Kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë në emisionin televiziv italian të RAI3 me titull “Agorà”.

Për ata që nuk e dinë, bëhet fjalë për një program televiziv të llojit talk show, që zhvillohet në studio ku ftohen politikanë, gazetarë dhe analistë të ndryshëm për të debatuar rreth aktualitetit politik. Agorà, që transmetohet në mëngjes nga ora 8.00 e tutje, jep gjithashtu një sërë reportazhesh e videosh, aktuale ose jo, për ta pasuruar e për ta nxitur diskutimin në studio.

Qëllimi im në këtë rast nuk është të diskutoj për çka tha Kryeministri shqiptar, edhe pse do të ishte gjithashtu temë interesante, por e mëvetësishme. As kam ndër mend të flas për mënyrën se si i shprehu mendimet në studio, efikasitetin e tij, ose stilin e veshjes, edhe pse kam përshtypjen që Kryeministri është komunikues i zoti dhe i efektshëm.

Pavarësisht nga performanca e tij televizive, nga mikpritja, nga numri i telespektatorëve dhe pavarësisht nga cilësia e emisionit, pyetja që i bëra vetes ishte nëse Kryeministri shqiptar duhet të kishte shkuar apo jo në atë studio televizive? E pra, mendoj se Edi Rama nuk duhet të kishte shkuar në emisionin Agorà.

Sipas praktikës botërore, Presidentët e Republikës dhe Kryetarët e Këshillit të Ministrave nuk marrin pjesë në talk show ku debatohen tema të ndryshme politike të ditës. Le të kuptohemi: kjo nuk do të thotë se Presidentët e Kryetarët e mësipërm nuk dalin në ekran, ose nuk marrin pjesë në emisione radiotelevizive, por thjesht që nuk marrin pjesë në disa lloje emisionesh. Në fakt, titullarët e institucioneve më të larta të vendit, zakonisht tre-katër të parat, shkojnë si të ftuar nëpër emisione dhe u përgjigjen pyetjeve të gazetarit/gazetarëve, por nuk hidhen kurrë në arenën politike “për t’u ndeshur” me të tjerët, për hir të institucionit që përfaqësojnë.

Është i njëjti respekt që i “detyron” Presidentët dhe Kryeministrat të japin intervista brenda selive të institucioneve të tyre. Sa herë kemi qenë dëshmitarë se janë gazetarët dhe kameramanët që shkojnë në Presidenca e në Kryeministri dhe jo e kundërta? Ndodh që majat e një vendi të japin intervista në studiot televizive të vendeve të huaja, por kjo verifikohet zakonisht në raste vizitash zyrtare me institucionet e vendit pritës. E me atë rast, mediat e ftojnë personalitetin për një intervistë, për të folur gjithashtu për vizitën e programuar zyrtare (që nuk na rezulton). Edhe në kësi rastesh përjashtohen debatet në media dhe talk show.

Po t’i hidhni një sy panelit të emisionit Agorà – spektator i rregullt i të cilit jam edhe unë – do të vini re se ka analistë, gazetarë, deputetë, politikanë, etj. Vetë titulli “Italia, Crocetta e delizia” dhe temat e trajtuara (ulja e taksave, ekonomia, evazioni fiskal, migracioni, situata siciliane, etj.), tregojnë se i referohen realitetit italian. Për më tepër, tema “Shqipëri” duket si në funksion të aktualitetit italian, megjithëse ka edhe reportazhe nga vendi.

Kryeministri shqiptar in extremis arrin të mos përfshihet në debatin për migracionin, çka do ta bënte më problematike pjesëmarrjen e tij në panel. Shmangia e një përplasjeje të tillë është pozitive, sikurse heshtja e anashkalimi në disa raste tregojnë aftësinë e tij, por rreziku qëndron në zgjedhjen fillestare të pjesëmarrjes, jo në kurthet e vogla që lindin fiziologjikisht në një talk show. Për hir të saktësisë, le të shënojmë se pas një ore e gjysmë emision, Edi Rama e lë studion, për motive oraresh, sepse i duhet të kthehet në Shqipëri.

Që emisioni televiziv ka interes të ketë në panel Kryeministrin e një vendi nuk ka pikë dyshimi. Kushdo që të ishte në drejtim të emisionit, do të bënte ç’është e mundur të kishte mysafir një kryeministër (drejtuesja e emisionit e quan me të drejtë “ospite d’eccezione“). As mund të vihet në dyshim dashamirësia e emisionit Agorà. Madje në një moment të caktuar (min. 11,34) është vetë gazetarja Serena Bortone që e pyet nëse është hera e parë që merr pjesë në një talk show. Rama i përgjigjet që jo, nuk është hera e parë, por gazetarja insiston: “E kam fjalën me të ftuar të tjerë, si Kryeministër”. Rama përmend një rast para shumë vitesh, duke i dhënë mundësinë gazetares që të dalë në përfundimin se është hera e parë që merr pjesë në një emision të tillë, pra në cilësinë e Kryeministrit. Pikët i shkojnë të tëra emisionit, pa diskutim. Megjithatë, nderi i rolit të Kryeministrit kërkon që të mos ulet në vende që nuk përputhen me pozicionin e tij institucional. Edhe kur janë prestigjoze mediatikisht.

A mund të gjendej një zgjidhje? Patjetër. Kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë mund të jepte një intervistë të gjatë në fillim (të regjistruar ose jo), ku t’u përgjigjej të gjitha pyetjeve të gazetares. Pyetje që mund t’i preknin gjerë e gjatë temat e emisionit, pra ato që thamë më sipër. Pastaj ta linte studion duke falënderuar, ende pa filluar diskutimi e debati (çka mund ta bënte edhe këtë rast, praktikisht para se të fillonte sigla e emisionit).

Vetë emisioni e jep një farë sugjerimi, kur lidhet me Pierferdinando Casini-n, Kryetar i Komisionit të Jashtëm, direkt nga Dhoma e Deputetëve, pra nga institucioni. Tek e fundit, mund të bëhej një lidhje satelitore nga selia e Kryeministrisë shqiptare. Mjetet e teknologjia nuk mungojnë, mendoj as vullneti. Nuk besoj që Kryeministri shqiptar nuk i di këto gjëra që shkojnë përtej protokollit e formalitetit; natyrisht nuk i mungojnë njerëzit përreth që t’ia thonë. Prandaj edhe pyes veten se cilat kanë qenë arsyet që e shtynë t’i hipte avionit e të kapërcente detin për të marrë pjesë në një emision televiziv.

Peizazhe të Fjalës

7 Komente

O Pishak po ce vret mendjen per gjera te kota! Aq me teper kerkon te gjesh edhe zgjidhje alternative, lol. Gazetarja i ka bere nje ftese per ne studio dhe Edi e ka pranuar. Ja kaq e thjeshte eshte.

Paska shku Rama te Bashkim Shehu i RAI 3. smiley

Nejse pse na ka ngel filmi te amon te dalim ne tv ne si milet? Nejse ketij i kuptohet kjo mani se ka frustrimin qe s'arriti te dali naiher ne tv si artist kshu qe tani po i nxjerr ujin e zi. Sidoqofte s'eshte as i pari as i fundit politikan qe e ul imazhin e pozicionit qe ka me daljet mediatike. 

Nuk e di, a beri mire apo keq Rama, qe mori pjese ne ate emision, madje kjo gje nuk duhet te ishte fare teme diskutimi, sepse eshte ceshtje ne ajer e mbajtur me argumente qe fusin shume uje, por megjithate e di shume mire, qe minuta 50. deri ne minuten 51. te atij emisioni ishte shume e turpshme per shqiptaret ne pergjithesi dhe per shqiptaret e emigruar ne Itali.

Ndoshta ai rast nuk eshte pergjithsues per shqiptaret ne Itali, megjithate pershtypja krijohet.

Ndodh që majat e një vendi të japin intervista në studiot televizive të vendeve të huaja, por kjo verifikohet zakonisht në raste vizitash zyrtare me institucionet e vendit pritës.

kjo vlen per rastet kur KM jane persona te zene 100% me gjetjen e zgjidhjeve per problemet e vendit te tyre dhe gjate vizitave japin dhe intervista ne funksion te ketij qellimi ndersa qellimi kryesor i Rames eshte promovimi i vetvetes

smiley

edhe kte e bere, o edvin!

Sapo Rama ta shnderrojne breshken ne xhind duke ia ferkuar kurrizin, s'do kete nevoje te shkoje neper TV e botes, do vijne TV e botes tek ai: 

Duket sikur kryeministri ynë ka shpikur një formë të re krejt inovative qeverisjeje: qeverisje artistike, – e cila mbetet të jetë një formë e ushtrimit të pushtetit, ku popullit nuk i garantohet bukë, rend, siguri, dinjitet, përkujdesje e shërbime, por art, ngjyra, retorikë, shfaqje e muzeume. 

 

(...) Për këtë arsye, e gjithë puna e tij në krye të qeverisë është reduktuar në industri të spektaklit, duke shpikur lloj-lloj fantazirash: bunk’arte, shtëpi gjethesh, kërpudha oborresh kryeministrore, fasada godinash qeveritare që ngjajnë si vitrina kazinoshë, galeri artesh kryeministrore apo edhe interiore ekzotike, ku nuk do të habiteshe fare po të të shfaqej befas, në mes të sallonit, xhindi i llambës së Aladinit, të cilit Kryministri i ka ngarkuar gjithë punët e shtetit, teksa vetë është i zënë me dizenjime e dekorime fasadash.

Republika platonike e Ramës: profili i artistit mbret - Ergys Mërtiri 

P.S. Kush nga ju e di pogonishten

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).