“Koleksionimi është hobi i mbretërve”, si shprehje duket të jetë përdorur shumë kohë përpara se mbreti Faruk i Egjyptit t’i kushtohej këtij pasioni. Shembuj të tjerë monarkësh të spikatur kishin shkëlqyer në të shkuarën. Mbretëresha Elizabeta II, sovrania për të cilën thuhet se është zotëruese e koleksionit më të kushtueshëm të pullave postare, shumicën e trashëgoi nga prindërit dhe gjyshërit e saj mbretërorë, ku më së shumti shquan Xhorxhi V; mbreti Karol i Rumanisë dhe Car Nikolla II i Rusisë ishin filatelistë të njohur; me koleksionin e dhuruar të monedhave të numismatit dhe ish Perandorit të Italisë, Viktor Emanueli III, është ngritur në Romë në Palazzo Massimo alle Terme muzeu i monedhave; diktatori i Spanjës, gjeneralisimi Franko, ishte gjithashtu një filatelist i pasionuar. Emra të tjerë të shquar njihen si protagonistë të mëdhenj në numizmatikë ose filateli, nga ku veçohen Petrarka, Papa Piu VIII, Enriko Karuzo, kont Papadopuli, markezi Huan Antonio Samaranç, e plot të tjerë. Në mes tyre shkëlqen mbreti Faruk I i Egjiptit, si një ndër më të veçantët për rrallësitë që koleksionoi dhe vlerat sasiore që zotëronte. Shijet e tij për kërkimin e gjërave të rralla dhe të pazakonshme ishin shkaku për krijimin e një prej koleksioneve më të famshme të të gjitha kohërave.  Ende sot vazhdojnë komentet, kërkimet e botimet.

Pak fjalë mbi dinastinë e famshme shqiptare

Në datën 24 korrik  të vitit 1952, të nesërmen e rrëzimit nga froni të mbretit Faruk, gazetat kryesore europiano-perëndimore dilnin në faqen e parë me tituj që njoftonin grushtin e shtetit të ushtarakëve të udhëhequr nga Gamal Abdel Nasser dhe fundin e “sundimit 150-vjeçar të dinastisë shqiptare” në Egjypt. Nga koha e largët e vitit 1811, kur Mehmet Ali kish shkatërruar përfundimisht regjimin e prapambetur feudal të mamlukve, Egjypti ishte shndërruar në një zotërim të kalorësve dhe ushtarëve me origjinë shqiptare, të udhëhequr për një shekull e gjysmë nga bijtë pasardhës në linjë mashkullore të Mehmet Ali pashës. Ata, njeri pas tjetrit, Ibrahimi, Ismaili, Muhamed Tefik, Abazi dhe Fuadi I, sunduan si sovranë dhe shkëlqyen në aftësitë e tyre, e orientuan Egjyptin drejt kulturës perëndimore dhe e kthyen këtë koloni të Perandorisë Otomane në fuqinë e vërtetë e të vetme të Lindjes së Mesme. Egjypti-Misiri për shqiptarët-ishte diaspora më e fuqishme. Ajo u shndërrua në strehën e sigurtë të punës së rilindësve për pavarësi, ku vepronin disa shoqëri dhe botoheshin gazetat Besa, Toska, Sëpata dhe Shkrepëtima. Elementi shqiptar, myslimanë dhe të krishterë, gëzonte privilegje të veçanta.

Mbretit Fuad I, ati i Farukut, ish mëtonjësi më serioz i fronit mbretëror të Shqipërisë më 1913, gojëdhënat i rrëfejnë se, kur një fallxhore i tha që fati i tij do ishte nën përcaktimin e gërmës “F”, të pesë fëmijve ai u vuri emrat me nistoren “F”: Faruk, Fawzia, Faiza, Faika dhe Fathia. Emrat e dy prej pinjollëve, Faruku dhe Fawzia, do ngeleshin në histori të famshëm jo vetëm si mbretër (Fawzia, ish gruaja e Mohamed Reza Pahlavit, mbretëreshë e Persisë-Iranit), por edhe sepse njëri ishte koleksionisti më i madh i kohës dhe motra e tij me tipare mahnitëse, e shpallur nga Holliwudi si gruaja e kohës më e bukur në botë.

Mbreti Faruk mes koleksionistit dhe mëkatarit

Farukut i erdhi pushteti absolut në moshën 16 vjeçare, kur, pas vdekjes së babait, Fuadit I, ai u thirr me urgjencë nga Akademia ushtarake britanike Woolwich, ku ish me studime. Nuk kish ndodhur kurrë në historinë e Egjyptit modern që një monark t’i drejtohej popullit. Këtë e bëri Faruku në momentin e kurorëzimit, kur ju drejtua kombit përmes radios: “...është vullneti i Perëndisë për të hedhur mbi supet e mia në një moshë të tillë të hershme përgjegjësinë e mbretërisë ... Unë jam i përgatitur për të gjitha sakrificat në rrugën e detyrës time ... Populli im fisnik, unë jam krenar për ju dhe besnikërinë tuaj dhe jam i bindur në të ardhmen ... Le të punojmë së bashku. Ne do të kemi sukses dhe do të jemi të lumtur”, duke lënë pa mend si elitën ashtu dhe popullin, që, nga ky moment, mbretin-fëmijë filloi ta adhuronte.

 Në moshë të re, ende pa vënë peshë trupore, i pashëm, me sy bojëqielli, me të ëmën që e kish me origjinë egjiptiane (ndryshe nga paraardhësit e tij që nënat i kishin me origjinë shqiptare), bëri që populli fillimisht ta donte. Me kalimin e viteve ai u shndërrua në një hamës legjendar, në feminist, lojtar i thekur bixhozi dhe koprac, por të gjitha këto mëkate kapitale i fashitëte me shkëlqimin në hobin e tij të koleksionimit, ku la një emër të pashlyeshëm në kulturën e trashëgimisë së vlerave filatelike e numizmatike.

 Pas abdikimit dhe largimit nga Egjypti, për zakonet e tij u përgojua jo pak. Historira dhe anekdota qarkulluan për vite të tëra, ku spikaste më së tepërmi të qenurit e tij kleptoman. Tregohej se i vodhi nga xhepi Winston Churchill-it orën dhe Shahut të vdekur të Persisë, kur arkivoli u ul transit në aeroportin e Kajros, u akuzua se i vodhi shpatën ceremoniale, rripin dhe medaljet nga uniforma e kufomës.

 Mëkati i tij më i madh ishte pamëdyshje një telegram i vitit 1944, që i dërgohej Hitlerit në prag të ofensivës së Romelit. Në të i thuhej diktatorit se “pushtimi i Egjyptit nga trupat gjermane ishte i mirëpritur”. Ndonëse e mbajti gjatë Luftës së II Botërore mbretërinë e tij në pozita asnjanëse, britanikët dhe amerikanët nuk ja falën këtë telegram. Ishte mbështetja e tyre për Gamal Abdel Nasser, ndonëse dihej se ishte prosovjetik, që e rrëzoi nga froni.

Çfarë koleksiononte mbreti Faruk?

Mbledhja dhe koleksionimi prej tij i monedhave, pa droje mund të cilësohet si më kryesori. Nga koha e mbretërimit kanë mbërritur disa foto ku ai, si koleksionist shfaqet në tavolinën e punës së koleksionistit mes monedhave. Në fondin e koleksionit përfshiheshin rreth 8500 monedha ari dhe mijëra të tjera argjendi, të cilat mbreti Faruk i kish bërë shumicën si blerje në vitet ‘40, periudhë e cila vlerësohet si koha e artë, kur një dollar numizmatik ishte i barabartë me një Paund egjiptian. Blerjet dhe koleksionimi i monedhave vazhdoi pa ndërpreje, deri në vitin 1952, kur përfundoi edhe sundimi i tij.

Më tej renditet për nga vlera koleksioni i pullave postare, ku përpos renditjes kronologjike të pullave të postës së Egjyptit, albumet e tij kishin dhe pulla të rralla të postave të tjera, mes të cilave përflitet si hamendësi se mund të ketë patur dhe 25 e 50 piastrat e mbishtypjes “Shqipënia 1913”. Koleksioni gjigand i pullave përmbante rrallësi filatelike, si pulla dhe zarfa postarë të udhëtuar, që nisnin nga vitet ’40 të shek. 19, të Anglisë, mbretërive italiane, të Greqisë, Perandorisë Otomane, Kineze, etj. Bjorn Sohrne, sekretari i Shoqatës së Filatelistëve të Stokholmit, koleksionues dhe studiues i historisë së pullave postare të Persisë, më ka folur mua në vitin 2012 në Tiranë, mbi fondin e pasur që ka patur mbreti Faruk nga pullat e Iranit. Më tej renditen objekte pafund të koleksionit të armëve, të orëve të xhepit, të murit e të dorës; të librave e botimeve të vjetra; të veprave të artit prej ari e argjendi; të medaljeve, përfshi dhe ato “Nobel” e “Olimpike”; të objekteve të artit të lashtë egjiptian. Koleksioni i pasur  i objekteve me temë pornografinë, që ju gjet pas largimit, u bë shkak i qeshjeve dhe talljeve, për shkak se mbreti mbipeshë kish kohë që përgojohej për impotencë seksuale. Shishet antike ishin një tjetër pasion i tij. Në koleksion ju gjetën disa nga vezët perandorake ruse, shumë të rralla e të kërkuara. Të mos harrojmë të cilësojmë së fundmi dhe koleksionin e mbi 100 autoveturave.

Të rrallat e më të rrallave e koleksionit të mbretit

Janë dy emëtime të bankës amerikane, që e shndërrojnë mbretin Faruk në numismatin më legjendar të të gjitha kohrave.

“Double Eagle-1933”. Më e famshmja nga koleksioni i tij ishte monedha e vitit 1933, e quajtur “Shqiponjë dyshe”, cilësuar si nga më të rrallat. (Monedha e artë 20 $ quhej “me shqiponjë dyshe” sepse “njëshe” quheshin 10 dollarshet). Monedhat e arta me shqiponjë 20 $, ishin në përdorim në SHBA që nga viti 1850, kohë kur ishte emëtuar 20 dollarshi i parë. Me stampën “1933” u stampuan 445500 copë të tilla. Nuk u hodhën asnjëherë në qarkullim sepse me urdhërin e drejtpërdrejtë të presidentit Franklin Rusvelt ato u shkrinë, si strategji për largimin e SHBA-ve nga standardi i arit. Monedhat e arit nuk u përdorën paskësaj më në territorin e federatës, sepse stabilizimi i ekonomisë amerikane pas Depresionit të Madh, e shtrëngoi qeverinë të hiqte metalin e çmuar nga përdorimi, si përpjekje për t’i dhënë fund krizës, çka u shoqërua dhe me një akt-urdhër dorëzimi të të gjitha monedhave të arta në zotërim nga popullata e gjerë dhe këmbimin e tyre me kartmonedha.

Urdhëri i asgjësimit të 20 dollarshit-1933, ishte përmbushur në fund të vitit 1934 për tërë sasinë, me përjashtim të dy copëve, që ju dhanë Muzeut Kombëtar të Historisë. Deri tani janë zbuluar në harkun kohor të 60 vjetëve kërkim prej shërbimit sekret amerikan, 8 copë dhe 10 të tjera të deklaruara nga poseduesit e të njëjtit burim: argjendari nga Filadelfia, Izrael Swift. Gjithsej 20 copë. Hetimi filloi në vitin 1944, kur ranë në gjurmë të vjedhjes vetëm pasi u zbulua se një tregtar nga Teksasi kish shitur jashtë vendit një “Double Eagle-1933”. Blerësi ishte mbreti Faruk dhe, për çudi, monedha shoqërohej me licencë dhe leje eksporti plotësisht e ligjshme. E gjithë kjo ka ndodhur veçse pak ditë para se të zbulohej ekzistenca e tyre. Ndonëse qeverija e SHBA-së u përpoq për kthimin e saj, me argumentin se shitja ishte antiligjore, nuk mundi dot, deri kur koleksioni i Farukut u sekuestrua. Ndërsa qeverija egjyptiane e pranoi në prag të ankandit kthimin e monedhës, befas ajo u zhduk në rrethana misterioze. U shfaq në vitin 1996, pas 42 vjetësh, në pronësi të tregtarit britanik Stefan Fenton, i cili u arrestua në hotelin Waldor-Astoria, kur përpiqej ta rishiste. Nën betim, ai rrëfeu blerjen ligjore, duke siguruar hetimin se bëhej fjalë për mostrën “Faruk”. Ai  mbrojti për pesë vjet rresht pronën e tij në gjykatë, deri sa gjyqi vendosi që monedha vihej nën pronësinë e shtetit amerikan, i cili detyrohej ta shiste në ankand dhe shuma e përftuar të ndahej përgjysmë mes shtetit dhe pronarit. Monedha u shit në ankandin e 30 korrikut të vitit 2002, së bashku me premion 15% të blerësit dhe çmimin prej 20 dollarë të monedhës, për shumën 7.590.020 dollarë. Kjo kopje e vetme në zotërim privat është njëherësh dhe monedha më e shtrenjtë në historinë botërore të numizmatikës. Asaj, kinemja amerikane i realizoi një dokumentar, të cilin e ka shfaqur edhe platforma Digital.

Dhe, ndërsa beson se këtu, me dokumentarin, mbyllet historia, disa muaj pas ankandit bota numizmatike do shastisej nga lajmi se Joan Swit Jangbord, bija dhe trashëgimtarja e argjendarit Izrael Swit, i cili sapo ka ndërruar jetë, njofton te shërbimi sekret amerikan praninë në kasafortën e të jatit në bankë të 10 copëve shqiponjë dyshe-1933. Ndërsa ekspertët provojnë origjinalitetin e të dhjetë monedhave, Joan Jangbord provon se është në rregull me ligjin, por gjykata, më 29 gusht 2012, i jep të drejtë qeverisë amerikane për sekuestrimin dhe shkatërrimin e monedhave të arta 20 dollarshe. Në apel, në prill 2015, gjykata urdhëron kthimin te familja Langbard të monedhave. Vendimi apelohet, monedhat arkivohen ndërsa beteja ligjore vazhdon ende. Prej “Double Eagle” njihen tashmë 20 copë: 2 copë janë në muze; 1 copë, mostra “Faruk”, koleksion privat; 7 copë të shkatërruara në USA Mint dhe 10 copë të bllokuara në proces gjyqësor.

Po kush i vodhi monedhat? Hetimi zyrtar bën të dyshuar vetëm një person: George Mc. Cann, ish punonjës i USA Mint, me qasje shërbimi në procedurën e likuidimit, i cili hamendësohet se ka bërë të mundur vjedhjen në procesin e asgjësimit të 20 copëve monedha të arta, duke i shmangur ato nga listat e kontabilitetit dhe inventarit.

 

(Fundi i pjesës I)

*Autori është koleksionist, ish President i Shoqatës të Filatelistëve dhe Numismatëve të Shqipërisë

12 Komente

Shkrimi ishte interesant, sidomos per te dhenat historike te familjes dinastike Pasha. 

Nuk e kane mohuar asnjehere orgjinen e tyre shqiptare ...

Faruku ishte bark derr smiley hante shume ---vdiq ne Rome ne esilio ,dikush thote qe e helmuan ...bo ..!! 

E motra ka qene yll ...Venere Orientale, i e quanin ne ate kohe ...

http://www.tg1.rai.it/dl/img/2013/07/260...

 

Faruku http://www.la-roulette.org/images/FARUK_...

Shqiptaret modernizun boten ,si Turqin ,Egjiptin etjetj por per Shqiperin ben pak ...

Sot  katundaret shqipe, jane be me keq se Afganistan smiley

Se mos me shaj ndonjeri kaurre 

se jam si shpirt bektashije, pim raki sa na do qefi smiley 

mgjth ne teqe dy here kam vajtur ,per festen e hashures smiley

 

vrasja e 900 mamlukeve pas darkes, zgjuarsi dhe ashpersi shqipetare, kurth dhe ekzekutim pa meshire...

shqiptaret e egjiptit komunitet i zgjuar dhe me vlera te larta ushtarake.

Po ato udheheqesit shqiptare te vrare ne te njeten menyre nga turqit me masakren e manastirt duhet ta levdojme si zgjuarsi e ashpersi turke?

jo si neglizhence tonen..., se kur e ka lidh besen bir i shqiptarise ja ka shti friken gjithe rumelise smiley

I pari Muhamed Ali https://upload.wikimedia.org/wikipedia/c...  

Brezi i dyte 

Ibrahim Pasha 

http://upload.wikimedia.org/wikipedia/co...

Brezi i trete 

Ismail Pasha 

http://upload.wikimedia.org/wikipedia/co...

 

Brezi i katert 

Fuat mbreti i Egjiptit dhe Sudanit 

http://upload.wikimedia.org/wikipedia/co...

 

Dhe i fundit Faruku i ri 

http://upload.wikimedia.org/wikipedia/co...

 

Fawzia kur u nda me te shoqin e pare shahun e Iranit 

burrin e dyte mori ishte me orgjine  shqiptare...ministri i luftes se Egjiptit... 

 

 

 

Ishte  kleptomaniac, thone qe I vodhi oren Winston churchillit.

Gje burimin ,

me te thena e me te sajuara nuk besoj smiley

http://www.biographybase.com/biography/F...

...As he got older, the king began pilfering objects and artifacts while on state visits abroad, including a ceremonial sword from the Shah of Iran and a priceless pocket watch from Winston Churchill. Common people were also often the victims of the kleptomaniacal monarch, and by mingling with commoners Farouk soon became a highly-skilled pickpocket. His well-known panache for thievery soon earned him the nickname "The Thief of Cairo". This excess would be one of the leading sparks that triggered the 1952 military coup....

 

 

Nuk e di sa i besushem eshte dhe ky burim ...por dhe sikur te jete e vertete ...tjeter gje eshte te jesh hajdut dhe lypsar te pafytyre  si greket smiley 

e tjeter gje eshte te jesh i semure ...

Nuk kishte ai te blente nje ore  ? lol

Kot nuk thote populli shqiptar shnet ,shnet se te gjitha kalojne smiley

E kshu shyqyr qe e gjeti mi gru smiley

se po me rrinte menja te njolla ne biografi smiley

Kon nigju qe edhe Bush-et ishin me origjine Shqiptare smiley ...Amon mer jahu vdiqem per tu justifiku njecik, do bohemi me keq se Greket.

Bush-et ngaqe kane qeveris Ameriken ,s"mund te jemi random ne,raca jone vetem qeveris.smiley

Ua nuk jan me orgjine greke smiley

Po ju ku keni nderin te qeverisni ?smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).