Ministria e Arsimit propozon heqjen e altertekstit dhe ndryshimin e procedurave për emërimin dhe largimin e mësuesve, por amendamentet kundërshtohen si një kthim prapa nga sindikatat, shoqëria civile dhe botuesit.

Ndryshimet e propozuara të Ligjit 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” prekin një sërë nenesh kyç të ligjit, që lidhen me harmonizimin e kurrikulave, strukturën e arsimit bazë, tekstet alternative shkollore si dhe pjesëmarrjen e prindërve në rekrutimin dhe pushimin nga puna të mësuesve.

Amendamentet u prezantuan nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla në një parashtrim të gjatë në komisionin parlamentar Për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik më 11 Maj, duke nënvizuar se projektligji i paraqitur në parlament reflekton “prioritetet aktuale të qeverisë.” Ministrja Nikolla tha se amendamentet janë hartuar në përputhje me dokumente të rëndësishme të BE-së dhe konventat ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me arsimimin e nxënësve.

“Jemi mbështetur në ligjet analoge të viteve të fundit të shumë shteteve të zhvilluara dhe atyre të rajonit,“ u tha Nikolla deputetëve.

Pas prezantimin të projektligjit nga ministrja e Arsimit, komisioni mblodhi opinione nga një numër organizatash të shoqërisë civile, të angazhuara në fushën e arsimit, sindikatat, shoqatat e botuesve si dhe akademikë. Ata kanë kundërshtuar veçanërisht dy shtylla të amendamenteve: unifikimin e teksteve shkollore dhe ndryshimin e mënyrës së rekrutimit dhe largimit të mësuesve nga puna.

Një nga propozimet e ndjeshme të reformës është rikonceptimi i nenit 47, i cili lidhet me tekstin shkollor. Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, tekstet alternative do të zëvendësohen me një tekst të unifikuar, i cili do të përzgjidhet nëpërmjet konkurrimit të bazuar në standardet dhe procedurat e përcaktuara me udhëzim të ministrit. 

Një pikë tjetër e kontestuar është ajo që lidhet me pranimin dhe largimin nga puna të mësuesve në sistemin parauniversitar. Në projektligj është bërë ndryshimi në nenin 60, pika 1 e ligjit aktual duke hequr komisionin e vlerësimit, me argumentin se  nga eksperienca e deritanishme, ky komision nuk ka funksionuar si duhet, duke sjellë mosrealizimin e procedurave të konkurrimit për mësuesit dhe vonesa në plotësimin e vendeve vakante. Ndryshime ka pësuar edhe pika 3 e nenit 60, që lidhet me procedurën e largimit të mësuesit nga drejtori i shkollës, pas konsultimeve me komisionin e përbërë edhe nga prindër.

Ndryshimet e propozuara nga ministria e Arsimit në ligjin aktual në lidhje me pranimin dhe largimin nga puna të mësuesve nuk janë pritur mirë nga sindikatat. Ato kritikojnë përjashtimin e prindërve nga ky proces, si një praktikë që favorizon emërimet politike në arsim. Në opinionet e tyre dërguar komisionit parlamentar, si Federata e Sindikatave te Arsimit dhe Shkencës, FSASH, dhe Sindikata e Pavarur e Arsimit te Shqipërisë, SPASH, i kanë hedhur poshtë këto propozimet për amendimim të nenit 60 të ligjit ekzistues.

“Ekzistenca me ligj e një komisioni konkurrimi dhe vlerësimi në procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të mësuesve të rinj i jep më shume objektivitet, legjitimitet, profesionalizëm, transparencë dhe besueshmëri procesit dhe ndikon drejtpërdrejt në forcimin e filtrit nëpër të cilin kalojnë prurjet e reja në profesionin e mësimdhënies,” i shkruan drejtori ekzekutiv i FSASH komisionit.

“Për mendimin tonë, kjo është sot më e domosdoshme se kurrë, sepse procesi i punësimit të mësuesve të rinj ishte dhe vazhdon të jetë shumë i përfolur: punësim me ndërhyrje të politikanëve, të miqve, të sekserëve, punësim me shitje të vendit të punës etj,” shton ai.

SPASH gjithashtu  deklarohet kundër ndryshimeve të propozuara për heqjen e komisionit  të vlerësimit nga ligji, me arsyen se ky komision nuk ka funksionuar.

“Komisioni nuk ka funksionuar sepse nuk kanë dashur të funksionojë me qëllim për të futur në sistemin arsimor ata që nuk e meritojnë,” shkruan sindikata.

“Strukturat tona në rrethe tregojnë se kur është zbatuar ligji, kur mësuesit  janë  përzgjedhur nga komisioni sipas nenit 60 të ligjit, cilësia e tyre ka qenë shumë më e mirë,” shton sindikata.

Fondacion Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, OSFA, i cili gjatë viteve 2010, 2011 dhe 2012 ka ndërmarrë një seri të gjerë konsultimesh në lidhje me ligjin ekzistues, i rikujton ministrisë dhe kuvendit se nenet e ligjit për përfshirjen e prindërve në procesin e përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave në vitin 2012 janë miratuar me konsensusin e të gjitha palëve politike. Fondacioni gjithashtu i rikujton ministres së arsimit Nikolla, që përtej vështirësive në zbatimin e këtij neni, ajo është angazhuar më herët në promovimin e tij.

“Juve personalisht në muajt e parë të marrjes së detyrës u angazhuat në promovimin e ligjit, i cili shkëpuste emërimet në nivel shkolle nga interesat politike duke ia kthyer ato komunitetit,” shkruan OSFA.

Fondacioni i rikujton Nikollës se në dhjetor 2013, në bashkëpunim me ministrinë ishte prodhuar dhe një spot sensibilizues, i cili konfirmonte vullnetin e institucionit për promovimin dhe zbatimin e ligjit.

“Ne jemi të shqetësuar pasi këto ndryshime, në vend që të përmirësojnë mekanizmat e zbatimit të ligjit aktual, anulojnë tërësisht rolin e prindërve dhe mësuesve në procesin e marrjes në punë të mësuesve të rinj, duke e zhbërë këtë arritje ligjore,” shkruan OSFA.

Save the Children , organizata ndërkombëtare në mbrojte të të drejtave të fëmijëve ndan të njëjtin qëndrim, edhe pse mirëkupton shqetësimin e ministrisë për vështirësi në zbatimin e nenit 60.

“Përtej të qenurit një e drejtë, pjesëmarrja e prindërve dhe institucioneve vendore në këto procese është shume e rëndësishme për krijimin e një kulture transparente dhe pjesëmarrëse në shkollë, dhe është në linjë me politikat decentralizuese të sistemit arsimor,” shkruan kjo organizatë.

“Ajo minimizon ndjeshëm ndikimet politike në proces,” shton Save the Children.

Kjo organizatë gjithashtu kundërshton ndryshimin e nenit 47 të ligjit që propozon rikonceptimin e altertekstit, duke argumentuar se ky hap ul cilësinë e mësimdhënies.

“Kalimi në një tekst unik duhet parë me kujdes, pasi rrezikon të ktheje sërish tekstin në qendër të mësimdhënies dhe mësimnxënies,” ajo shton.

Heqja e Altertekstit është kundërshtuar gjithashtu nga Shoqata e Botuesve të Teksteve Shkollore, e cila shprehet se kthimi drejt tekstit unik është kthim prapa me një prirje të fortë centralizimi.

“Kthimi në tekstin unik favorizon monopolin dhe bie ndesh me parimet e ekonomisë së tregut,” shprehet shoqata. “Të gjitha vendet e Europës punojnë me tekste alternative,” shton ajo.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).