Luftë pas lufte, turku e shkeli Shqipërinë. Dhe si e shkeli, bëri të gjitha mënxyrat: vrau, rrëmbeu, shtypi. Por Shqipëria ngriti përsëri krye me armë në dorë. Atëhere turku nisi e dërgoi një ushtri të madhe që ta shuajë kryengritjen.

Ushtria qëndroi rrëzë një mali të lartë. Atje, në mal, këndonte një bareshë si zanë mali. Ajo ish thellë nëpër derrpë* e thosh me mëntë e saj se nuk e dëgjonte askush. Mirëpo zëri i bareshës kumtonte kaq fort sa e dëgjonte tërë ushtria; e dëgjonte dhe mbetej e mahnitur.
Baresha thosh:

Kush është trim e kush është djalë,
Ta zerë bareshën në mal?

U turrën shumë ushtarë ta zenë, por nuk e zunë dot.

Më trimi nga të gjithë ushtarët ishte Gjon Pretika. Ai ngjiti këmbëlehtë malin e lartë, e pa bareshën dhe e ndoqi gërxh më gërxh.

Baresha ikë, Gjoni ndiq - fundja djali e arriti dhe e zuri. Këtij i pëlqeu baresha e bukur malësore dhe i tha:

- Moj bareshë, unë do të të marr për grua!

Baresha ia ktheu:

- Ti je armik, nuk të dua!

Baresha iu shkëput nga dora Gjonit e iku me vrap, por ky e arriti përsëri, e zuri për flokësh, i zemëruar, e hoqi zvarrë.

Atëherë baresha i thirri:

- Mos më hiq për flokësh, o pagan! Se unë s'jam e shkretë në botë. Kam një vëlla trim që të merr gjak në vetull.

- Ku e ke vëllanë ti, mos e paç?! - i tha Gjoni.

- Mos mallko, t'u thaftë goja, o pagan! Tim vëlla e kam në ushtri se ma mori turku që kur ishte i vogël dhe e shpuri larg. Ka pesëmbëdhjetë vjet që e ka marrë, po im vëlla do të kthehet.

- Si ia thonë emrin t'ët vëllai?

- Gjon ia thonë. Ai ka shenja të forta e njihet ndër të gjithë: gjashtë gishta ka në dorë, gjashtë gishta ka në këmbë.

- Ti je, Fasile, motër?

- Unë, Gjon, vëlla!

Dhe të dy u përqafuan dhe u puthën si vëllai me motrën. Ata kishin kaq vjet që s'ishin parë...

- Ç'bën nëna, moj Fasile?

- Nëna vdiq, Gjon vëlla...

- Ç'bën tata, moj Fasilë?

- Tatën e vranë, Gjon vëlla...

Dhe të dy plasën në vend nga mallëngjimi.

... Atje ku ra Gjoni mbiu një ftua, atje ku ra Fasilja mbiu një shegë. Ftoi çeli lule ftoi; shega çeli lule shege...

 

* Derrpë-a (thuhet edhe derrp-i) - pyll shumë i dendur; vend me driza të shpeshta.

 

Marrë nga Mitrush Kuteli, Tregime të moçme shqiptare, Botimet "Kuteli '04", Tiranë 2009.

4 Komente

tregime te thjeshta , shpirtpastruesesmiley

kuteli eshte shume simpatik,sepse eshte origjinal   ekonomia ne shkrim eshte virtyt i  fisnikeve.

... Atje ku ra Gjoni mbiu një ftua, atje ku ra Fasilja mbiu një shegë. Ftoi çeli lule ftoi; shega çeli lule shege...

po gjethet e fikut nga i morren? ku Peme e Fikut?

 

Pse si pushkatar? (2 pyetje ne rradhe-te cilat me thene te drejten s'kane kurrefarre lidhje me njera tjetren, pervecse trungut qe i mban.) Gjithsesi, a nuk na ka mesuar bibla ( ungjili i ri, me sakte) qe pema e fikut eshte nje peme kapricioze?!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).