Sot, Menaxhimi i Cilësisë është një çështje strategjike për organizatat nëpër botë. Në ambientin e bizneseve shqiptare është e lehtë të perceptohet një njohje jo e mirë e kësaj fushe dhe ekziston një përqasje e vagullt ndaj saj. Numërohen me gishta kompanitë, të cilat përpiqen të realizojnë si duhet zbatimin e një sistemi menaxhimi cilësie. Por, për të kuptuar rëndësinë e cilësisë, na duhet të rishikojmë pak historinë.

Pas Revolucionit Industrial, në Amerikë nisi një frymë e re mbi konceptin e të prodhuarit, e orientuar drejt kontrollit të cilësisë. Përqasjet e para statistikore të kontrollit të cilësisë e kanë origjinën e tyre në Ëestern Electric, një kompani inxhinierie elektronike amerikane e famshme për shumë inovacione teknologjike në industrinë e telekomunikacionit, e cila investoi shumë në ndërtimin e teorive e metodave të ndryshme për të përmirësuar dhe mirëmbajtur cilësinë. Nga kjo kompani u frymëzuan ndër personalitetet më të shquar të kësaj fushe si Ë. Edëards Deming (Babai i Cilësisë) dhe Joseph M. Juran, të cilët kishin punuar më parë në këtë kompani.

Pavarësisht kësaj, në atë kohë, sipërmarrësit amerikanë tentuan të ecnin drejt kësaj rruge, por në të vërtetë nuk arritën të kuptonin rëndësinë e kontrollit të cilësisë dhe rregullimit të proceseve sipas programit të hartuar me metoda të reja, me fokus kontrollin e cilësisë. Ata e menduan si diçka që mund të arrihej në shumë pak kohë dhe lehtë. Gjithashtu, pengesë ishte edhe mosinvestimi në kapitalin njerëzor nga ana e sipërmarrësve. Punonjësit ishin të pakualifikuar dhe të papërgatitur për këtë hap. Një ndër arsyet kryesore që sipërmarrësit amerikanë nuk i dhanë vëmendjen e duhur çështjes së cilësisë, ishte edhe pozicionimi i konsoliduar që kishin në tregjet ndërkombëtare. Amerika nuk ishte e prekur nga lufta dhe vazhdonte të ishte superfuqi ekonomike. Nëse në afatshkurtër cilësia kushtonte e frutet do shiheshin me kalimin e kohës, pse i duhej të investonte edhe në cilësi?

Le të flasim pak për Japoninë: Pas Luftës së Dytë Botërore, Japonia ishte një vend totalisht i rrënuar. Burimet natyrore ishin të pakta, e nuk kishte asgjë me çfarë të konkurronte, përveç njerëzve. Gjithashtu, Japonia njihej tashmë për cilësinë shumë të dobët në prodhim, reputacion i rrënjosur thellë në mendjet e njerëzve. Tashmë, asaj i duhej të ndryshonte. Në objektivat e saj parësorë, nuk duhet të ishte më të qenurit fuqi ushtarake, por një fuqi ekonomike.

Unioni i Shkencëtareve dhe Inxhinierëve Japonezë, në kërkim të mënyrave për të rindërtuar vendin e tyre, u ndikuan së tepërmi nga punimet e studimet e publikuara të Deming dhe Juran dhe i ftuan ata në Japoni. Në vitet 1952-1954, Deming dhe Juran, i prezantuan punonjësve japonezë kontrollin statistikor të cilësisë, një program rimëkëmbjeje. Ky program nuk ishte shumë i ndryshëm  nga programi i aplikuar në Amerikë, por ama kishte vetëm një diferencë thelbësore. Ata bindën menaxherët e niveleve të larta që cilësia do t’ju hapte dyer të reja për të konkurruar në tregjet jashtë Japonisë dhe se kjo gjë do të ishte e domosdoshme për mbijetesën e kombit të tyre.

Japonia ishte në pozitat ideale për ta përqafuar këtë filozofi. Sipërmarrësit e niveleve të larta iu përkushtuan dhe i kushtuan një vëmendje shumë të madhe cilësisë duke investuar shumë fillimisht, në rritjen profesionale të punonjësve të tyre, e duke i trajnuar vazhdimisht. Gjatë 20 vjetëve që japonezët po përmirësoheshin me ritme të shpejta, shumë biznese amerikane patën humbje domethënëse në tregjet globale sidomos në Japoni, e cila po rritej me ritme galopante. Në atë kohë, artikuj të ndryshëm nëpër gazeta amerikane të fushës së biznesit i drejtoheshin bizneseve amerikane me tituj të natyrave të ndryshme, ndër to: “Cilësia. Ju kujtohet?”.

Një hap drejt revolucionit të cilësisë u hodh nëpërmjet një shfaqjeje amerikane të NBC, e cila mbante titullin: “Nëse Japonia mundet, pse nuk mundemi ne?”, në të cilin metodat e Deming i shpjegoheshin menaxherëve amerikanë, duke treguar gjithashtu se si Japonia arriti të kapë tregjet më të mëdha globale të automjeteve dhe elektronikës.

Por, tani le të ndalemi te vendi ynë: Bizneset shqiptare, sidomos ato të mesme dhe të vogla, njohin shumë pak rreth fushës së menaxhimit të cilësisë. Madje, cilësia vihet në plan të dytë. Si për kompanitë e prodhimit, ashtu edhe për ato të shërbimit, vlen fakti se shumica e SME-ve në Shqipëri nuk kanë zbatuar një Sistem të Menaxhimit të Cilësisë sipas standardeve ISO, prej të cilave rrjedhin dhe shumë modele e metodologji të tjera për rregullimin, standardizimin e proceseve, sipas natyrës së kompanisë.  Kjo ndodh për shkak të mungesës së një kulture të fokusuar te cilësia.

Fakti që nuk kanë zbatuar një Sistem të Menaxhimit të Cilësisë jep një sinjal të qartë të   kuptueshmërisë jo-adekuate të principeve dhe proceseve të zbatimit të saj, si dhe të mungesës së zhvillimit të infrastrukturës organizative, veçanërisht në menaxhimin e Burimeve Njerëzore. E theksoj implementimin e standardeve të cilësisë, sepse çështja nuk shtrohet vetëm te marrja e një certifikate me qëllim plotësimin e disa kritereve për të fituar një projekt, apo për t’u futur në një treg të ri. Duhet kuptuar drejt se implementimi i standardeve për cilësinë sjell përfitime të mëdha për bizneset, duke bërë të mundur uljen e kostove, rritjen e produktivitetit, të bërit më konkurrues në tregje vendase dhe ndërkombëtare, e një sërë reaksionesh zinxhir pozitivë që vijnë më pas.

Ndryshe ndodh me kompanitë e mëdha në tregun Shqiptar, si në tregun e telekomunikacionit, tregun bankar etj. Edhe pse mbase me një sistem të menaxhimit të cilësisë jo plotësisht të sofistikuar, mund të themi që kanë sisteme menaxhimi cilësie të konsoliduara. Ajo që tërheq vëmendjen është që edhe pse sistemi ekziston, në kulturën organizative nuk njihet si koncept as Menaxhimi i Cilësisë si disiplinë, por as koncepti i Sistemi të Menaxhimit të Cilësisë, nuk është shumë i njohur prej punonjësve.

Gjithsesi, jemi të vetëdijshëm që të merresh me biznes në Shqipëri nuk është e lehtë. Mjedisi është i vështirë për shumë arsye, por ama të zhvilluarit e të mirëmbajturit e një sistemi menaxhimi cilësie nuk është diçka e pamundur. Fillimisht cilësia është një mendësi që duhet përqafuar, e më pas ajo bëhet një vlerë e shtuar për kompaninë. Nëse Klienti do të kënaqet me cilësinë e shërbimit apo produktit të blerë, nesër po ky klient do të takojë dhjetë persona të tjerë dhe do t’u flasë për eksperiencën e tij shumë të mirë me kompaninë që i ofroi shërbimin apo produktin e dëshiruar.

Për t’u shqetësuar është edhe fakti se në Shqipëri, deri tani, janë bërë shumë pak (për të mos thënë aspak) punime apo kërkime shkencore në fushën e Menaxhimit të Cilësisë. Do të ishte mirë të ngrihej një organizëm ekspertësh, të cilët me studimet e tyre ndihmojnë sektorin publik e privat për hartimin e politikave vizionare e të ndihmojnë në rimëkëmbje kur është nevoja. Një vend pa kërkim shkencor, është si një i verbër që po nuk u rrëzua sot, do të rrëzohet nesër. Nëse diçka e tillë do të funksiononte, mbase mund të ecim edhe ne me tendencat e fundit të zhvillimeve globale.

Nga këto shumë pak studime që realizohen për menaxhimin e cilësisë për bizneset shqiptare thuhet se, në sistemin e sotëm të ekonomisë globale, sektori i prodhimit në Shqipëri po përballet me një pozicion jo të mirë në fushën e tregtimit për shkak të presionit mbarëkombëtar të konkurrencës. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh për shumë arsye, por ndër arsyet më kryesore është që kompanitë e prodhimit, të vogla dhe të mesme, nuk kanë Sisteme të konsoliduara të Menaxhimit të Cilësisë. Nuk konkurrojnë dot me cilësi. Nuk konkurrojnë me standarde dhe në këtë pikë ia vlen të ngrejmë një pyetje të thjeshtë: Nëse vendet e tjera munden, pse nuk mundemi ne?!

8 Komente

Shkrimi tipik ku gjeja e pare qe te shkon ndermend eshte "na rrufsh trapin zonje". Biznesi vuan nga mungesa e kultures se te paguarit ne kohe, kosto e larte e kapitalit, korrupsioni ne tatime, pabarizia para ligjit e nje qerre me gjera te tjera, kjo te can trapin me domosdoshmerine e ISO-s

+1 swed

Bukur, por persa kohe shteti nuk iu jep impulsin e pare per kete gje, edhe prodhuesi shqiptar aty do ngelet, tek ai prodhim e tek ajo mendesi. 

 

" .... Do të ishte mirë të ngrihej një organizëm ekspertësh, të cilët me studimet e tyre ndihmojnë sektorin publik e privat për hartimin e politikave vizionare e të ndihmojnë në rimëkëmbje kur është nevoja. Një vend pa kërkim shkencor, është si një i verbër që po nuk u rrëzua sot, do të rrëzohet nesër..." 

 

Autoria mire e thote, por nuk merr parasysh ate me kryesoren, se ne Shqiperi, nuk ka shtetar, qeveritar, qe te mendoje per interesin e pergjithshem, shumica e tyre (per te mos thene te gjithe) jane te zene me punet e tyre private. 

Filozofia e deming (babai i cilesise ) ishte:mos puno per te kenaqur pronarin tend por klientin pasi ky i fundit paguan rrogen tende e jo pronari.

 Por, për të kuptuar rëndësinë e cilësisë, na duhet të rishikojmë pak historinë.

Historine e te tjereve apo tonen ? smiley   A kemi ndonje histori per cilesine ?, ate  tonen  ?

 Ka 25 vjet Shqiperia qe eshte hapur me botren, dhe akoma nuk njohim rendesine e cilesise ? !! smileysmiley 

.

Menaxhimi i Cilesise  smiley

Ca po na thu mi Dorina  se na le pa fjale .

   Sot, pergjithesisht biznesi, eshte ne krize per nje sere faktoresh.Kurse tek ne faktoret jane te panumurt.kaq eshte e vertete kjo sa ja vlen me mire te mos merresh me biznes se sa te meresh.Dhe te habisin kur per kete aktivitet jetesor shkruajne njerez qe nuk ja kane haberin fare si kjo cupa a grua ca eshte.Jo se artikulli thote gjera te kota por nuk  artin te thote ate qe eshte thelbi.Kriza e sterzgjatur dhe mungesa per likujditete ...! 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).