Ditar Lufte i Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane

 

          Ditaret e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der Wehrmacht, KTB-OKW) në vitet 1940-1945 u mbajtën nga Zyra e Mbrojtjes Kombëtare pranë Shtabit të Operacioneve të Forcave Ushtarake gjermane (Abteilung Landesverteidigung im Wehrmachtführungsstabamt).

          Sekretari i Ditareve të Luftës në Komandën Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (K.S.F.A.) ishte Helmuth Greiner deri më Mars 1943 dhe më pas Percy Ernst Schramm. Në vitet 1961-1965 ditaret e luftës u përpiluan nga historianët dhe u botuan nga shtëpia botuese Bernard & Graefe Verlag für Wehrwesen, Frankfurt am Main. Historiani kryesor ishte Percy Ernst Schramm dhe ndihmësit e tij historianë përkatësisht sipas vëllimeve ishin si më poshtë:

          Hans-Adolf Jacobsen: Vëllimi I, 1517 faqe, periudha 01.08.1940 - 31.12.1941, botuar 1965.

          Andreas Fritz Hillgruber: Vëllimi II 1-2, 1477 faqe, periudha 01.01 - 31.12.1942, botuar 1963.

          Walther Hubatsch: Vëllimi III 1-2, 1673 faqe, periudha 01.01 - 31.12.1943, botuar 1963.

          Percy Ernst Schramm: Vëllimi IV 1-2, 1976 faqe, periudha 01.01.1944 - 22.05.1945, botuar 1961.

          Më poshtë do jepen të përkthyera në Shqip, sipas vëllimeve të botuara, vetëm pjesët ku shkruhet për Shqipërinë. Vëllimi I (1 Gusht 1940 - 31 Dhjetor 1941) u botua në gazetën Tirana Observer më 2 Nëndor 2014.

 

          (Përkthyer nga Ana Kolevica, redaktuar nga Saimir Lolja)

 

 

 

Vëllimi II

1 Janar - 31 Dhjetor 1942

 

            Faqe 446 - 24.06.1942. Shefi i shtabit për Europën juglindore Gjeneral-Majori Foertsch vjen për bisedime në selinë qëndrore të Hitlerit. Me kërkesën të tij i jepet udhëzimi gjeneralit gjerman pranë shtabit të përgjithshem italian që të ndikojë atje në mënyrë që oficeri i ndërlidhjes së komandës së lartë italiane 11 [në Greqi] që ndodhet pranë shtabit gjerman për Europën juglindore, t'i jepet edhe detyra e oficerit të ndërlidhjes për komandën e lartë 9 (Shqipëri) dhe për qeverinë ushtarake të Malit të Zi.

 

 

Vëllimi III

1 Janar 1943 - 31 Dhjetor 1943

 

            Faqe 275 - 03.04.943. Përshkrim i gjendjes në Kroaci: ..... Brigadat komuniste IV dhe V, rreth 2500 vetë, po përpiqen të hyjnë në Shqipëri. Çetnikët kanë zënë pozicion në rrugën Gacko-Bileça (37 km në veri-lindje të Dubrovnikut) me front nga veri-perëndimi.

            Faqe 286 - 05.04.1943. Shqipëri: Thuhet se në vende të shkëputura ka demonstratime të shqiptarëve në përkrahje të Gjermanisë kundër italianëve. 15 km në lindje të Valonës (qytet bregdetar 100 km në jug-jugperëndim të Tiranës) sulm kundër një kolone italiane: 10 të vdekur, 19 të plagosur, 103 të humbur.

            Faqe 301 - 08.04.1943. Zonë e pushtuar italiane: Sipas një lajmi të forcave të zbulimit, 10'000 komunistë qëndrojnë në një zonë në perëndim të Foças [në Bosnien lindore] dhe do përpiqen të futen në Shqipëri.

            Faqe 316 - 09.04.1943. Zonë e pushtuar italiane: Në zonën Gacko [në Bosnien lindore] po grupohet një trupë e fuqishme armike me qëllimin për t'u futur në Shqipëri.

            Faqe 336 - 15.04.1943. Dy sulme mbi trupat italiane të pushtimit në Shqipërinë jugore. Një pikë mbështetjeje u pushtua dhe kazerma u dogj.

            Faqe 341 - 16.04.1943. Italianët ndërmarrin me forca të shumta, në zonën 40 km në juglindje të Valonës,  një spastrim të qendrës së atjeshme të banditëve.

            Faqe 346 - 17.04.1943. Vazhdojnë spastrimet e italianëve në juglindje të Valonës.

            Faqe 351 - 18.04.1943. Shqipëri: Vazhdojnë spastrimet e italianëve në jug.

            Faqe 360 - 20.04.1943. Vazhdojnë spastrimet e italianëve në jug të Valonës. Janë prishur disa qendra komuniste dhe është kapur një top.

            Faqe 423 - 03.05.1943. Më 29.04.1943 ka dhënë dorëheqjen qeveria shqiptare.

            Faqe 454 -09.05.1943. Luftime në veri të Valonës, 10 armiq të vrarë, pak armë të zëna.   

            Faqe 502 - 19.05.1943. Në verilindje të Leskovikut (kufiri juglindor i Shqipërisë) sulmohen batalione italiane nga trupa të forta bandite. Humbjet italiane: 3 të vdekur, 25 të plagosur. 50 armiq të vrarë.

            Faqe 544 - 27.05.1943. Fronti i Mesdheut në Juglindje: Një dokument i gjetur në shtabin e Dragoljub "Drazha" Mihailoviçit vërteton se lëvizja e tij ka lidhje të gjëra me lëvizjen kryengritëse në Shqipëri. [Në kujtimet e ambasadorit gjerman në Shqipërinë e kohës së luftës, Martin B. Schliep, përmendet Muharrem Bajraktari i zonës së Lumës afër Kukësit për lidhje me Dragoljub "Drazha" Mihailoviçin. - shën. red.]

            Faqe 552 - 28.05.1943. Shqipëri: Që nga 01.06.1943 [do jetë] një grup ushtarak italian me qendër në Tiranë. Komandant gjeneral Rossi.

            Faqe 558 - 29.05.1943. Shqipëri: Më 26.05.1943 atentat me bombë ndaj dy krerëve shqiptarë pro-italianë. Banditët u venë zjarrin minierave në jugperëndim të liqenit të Ohrit dhe marrin punëtorët me vete.

            Faqe 581 - 02.06.1943. Shqipëri: Përballohet një sulm i banditëve (200 vete) mbi një aeroport.

            Faqe 587 - 03.06.1943. Shqipëri: Fluturime natën jug-veri të armiqve, kthimi nga jugu.

            Faqe 592 - 04.06.1943. Shqipëri: Nuk ka ndodhi të veçanta.

            Faqe 613 - 08.06.1943. Shqipëri: Në natën duke u gdhirë 07.06.1943 fluturime të shumta armike.

            Faqe 648 - 15.06.1943. Trupa italiane të Korparmatës IV po ndërmarrin spastrime kundër kryengritësve në zonën në jug të linjës Tiranë-Durrës. Kryengritësit kanë pësuar humbje të renda.

            Faqe 653 -16.06.1943. 85 armiq të vrarë gjatë spastrimeve italiane në zonën jugore të linjës Tiranë-Durrës.

            Faqe 658 - 17.06.1943. Shqipëri: 35 armiq të vrarë gjatë spastrimeve italiane; u kapën dy mitralozë.

            Faqe 664 - 18.06.1943. 64 armiq të vrarë gjatë spastrimeve italiane në zonën jugore të Tiranë-Durrësit, afro 60 të arrestuar, është kapur një sasi e vogël armësh. Në lindje të Tiranës u sulmua një truproje milicësh. Në veri të Valonës (105 km në juglindje të Tiranës) u sulmua një kazermë xhandarmërie nga një trupë komuniste prej 200 vetash. Xhandarët u morën rob.

            Faqe 685 - 22.06.1943. Greqi: Natën duke u gdhirë 22.06.1943 u ndërpre plotësisht për arësye sabotazhi lidhja telefonike Janinë-Athinë, Prevezë (75 km në jug të Janinës) dhe për në Shqipëri.

            Faqe 690 - 23.06.1943. Gjatë luftimeve në veri-lindje të Shqipërisë dhe në veriperëndim të Krushevës (120 km në lindje të Tiranës) 22 armiq të vrarë. Në jug të Dibrës (60 km verilindje të Tiranës) u sulmua një kollonë dhe një truprojë italiane. Italianët patën humbje. Përfundimi i përgjithshëm i spastrimeve në zonën në jug të Tiranë-Durrësit: 69 armiq të vrarë, 198 të arrestuar.

            Faqe 697 - 24.06.1943. Sulm komunist mbi një kompani italiane dhe një minierë në lindje të Tiranës.

            Faqe 708 - 26.06.1943. Sulm i suksesshëm i trupave italiane mbi një fole banditësh në perëndim të Korçës (120 km në juglindje të Tiranës).

            Faqe 713 - 27.06.1943. Në veri-perëndim të Tepelenës (110 km në juglindje të Tiranës) shkatërrohet një grup banditësh me ndihmën e forcave ajrore italiane.

            Faqe 717 - 28.06.1943. Gjatë luftimeve në veri-perëndim të Tepelenës (110 km në juglindje të Tiranës) 102 italianë të vrarë, edhe humbjet e armikut mendohen të larta. Gjate spastrimeve në zonën e Berat-Fier-Valona (zonë 50 km në jug të Tiranës), 13 armiq të vrarë.

            Faqe 767_768 - 10.07.1943. Trupat gjermane që ndodhen apo do të futen në zonën e Armatës XI [italiane], nëse futen në luftime, do të jenë nën komandën e lartë të Armates XI kurse  trupat gjermane të ndodhura në Kretë, Mal të Zi, Shqipëri dhe Egje për mbrojtjen e bregdetit ose operatione të tjera do të jenë nën komandën e trupave përgjegjëse italiane. Trupat italiane të Korparmatës III (Divizionet Brennero, Forli dhe Pinerolo me trupat mbështetëse dhe të prapavijës) do të zhvendosen në Gusht në Shqipëri.

            Faqe 768 - 10.07.1943. Shtabi drejtues i ushtrisë gjermane është dakort me strukturën komanduese të trupave gjermane në zonat bregdetare të mbajtura ende nga italianët në Kroaci, Mal të Zi, Shqipëri dhe Rodos....Pranohet pjesmarrja e një Divizioni Malor [gjerman] në operacionin "Delta" (operacion spastrimi në Greqinë perëndimore), por nuk është në interesin gjerman futja i atij Divizioni Malor në Shqipërinë jugore.

            Faqe 786 - 14.07.1943. Për të arritur një administrim ushtarak qëndror dhe efektiv në zonën juglindore, propozohet të ngrihet një "shtab drejtimi juglindor" në rangun e një komandature të një armate me komandature dhe shtab administrativ, me të drejtat e plota të një komande ushtarake territoriale për zonën juglindore. Këtij shtabi do t'i vihen nën komandë shtabet e Greqisë jugore, të zonës Selanik-Egje, Serbisë, Kroacisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

            Faqe 822 - 23.07.1943. Komanda e lartë për juglindjen dërgon dhe është dakort me një analizë të situatës, të bërë nga komanda e forcave ajrore juglindore dhe paraqitur komandës supreme të forcave ajrore, në lidhje me mundësinë e një sulmi armik kundër Shqipërisë. Shqipëria ndryshe nga Dalmacia dhe Greqia ka një breg që arrihet lehtë dhe ka shumë fusha aviacioni një pjesë e të cilave janë të mira. Megjithatë, sjellja e rezervave gjermane nga pjesa tjetër e Ballkanit për në zonat kufitare është e vështirë, sidomos në dimër dhe pranverë.

            Faqe 526 - 24.07.1943. (Për shkak të zhvillimeve në Itali ky urdhër [i Hitlerit për zhvendosje trupash në Greqi] nuk arrin të zbatohet. Batalioni 92 i grenadierëve do të zhvendoset nëpërmjet Shqipërisë për në Greqinë e veriut për të vepruar në bregun e detit Adriatik.)

            Faqe 841 - 26.07.1943. Rregullore e re për komandën në zonën juglindore: Trupat gjermane që ndodhen në bregun kroat, në Mal të Zi, Shqipëri dhe Egje vihen nën komanden italiane. Korparmata III italiane zhvendoset për në Shqipëri sapo të arrijnë trupat gjermane që do ta zëvëndësojnë.

            Faqe 842 - 26.07.1943. Përgjigja përfundimtare nga “Commando Supremo” [italiane] arrin më 26.07.1943 ora 14:50.  Në të pranohet vendosja e Armatës XI nën komandën gjermane, emërimi atje i një shefi shtabi të përgjithshëm gjerman, zhvendosja e Korparmatës VII në veri; edhe Divizioni “Brennero”do të zhvendoset për në Shqipëri.......3. Trupat gjermane në Shqipëri, Mal të Zi dhe në zonën kroate të pushtuar nga Italia  janë nën komandën italiane të lindjes, përkatësisht të Armates II italiane.

            Faqe 857 - 29.07.1943. Juglindje: Trupat gjermane që ndodhen tani ose do të ndodhen në të ardhmen në Kroaci, Mal te Zi dhe Shqipëri do të vendosen nën komandën italiane të atjeshme.

            Faqe 862 - 30.07.1943. Juglindje: Shtabi drejtues i ushtrisë gjermane mban qëndrim në lidhje me vlerësimin e situatës mbi Shqipërinë (përfshirë Malin e Zi dhe Kroacinë) të bërë nga forcat ajrore të juglindjes dhe dërguar më 23.07.1943 nga komanda e lartë e juglindjes dhe vjen në përfundimin se, mbështetur mbi përvojën me trupat italiane, është e nevojshme ndërhyrja me trupa gjermane për të mbrojtur kufirin bregdetar e cila do të kufizohet në mbrojtjen e porteve. Shtabi drejtues i ushtrisë gjermane vë në gadishmëri forcat e nevojshme për këtë qëllim.

            Faqe 876 - 01.08.1943. Ka filluar pushtimi i aeroporteve në Shqipëri nëpërmjet forcave tokësore të çuara atje me avionë, parashutistë dhe një batalion me emrin “Brandenburg”.

            Faqe 890 - 03.08.1943. Juglindje: 2.Shtabi i përgjithshëm  i ushtrisë gjermane kërkon që tani për tani për Shqipërinë dhe Malin e Zi të ndërmerren vetëm përgatitjet e urdhëruara me 01.07.1943.

            Faqe 894 - 04.08.1943. Në Shqipëri vazhdojnë veprimet revolucionare me sulme mbi garnizonet italiane. Aeroportet shqiptare jante ztente nga forcat gjermane.

            Faqe 908 - 06.08.1943. Bisedime italo-gjermane në Tarvisio [Udine, Itali]: Gjenerali Ambrosio dëshiron të zhvendosë sa më shpejt Korparmatën III italiane nga Greqia lindore për në Shqipëri ku nevojiten përforcime.

            Faqe 910 - 06.08.1943. Vazhdojnë veprimet e bandave sidomos në Shqipëri dhe Kroaci.

            Faqe 926 - 10.08.1943. K.S.F.A. ka bërë me dije komandën e lartë të juglindjes se komanda supreme italiane do të zhvendosë më 01.09.1943 Korparmatën III italiane me dy Divizione nga Greqia lindore në Shqipëri.

            Faqe 952 - 15.08.1943. Gjenerali Roatta lajmëron se Korparmata III italiane do të zhvendoset më 01.09.1943 nga Thesalia në Shqipëri dhe nga Armata II italiane do të kthehen 3 Divizione.

            Faqe 959 - 16.08.1943. Në Greqi vazhdojnë spastrimet nga ana jonë. Në Shqipëri ka shenja të shpërbërjes së milicisë, veprime të bandave në Tiranë, sabotazh në të korrat në Serbi.

            Faqe 996 - 23.08.1943. Në bisedimet në Tarvisio dhe Bolonjë [të Italisë] u arrit marrëveshja me italianët që të zhvendosin në Shtator Korparmatën III për në Shqipëri.

            Faqe 1002 - 24.08.1943. Hitleri ka urdhëruar forcimin e Rregjimentit 92 grenadier i cili do të vendoset jo në Kretë por në Shqipëri.

            Faqe 1009 - 25.08.1943. Më 09.08.1943, komanda e lartë e juglindjes bën kërkesën që në rastin e rënies së përforcimeve në bregun dalmatik dhe shqiptar të futen në veprim trupa xhenjere nga fortest ushtarake.

            Faqe 1018 - 27.08.1943. Komanda e lartë e juglindjes lajmëron më 26.08.1943 se komanda e forcave ajrore në juglindje ka kërkuar të zhvendoset një batalion ruajtës i forcave ajrore me qëndrim në Kretë për të siguruar mbrojtjen e aeroporteve greke dhe shqiptare dhe në shkëmbin të tij kërkon një batalion këmbësorie.

            Faqe 1022 - 28.08.1943. Shefi i shtabit të përgjithshëm të grupit të Armatës F lajmëron se italianët janë lutur që të zhvendosen 1-2 Divizione gjermane në zonen Shkup-Elbasan, si rezervë për ndërhyrje në Shqipëri dhe për sigurimin e rrugës për në Tiranë. Komanda e lartë e juglindjes përshendet mundësinë që krijohet kështu për të futur që tani forca [gjermane] në Shqipëri. Me 29.08.1943 njoftohet pranimi prej Hitlerit për këtë lëvizje.

            .....Komanda e lartë e juglindjes merr detyrën të lidhet me shtabin e përgjithshëm bullgar dhe të pyesin [për të ngacmuar mendimin] nëse bullgarët do të ishin të gatshëm që në rastin e një zbarkimi armik dhe të operacionit „Achse“ [operacioni i çarmatosjes së uhstrisë italiane që pritej të kapitullonte] të zgjerojnë zonën e tyre të pushtimit deri në Mal të Zi dhe Shqipëri. Zona e shtrirjes së pushtimit do të varet nga gjendja në Serbi dhe nga planet e vendosjes së trupave bullgare të artilerisë.

            Faqe 1035 - 30.08.1943. Në një bisedë të Hitlerit me një ekspert të ministrisë së jashtme për çeshtjen shqiptare peshohen mundësitë e paqtimit me Shqipërinë në rastin e një pushtimi gjerman në vijim të operacionit „Achse“.

            Faqe 1042 - 01.09.1943. Për marshimin e trupave gjermane në Shqipëri, për të cilin është parashikuar Divizioni 100 i forcave ajrore rajonale, është kërkuar pranimi me shkrim i komandës italiane lindore, pranimi me gojë ka ardhur.

            Faqe 1051 - 03.09.1943. Komanda e lartë e juglindjes është dakort me largimin e Divizionit I të tankeve nga Peleponezi. Por duhet të kihet parasysh dobësimi për rreth 4 javë i forcave të atjeshme. Komanda e juglindjes tërheq vëmendjen se nëse ky Divizion do të përdoret si një grup rezervë i ushtrisë, atëhere pushtimi i Shqipërisë në rastin e operacionit "Achse", për të cilin ai Divizioni ishte parashikuar, nuk mund të kryhet.

            Faqe 1055 - 04.09.1943. Komanda e lartë e juglindjes lajmëron se pushtimi i aeroprteve në Shqipëri me nga një batalion ka filluar dhe do të përfundojë në mes të Shtatorit.

            Faqe 1058 - 05.09.1943. .... 4.1. Divizioni italian "Brennero" i Korparmatës III italiane po zhvendoset për në Shqipëri.

            Faqe 1063_1064 - 06.09.1943. Komanda e lartë e juglindjes lajmëron më 05.09.1943 se komanda supreme italiane ende nuk ka praniar futjen e trupave të Divizionit 100 të forcave ajrore [gjermane] dhe se komanda e lartë italiane e lindjes do të lejojë futjen e Divizionit në zonën e Dibrës ose të Korçëes, por jo në Elbasan. K.S.F.A. është dakort me qëllimin e komandës së lartë në juglindje që Divizionin në fjalë, i cili tani për tani ndodhet në zonën Ohër–Bitola, ta lërë atje. Ndërkohë të kqyren rrugët, të mbahet lidhje me trupat që sigurojne aeroportet shqiptare. Italianët të njoftohen për këtë.

            Faqe 1068 - 07.09.1943. [Mbas armëpushimit të Italise me aleatët nënshkruar më 03.09.1943, i cili u bë i njohur më 08.09.1943]: ....3. A nevojitet t'i bëhet thirrje gjithë Ballkanit (kroatëve, serbëve, shqiptarëve, grekërve) kundër italianëve? Me këtë mënyrë mund të paksohet armiqësia ndaj gjermanëve. Por në një rast të tillë duhen dhënë premtimet e nevojshme (bregu i detit Adriatik për Kroacinë, pavarësia për Shqipërinë) dhe të jepen dhe faktet e nevojshme për këtë.

            Faqe 1069 - 07.09.1943. [Përshkruhen masat që merr shtabi gjerman mbas armëpushimit të Italisë me aleatët].....5. Duke hequr dorë nga ishujt jonikë hiqet dorë nga një mundësi e mirë për t'u hedhur në Greqi dhe Shqipëri.

            Faqe 1072 - 07.09.1943. Komandës së lartë të juglindjes i njoftohen qëllimet e komandës supreme italiane për zhvendosjen e Korparmatës III italiane për në Shqipëri si dhe zhvendosja e tre Ddivizioneve nga Kroacia në tokë italiane. Në vend të një Ddivizioni të ndodhur në Kroaci, do të zhvendoset tashme Divizioni "Forli" i Koorparmates III italiane për në atdhe, kështuqë Shqipëria përforcohet vetëm nga dy Divizione italiane ("Brennero" dhe "Pinerelo").

            Faqe 1082 - 08.09.1943. Pasi i është dhënë parrulla “Achse“, komanda e lartë [gjermane] në juglindje lajmëron me gojë në orën 22:20 se komanda e lartë e ushtrisë italiane ka pranuar dorëzimin e armëve të rënda dhe të paluejtshme, por ka kërkuar që ushtarët të mbajnë armët e dorës duke patur parasysh edhe rrezikun bolshevik që i kërcënohet Italisë. Komanda e lartë e juglindjes e ka hedhur poshtë këtë kërkesë. Në Shqipëri gjendja është akoma e paqartë, sepse komandanti i lartë italian nuk është i pranishëm dhe në këtë mënyrë i fshihet përgjegjësisë që ka.

            Faqe 1085 - 09.09.1943. Shtabi suprem gjerman njofton se ka për qëllim që Shqipërinë ta njohë si autonome (në kushte të caktuara së bashku me Malin e Zi). Ministria e Jashtme të dërgojë një trupë të posaçme që të sqarojë në vend gjendjen. Derisa të sqarohet kjo gjë, në Shqipëri dhe Mal të Zi do ta ketë pushtetin egzekutiv Armata II e tankeve.

            Faqe 1089 - 10.09.1943. Në Rhodos vazhdojnë luftime me italianët. Lëvizjet e trupave tona në Shqipëri dhe Mal të Zi u zhvilluan sipas planit. Popullsia e Greqisë, Shqipërisë, Serbisë dhe Kroacisë është ende e qetë. ..... Nuk llogaritet më një sulm anglo-amerikan në Ballkanin jugor, por është i qartë rreziku në frontin e Adriatikut, në të cilin Shqipëria është pika më e dobët.

            Faqe 1090 - 10.09.1943. Komanda e lartë në juglindje ka përmbledhur dhe paraqitur rishtas kërkesat për mbrojtjen e zones juglindore, duke u bazuar edhe në raportin mbi gjendjen e armikut të paraqitur nga departamenti i ushtrive të huaja perëndim. Ndër të tjera ka kërkuar qartësimin e përgjegjësisë komanduese në pjesën veriore të pjesës juglindore, futjen e shpejtë të forcave gjermane për mbrojtjen e bregut të Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë, afrimin e Divizioneve sulmuese, përforcimin e Divizionit sulmues në Rhodos për të krijuar një Divizion të plotë me dy Regjimente dhe pajisjen e plotë të Divizionit SS "Nordland" si dhe të Brigadës SS "Nederland", rritjen e numrit të forcave të sigurisë në gjithë zonën e prapavijës, çuarjen e artilerisë bregdetare në bregun shqiptaro-dalmatik dhe kthimin e tij në një kala bregdetare.

            Faqe 1095 - 11.09.1943. Vazhdojnë luftimet në Rhodos, ku kanë arritur anije lufte me trupa. Lëvizjet e trupave tona në Greqi sipas planit. Në Shqipëri ka filluar krijimi i një qeverie të re. Divizioni gjuajtes 100 arriti Valonën dhe pushtoi pjesë të Durrësit në bashkepunim me forca të tjera që i ka nën komandë.

            Faqe 1098 - 12.09.1943. Në Rhodos kapitullojnë forcat italiane prej 40'000 vetësh. Në Kretë, forcat italiane pro-gjermane bashkohen me trupat gjermane. Në veri-perëndim të Athinës dhe në [ishullin] Eube ka lëvizje banditësh. Në Shqipëri përparon pushtimi i zonës bregdetare.

            Faqe 1100 - 13.09.1943. [Pëshkruhen urdhërat në lidhje me oficerët dhe ushtarët italianë të cilët shprehen të gatshëm të luftojnë në krah të gjermanëve]. Egzistojnë disa mundësi për t'i përdorur këto trupa: 1) Si milicë ose policë në Itali, pasi të jenë stërvitur nga forcat SS ose jashtë Italisë në luftime kundra bandave. 2) Si batalione ndërtimi në ushtrinë gjermane. 3) Si trupa ndihmëse në në përbërje të trupave gjermane. Përjashtohet futja e këtyre trupave në zonat me popullsi me origjinë gjermane si dhe në Kroaci dhe Shqipëri.

            Faqe 1102 -13.09.1943. Çeshtja e një shteti shqiptaro-malazez është e hapur, pasi ato rrethe shqiptare me të cilat janë krijuar lidhje, meqenëse nuk janë të sigurta se si do të mbarojë lufta, nuk pranojnë autonomi në sajë të mëshirës së Gjermanisë.

            Faqe 1114 - 17.09.1943. Bregu shqiptaro-dalmatik-malazez fiton gjithmonë e më shumë rëndësi, sepse aty egzistojnë kushte të përshtatshme për kundërshtarin njësoj si në bregun e Kanalit [La Manche], prej nga mund të ndërmerret një sulm për në zemër të Europës.

            Faqe 1116 - 17.09.1943. Gjendja në Greqi dhe Shqipëri është e kënaqshme. ..... Pasi kanë dështuar përpjekjet e para për të krijuar një qeveri në Shqipëri, (krahaso 13.9./6) po bëhen përpjekje në Kosovë ku janë gjetur vendas të gatshëm për të krijuar një qeveri kombëtare. Nëse kjo do të ketë sukses, atëhere duhet ngritur një administratë që të duket nga jashtë si e pavarur.

            Faqe 1127 - 21.09.1943. K.S.F.A. kujton se sipas urdhërit të datës 15.09.1943 mund të përdoen për punime ndërtimi vetëm trupa italiane besnike, por vetëm në Greqi dhe jo në Kroaci, Mal të zi dhe Shqipëri, ku duhet të merren për këto punime banorë vendas.

            Faqe 1134_1135 - 23.09.1943. Divizioni "Brennero" që vepron në Shqipëri ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar luftimet në anën gjermane. Komanda e lartë e juglindjes ka urdhëruar dërgimin e tij në zonën Rashka-Mitrovicë në mënyrë që trupat të mund të kontrollohen dhe ajo pjesë që do të gjykohet e  besueshme do të bashkohet me batalionet këmbësore 999. Shtabi drejtues gjerman nuk do që trupa pak të besueshme të shkrihen në batalionet 999 dhe parashtron që ato trupa të përdoren në sigurimin e transportit mbi shina. Trupat që lirohen kështu prej andej do të bashkohen me batalionet e tjera.

            Shtabi i përgjithshëm bullgar ka paraqitur një raport mbi gjendjen e pakicës bullgare në kufirin lindor shqiptar. Ky raport është gjykuar nga komanda juglindore si i tepruar. Prandaj ka parashtruar që kërkesa bullgare për pushtimin e kësaj zonë të hidhet poshtë dhe atje të përdoren trupa të milicisë shqiptare. Ky mendim është pranuar më 20.09.1943 nga shtabi drejtues gjerman. Ministria e Jashtme njofton më 21.09.1943 se i dërguari bullgar ka kërkuar të pushtohen prej bullgarëve zonat kufitare të Shqipërisë të populluara nga bullgarë në mënyrë që të mbrohen pakicat bullgare nga shqiptarët.

            K.S.F.A. njofton atasheun ushtarak gjerman në Sofie [të Bullgarisë] se komanda e lartë juglindore e vlerëson situatën në kufi shumë më pozitivisht se sa shtabi i përgjithshëm bullgar. Prandaj atje do të veprojnë forca vendore milicie për të ruajtur sigurinë. Pushtimi i asaj zone tani për tani nuk është i nevojshem.

            Faqe 1139 - 24.09.1943. Shtabi qëndror i ushtrisë ka caktuar pikat e mëposhtme për bisedimet me komanden juglindore që do të zhvillohen më 24.09.1943 në kuartierin kryesor të Hitlerit. I. Zhvillimi i luftës: ..... Radha e kundërsulmeve dhe trupat që do të përdoren, pushtimi i ishujve në Egje dhe Adriatik, ……., sigurimi i prapavijës në Shqipëri dhe Mal të Zi….

            Faqe 1143 - 25.09.1943. Gjendja në Ballkan: Në Eube, Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi, vazhdojnë veprimet e bandave dhe ka filluar një operacion spastrimesh nga ana jonë.

            Faqe 1144 - 26.09.1943. Komanda e juglindjes lajmëron për sigurimin e zonës Tetovë-Gostivar-Dibër-Strugë-Kiçevë (Shqipëria lindore), zonë të cilën dëshironin ta pushtonin bullgarët.

            Faqe  1147 - 27.09.1943. Vazhdojnë veprimet kryengritëse në Shqipëri.

            Faqe 1151 - 28.09.1943. Në një shtesë të njoftimit për atasheun ushtarak gjerman në Sofie me 23.09.1943  thuhet se zona e Shqipërisë veri-lindore deri në luginën e Vardarit do të pushtohet më vonë nga trupa gjermane.

            Faqe 1154 - 30.09.1943. Në Shqipëri mprihen më tej veprimet e bandave; janë vënë re gjithnjë e më shumë agjentë britanikë.

            Faqe 1164 - 01.10.1943. [Bëhet fjalë për udhëzimet e komandës së lartë gjermane për shpërndarjen e trupave në juglindje]. .... Divizioni X Malor të dërgohet në Epir ose në bregun shqiptar. .... Vazhdojnë spastrimet në Shqipëri dhe Kroaci.

            Faqe 1168 - 03.10.1943. Hitleri urdhëron të emërohet një "Gjeneral përgjegjës për Shqipërinë“. K.S.F.A. lëshon një urdhëresë për këtë.

            Faqe 1171 - 04.10.1943. Hitleri i urdhëron komandës së lartë jugore dhe Grupit B të ushtrisë sa vijon: Pritet që armiku t'i drejtojë operacionet kryesore kundër rajonit juglindor ose nga Italia jugore për në Shqipëri - Mal të Zi - Kroaci jugore ose pas luftimeve nga Italia qëndrore kundër Kroacisë veriore – Istria.

            Faqe 1178 - 06.10.1943. Pritet një sulm britanik në rajonin juglindor kundër bregut shqiptaro-dalmatik ose nëpër detin Egje kundër Maqedonisë dhe Thrakisë.

            Faqe 1181 - 07.10.1943. Forcohet veprimi i bandave në Shqipëri dhe Kroaci.

            Faqe 1184 - 08.10.1943. Në Shqipëri është ngritur me ndihmën gjermane një qeveri shqiptare, e cila ka ndër mend të krijoje një trupë milicie të vetën. Njoftimet e shtabit drejtues të ushtrisë për datat 09.10.1943 dhe 13.10.1943 mbi lirimin nga ushtria të shqiptarëve që ndodhen në Divizionin SS Malor të Bosnjes janë hedhur poshtë nga krye-komandanti i SS-ve [Heinrich Himmler].

            Faqe 1191 - 10.10.1943. K.S.F.A. është dakort me idenë e shtruar më 01.10.1943 nga komanda e lartë juglindore për zhvendosjen e forcave të ndërtimit të përforcimeve në zonën e Armatës II të tankeve (bregu shqiptaro-dalmatik).

            Faqe 1193 - 11.10.1943. Gjendja në Ballkan: Vazhdojnë spastrimet tona në Greqi. Në Shqipëri luftime të Divizioneve Gjuajtës 100 dhe 118 me pjesët e mbetura të Divizioneve italiane "Firenze" dhe "Venecia".

            Faqe 1197 - 13.10.1943. Qeveria [italiane] e gjeneralit Pietro Badoglio i shpall luftë Gjermanisë. Mbreti i Italisë heq dorë nga titulli “Perandor i Etiopisë” dhe “Mbret i Shqipërisë”.

            Faqe 1208_1209 - 18.10.1943. Hitleri ka njoftuar këshillin e regjentit bullgar më 18.10.1943 se do t'u vijë për vizitë gjenerali M. R. von Weichs, mbi përforcimin e bregut të Thrakisë afër Kavallës me një Divizion bullgar, si dhe mbi masat që do të merren për mbrojtjen e pakicave bullgare në Shqipërinë lindore.

            Faqe 1212 - 21.10.1943. K.S.F.A. përkufizon të drejtat e gjeneralit të plotfuqishëm gjerman në Shqipëri si dhe të komandaturës që do të ngrihet në Mal të Zi.

            Faqe 1221 - 25.10.1943. Qeveria shqiptare nuk ka mbështetje. Nuk është arritur ende ndonjë lidhje me krerët e bandave të levizjes kombëtare greke dhe me Mihailoviçin [Dragoljub "Draža" Mihailoviç, komandati i çetnikëve serbë, pro-mbretërorë].

            Faqe 1252 - 05.11.1943. Në Shqipëri ka dy grupe banditësh: komunistët që janë të lidhur me Titon dhe  kombëtarët që nuk duan të njollosen nga lidhja me gjermanët.

            Faqe 1254 - 05.11.1943. Është krijuar dhe ka kryer betimin një qeveri kombëtare shqiptare......Shtabi qëndror i ushtrisë ka parashtruar më 04.11.1943 për takimin që mbahet më 05.11.1943 me delegacionin bullgar në shtabin e Hitlerit këto pika: 1) Përdorimi i një Divizioni tjetër bullgar ndërmjet Divizioneve bullgare VII dhe XVI. 2) Siguria në rajonin kufitar Bullgari-Shqipëri.

            .....Meqenëse Hitleri i ka premtuar kryeministrit bullgar mbrojtjen ushtarake të zonave kufitare të Shqipërisë, duhet që komanda e lartë e juglindjes ta mbajë këtë premtim. (Bëhet fjalë për një rajon me pakica bullgare, zonë të cilën ishin të gatshem ta pushtonin forcat vendore bullgare por u penguan nga qeveria e tyre. Trupat gjermane janë shprehur të paaneshme. Kur më vonë komunistët sulmuan pakicat bullgare, bullgarët kërkuan pushtimin e kësaj zone nga gjermanët. Nuk dihet arësyeja pse bullgarët nuk e pushtojnë vetë atë rajon. Për këtë detyrë ishte parashikuar Divizioni I i tankeve; meqenëse ky u zhvendos për në lindje, pakicat mbetën të pambrojtura. Mbas kësaj dhe kërkesës së përsëritur për ndihmë, Hitleri urdhëroi pushtimin e Shqipërisë lindoe me trupa gjermane).

            Komanda e lartë e juglindjes merr në të njëjtën ditë urdhërin për spastrimin e zonës Tetovë-Dibër-Strugë-Kiçevë-Gostivar dhe krijimin e trupave vendore të vetëmbrojtjes me ndihmen e SS-ve dhe të forcave policore të Greqisë dhe me armë të marruna forcave italiane. Më 06.11.1943, komanda  e lartë e juglindjes njofton për masat që ka ndërmend të marrë. Hitleri shprehet dakort me to më 07.11.1943. Komandanti i Shtabit të Operacioneve në K.S.F.A. [gjenerali Alfred J. F. Jodl] vendos që batalionet gjermane të presin derisa të jetë ngritur milicia, e cila duhet të përbëhet nga maqedonas bullgarë. Komanda e lartë e juglindjes merr udhëzimet e nevojshme.

            Faqe 1268 - 10.11.1943. Komanda e lartë e juglindjes gjykon luftën kundër Titos si detyrën kryesore, edhe më të rëndësishme se ruajtja e kufirit bregdetar. Meqenëse forcat e nevojshme për këtë janë dobësuar dukshëm për shkak të zhvendosjes se trupave në lindje, i njoftohet se Hitleri ka pranuar përdorimin e Divizionit I Malor për operacionin "Kugelblitz" [kundër partizanëve komunistë jugosllavë në Dhjetor 1943]. Pas këtij operacioni ky Divizion duhet të pozicionohet në mënyrë të tillë që të mund të përdoret si forcë rezervë në Shqipëri dhe në Greqinë veri-perëndimore.

            Faqe 1275 - 12.11.1943. I plotfuqishmi gjerman në Shqipëri është gjenerali Theodor Geib, por fuqia egzekutive është në dorën e komandës së lartë të Armatës II të tankeve (Gjenerali Lothar Rendulic).

            Faqe 1278 - 13.11.1943. Shënim në dosje mbi rëndësinë ekonomiko-ushtarake të Shqipërisë dhe nxjerrjen e kromit atje.

            Faqe 1289 - 17.11.1943. Në Shqipëri ka vështirësi sepse ushtarëve nuk u paguhet dot rroga në monedhën vendase, sepse qeveria shqiptare nuk pranon të japë shumën e nevojshme për këtë dhe ne nuk duam të bëjmë presion më të fortë. I derguari Hermann Neubacher po përpiqet për një zgjidhje të problemit.

            Faqe 1290 - 18.11.1943. Përfundim i spastrimeve të Divizionit Gjuajtës 100 në Shqipëri dhe luftime në Peljeshac [në bregdetin kroat].

            Faqe 1292 - 19.11.1943. ..... Spastrime të sukseshme në Shqipëri dhe në veri të Malit të Zi.

            Faqe 1317 - 28.11.1943. Gjendja në Ballkan: Bombardime armike në qarkullimin rrugor dhe depozitat me materiale në zonën e Kroacisë jugore, Malit të Zi dhe Shqipërisë.

            Faqe 1330 - 02.12.1943. ....Qëndrim i qetë i bandave në Shqipëri dhe Mal të Zi.....Për shkak të vështirësive në financimin e ushtrisë në Shqipëri i kërkohet Ministrisë së Jashtme më 03.12.1943 të caktojë një zëvëndës për të dërguarin Hermann Neubacher. Kjo i njoftohet edhe komandës së lartë të juglindjes e cila merr edhe udhëzimet përkatëse. Meqenëse po shtohet veprimi luftarak armik në rajonin shqiptaro-kroat, komanda e lartë e juglindjes njofton për rrezikun e krijuar mbi të gjitha trupat që marrin pjesë në operacionin „Kugelblitz“.

            Faqe 1335 - 04.12.1943. Zyra e spiunazhit ushtarak merr udhëzimet përkatëse në lidhje me qëndrimin që duhet të mbajë përkundrejt Ministrisë së Jashtme përsa i përket kundërshtive kufitare bullgaro-shqiptare në liqenin e Ohrit.

            Faqe 1373 - 20.12.1943. Përpjekjet e Këshillit të Regjencës nuk arrijnë të tërheqin forcat kombëtare në Shqipëri.

            Faqe 1461 - [Kapitulli: Shënime dokumentash në Ditarin e Luftës] 04.10.1943. Plan lufte për komandandën e lartë të jugut dhe Grupin ushtarak B: .... A) Unë pres që armiku t'i drejtojë sulmet e tij kryesore kundër rajonit juglindje duke u nisur nga Italia, mbase dhe me një pjesë të forcave nga Afrika. Nuk mund të parashikohet nëse kundërshtari do të drejtohet kunder Shqipërisë/Malit të Zi/Kroacisë nga Italia jugore që është e pushtuar prej tij, apo do të përpiqet të shtyjë për në veri forcat gjermane në Itali......Nënshkruar Adolf Hitler.

            Faqe 1474 - [Kapitulli: Shënime dokumentash në Ditarin e Luftës] 10.12.1943. .... Divizionet italiane Arezzo, Taurinese, Ferrara, Emilia, Venecia dhe Parma në Mal të Zi dhe Shqipëri janë vënë nën komandën e banditëve; një pjesë e Divizionit Firence [Divizioni 41 i Këmbësorisë] luftojnë nën komandën e komandantit të tyre të Divizionit në anën e banditëve [në Shqipëri]. Gjithsej rreth 11000 veta. Përafërsisht 2200 italianë janë kapur prej ushtrisë gjermane.

            Faqe 1540 - Udhëheqja gjermane e ushtrisë në vitin kulminant të luftës. Vështrim i përgjithshem i Ditarit të Luftës i shtabit udhëheqës gjerman në vitin 1943: .... Pasi aeroportet shqiptare ishin pushtuar nga forcat tona që përpara kapitullimit të Italisë, u përgatit në Shtator 1943 themelimi i një shteti shqiptar të pavarur. Ngritja e një shteti shqiptaro-malazez nuk u prit mirë meqenëse nuk donin të ishin të varur nga Gjermania e cila praktikisht e kishte humbur luftën. Së fundi u krijua në fillim të Tetorit me ndihmën e Gjermanisë një qeveri shqiptare e cila mori përsipër bërien gati të 30'000 forcave vullnetare.

            Faqe 1545_1546 - [Kapitulli: Vështrim i përgjithshem i Ditarit të Luftës i shtabit udhëheqës gjerman në vitin 1943. Në pjesën mbi Bullgarinë shkruhet]: .....Qeveria e re bullgare (pas vdekjes se carit Boris) me sa duket kërkonte që mbështetja ushtarake të shpërblehej me marrje tokash në lindje të Shqipërisë, ku jetonte një pakicë e shpërndarë bullgare. Kështu më 05.11.1943, kur u bisedua mbi politikën pushtuese bullgare në Ballkan, [Ministri i Jashtëm bullgar] Schischmanoff vuri në dukje trajtimin e mirë të pakicës greke nga bullgarët në Thraki. Kësaj paraqitje të ministrit bullgar Schischmanoff i përgjigjet Hitleri me vërejtjen se kjo është një politikë e zgjuar e bullgarëve.

            Për sa i përket shkëmbimit të mendimeve mbi Shqipërinë, [Kryeministri bullgar i pranishëm në takim] Bojiloff me shumë kujdes kërkoi që të mendohej mbi mundësinë e zhvendosjes së trupave bullgare në zonën e rrezikuar kufitare me Shqipërinë. [Ai tha] Bullgaria ka vetëm trupa të pakta dhe të pajisura keq, por ajo do të përpiqet të bëjë gati trupat e nevojshme për këtë qëllim. Nga ana tjetër ai beson se me bisedime të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare mund të arrihet një zgjidhje për problemet e sipërpërmendura. Hitleri mban një qëndrim negativ ndaj këtyre kërkesave dhe mendon se më e mira do ishte që trupat SS të ngrenë një trupë të përhershme të përbërë nga bullgarë. Në këtë mënyrë do të ishin të pranishme trupa bullgare në këtë rajon.

            Një ideje të kryeministrit bullgar Bojiloff se ai dëshironte rishikime territoriale në kufirin shqiptar, Hitleri nuk iu përgjigj drejtpërdrejt dhe sqaroi se një gjë e tillë do e ndërlikonte pa ndonjë dobi gjendjen në Shqipëri..... Në zonën kufitare Bullgari-Shqipëri do të ngrihet nga trupat SS një formacion i përbërë nga bullgarë të Maqedonisë, por qeveria shqiptare e sapo krijuar në fillim të Nëndorit 1943 nuk mund të njolloset me dhurim territoresh [bullgarëve].

            Faqe 1614 - [Nën pjesën mbi Ballkanin si rajon operacionesh ushtarake, shkruhet]: .... Në Shqipëri u pushtuan me kohë aeroportet dhe veç kësaj grupet partizane asnjanësonin njeri-tjetrin, ndërsa një qeveri e krijuar nën ndikimin e ushtrisë gjermane pranoi rekrutimin e vullnetarëve shqiptarë për Divizionin SS "Skanderbeg". ....             Poshtëshënim: Georg Kastriota, gjeneral Iskender-bej (Skanderbeg) ishte një fisnik shqiptar (1405-1468),  mbrojtës i krishtërimit dhe lirisë së shqiptarëve ndaj turqve.

 

            # # #

 

14 Komente

Ky tekst qenka mbushur me gabime!!! 

Ushtri gjermane? Qeveri bashkpuntore??? Turiste gjermane, dhe agjensi turistike  ju lutem!

Po c'tu desh more gjerman ... 

Shshhhhhh ... - He mo se s'dijne shqip ata ...

...Saimir futja kenges 

" Ishe nematane moj , c'deshe ne kete ane 

 Tutje mor gjermane ...se gjetet belane ! 

Te engledisin keto citimet e ushtarakeve   jermane ne ato ditet ...pas Stalingradit kur Fon Paulus ishte dorezuar bashke me armaten 330.000 - she 

Kush je ti aty, se leshova qenin te beri copa.

Nga qente s'kemi frike. Ka balliste tek ju?

Nuk kane pune ballistet tek ne, po dil nga vrima. Pusho, Barun!

shtepine e ke te mire o Safa Imeri

gjyna te ta djege gjermani

safa, qejf beme, raki pime...

Paskan gris ate faqen ku kumanda pyste fallxhoren: Do vinj dita qe albanezet, per ate pune gjithe ballkanasit, do ju lusin b...

Le te hamendesojme pak. A ishte e mundur mbas kapitullimit te Italise, Shqiperia te behej e pavarur (qofte dhe me mbeshtetjen implicite gjermane) dhe te ruante asnjeanesine ne L2B (moslejim te kalimit te asnje ushtrie te huaj ne territorin e saj) ? E bej kete pyetje pasi ne shume libra (dokumente) qe kam lexuar per L2B ku flitej dhe per ballaknin, ushtria gjermane u fut ne ballkan e deri ne Egje si pasoje e provokimeve (loje e sherbimeve angleze dhe sovjetike) per te shperndare sa me shume forcen goditese te Vermahtit dhe krijimit te nje fronti sa me te gjere per te. Nje shembull per Shqp mund te ishte fare mire Spanja e Frankos e cila pavaresisht se perfitoi ndihma tejet te medha nga Gjermania nuk pranoi asnjehere te.lejonte kalimin e Vermahtit ne territorin e saj per pushtimin e Gjirbladarit. Veprim qe u pranua ne heshtje dhe u mbrojt nga te dy kampet ne lufte.

Jo, Vlonjat, kurre nuk mund te ndodhte! Shqiperia ishte nje  kapso mbreteri , mbreti i seciles ja theri vrapit ..,! Cila force e kishte autoritetin per ate endren qe keni pare ju mbreme ? 

Nuk do te nxitohesha te pergjigjesha kaq shpejt i nderuar. Deri me.tash (flas per Shqiperine) kemi patur vetem nje version te historise .

    Nuk kemi patur " version"  historie por nje mori faktesh, kronologjikisht te analizuara me dhjetra here.Nje vend i pushtuar nuk e ka luksin te perzgjedhe percaktimin e politikave kombetare, ndersa e ka humbur pavarsine.Shqiperia vater lufte, si mund te kerkonte asnjanesine ? Betejat italo- greke perfshine gati gjysmen e Shqiperise, kursevnderkohe bullgaret kerkonin pjesen lindore tonen.... prej gjermaneve , aleatit te tyre. Ne malet tona kishte partizane  dhe qyteteve bashkepuntore te pushtuesave.Ne shpellen Panorama , ne Karaborun ishin misionet sekrete te aleateve qe tirrnin te tjera plane.Ke degjuar gje per Ultimatumin e Dukatit derguar aleateve ? .Si ahere mund te shpikim sot ..nje version te ri historie ? 

  

E mo Zeqo xhani,valle kuciote e thane ate llafin " te kishte halla ..  na ato per.... Ashtusje ?Ah po i kemi safi florinj jo me shaka ! 

 

Grave, na nxirr ate shkresen e Ekaterines se Pare...te dalldiset mileti!!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).