Nga përmbledhja me poezi “Këmbë qeni”, kapitulli “Të linjta ajrore”

 

Rrjedh hapësira, vonë do të thotë 
se vendi më s’vjen, ndërsa ti pa ku
një kur i çmuar mbetesh.

Murishte mjegullash.
Kuvli të vetmive pas avllish me avull.
Nëpër sheshe fluri firojnë randevutë.

Ky metropol resh 
i varur si krahasim i vrërët për gjithë ç’kemi bashkë 
duhet të prodhojë shi
e gjithë ç’vjen me shirat, 
prodhime trishti pa hile. 

Retë vetëtimat i mbajnë si teshtimat
zonja me shami.
Shquhet diku një ylber nën mëngë.
Dhe aty vetëtin:
a mund t’i kërkosh një reje të mos rrijë e vranuar?

Të thërrmon pamundësi e ngushëllimit,
më shumë se vetë vakia.
Metropolis,
kolonat e llërëve për kokën bërë gur 
në gjuhë të huaj, 
që s’ndjen ngaqë donte të ndjente më shumë.

Një banket me gota dhe sini 
me kokën time prerë 
nga teh i përkushtimit…
Kokë tjetër më ka mbirë ndërkaq
me tjetër dashuri, 
ku ty të tradhëtoj me ty,
bisht zhapiu qafa ime pjellore, 
i do dashuritë si shiu, vende-vende.

Jam gjasë 
me gjasë,
një gabim i shpërndarë
si këto re të mëdyshura,
i jepemi njëri-tjetrit si holograme,
veç e zbrazët luga vezullon
argjendin e pritjes, 
dëshirin e fshehtë
të grabitjes.

Ç’portokall 
pas stendës ambulante të resë që shuan diellin,
sheshi avullor 
për randevunë me ty 
nëpër flurin e hollë
ndërsa boshin njëri-tjetrit përqafojmë.

Zgjohem. Zot, si shijon asgjëja jote!

5 Komente

Emigrant je i paarritshem! smiley 

vrapo Ketlina, vrapo smiley

Swimming only smiley 

Po shkel besen e vetes Emo per te bere vetem nje Koment ne dite nga mundesite e medhaja qe te japin te nderuarit anadollake te Abuzimit....  ne kete Blog qe po dominon Klintelizmi 

vetem per kete Varg esenian

Retë vetëtimat i mbajnë si teshtimat...smiley ..

qe jane te rralle dhe mund te vijne njehere ne sene . Flm . Me kaq kenaqet robi si me nje varg te ngjashem shekullor .

Hena mbi kumbanore rri si je pike mbi I

  nektar , nektar .Edhe njehere flm

smiley Ky varg vertet ishte qershia mbi torte e kesaj poezie! 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).