Qytetarët kërkojnë që shteti të mbajë përgjegjësi teksa paguajnë pasaportat e “pavlefshme”. Skandali me dokumentet e identifikimit të 150 mijë personave, u heq nga portofoli 7500 lekë dhe shumë kohë.

Gjendja në zyrat e njësisë bashkiake numër 3 reflekton radhë, jo vetëm për shkak të sportelit të vetëm që është në funksion. Ndërsa në njësinë 5, aty ku numri i banorëve është disa herë më i lartë, radhët duket se janë normalizuar. Një grua rreth të gjashtëdhjetave kërkon të rinovojë pasaportën për djalin e saj, por kur e pyesim, nëse pasaporta i përket njërës prej atyre me gabim teknik në afate, mohon. Punonjësit e njësisë 5, na thonë se tashmë fluksi i njerëzve ka rënë, teksa në muajin korrik ka pasur jashtëzakonisht shumë njerëz, kryesisht emigrantë, të cilët kërkonin me ngut zgjidhjen e problemit në mjetet e identifikimit të tyre.

Pasaportat e prodhuara në periudhën prill 2009-korrik 2010 kanë vënë në lëvizje, plot 156 mijë familje. Kompania përgjegjëse atëherë prodhoi  për grupmoshën 0-16 vjeç pasaporta me afat 10-vjeçar, përkundër ligjit që përcaktonte vlefshmërinë për një periudhë 5-vjeçare. “Rinovimi kushton 7500 lekë, ndërkohë që shumë familje kanë paguar 18500 lekë për ta marrë pasaportën në kohë të shkurtër. Ka pasur ankesa sepse e kanë mësuar në çastet e fundit, para se të ktheheshin në emigrim”, tregon punonjësja e gjendjes civile.

Një situatë e ngjashme, sipas këtij rrëfimi paraqitet në njësinë bashkiake numër 3. Janë me dhjetëra banorë, të cilët aplikojnë dhe kërkojnë në radhë dokumentin e identifikimit. Në radhë qëndron dhe prindi i një fëmije, i cili dispononte deri dje pasaportën e tërhequr në vitin 2010. Duke folur për “Shekullin”, ajo ankohet së pari për çmimin. “Vjet kam paguar për pasaportën e djalit tjetër më pak, 6 mijë lekë, ndërsa tani më thonë të paguaj 7500 lekë. Çdo herë që vij, më shumë lekë të marrin këta. Tani po nxjerr pasaportën e re, sepse ajo e para nuk vlen më dhe ka disa ditë që ka skaduar afati”, na thotë nëna e dy fëmijëve, e cila shton se ka rreth gjysmë ore që pret pranë sportelit.

Ajo ankohet gjithashtu edhe për mënyrën se si funksion administrata, ose të paktën ata që gabuan kur lëshuan pasaportat. “Pse duhet të paguaj unë për gabimet e shtetit? Ai që ka bërë këtë mesele, duhet të dënohet ose të marrë përgjegjësi dhe të paguajë dëmin”. Edhe punonjësit e kësaj zyre pranojnë se fluksi i njerëzve ka pësuar rënie, e pjesa tjetër e njerëzve që gjejmë në pritje shkojnë për procedura të zakonshme, që nuk i takojnë problemit të pasaportave të përhapura në medie ditët e fundit.

Zgjidhja 

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Ministria e Brendshme tha se institucioni propozoi në vjeshtën e vitit 2013, shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së këtyre pasaportave me 1 vit, nga 5 vite afat vlefshmërie që duhej të kishin, në vend të 10 viteve që është shënuar gabimisht. Në këtë mënyrë u lihet kohë shtetasve të marrin masa për pajisjen me pasaportë të re biometrike. Bëhet fjalë për 156 mijë pasaporta për fëmijë nga mosha 0-16 vjeç, me afat vlefshmërie jo të saktë 10 vjet.

Ministria e Punëve të Brendshme propozoi shtyrjen e afatit të këtyre pasaportave me një vit shtesë, duke i bërë këto pasaporta të vlefshme për 6 vjet, në mënyrë që t’u lihet kohë shtetasve të marrin masat për pajisjen me pasaportë të re biometrike. Propozimi i ministrisë u miratua në Kuvend në  muajin prill të vitit të kaluar, ku përcaktohej se afati i vlefshmërisë së pasaportave biometrike, të lëshuara gjatë periudhës 1 prill 2009 - 31 korrik 2010, me afat vlefshmërie 10 vjet, për të gjithë shtetasit shqiptarë me moshë deri në 16 vjeç në kohën e aplikimit, zgjatet me 1 vit nga dita e plotësimit të afatit ligjor prej 5 vitesh.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Brendshme mori masat për njoftimin e shtetasve që preken nga ky problem dhe prej gushtit 2014 ka vijuar me njoftimin e tyre në pikat e kalimit kufitar, në Zyrat e Gjendjes Civile dhe Komisariatet e Policisë, në medien e shkruar dhe elektronike, deklarata  të herëpashershme dhe vazhdueshme nga zyrtarët të lartë të Ministrisë së Brendshme, nëpërmjet Ambasadave dhe Zyrave konsullore të Shqipërisë, për shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë, si dhe nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sipas  llogarive të bëra, të ardhurat që do të mblidhen nga aplikimet me procedurë normale të pasaportave, me çmimin e saj prej 7500 lekësh, nga 156 mijë qytetarë, është rreth 1.1 miliardë lekë.

Aplikimet

Aplikimi për pasaportat biometrike bëhet në zyrat e gjendjes civile, aty ku aplikohet edhe për letërnjoftimin dhe pas rreth 15 ditësh tërheqja kryhet pranë organeve të policisë rajonale. Nuk është e nevojshme të paraqiten fotografi pasi personi fotografohet aty për aty me anë të një aparati fotografik. Edhe shenjat e gishtave merren me aparate skaner dixhitalë. Praktikisht i njëjti aplikim për letërnjoftim është i vlefshëm edhe për pasaportë. Qytetarët shqiptarë mbi moshën 16 vjeç nuk mund të aplikojnë për pasaportë biometrike pa aplikuar më parë për letërnjoftimin biometrik. Të dy këto dokumente përmbajnë të njëjtat të dhëna personale të mbajtësit.

7 Komente

Sigurisht qe eshte nje gabim, por nese mosha nga 0 deri ne 16 vjet do te kishin bere pasaportat per 5 vjet, a nuk do te aplikonin tani per rinovim? Pra, perseri do te paguanin dhe do te shpenzonin kohe. Keshtu qe ankesa qe bejne eshte idiotllik, aq me teper qe shteti ju a ka shtyre per nje vit te drejten e rinovimit. Apo jo Gjembo?

e kujt i prishi pune, praktikisht, ky ''gabimi''...?!   

sic kane vendosur ta lene  vlefshmerine e ketyre pasaportave 1 vit me shume, per 6 vjet,  le ta lene deri ne fund, per 10 vjet.. ku problemi..?  

shpenzime te kota per keto familje, pastaj ka familje qe kane nga 2-3-4... femije.

pasaporta eshte mjet/instrument identifikimi. E si mund te indetifikosh nje femije qe eshte fotografuar ne pasaporte te themi kur ka qene 1 vjec, dhe mbas 9 vitesh kur eshte 10 vjec? Ka ndryshuar 100 perqind.  

pasaporta eshte edhe mjet i mire per mjeljen e qytetareve !

e si ja benim deri para ca vitesh qe nuk ishin fare te nevojshme pasaportat per femije deri ne moshen 16 vjec ?

pastaj keta femije qe paskan bere pasaporta kur kane qene 1 vjec, edhe kur jane3.. 4...5 apo 6 vjec, 100% kane ndryshuar.

prandaj thashe, pederisa sa nuk ka asnje problem praktik, edhe per me teper keto pasaporta jane biometrike, te sigurise se larte,  atehere tua lene ketyre deri ne afatin per te cilin kane paguar e kane marre pasaporten.

Belulo ka protokolle nderkombetare qe i percaktojne sakte regullat e leshimit te pasaportave. Nuk mund te shkohet kundra rymes gjate gjithe kohes. Sigurisht qe populli paguan gabimet e saliut, por i yni eshte edhe ky mut.

Sikur ta dija qe do kishin probleme te tilla. Pune shqiptaresh smiley

V.L. as tek pasaporta qe eshte dokumenti perfaqsues ne bote nuk ka seriozitet. Mire gabim, po per dy vjet asnjeri nuk e ka vene ujet ne zjarr apo presin te behet mullari njehere dhe te qelbi dynjane.

Keta prinderit nga ana tjeter kerkojne qe mos paguajne. Kudo 5 vjet eshte afati. Pune tjeter gabimi, dhe keta kane te derjte t'i kerkojne firmes se pasaportave te gjithe parate e demit ekonomik apo moral qe ka ardhur si pasoje e mosparashikimit te afatit. Minimalisht te gjitheve duhet t'i  ishte ofruar dhe procedura e pershpejtuar falas.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).