri)? Une lexova kete:

Për sa i përket nivelit të të ardhurave të mbledhura, të gjithë janë të zhgënjyer për mosarritjen e objektivat, por ka disa arsye të ndryshme të cilat mund ta shpjegojnë këtë.

Dhe vijonin shfajesime e llojit "mund te jete kjo arsyeja, po mund te jete dhe kjo tjetra." Une s'kuptova shume mire, por kam shprese se ekspertet e vertete te ekonomise si ti dhe Pjeri mund te na e shpjegoni me mire, me fjale me te thjeshta.

Nderkohe lexova shkrimin e "bukuroshit gazetaruc Erebara" dhe m'u duk se pergjithsisht nuk kishte opinion te gazetarucit qe na qenka dhe bukurosh (sipas vleresimit tend), por thonte qe s'eshte realizuar plani i te ardhurave. Nderkohe tek shkrimi qe solle ti thuhet qe dhe vete Ministri Cani s'qenka shume i lumtur. Ate pjesen ku bukuroshi gazetaruc citon letren e qeverise tone per FMN-ne e lexove? Apo eshte pjese e imagjinates se bukuroshit gazetaruc?

Per ju ekonomistet qe dini me shume, po kjo ka ndonje fakt apo bukurosha dhe keta?

si specialiste e ekonomise shtepiake, ti duhet ta zgjidhesh fet e fet kete, s'ke pse kerkon ndihme nga makroekonomistet si Pjeri.

Sipas disa PD-isteve me ferman me ardh haberi se qekurse jane perziere englezet, ne dogana nuku vidhet dot si me pare.E mira s'ka fund por nese Rilindja e ka kaq problem mbledhjen e te ardhurave ne nje nga pikat me nevralgjike te shtetit  nuku duhej te vinte ne krye te tyre ate pirivicken qe s'i kish thene ndonjehere punes  bismilahi ne jeten e vet...

Bojini ato kontrata mire dreqin ta haj!

Cfare jane keto konsulta pa rezultat? Keta duan te vazhdojne krefjen , me falni punen, me doganat ne Shqiperi, atehere bejini kontrate qe t'ju rimbursojne nese s'arrijne rezultatin. Dhe merrni leket mbrapsht. Pastaj ta shohim sa te gatshem jane. Plus negocionin termat, mos i leni fushe me lule.

Kostoja aktuale është aktualisht 4.1 milionë euro në vit ndërsa përfitimet janë krejtësisht të paqarta.))

Gazetaruc i lloit të veçantë! Në vënd që të zhbirilojë këtë Raport si i Birn ,  thelbin e problemit  për çdo argumenti në shkrim " Raporti i Përfitimeve nga Puna e CA për doganat me përfitmin  4.1 meleunë evro " shkrimi  merret me koqellëqe .

Kur bën artikuj ky birbua me kalem , të kujton atë skeçin e Llakajt me prof Dy M , alais K.Devolen me , % e purqindjeve të purqindjeve në % smiley  . Ky lloj shtypi kuptohet që është për nivele Elitare si psh Gjëmbi që e shqetëson dhe pamja fizike e tij është apo nuk ëshhtë bukurosh . se për Gazetaruc as që ka dyshim smiley

Them se këto lloj artikujsh që po vijnë si rrallë në të dëndur me siglën Erebara , të kujtojnë atë shprehjen ..Dashuri e dëndur ,e pjerdhur e fëndur .Ky nuk është as ekonomist as analist as gazetar . Këtij do i bëni respekt në se në fund të artikujve të BIRN vini Redaktoi Erebara .

Mejtonj gjithashtu se sh Gjëmbi i jep një prioritet të arsyeshëm mejtimit Ekonomik të PPU pa u shprehur vet si Elitare për të dhënë orientimin se si duhet kuptuar Erebara Kjo dallohet shumë lehtë në se shikon se akoma nuk ka një shtjellim smiley e as një koment aty smiley nga Yp Xhibi

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).