Siç pritej, kryebashkiakët e djathtë kanë bojkotuar takimin e thirrur nga kryeministri Edi Rama me kryetarët e rinj të bashkive. 13 nga 15 kryebashkiakët e djathtë refuzuan ftesën e kryeministrit, ndërsa vetëm 2 prej tyre, i Përmetit Niko Shupuli dhe i Dropullit Arqile Decka, vendosën të jenë të pranishëm në takimin që zgjati mbi reth 3 orë në ambientet e Kryeministrisë.
 
Zoti Rama lëshoi edhe një mesazh paralajmërues ndaj kryebashkiakëve të rinj, veçanërisht ata të djathtë, se qeveria do synojë bashkëpunimin, por nëse nuk ka vullnet, atëherë qeveria nuk do lutet. Përveç mungesave të kryetarëve të rinj të zgjedhur nga e djathta, ra në sy mungesa e kryetares së re te bashkisë Sarandë Floriana Koka.

“Jam i keqardhur që pjesa tjetër nuk ka hipur mbi lartësinë e atij mesazhi të famshëm të fushatës elektorale “kam frikë se më shohin” por po ashtu jam i keqardhur se ky është një takim me rëndësi të posaçme dhe mungesa e kryebashkiakëve që kishin konfirmuar apo refuzuan të konfirmojnë është një dëm i drejtpërdrejtë për punën e tyre dhe për shërbimin ndaj komunitetit sepse jemi në kushte të jashtëzakonshme pasi puna që fillon, nis me një barrë të madhe përgjegjësie dhe me domosdoshmërinë për të harmonizuar një sërë hapash në funksion të një tranzicioni jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe jo të lehtë të kalimit në 61 njësitë e reja. Uroj të dalin sa më shpejt nga guacka mbytëse e politikës qorre të partisë së tyre dhe të vihen në shërbim të komunitetit e duke kuptuar se janë kryetarët e të gjithë komunitetit e të gjithë zgjedhësve, familjeve pavarësisht se për kë kanë votuar zgjedhësit e pavarësisht se në ç’pozicion gjeografik ndodhen familjet. Ne nuk i ndajmë bashkitë në të kuqe dhe blu”, - tha Rama. 

Rama e ka vlerësuar reformën territoriale e cila e ndan pushtetin vendor në 61 bashki, si një situatë të jashtëzakonshme për përballimin e së cilës duhet bashkëpunimi me të gjithë të zgjedhurit pavarësisht partisë politike që i ka kandiduar ata.

“Është një sfidë e jashtëzakonshme kjo që kemi së bashku, sfidë e secilit prej jush, por është dhe një sfidë e jona si qeveri për të qenë bashkë me ju. Qeveria do të mbështesë pa asnjë rezervë të gjitha bashkitë e vendit, të gjithë kryetarët dhe kryetaret që do të kenë vullnetin dhe padyshim edhe dëshirën që të bashkëpunojnë me qeverinë. Ne nuk do të lutemi për bashkëpunim sepse ne besojmë që është e drejta e zgjedhjes së çdo njërit nga të zgjedhurit të synojë bashkëpunimin me qeverinë ose ta refuzojë atë. Ne do të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me çdo njërin që do ta kërkojë këtë bashkëpunim dhe do të mbështesin pa asnjë dallim partiak të gjithë të zgjedhurit që janë gati të bashkëpunojnë me ne. Nuk jemi më në stadin e bashkive si shërbime dhe ente komunale, por bashki si instrumente zhvillimi ekonomik, social dhe urban. Jemi në kushtet kur realisht merr kuptim nocioni i qeverisjes vendore”, - tha Rama. 

Tryeza e zgjeruar u hap nga ministri për Çështjet Vendore Bledi Çuçi, ndërsa kryeministri Edi Rama u ndal te komptencat e tjera që marrin bashkitë me ndarjen e re territoriale. Ra në sy deklarata e kryeministrit për shkrirjen e policive bashkiake dhe marrja e më shumë kompetencave në menaxhimin e mbetjeve, transportit apo edhe ujësjellësve. 

Shkrihen policitë bashkiake
Jemi duke studiuar edhe përfshirjen e bashkive të reja drejtpërdrejt në çështjet e rendit publik. Edhe këtu ka ardhur koha për një reformë. Shkrirje e policisë bashkiake dhe e drejta e kryebashkiake për të nxjerrë urdhra administrativë për policinë e shtetit, me rendin me qarkullimin dhe aspektet për të cilat kryetari i bashkisë është i zgjedhur. Është një reformë realisht shumë rrënjësore por ne besojmë që është një reformë e domosdoshme për tu dhënë kryetarëve një forcë që nuk e kanë pasur deri më sot në raport me domosdoshmërinë për të bërë politikat e tyre për rendin e qarkullimin. Për të qenë krah për krah me qeverinë për ndërtimet e paligjshme e ndëshkimin e  çdo përpjekje 

Uji
Sistemi i ujësjellësve është një katastrofë që duam t’i japim fund. Reforma e ujit do të jetë rrënjësore që ndër të tjera do të synojë kalimin e drejtëpërdrejt të kompetencës së miradministrimit të ujit të pijshëm, për vaditje në të njëjtën kohë dhe të sistemeve të pastrimit të ujërave dhe kullimit në duart e kryetarëve të bashkive të reja. Kjo kërkon një sërë masash për të cilat jemi të përgatitur dhe do ti vëmë në zbatim në një kalendar zbatimi me ju. Çdo bashki do të bëhet pronare e sistemit të vet të furnizimit me ujë. 

Mbeturinat
E dimë fare mirë se çfarë kemi trashëguar por i takon bashkive të marrin përsipër administrimin e këtij sektori kaq delikat dhe të prapambetur, sektori i mbledhjes dhe përpunimit të mbetjeve. 

Transporti
Të krijohen kushtet që qytetarët në cdo njësi të re të kenë një transport urban dinjitoz. 

Në agjensinë e Kryeministrisë çdo bashki do ketë personin e vet të kontaktit
Teksa ka theksuar faktin se janë një sërë çështjesh që prekin bashkitë në të gjithë vendin të cilat kërkojnë administrim, Rama tha se agjensia e ngritur në kryeministri ka si detyrë mbështetjen teknike si dhe ruajtjen e urave të bashkëpunimit me qeverinë.

Ai tha se çdo bashki do të ketë përfaqësuesin e vet të kontaktit në këtë agjensi.

“Agjensia në kryeministri ka detyrën për tju mbështetur teknikisht dhe të mbajtjë në këmbë urat e bashkëpunimit të bashkive në të gjithë vendin  me qeverinë. Këtu janë ndarë detyrat dhe çdo bashki ka brenda agjensisë personin e vet të kontaktit, duke siguruar këmbimin e informacionit dhe që ju të mos u mungojhë asistenca teknike", - tha Rama. 

Kryebashkiakët që mungojnë, por që kishin konfirmuar prezencën
Zef Hila – Vau i Dejës
Agron Kapllanaj - Mallakaster
Basir Çupa – Klos
Përparim Shametaj –Selenicë
Fran frrokaj - Lezhë
Fiqiri Ismaili – Vorë
Bashkim Shehu - Kukës
Eduard Kapri – Pogradec

Kryebashkiakët që nuk i janë përgjigjur ftesës së Ramës
Voltana Sdemi – Shkodër
Nezir Rizani – Mat
Blendi Nallbati – Devoll
Xhelal Mziu - Kamëz
Besnik Dushaj – Tropojë  

2 Komente

Po te isha une kryeminister do i nxisja enkas te mos vinin per te gjetur nje alibi per ato qe nuk do behen ne ato bashki.

Fajtori u gjend qe diten e pare : nuk duan te bashkepunojne.

   Jane ndodhi qe kur i lexon ...te perzihet ! Vend demokratik .." me institucione te zgjedhura " qe nuk respektojne ligjet ! Po te isha une ne vend te Lulit, hapet do tu thoshja, asnje te mos guxoje te mungoje ne takimet me kryeministrin! 

Mendje mjerane ose lulusheri ! 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).