Mbreti Faruk, numizmati legjendar, ishte pronar i monedhës së famshme, “1913 liberty nickel – Five cents 1913”. Është monedha tjetër me famë në botën numizmatike, e cila gjithashtu i përket historisë së pasur amerikane të prerjeve bankare. Faruku ka pasur dy të tilla në kohë të ndryshme. Këto monedha me metal nikeli, me histori ende të pazbuluar  rrethohen nga misteri se, ndërsa ka vetëm pesë mostra të njohura, nuk dihet se në ç’rrethana u prodhuan

Pjesa I

“1913 liberty nickel – Five cents 1913”. Është monedha tjetër me famë në botën numizmatike e cila gjithashtu i përket historisë së pasur amerikane të prerjeve bankare. Faruku ka pasur dy të tilla në kohë të ndryshme. Këto monedha me metal nikeli, me histori ende të pazbuluar. rrethohen nga misteri se, ndërsa ka vetëm pesë mostra të njohura, nuk ka dokumente apo urdhra prodhimi për të. Këtu qëndron e panjohura. “Liberty Head-Five cents”-nikel, ishte prodhuar nga viti 1883 deri në vitin 1912, 33 herë. Vetëm viti 1912 kish tre prodhime D dhe S me sasinë  mbi 34 milionë copë.

Është e njohur se në vitin 1913 do provohej prodhimi i një Liberty nikeli 5 cent, por vendimi nuk është finalizuar për ta prodhuar, sepse u vendos që të ndryshohej, duke i zëvendësuar dy anët e monedhës me “Indian Head dhe Bufalo”. Befas, shfaqen në vitin 1919 pesë copë që mbanin vitin 1913?! Ekzistenca e një monedhe 5 cent nikeli, me dizajn të Liberty të vitit 1913, u bë e njohur plotësisht në konventën e numizmatëve amerikanë në vitin 1920. Ato i ofronte tregtari Samuel Browin për t’i shitur për 500$ secila. Bota e numizmatëve mbeti pafjalë. Misteri, si ato erdhën në jetë, ndoshta kurrë nuk do të bëhet i njohur. Supozohet se dikush në departamentin e prodhimit të monedhave, USA Mint, stampoi për Brown (ku ai ishte punonjës) në monedhë vitin 1913. Më pas ai pretendonte t’i kish blerë mostrat, por, siç Gloria Peters dhe Cynthia Mohon, në librin e tyre “Complete Guide”, thonë se, “Është intriguese dhe ndoshta e dobishme të theksohet se viti 1920, viti kur Brown njoftoi zbulimin e tij, shënoi mbarimin e kufizimeve për ndjekjen penale të të gjithë atyre që mund të kenë marrë monedha nga Mint Coins”. David Bowers, në katalogimin e tij të Koleksionit Eliasberg, vë në dukje një Liberty nikeli-1913, që mund të ketë qenë goditur qëllimisht në mënyrë që të krijohej përshtypja sikur ka qarkulluar.

Çfarë ndodhi me të vërtetë për qenien e këtyre pesë monedhave, ndoshta gjithmonë do të mbetet një mister, ndërsa njihet rruga që ato përshkuan në këta 96 vjet nga zbulimi?! Prej tregtarit Samuel Browin pesë copat i bleu koloneli E. Green, i cili derisa vdiq aksidentalisht në vitin 1936 i kishte në pronësi. U shitën nga trashëgimtarët në ankand, ku u blenë të pesta nga tregtarët Eric Newman dhe B.G. Johnson. Prej tyre, në kohë të ndryshme, Faruku bleu dy copë. Nga pesë copat e monedhës prej nikeli, Liberty 1913-Five Cents, dy prej tyre ndodhen në muze të ndryshme dhe tri janë në duart e koleksionistëve privatë. Mostrat Olsen dhe Norweb, në kohë të ndryshme u blenë dhe u vendosën në koleksionin e mbretit Faruk, kaluan duar pas duarsh dhe ndërruan disa herë pronarë. Mostra Olsen u ble nga Fred Olsen. Pasi kaloi disa pronarë, u shit në vitin 2005 për shumën 3.737.500 $. Blerësi mbetet anonim. Mostra tjetër e koleksionit të Farukut, e emërtuar Norweb, blerë prej tij në vitin 1949, pas shitjes në ankandin e Kajros në vitin 1954, u ble nga Galeria Numizmatike e cila më pas e shiti te Henry Norweb dhe gruaja e tij. Çifti ia dhuroi monedhën institutit Smithsonian, ku ndodhet sot e ekspozuar. Mostra Eliasberg kaloi në 5 ankande. Në vitin 1996 u shit 1.485.000 $; në vitin 2001, 1.840.000 $; në vitin 2005, 4.150.000 $ dhe nga viti 2007, kur u ble  nga një koleksionist i paidentifikuar për 5 milionë $, monedha nuk është shfaqur më. Mostra Walton, nga viti 1962, kur i zoti i saj vdiq aksidentalisht, mendohej e humbur. U shfaq në vitin 2002. Trashëgimtarët e kishin pasur gjendje, por nuk kishin dijeni për praninë e saj. Kur u ekzaminua nga ekspertët numizmatë, ata e shitën në vitin 2013 për shumën 3.172.000 $. Mostra Dermott, blerë nga James Kelly, pas vdekjes së tij u ble nga Aubry Bebee, i cili ia dhuroi muzeut.

Cili ishte fati i fundmë i koleksionit të mbretit Faruk?

Faruku iku nga Egjipti me nxitim të madh e për rrjedhojë shumica e pasurisë materiale që kish nën zotërim, përfshirë dhe koleksionin e madh, u braktisën. Qeveria egjiptiane vendosi të nxjerrë në ankand koleksionet dhe thesaret e mbretit. Ankandi  u zhvillua në pallatin Koubbeh të Kajros, nga data 24 shkurt deri në 3 mars 1954. Njihet si ankandi më i famshëm, është ankandi më gjatë i zhvilluar ndonjëherë dhe ankandi me sasinë më të madhe të objekteve të paraqitura për shitje. Ankandi përfshinte në grumbullin e stërmadh (më e madhja e përjetuar deri më sot) koleksionet më të rëndësishme të monedhave në historinë e numizmatikës, ku peshë të konsiderueshme zinin emetimet e Shteteve të Bashkuara, banka e të cilës rendit emetime që janë shndërruar në rrallësi shumë të kërkuara. Kur shkrimtari Jason Goodwin erdhi në Shqipëri në vitin 2014, i ftuar nga shtëpia botuese “Saras”, ai, si autor kohë përpara i një studimi historik për kartëmonedhën amerikane, na rrëfeu përpos të tjerash dhe për disa histori tërheqëse dhe shumë interesante të monedhës dhe kartëmonedhës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se si në kushtet e krizës së madhe ekonomike, që mori emrin “Depresioni i Madh”, rrallësitë e monedhave amerikane përfunduan te mbreti Faruk. Në koleksionin e Farukut ndodhej më i madhi koleksion amerikan i mbledhur ndonjëherë.

Në ankand vërshuan nga gjithë bota, por spikasnin, për arsyen që cilësuam më lart, sidomos amerikanët, ku përpos tregtarëve, merrte pjesë dhe ambasadori Henry Norweb me bashkëshorten, emrin e të cilit e gëzon e famshmja mostër, “Norweb-Five cent-nichel 1913”. Prania e një mase të madhe tregtarësh dhe koleksionistësh amerikanë shpjegohej me faktin se në sasinë e 8500 monedhave të arta ndodheshin pothuaj shumica e monedhave amerikane, që shënonin kohën e emetimit nga viti 1671. Kishte në koleksion disa dhjetëra monedha të viteve 1795-1799 dhe pothuaj shumicën e emetimeve të viteve 1800-1859, kataloguar këto si shumë të rralla dhe disa të renditura në më shumë se dy varietete. Nga tregtarët amerikanë kishte prej tyre që merrnin pjesë me të drejtë parablerje, sepse ata e kishin furnizuar mbretin Faruk herë pas here me monedha të rralla, për të cilat ende nuk ishin likuiduar. Shkaku ishte se legjislacioni egjiptian i financave faturat më të mëdha se 10000 $ përcaktonte se duhej të dërgoheshin në thesarin egjiptian, ndërsa mbreti kishte autoritetin për të autorizuar vetëm pagesën e faturave më të vogla.

Qeveria egjiptiane, pasi vendosi një datë të shitjes, punësoi firmën e njohur të Londrës, Baldwin & Co, për të bërë përshkrimin e specifikimin e monedhave dhe firmën Sotheby & Co, për botimin e katalogut të ankandit. Katalogu ishte jo shumë i qartë, me grupime monedhash gabim dhe shitja bëhej më e komplikuar nga fakti se mbreti Faruk vetëm tregtarit Hans Schulman i kishte fatura të papaguara në shumën 300000 $. Pas shumë bisedimeve paraprake me qeverinë egjiptiane, ishte bërë një marrëveshje ku zotit Schulman i njihet borxhi, me të cilin ai do të mund të bënte blerje në ankand. Ky është shkaku që zoti Schulman u bë një blerës i madh në ankand. Një blerës tjetër i madh ishte John J. Pittman, i cili mundi të marrë pjesë të rëndësishme në objekte numizmatike, blerje të cilat dolën të jenë ndër më të rëndësishmet e karrierës së tij numizmatike. Blerës të tjerë të mëdhenj rezultuan të jenë tregtarët Gaston Di Bello, Abe Kosoff, Sol Kaplan, Bob Schermerhorn, James Randall dhe Paul Wittlin, emra të mëdhenj këta të historisë së numizmatikës botërore. Ata, si mjeshtër, shfrytëzuan gjithë rrethanat që të bënin blerje me vetëm 10 për qind të vlerës reale të objekteve. Një kopje origjinale e vëllimit të katalogut Sotheby & Co të pallatit Koubbeh, “Koleksionet e Egjiptit, monedhave dhe medaljeve”, ka marrë sot vlerën e një objekti të rrallë, shumë të kërkuar, shoqëruar me një çmim të majmë, por që nuk gjendet. Në Shqipëri askush nuk e ka pasur fatin qoftë dhe ta shfletojë, vetëm e vetëm për të shuar kureshtjen nëse Ahmet Zogu ia kish bërë apo jo dhuratë kur mbërrinte në Egjipt pas pushtimit italian, emetimet e rralla të monedhave të arta të 25-vjetorit të pavarësisë dhe emetimin e “Martesa”. Po kështu, për të provuar nëse janë fjalë apo të vërteta ndodhia në koleksion të pullave 25 e 50 piastra, “Shqipnia 1913” dhe provat e monedhave të Bankës Kombëtare të vitit 1926, për të cilat flitej se Viktori Emanueli III ia kishte shitur mbretit Faruk.

Paraprakisht ishte bërë një marrëveshje që monedha, “Shqiponja dyshe-1933”, nuk do dilte në ankand, por do t’i kthehej qeverisë së SHBA. Monedha u zhduk para se ajo të mund të kthehej në Shtetet e Bashkuara dhe, kohë më vonë, në vitin 1996, u rishfaq në Nju Jork, ku është shitur përfundimisht në ankand për më shumë se shtatë milionë dollarë, çmimi më i lartë i dhënë deri tani për një monedhë. Në thesaret e Farukut ndodhej dhe diamanti me famë, “Ylli i Lindjes”, 94-karatësh, i blerë nga Harry Winston, por që sipas dokumenteve të paraqitura, shuma nuk ishte paguar. Tre vjet më vonë, nga koha e përmbysjes së mbretit, një bord ligjor egjiptian i ngarkuar me asgjësimin e aseteve ish-mbretërore, vendosi, pas disa vite proces gjyqësor, në favor të Winston dhe vetëm pas këtij vendimi Winston ishte në gjendje për të marrë “Yllin e Lindjes” nga një kasafortë në Zvicër.

Mërgimi dhe vdekja

Me mërgimin e tij nga Egjipti, Faruku u vendos së pari në Monako, e pak më pas, në Romë. Më 29 prill 1958, Republika e Bashkuar Arabe, një krijesë kalimtare që funksionoi si federatë e Egjiptit dhe Sirisë, nxori vendimin për revokimin e shtetësisë. Ju dha shtetësia e Monakos në vitin 1959, me ndërmjetësinë e mikut të tij të ngushtë, Princit Rainier III. Ndërsa detyrohej nga ushtria të abdikonte, duke u larguar me nxitim me jahtin Mahroussa (në bordin e të cilit ndodhej dhe  mbreti i Shqipërisë, Zogu I me familjen) nga Aleksandria për Napoli, tashmë nën vëzhgimin e rojave ushtarake, nuk u lejua të merrte asgjë nga koleksioni i tij, madje as 1000 kostumet, por rojet nuk i kundërshtuan shërbyesit të ngjisnin në mjetet e transportit me të cilat do largohej familja e tij, dhjetëra arka me etiketa shampanjë dhe uiski. Rojet fanatike myslimane as guxuan t’u afroheshin kutive të ambalazhuara me etiketat e pijeve alkoolike, druajtur se hynin në mëkat nga prekja e alkoolit, që ndalohej rreptësisht nga feja islame. Oborri mbretëror i Egjiptit ishte i njohur për frymën e tij perëndimore e liberale dhe dihej se në sallonet e saj konsumi i alkoolit bëhej rëndom. Kutitë e ambalazhit me verë u lejuan të kalonin. Më pas, nga sa është folur e shkruar, rezultoi që ato të ishin të mbushura me shufra floriri, pasuri që i dha mundësinë Farukut të organizonte jetën e familjes së tij, mes Monakos, Romës e Kaprit, Spanjës e Francës, vende ku la në bixhoz dhe një sasi të madhe të pasurisë. Mes kujtimeve e legjendave të thurura për të, tregojnë se Faruku ka humbur vetëm në një rast 150.000 $ në një kazino në Kanë, në një maratonë loje 70-orëshe.

Faruku vdiq në restorant “Ile de France” në Romë, më 18 mars 1965, në moshën 45-vjeçare. Ai u shemb me të 136 kilogramët e peshës së tij mbi tryezën e ngrënies, pasi kish darkuar si zakonisht një vakt të rëndë, duke mos u dhënë asnjë mundësi rojeve të tij shqiptare për ta ndihmuar. Të tjerë pohojnë se ai u helmua nga shërbimi inteligjent egjiptian, çka s’provohet se autopsia zyrtare nuk u krye kurrë. Vullneti i tij kërkonte që varrimi duhet të bëhej në xhaminë Al Rifa’i në Kajro, por kërkesa nuk u pranua nga qeveria egjiptiane e Gamal Abdel Nasser dhe ai u varros në Itali. Mbreti Faisal i Arabisë Saudite kish deklaruar se ai do të ishte i gatshëm që mbretin Faruk ta varrosnin në Arabinë Saudite, gjë që nuk u pranua për shkak të amanetit. Trupi i mbretit Faruk u kthye në Egjipt më 31 mars 1965, gjatë natës dhe u varros fshehurazi në xhaminë Ibrahim e më pas, gjatë epokës së Presidentit Anwar El-Sadat, eshtrat u dërguan në xhaminë Refa’i të Kajros, ku prehet sot. Shuarja e familjes mbretërore në mërgim u shoqërua gradualisht edhe me shuarjen e komunitetit elitar shqiptar në Egjipt. Ata shiheshin si pushtues dhe humbën gradualisht privilegjet e pozitën. Sot, pothuajse nuk ekzistojnë. Gjithçka prej mbretit Faruk tashmë është harruar, përpos koleksioneve që ekspertët i vlerësojnë 150 milionë dollarë, të cilat, pavarësisht shitjeve e rishitjeve, ndërrimeve duar pas duarsh të pronarëve, me kujdesin skrupuloz të shitblerjeve, shoqëruar me pericio, janë të gjitha të certifikuara nën siglën, FK, “Collection Farouk”, shkëlqimi i të cilave, për koleksionistët e gjithë botës, ende është marramendës dhe magjepsës.

Një rrallësi unikale filatelike e koleksionit Faruk

Në grupin e rrallësive nuk ka asnjë dyshim se zë vend edhe e famshmja, “3 Lire e Toscanas”, objekt i koleksionit të Farukut. Ky është një zarf i udhëtuar nga Italia në Egjipt, që mban vlerën prej 3 lira, të  emetuara nga Qeveria e Përkohshme e Toscanas në vitin 1860. Është pronë, nga viti 1991, e shtëpisë së njohur Bolaffi, blerë me vlerë prej mbi 400.000 euro. Ekzistojnë vetëm dy letra të vulosura me “3 Lire e Toscana”. Historia e këtyre dy rrallësive është pjesë e një prej faqeve më të mrekullueshme të filatelisë. Është e njohur se vetëm dy prej këtyre pullave 3 lira janë gjetur në letra të udhëtuara dhe këto dy objekte me kohë morën emrin e pronarëve të tyre të parë të famshëm: mbreti i Egjiptit, Faruku I dhe Baron Alphonse Rothschild, i degës së bankierëve të famshëm. Historia e këtyre xhevahireve të botës filatelike italiane është ndjekur dhe zbuluar me të gjitha hollësitë.  Zarfi i mostrës “Faruk” u nis më 7 janar 1860, nga Livorno në Aleksandri të Egjiptit, me postën që transportonte avullorja postare e linjës Itali-Egjipt. Zarfi postar mbërriti te marrësi, Kompania Medine-Luzzato dhe mbeti në Egjipt në arkivin e kompanisë, nga ku shkoi më pas për të pasuruar koleksionin e Mbretit Fuad I dhe nga viti 1936, së bashku me koleksionet e tjera, i ngeli Farukut. Pulla me vlerën 3 lira e këtij zarfi është e shoqëruar nga dy pulla të së njëjtës seri, një 20 dhe një 40 cent. Lajmi i parë i ekzistencës së zarfit me pullat “3 lire Toscane”, që u quajt mostra Faruk, arriti në Europë vetëm në vitin 1954, kur u shfaq në ankandin e koleksioneve Faruk. Askush më parë nuk kish dijeni për të. Historia e filatelisë e shënon shpërndarjen dhe shitjen e koleksionit të Farukut si të vetmen mbledhje mbretërore të pullave që kanë pësuar këtë fat. Në vitin 1954 shtëpia angleze “Sotheby”, e ngarkuar me ankandin e të gjitha koleksioneve të mbretit Faruk, kreu shitjen e zarfit, për shumën modeste të 970 paund. Më vonë në “Buletini filatelike-1956″, zarfi i “3 lire Toscana”, mostra Faruk, u shfaq me nënshkrimin e Alberto Dieną; në “Collector-1964”, njoftohet ankandi i zarfit Faruk, i shoqëruar  me certifikatë të A. Dieną dhe një vlerësim fillestar prej 3000 sterlina. Në ankandin tjetër zarfi u dha në 4600 sterlina. Ishte filatelisti Erkole Lanfranchi që e mbajti atë në pronësi deri në vitin 1989. Në muajin nëntor, 1989 zarfi u vu në ankand me bazë nisje 500 milionë lira. U ble nga Bolaffi 675.000.000 dhe me taksat, shuma arriti vlerën 795.000.000 lira, shifra rekord që është realizuar ndonjëherë në Itali dhe për zarf një udhëtuar.

 

*Autori është koleksionist, ish President i Shoqatës të Filatelistëve dhe Numismatëve të Shqipërisë

12 Komente

Bajram, miku im je i mrekullushem ! I ke pikante te gjitha! Ne Aleksandri, ne rrugen per Masamatruhe, jane dy vila te Farukut dhe nje ndertese tre katshe me tunel gati 200 metra qe nis nga nje hapesire e madhe me pishine ne anen jogure  dhe qe komunikonte tuneli me detin Mesdhe.Princeshat( sipas ciceronit ) laheshin gati te xhveshura  dhe qe nuk mund ti shifte askush ! Te gjitha dritaret e vilave shifnin nga deti , nga veriu.Un e pyeta ciceronin  se perse vec andej kishte dritare.Dhe ai me tha: Faruku ishte shqiptar dhe ne gjithcka ai e shprehte perkatesine e tij.

  Ndoshta prej atyre veprimeve te spikatura te mbretit shqiptar, Gamal Abdel Naseri tha ne diten e pare te fitores Revolucionit te 8 Korrikut : 

" Populli Egjyptian  shpetoi nje here e mire nga dinastia e urryer shqiptare .." 

Mirepo ne Muzeun e Kairos ndodhet shala  e Kalit e Mehmet Aliut ..

 E gjitha ne ar safi ..! 

 

Hej, grava! Kam lexuar para ca ditësh te një gazetë një artikullin tuaj mbi bujqesinë. Të përshëndes për qendrimet dhe idetë që jepje! Ju, si ushtrues teorik dhe praktik i shkencës mbi tokën, pamëdyshje që dhe çka lexove nga koleksionet e Farukut, si enciklopedi do ju tërhiqnin. 4000 famije aristokrate shqiptare ka patur Kajro dhe Aleksandria, që tani nuk janë më. Kajros, nga ajo kohë i ka ngelur vetëm emri i ishullit Zamalek në Nil. Egjyptianët as e kanë idenë se ai vjen nga emri i fshatit shqiptar të Mehmet Aliut.

Ou, po ne pse nuk e kemi nderin te lexojme keto shkrimet e Graves mbi bujqesine? Cfare s'jemi te denje?

You can't handle the truth.

E di cfare eshte me e keqja? Qe familjet aristokrate Shqiptare nuk kane mundesi te marrin pronat e tyre qe kane patur ne Egjipt.

Familjet aristokrate shqiptare?smiley

Nuk e kuptova cuditjen tende. Lexo Petron me siper:

4000 famije aristokrate shqiptare ka patur Kajro dhe Aleksandria, që tani nuk janë më.

Vete familja e mbretit ka qene aristokraci. Ka patur dhe familje te tjera Shqiptare qe kane lulezuar ne ate periudhe ne Egjipt.

Petro pershendetje ! Tani e pashe ca ke shkruar flm ! Them se detyra jone si te shkolluarveshte te themi hapet ca mendojme per kete toje qe e kemi margaritar, por te pavleresuar ! Imagjonoje fushen e anes tende ! Hambare per gjithcka materiale per njeriun.Por drejt rikenetezimit ! E pafalshme ! Dhenjerzit tane, djemte tane ikin e ikin duke e braktisur.Shenje kjo e kindervenies, e revoltes per keqqeverisjet ! 

Saper Zamalekun ( nga emri i Hafiz Zemblakut, nga Zemblaku i Korces) , te them se kam banuar nje vir e gjysem ne ate lagje, me e mira ne gjith Kairon .

Më pas, nga sa është folur e shkruar, rezultoi që ato të ishin të mbushura me shufra floriri, pasuri që i dha mundësinë Farukut të organizonte jetën e familjes së tij, mes Monakos, Romës e Kaprit, Spanjës e Francës, vende ku la në bixhoz dhe një sasi të madhe të pasurisë. Mes kujtimeve e legjendave të thurura për të, tregojnë se Faruku ka humbur vetëm në një rast 150.000 $ në një kazino në Kanë, në një maratonë loje 70-orëshe.

lol, po si nuk na doli nje mbret i fisem, por te gjithe maskarenje dhe hajdute. 

Ky artikull do ishte mire te jepej ne 4 gjuhet kryesore te botes, ate angleze, frengjisht, spanjisht dhe arabisht. 

Edhe ne Kinezce Pjer, pasi nga ekonomia vjen e pesta pas Indise.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).