Intervistoi: Alda Bardhyli

Irvin David Yalom  është psikiatër ekzistencial amerikan dhe profesor i psikiatrisë në Universitetin e Stanfordit, i njohur dhe si autor i një sërë librash. Ai ka lindur më 13 qershor 1931 në Uashington DC. Prindërit e tij kishin emigruar nga Rusia, dhe pas pesëmbëdhjetë vitesh në SHBA hapën një dyqan ushqimor. Yalom e kaloi fëmijërinë duke lexuar libra në një karrige të këtij dyqani dhe në një bibliotekë lagjeje. Pas përfundimit të shkollës së mesme ai ndoqi Universitetin “Xhorxh Uashington” dhe më pas Universitetin e Bostonit për Mjekësi. Pas diplomimit me BA në Universitetin “Xhorxh Uashington” më 1952 dhe studimet për mjekësi në Universitetin e Bostonit, në vitin 1956 ai nisi të bënte praktikë në Spitalin e Nju Jorkut. Pas dy viteve në shërbimin ushtarak në Stalinin e Honolulusë, Yalom nisi karrierën akademike në Universitetin e Stanfordit. Ai u emërua në këtë fakultet në vitin 1963. Pas përvojës së tij me mësimdhënien, Irvin nisi të shfaqte interes ndaj praktikës së terapisë në grup, dhe një modeli të ri të terapisë, siç ishte psikoterapia ekzistenciale. Studimi i tij psikoterapik u referohej katër gjendjeve njerëzore: izolimi, pakuptimshmëria, vdekja dhe liria… Kërkimet e Yalom kërkonin t’u kthenin përgjigjen këtyre shqetësimeve.

Përveç kërkimeve të tij shkencore, Yalom është autor i një sërë librash. Në librin “Çdo ditë më afër”, Yalom ka ftuar një pacient që të shkruajë rreth eksperiencave të tij në psikoterapi. Librat e tij përdoren si tekste shkollore në universitete të ndryshme. “Shoqata amerikane e psikiatrisë” në vitin 2000 e nderoi atë me çmimin “Oskar Pfister” për kontributin e tij në fe dhe psikiatri. Në vitin 2003, dokumentari i tij “Fluturim nga vdekja” hetonte frikën e dhunës njerëzore dhe frikën nga vdekja përmes të pandërgjegjshmes. Dhe pse i ka kaluar të 80-at, Yalom vijon të japë leksione dhe të vijojë kërkimet e tij shkencore. Ai drejton Institutin e Psikoterapisë që mban emrin e tij “Irvin D. Yalom”, i cili drejtohet nga Ruthellen Josselson, ku vijohen të studiohen qasjet e tij mbi psikoterapinë. Romanët e tij janë “Kur Niçja qante”, “Kura e Shopenhauerit”, “Problemi Spinoza”, “Shtrirë në shtrat”, si dhe është autor i një numri të madh shkrimesh shkencore…

 

Çfarë dini për Shqipërinë?

- Më vjen keq t’ju them se di shumë pak për vendin tuaj…

Ju e shkruat librin e parë në moshën 40-vjeçare. Si erdhi ky libër te ju dhe dëshira për të shkruar?

- Gjithnjë më ka pëlqyer e shkruara dhe menjëherë pas studimeve në mjekësi, nisa të shkruaj artikuj të ndryshëm nëpër revista profesionale në fushën e psikoterapisë. Nisa të bëja kërkime në fushën e psikologjisë dhe në të njëjtën kohë bëja terapi në grup. Vite më vonë e ndjeva të nevojshme të bëja një tekst libri mbi terapinë në grup për studentët e mi. Më shumë se të shkruaja një libër, ideja ishte të bëja diçka që do të thjeshtonte mësimdhënien me studentët. Kështu bëra një tekst mbi terapinë në grup, një tekst që vijon edhe sot të jetë produktiv për studentët e psikoterapisë. Kur zyrat e mia në Stanford u zhvendosën kohët e fundit, sekretari im gjeti një zarf të vjetër, i cili duhet të kishte rënë pas një mobilieje. Në të ishte një poezi që unë e kisha shkruar kur vdiq babai i gruas sime. M’u duk gati e pabesueshme dhe si një lloj kontakti me një pjesë të vetes sime të dikurshme. Kështu e shkruara ka qenë gjithnjë si një mënyrë shprehjeje tek unë.

“Kur Niçja qante” është romani juaj i parë, që ju klasifikoi menjëherë si një nga shkrimtarët më të lexuar? Çfarë është ky libër për ju?

- “Kur Niçja qau” është romani im i parë, ashtu si thatë edhe ju. Që në adoleshencë kisha menduar se një nga gjërat më të mira që një njeri mund të bëjë në jetë, është të shkruajë një roman të mirë. Isha profesor në Universitetin e Stanfordit kur nisa të ndiej dëshirën për të shkruar fiksion, dhe mendova se kjo ishte një mënyrë e mirë për t’u thelluar në kërkimet e mia psikoterapike. E konsideroj këtë roman, por edhe romanët e tjerë që kam shkruar, si “roman nga i cili mund të mësoj” si “leksion psikoterapie”, dhe është shumë i vlefshëm për studentët e mi. Romani im i fundit, “Problemi Spinoza”, është e njëjta gjë. E kam shkruar për ta bërë më të lehtë punën e studentëve të mi. U kam dhënë atyre një version të Spinozës dhe të filozofisë së tij në perceptimin që unë kam për të. Është një libër që të bën të mësosh rreth psikoterapisë dhe të fton të kuptosh jetën e brendshme të mendimtarëve si Spinoza.

Përse një Niçe i dëshpëruar?

- Kur vendosa të shkruaja për Niçen, nisa të rishfletoja veprat e tij. Por shumë shpejt e kuptova se aforizmat e tij, apo mendimet e thella nuk do të më shpinin drejt asaj çfarë doja të shkruaja. Më pas e kuptova se duhej ta kapja atë në një moment të dëshpëruar të jetës së tij, pikërisht pas ndarjes që ai pati me Lou Salome më 1882, një aristokrate ruse, e cila më vonë u bë psikoanaliste. Por e kisha të vështirë të gjeja dikë që do të ishte psikoterapisti i tij. Isha në kërkim të një karakteri që i shkonte një libri, kur Breuer u shfaq në mendjen time. Ndoshta ai kishte qenë që në fillim të idesë sime për të shkruar këtë libër. Ndërsa u kërkoja studentëve të mi të lexonin Frojdin (shumë pak e lexonin atë), m’u kujtua libri i tij “Studimi i histerisë”, i cili ishte gjysmë i Breuer-it. Rasti i Anna O. përfshihej në të, kështu që më në fund u duk se e kisha gjetur terapistin për personazhin tim Niçen. Për të shkruar këtë libër më është dashur të rikthehem në Vjenë. Në studio lëvizja me hartat e vitit 1882.

Çfarë ndien kur kthen kokën pas në jetën tuaj?

- Kur kthej kokën pas në jetën time, kam mendime pozitive, pasi e kam përmbushur qëllimin kryesor të saj. Kërkimet e mia në psikoterapi u kthyen në një motiv që për vite me radhë i dhanë kuptim jetës sime. Kam ndihmuar me shumë durim pacientë të ndryshëm, dhe kam dhënë kontributin tim në shkencë edhe përmes shkrimit. Gjysmën e jetës sime e kam kaluar si shkrimtar dhe terapist, gjysmën tjetër e kam kaluar duke bërë studime.

Ç’mendoni për feminizmin?

- Ah, jam një njohës i mirë i kësaj fushe, pasi për vite me radhë më është dashur të jem një bashkëbisedues i mirë me time shoqe, e cila është një studiuese e feminizmit. Ajo ka shkruar disa libra në këtë fushë. Feminizmi është një lëvizje që nuk ka përfunduar, përderisa në disa vende ai, ka nevojë të nisë nga fillimi. Do të ketë gjithnjë një lëvizje të tillë, edhe pse jo në përmasat e fillimit të tij.

Çfarë është frika dhe si mund të shpëtojnë shumë njerëz prej saj?

- Tani më vjen në mendje një miku im, i cili pati një debat me universitetin, pasi ata nuk i kishin dhënë atij të dielat. Ai i donte të dielat, pasi dëshironte t’i kalonte me fëmijët. Unë fola me të, duke i thënë që ai duhet të mësohet me faktin që nuk do t’i ketë fëmijët e tij në shtëpi përgjithmonë, dhe duhet të mendonte për eksperiencat e vërteta që kishte në jetë. Dua të them që unë kam qenë në Standord për gjithë këto vite, dhe çdo vit nga tjetri ka qenë i ndryshëm, jo i lehtë e plot turbullira ndonjëherë. Kam shpenzuar kohë në Londër, në Paris. Dhe çdo ditë e këtyre viteve që unë kam qenë në kërkimet e mia shkencore kanë qenë të pasura dhe për fëmijët e mi, pasi dhe pse shpesh nuk isha pranë tyre, arrija t’u përcillja pozitivitet dhe gjithë prezencën time nga larg. Ndonjëherë nuk është e nevojshme vetëm prezenca, ajo çfarë na bën të sigurt, është ajo çfarë bëjmë.

Mendoni se puna është kura më e mirë?

- Askush nuk thotë se “do të kisha dashur të shpenzoja më shumë kohë në punë”. Askush nuk e thotë këtë. Të gjithë thonë: “Do të doja të kisha më shumë kohë për të bërë gjërat që dua, të lexoja, të shkruaja, të udhëtojë, të shikoja vende të ndryshme, të isha afër njerëzve që dua më shumë, pranë fëmijëve të mi”. Të gjithë i thonë këto shprehje. Pra, kjo do të thotë diçka.

Si e shihni frikën nga vdekja?

- Kjo është një çështje problematike për mua. Gjithnjë kam pasur ndjenjën që të angazhohesh të punosh me njerëz që vuajnë nga kjo ndjenjë nuk është e lehtë. Frika nga vdekja rrit gjithnjë pakënaqësitë në të gjitha fushat. Janë disa ushtrime që bëhen në këtë gjendje. Njëra është e njëjtë me atë që bëjmë me pacientët që janë me kancer, të cilët e dinë që do të vdesin. Ata duhet t’u përgjigjen pyetjeve: “Kush jam unë?” Dhe në disa karta ne u japim atyre të shkruajnë gjërat më të rëndësishme në jetën e tyre. Ata shkruajnë deri në gjëra si “jam i shqetësuar nëse njerëzit më duan apo jo”. Në ato letra ata duhet t’i lënë trupat e tyre, sepse trupi i tyre është i mbushur me kancer, dhe të zbulojnë gjëra më të rëndësishme që janë brenda atij trupi. Kjo gjë u jep atyre shumë kurajë. Por kjo është vetëm një mënyrë mbi psikoterapinë e vdekjes…

Folëm për vdekjen, por çfarë do të thotë të jetosh, të jesh gjallë?

- Tani jam në një moshë që mendoj shpesh për fundin e jetës, i cili ndoshta nuk mund të jetë larg. Babai im dhe vëllezërit e tij vdiqën të rinj, nga goditje në zemër. Kështu mendoj që jeta ka një fund. Nuk më kanë mbetur shumë vite jetë besoj, ndaj tani jam përqendruar në atë çfarë është e rëndësishme për mua dhe jetën time. Do të doja t’i kaloja ndryshe, duke mos bërë gjëra të përsëritura. I them vetes që duhet të bëhem pjesë e komisioneve të ndryshme psikoterapike, pasi sot kanë dalë fusha të reja hulumtimi. Të qenët krijues më bën të jem kreativ, dhe shoh që kam ende ide që nuk i kam përdorur. Më pëlqen të mbetem një tregimtar i angazhuar…

Marrë nga revista "Saras"

5 Komente

me mir gjall se vdekur.

NN

Çfarë dini për Shqipërinë?

- Më vjen keq t’ju them se di shumë pak për vendin tuaj…

Jemi mesdhetarë sepse fati na ka bërë të lindim këtu.  Nuk mund të bëjmë dot pa diellin e pa detin.  Jemi rritur edhe ne me mitologjinë greke e romake,  rrënojat gjenden kudo në vendin tonë, unë e dua shumë  parkun arkeologjik të Butrintit, trashëgimi e UNESCO-s.  Por jemi edhe ballkanas për motive historike-politike. Jemi  fëmijë të dy prindërve.

Ndryshe nga pjesa tjeter e botes, Krishtelindjet i festojme ne Prill.

dmth... "o po na fol njehere per Shqiperine, se Niçja aty eshte, s'ka nga e luan bishtin"..

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).