Zëvendësministri Erjon Luçi thotë se qeveria do të përqendrohet te lufta kundër evazionit dhe se e konsideron reformën fiskale “të mbyllur”.

Ministria e Financave bëri një hap prapa dje (e dielë) në lidhje me projektligjin e propozuar për rritjen e tatimit mbi të ardhurat nga paga duke mohuar njëkohësisht ekzistencën e projektligjit si dhe duke e deklaruar reformën fiskale “të mbyllur”.

Zëvendësministri i Financave Erjon Luçi tha në një konferencë për shtyp: “nuk ka ndryshim në skemën e tatimit e të ardhurave personale dhe nuk ka asnjë plan për ndonjë ndryshim të mundshëm në këtë drejtim”.

Ministria e Financave u përpoq në mënyrë të përsëritur të mohojë ekzistencën e projektligjit, i cili u raportua fillimisht nga revista ekonomike Monitor të premten e kaluar, duke thënë fillimisht se projektligji ka të dhëna “vetëm për ilustrim” dhe se nuk ka plan për të rritur taksat. Por revista Monitor publikoi më vonë një kopje të e-mailit me të cilin projektligji i qe dërguar për opinion një numri njerëzish që njihen si “grupe interesi” dhe që janë në përgjithësi biznese të ndryshme, shoqata biznesi apo shoqata kontabilistësh. Në emailin e dërguar nga drejtoresha e Politikave dhe Marrëdhënieve Fiskale në Ministrinë e Financave, Arjana Dyrmishi, shkruhet: “Ministria e Financave në bashkëpunim me misionin e FMN kanë hartuar draft ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat.Ju lutem gjeni bashkëlidhur kopje të draft ligjit për mendim dhe komente, me trach change. Për arsye se draft ligji është punuar me FMN dhe per te pasur me shume kohe, po jua përcjellim në gjuhën angleze. Javes tjere drafti do tju percillet edhe ne gjuhen shqipe. Do të vlerësonim dërgimin e komenteve tuaja brenda datës 30 gusht 2015”.

Ndryshe nga këto fakte, zëvendësministri Luçi deklaroi sot: “Nuk ka asnjë plan për ndonjë ndryshim të mundshëm në këtë drejtim; reforma përsa i përket politikës të taksave tashmë ka përfunduar në përputhje me premtimin elektoral dhe programin e qeverisë”.

Projektligji parashikonte heqjen e përjashtimit nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale për të ardhurat më të ulëta se 30 mijë lekë dhe vendosjen e një tatimi në masën 5 për qind për të ardhurat deri në 15 mijë lekë si dhe tatim në masën 13.5 për qind për të ardhurat mbi 15 mijë lekë deri në 130 mijë lekë.

Nëse do të miratohet, projektligji do të sjellë një tatim shtesë prej 2750 lekë për të gjithë shqiptarët që kanë një pagë më të lartë se 30 mijë lekë në muaj.

Qeveria shqiptare është aktualisht në vështirësi pasi rritjet masive të taksave dhe tatimeve përgjatë dy viteve të fundit nuk kanë shkaktuar rritjen e pritshme të të ardhurave të buxhetit të shtetit. Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili nënshkroi një marrëveshje trevjeçare me Shqipërinë në fund të vitit 2013, nuk ka rënë dakord me qeverinë për rishikimin e rradhës të politikave buxhetore dhe rrjedhimisht nga bllokuar lëvrimin e kësteve të rradhës të kredive të saj për buxhetin e shtetit. Qeveria duhet të paraqesë një plan bindës për mbylljen e deficitit buxhetor brenda tetorit të këtij viti kur do të kryhet analiza tjetër nga ana e ekspertëve të fondit.

Mungesa e një marrëveshjeje me FMN mbart rreziqe të shumta për Shqipërinë. Rreziku kryesor dhe më imediat është që qeveria të përballet me vështirësi dhe me interesa të larta në procesin e emetimit të bondeve sovrane në euro, emetim që është i domosdoshëm për të shlyer bondet aktuale në euro të cilat u morën në vitin 2010 dhe maturohen në nëntor të këtij viti. Rreziku i dytë është që FMN dhe Banka Botërore të pezullojnë lëvrimin e kredive të shumta që kanë dhënë për Shqipërinë dhe që mund të sjellë probleme të mëdha në disa sektorë kyçë të ekonomisë, përfshirë energjinë elektrike.

Përfaqësuesi i Fondit Monetar për Shqipërinë Jens Reinke në një intervistë për Top Channel bëri të qartë se FMN nuk ka shumë besim te plani i qeverisë për të rritur të ardhurat përmes luftës ndaj evazionit fiskal dhe se kërkon ose shkurtim shpenzimesh ose taksa shtesë.

Qeveria ka deklaruar se do të ndërmarrë kontrolle masive ndaj bizneseve shtatorin e ardhshëm në kërkim të evazorëve fiskalë si dhe do të ashpërsojë masat ligjore ndaj evazorëve. Gjithsesi, se sa të ardhura shtesë do të mund të krijohen nga masa të këtij lloji, kjo mbetet për t’u parë.

3 Komente

E hodhen SHashken keta ne mes te Gushtit, e pane qe ju doli e lagur, tani fshehin doren..

Gropa e buxhetit qe zmadhohet ne gjigantizem nuk mbulohet me rritje taksash..as me rritje borxhi. 

ky eshte fundi i cmendurise ekonomike te hajdutit te patateve.

mumje komuniste 

Parimisht/principalisht nje qeverie nuk i lejohet qe brenda mandatit te beje dy here ndryshime per nje gje/vendim, ngritje apo ulje taksash, akcizash, etj. Keshtu qe e pershendes deklaraten e zevendesministrit te Financave. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).