Nis seanca e fundit e këtij sesioni parlamentar. Kuvendi do të shqyrtojë projektligjin për turizmin, i cili është mjaft i debatuar mes mazhorancës dhe opozitës.

Më herët opozita ka paralajmëruar votën e saj kundër nismës së qeverisë, me argumentin se vjen në shkelje të procedurës parlamentare dhe duhet të reflektojë vërejtjet e mbërritura për draftin. Pika më e debatueshme është heqja e kompetencave që ka aktualisht pushteti vendor për menaxhimin e pasurive të paluajtshme në zonat me përparësi turizmin.

Me ndryshimet e bëra kjo kompetencë i kalon Ministrisë së Ekonomisë, e cila vendos për t’ia dhënë pronat me koncesion për 99 vjet kompanive të ndryshme, sipas kontratës simbolike “1 euro”.

 

Spaho: Të rishikojmë ligjin e vitit 1993

Zv.kryetari i Kuvendit, Edmond Spaho në fjalën hapëse të punimeve të Kuvendit bëri thirrje për mos miratim të ligjit të propozuar nga maxhoranca pasi sipas tij nuk i jep zgjidhje asnjë prej problemeve të turizmit.

“Kemi vetëm një fshat turistik, atë të “Mak Albania” në Kavajë të ndërtuar në vitin 1994. Qëllimi i çdo ligji për turizmi duhet të jetë zhvillimi i kësaj pasurie në interesin tonë. A e siguron këtë projektligji? Mendoj që jo. Asnjë ligj i miratuar nuk ka qenë mbi nivelin e miratuar në vitin 1993. Ligji përpiqet t’i bëjë të gjitha por nuk zgjidh asnjë prej problemeve. Nuk u jep garanci investitorëve të huaj”, u shpreh Spaho.

Deputeti opozita tha ndër të tjera se, ligjet nuk kanë garantuar dot zhvillim të turizmit dhe pavarësisht se flitet për 4 milionë turistë në vit “po të zbresësh emigrantët dhe kosovarët, turistë të huaj mbeten pak. Ditën që Kosova do të marrë liberalizimin e vizave, turizmi do të njohë tkurrje të ndjeshme.”

Bashkim Fino: Projektligji e vendos Shqipërinë në vend konkurrues

Mazhoranca, thekson  se përmes këtij projektligji Shqipëria do të vendoset në një destinacion të preferuar dhe konkurrues në tregun ndërkombëtar të këtij sektori. Deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino tha se ligji do të mundësojë nisjen e klasifikimit, standardizimit dhe dhënien e licencave për operatorët dhe agjencitë turistike, proces ky që do të kryhet nga ministria përkatëse me ndihmën dhe bashkëpunimin e agjencive ndërkombëtare që punojnë me këtë sektor. “Ky ligj sjell turizëm vjetor të integruar, zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, formalizimin dhe standardizimin e industrisë së turizmit, krijimin e programeve kombëtare për stafin për turizmin, me tre programe, turizmi për të rinjtë, eko-turizmi dhe programi për turizmin malor dhe bregdetar”, tha Fino.

Mediu: Duhet garanci juridike për investitorët

Fatmir Mediu tha Shqipëria është një vend me potencial të lartë për zhvillimin ekonomik, por është vendi i fundit në rajon për sa i përket investimeve serioze. “Shkak i kësaj janë burokracitë që investitorët  hasin në Shqipëri. Garancia juridike është ajo që pengon të huajt të investojnë këtu.

Ne duhet t’i bëjmë ligjet që  të garantojnë investimet. Jemi edhe pas Malit të Zi, për sa i përket turizmit. Ky vend është 4 herë më i vogël se ne, por turizmin e ka shumë herë më të zhvilluar se ne. Numrin e turistëve e kanë 10 milionë, ndërsa ne 4 milionë. Ne duhet të bëjmë ligje që të tërheqim investime”, tha Mediu.

2 Komente

" .....Ne duhet t’i bëjmë ligjet që  të garantojnë investimet. Jemi edhe pas Malit të Zi, për sa i përket turizmit. Ky vend është 4 herë më i vogël se ne, por turizmin e ka shumë herë më të zhvilluar se ne. Numrin e turistëve e kanë 10 milionë, ndërsa ne 4 milionë. Ne duhet të bëjmë ligje që të tërheqim investime”, tha Mediu...." 

 

 Ose te hapni veshet e te ndigjoni idete e reja perendimore. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).