E vetmja lidhje e Anës me trafikantët dhe politikanët është trupi i saj. Të parët ua shesin të dytëve e për fatin e saj, dhe të tjerave si ajo, nuk çan kokën askush. Shteti s’i jep shpresë dhe jeta e saj sërish kthehet në duar trafikantësh që bëjnë pazare me politikanë.

Ana (emri i ndryshuar) ishte 16-vjeçare kur familja e përzuri nga shtëpia. Jetonte në një fshat të largët të Kosovës dhe familja nuk ia falte kurrsesi dashuriçkat e saj prej adoleshenteje. Nuk dinte kah t’ia mbante. E mbetur rrugëve filloi përpjekjet për mbijetesë. Një restorant ushqimesh të shpejta i ofroi punë. Bukuria e punëtores së mitur u ra në sy disa matrapazëve që e frekuentonin restorantin. Duke e joshur me fitime më të mëdha se sa paga që merrte, vajza që tashmë nuk vijonte as shkollimin, ra në kurthin e kriminelëve të cilët si rrugë më të lehtë përfitimi kanë zgjedhur shitblerjen e vajzave të mitura për shërbime seksi. Kriminelët e hidhnin trupin e njomë të Anës në duart e cilitdo mashkull që u paguante atyre para të majme. Ana mbeti shtatzënë me njërin nga klientët e saj. Për abuzuesit, trupi i saj më nuk kishte vlerë. Ajo sërish u hodh në rrugë.

Por tani e kishte dyfish më rëndë. Në bark mbante një fryt që, sado i padëshiruar dhe i paplanifikuar, ishte fëmija i saj. Te familja as që mund ta mendonte të kthehej. Në atë gjendje të rëndë, Ana sërish ra pre e kriminelëve. Një rom i ofroi martesë dhe e dërgoi në shtëpinë e vet ku jetonte me nënën, gruan dhe fëmijët. Pasi lindi fëmijën, vjehrra ia shtoi presionin Anës se duhet të punojë që ta mbajë veten dhe foshnjën.

Punën ia gjeti vetë. U bë pronarja e saj e re në biznesin e prostituimit. Së bashku me të birin dhe një shoqe të saj, vjehrra ia siguronte me telefon klientët Anës gjersa si grup nuk kishin rënë në përgjim të policisë dhe ishin arrestuar. Historia e Anës është e ngjashme me historitë e pothuajse të gjitha vajzave të reja që kanë rënë në grackën e së ashtuquajturës skllavëri moderne, jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë.

Gjersa Kosova nuk ishte ende shtet i pavarur dhe nuk e kishte të rregulluar me ligj hyrjen dhe qëndrimin e shtetasve të huaj, trafikantët e “mishit të bardhë” i sillnin ilegalisht vajzat kryesisht nga Moldavia, Ukraina, por edhe nga Shqipëria dhe përfitonin nga shitblerja e shërbimeve të tyre seksuale.

Nga 2008-a e këndej, sipas zyrtarëve policorë, cak i trafikantëve janë bërë vajzat e mitura të Kosovës, sidomos ato me gjendje të rëndë sociale dhe me raporte të çrregulluara familjare. Edhe forma e prostituimit të tyre ka ndryshuar. Tashmë ato nuk mbahen të izoluara dhe në ilegalitet. Mjafton shantazhimi me publikim të fotove apo incizimeve të tyre gjatë një akti seksual për t’i mbajtur ato në kthetrat e trafikantëve kriminelë për një kohë të gjatë. Trendi i vajzave dhe i grave të trafikuara për shërbime seksuale, sipas të dhënave të policisë, vetëm sa po rritet.

Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin e fundit për trafikim me qenie njerëzore e kritikon ashpër Qeverinë e Kosovës për mosangazhim në luftimin dhe parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore. Më shqetësues për Qeverinë amerikane është inkriminimi i zyrtarëve të Policisë dhe të Qeverisë në rrjetet e trafikimit dhe dënimi minimal me burg apo gjobë i trafikantëve. Edhe trafikuesit e Anës janë dënuar me dënime minimale.

Por ajo që nuk e thotë raporti amerikan, por e thonë burime të afërta me gjyqësinë, zyrtarët qeveritarë jo vetëm që janë të përfshirë në trafikim, por ata edhe marrin shërbime seksuale nga vajzat e reja që ua ofrojnë trafikantët. Edhe atë jo zyrtarë të ulët ministrish, por ndër më të lartët e shtetit.

Vajzat e trafikuara gjatë dëshmive në gjyq, sipas burimeve, i përmendin me emra politikanët dhe zyrtarët shtetërorë të cilëve u kanë ofruar shërbime seksuale me urdhër të trafikantëve. Prokurorët bëhen gjoja se nuk i kanë dëgjuar emrat e tyre dhe as nuk i zgjerojnë hetimet, as nuk i fusin në aktakuzë dëshmitë e tilla. Ec e guxo! Do t’u kushtonte me humbje vendi pune, sepse shumë prej tyre janë sjellë aty po nga ata zyrtarë të inkriminuar të cilët qëmoti janë kujdesur që si në çdo fushë, ta shtrijnë edhe në gjyqësor fuqinë e tyre të ndikimit. Prandaj, bosët e krimit, korrupsionit e trafikimit në Kosovë sot janë të paprekshëm nga dora e drejtësisë.

Dhe duke mos i ndjekur dhe kapur ata shteti bëhet bashkëpjesëmarrës i tërthortë në krime. Dështimi për të luftuar krimin e organizuar si ky me trafikimin e qenieve njerëzore vazhdon ta mbajë Kosovën në ranglistën e vendeve jo vetëm transit të trafikimit por edhe burim dhe destinacion të tij. Me gjithë kapacitetet e mjaftueshme të policisë për të ndjekur trafikantët kriminelë, Qeveria amerikane ka vërejtur se mungon vullneti politik i Qeverisë së re për ta luftuar seriozisht trafikimin. Kjo edhe për shkak se nuk ka caktuar ende një koordinator kombëtar të luftës kundër trafikimit që me gjasë ka mbetur peng i pazareve të partive të koalicionit në pushtet.

Zyrtarët policorë, ndërkaq, kërkojnë bashkëpunim më të madh të qytetarëve në zbulimin e trafikantëve. Ata thonë se shpesh u ndodh që qytetarët nuk i paraqesin rastet me supozimin se vajzat apo gratë po prostituohen me vetëdëshirë. Bashkëpunimi me policinë është obligim i çdo qytetari në luftimin e krimit, sidomos në rastet e trafikimit me të mitura. Mosha e tyre është e ndjeshme, shumë prej tyre u futen rrugës pa krye dhe tragjike të prostituimit si pasojë e moskujdesit prindëror dhe skamjes. Detyrë e secilit qytetar është që t’i ndihmojë, të mos i përbuzë dhe të mos i injorojë. Ato kanë nevojë për trajtim psikologjik e social. Pak prej tyre arrijnë të stabilizojnë jetët e tyre dhe të krijojnë familje.

Rehabilitimi i viktimave të trafikimit është problemi më i madh në luftën kundër abuzimit me të drejtat dhe liritë njerëzore. Kosova nuk ka as fond që do të kompensonte viktimat e këtij krimi. Pas identifikimit nga policia të grupeve kriminale të trafikimit, gratë dhe vajzat viktima dërgohen në strehimore ku u ofrohet ushqim dhe mbrojtje. Por qëndrimi në strehimore është disamujor. Pas daljes nga aty ato sërish mbesin në rrugë. Shteti nuk u ofron zgjidhje as për një vend të ndershëm pune as kulm mbi kokë. Dhe 80 për qind të vajzave dhe e grave të trafikuara lufta për mbijetesë i kthen në zanatin e vjetër… Kështu ka përfunduar edhe Ana…

Koha.net

8 Komente

" ....Pas identifikimit nga policia të grupeve kriminale të trafikimit, gratë dhe vajzat viktima dërgohen në strehimore ku u ofrohet ushqim dhe mbrojtje. Por qëndrimi në strehimore është disamujor. Pas daljes nga aty ato sërish mbesin në rrugë. Shteti nuk u ofron zgjidhje as për një vend të ndershëm pune as kulm mbi kokë. Dhe 80 për qind të vajzave dhe e grave të trafikuara lufta për mbijetesë i kthen në zanatin e vjetër…"  

 

Kjo eshte dhe themra e Akilit, se shteti pas disa muajsh "rehabilitimi" , i le ne rruge perseri. 

oh Ana,  vetem  Pjeri  te paska begenisur..smiley

Ueeee Belul ça me bere me kete kengen......holy sh.. man. Sa dekada pa e degjuar nga stacioni Radio Bar.

i madh je ku e gjete!

edhe une te Radio Bar (kanal i Titogradit)  i degjoja keto.smiley   e mban mend slloganin: Radio Bar-a, Bash Radio..smiley

Po si nuk e mbaj mend. Çaheshin radio iliria atehere ne plazh. Po discoring- un te italiani e mban mend cdo te djele ne darke?

po po, diskoringun e mbaj mend.. si dhe hit-parade e radios italjane te shtune- te djele, ora 13,30-  14:00.. 

gjithe plazhi  stand by.. lihej futbolli,  dilej nga deti 5 minuta para, kontrolloheshin edhe njeher baterite e radios Iliria per siguri. kush nuk kish radio te cadra e vet, afrohej me takt te cadra prane.smiley   cfare kohesh...  kohe te medha .

Lere lere se kane qene kohe fantastike. Plaste 5 kaçi ne çader dhe njerzit mblidheshin rrotull. Ka qene koha kur beje xhiro te moli shikoje krahet mos te shtynte ndonjeri. S' vijne me ato kohe Belo.

kjo kenge degjohej plazheve ne radiot iliria ato kohe. si edhe kjo.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).