Përfundimisht zgjedhjet e parakohshme greke do të mbahen më 20 shtator. Pas frakturës së brendshme të Syriza-s, para pak ditësh Alexis Tsipras dha dorëheqjen nga posti i Kryeministrit në kërkim të një mandati të ri për të udhëhequr vendin me një mazhorancë të përforcuar. Sipas agjencisë greke të shtypit Ana, është firmosur ndërkohë dekreti për shkrirjen e parlamentit, thirrja në zgjedhje për 20 shtatorin dhe themelimi i Parlamentit të ri më 1 tetor.

Për ta udhëhequr vendin drejt kutive të votimit është ngritur ndërkohë një qeveri teknike. Në krye, për herë të parë në historinë e Greqisë, qëndron një grua: ish-Kryetarja e Gjykatës së Lartë Vasiliki Thanou, 65 vjeç.

 

Basti i Syriza-s

Partia greke, e sapodalë nga një çarje e brendshme që i ka shpënë 25 deputetë të ndjekin Platformën e së majtës së Panagiotis Lafazanis, ish-Ministër i Energjisë, ka humbur mbështetjen mes grekëve. Sipas sondazheve të fundit të publikuara në gazetën Efimerida, pëlqesa në drejtim të Syriza-s nga ana e qytetarëve ka zbritur në 23%, pra 3 pikë më pak krahasuar me fillimin e korrikut. Megjithatë ajo vazhdon të ketë më shumë ndjekës sesa opozita me konservatorët e Demokracisë së Re, që shënojnë 19,5%. Hulumtimi tregon po ashtu se një e katërta e grekëve mbeten megjithatë të pavendosur se për kë do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme.

Vetë Tsipras, ka hapur praktikisht fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme me një kontribut në të përditshmen e Syriza-s, Avgi: populli grek, ka shkruar ish-Kryeministri, "do të na japë një mandat të fuqishëm për të tashmen dhe të ardhmen". Greqia nuk do të shikojë më nga e shkuara "por do të shkojë vetëm përpara".

 

Gjendja ekonomike

Ndërkaq gjendja ekonomike e Greqisë është më e mirë nga sa pritej. Prodhimi i brendshëm bruto është rritur. Në tremujorin e dytë ekonomia është rritur me 0,9% krahasuar me tre muajt e parë dhe jo me 0,8 siç ishte parashikuar. Sipas Elstat-it, Institutit grek të statistikave, Greqia këtë vit nuk është në recesion. Në bazë vjetore, Prodhimi i brendshëm është rritur 1,6% nga +1,4% që ishte parashikuar. 

Ndërkohë depozitat bankare të sipërmarrjeve private dhe familjeve kanë shënuar gjatë korrikut një rënie prej 1,4 miliardësh, megjithë kontrollin mbi kapitalin të vendosur në fund të qershorit dhe akoma në fuqi. Këtë të dhënë e jep Banka qendrore greke, sipas së cilës rënia i detyrohet nervozizmit të qytetarëve të cilët kanë parapëlqyer ta mbajnë shpenzimin e përditshëm prej 60 eurosh për kokë - 1800 euro në muaj - në shtëpi. Sipërmarrjet private kanë ndjekur të njëjtin trend: të dhënat e Bankës qendrore tregojnë se depozitat janë zvogëluar me 158,3 milionë në korrik dhe që të vetmet sipërmarrje që i kanë lënë kapitalet në bankë janë shoqëritë e mëdha.

Sipas "La Repubblica"

 

4 Komente

duhet edhe nji gru tjeter se mbetem vetem me Ahtifeten,.

Tik-tak, tik-tak...

Keshtu sic po shkon kjo pune, per greket mund te behet votimi nje profesion i dyte. Cdo tre muaj e gjashte muaj ne zgjedhje! Pse, per cfar, c'zgjidhje!? Thjesht per hobi!

Mire bejne. Le ta shkrijne Parlamentin dhe le ta bejne celik per dyfek e plugje.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).