I përnderuar Myfti,

Nuk njihemi fizikisht, por kjo nuk më pengon të të përshëndes miqësisht dhe të të dërgoj të fala të sinqerta, për të pasur gëzime dhe lumturi në jetën provizore, që na është dhënë e drejta ta jetojmë.

Në ditën e lumtur të Fiter Barjamit, Ju ju drejtuat popullit të Pukës ku shërbeni, me një mesazh shumë kuptimplotë dhe qortues, për aq sa e lejojnë suret përkatëse të këtij problemi, që rregullon marrëdhëniet e njerëzve me të dërguarin e Perëndisë.

Po e citoj një pjesë të mesazhit tuaj, ashtu si e ka botuar shtypi civil i Shqipërisë:

“Largimi është tradhti ndaj vendlindjes. Azili nuk është shpëtim, bëhuni më vizionarë! Ktheni sytë nga tokat tuaja bujqësore. Jemi i vetmi vend ku toka nuk punohet. Kur nuk doni vendin tuaj, si mund t’iu duan të tjerët?”

Si bashkatdhetar dhe specialist i vjetër bujqësie, të falënderoj nga zemra për këtë konsideratë të munguar, që shprehni ndaj tokës mëmë dhe ndaj bujqësisë të vendit tonë. Të tërë njerëzit, me përjashtim të qeveritarëve, e dinë se në Shqipëri ka 25 vjet që nuk mbillen gati çdo vit mbi 200 mijë ha tokë, në mos më shumë.

Më lejoni t’i shtoj shqetësimit tuaj qytetar, se tokat më të mira bujqësore në Myzeqe, Zadrimë, Vurg, Mamurras, Maliq dhe luginat e lumenjve ka vite që u ka mbirë trusku. Mbi to po kuturiset të peshkohet, i respektuar Myfti.

Është tamam kështu siç shpreheni ju. Jemi i vetmi vend në botë ku toka nuk punohet. Ne e kemi alternativën, që të mos emigrojmë dhe e përbuzim.

Shumica e tokave të papunuara janë të pakulluara dhe pa ujitje. Po sa do t’i lëmë kështu? Ministrat e bujqësisë të këtij tranzicioni 25 vjeçar, janë fajtorët e drejtpërdrejtë të këtij handikapi të paparë. Lëre që nuk kanë vënë ujin në zjarr për të ndryshuar situatën me tokën bujqësore, po nuk i kanë dhënë popullit shqiptar një raport sa tokë nuk selitet dhe pse. Me sa duket, ministrat nuk e dinë shifrën e saktë të tokës të pambjellë. Shifrat, kemi të drejtë të dyshojmë se janë të manipuluara, deri sa ish-ministri Ruli raportonte përpara mediave se bujqësia është rritur mbi 8%, kur ajo është shumë poshtë nivelit të vitit 1990.

Nuk është e qartë pse fshihet shifra e mos mbjelljes së tokës bujqësore, një realitet nga më monstruozët që ka njohur ky vend, ashtu siç e nënvizoni dhe Ju në mesazhin tuaj. Fshatari tokën e ka punuar me parmendë druri dhe ja ka dalë. Sot nuk bëhet fjalë për mjete mekanike të punimit që i kemi dhe i gjejmë, po s’i patëm.

Këto 25 vite kanë ministruar Ministrinë e Bujqësisë 10 ministra. Secili e ka shpallur veten shkencëtar dhe patriot, por e kanë dorëzuar Ministrinë me tokën shqiptare të pambjelle dhe pa thënë gjysmë fjale për faktin pse nuk mbillet. Ministri i Bujqësisë mund të emërtohet ndryshe edhe ministri i tokës dhe i ujit sipërfaqësor. Faktikisht nuk kanë menaxhuar as tokë, as ujëra dhe përsëri e kanë mbajtur emrin ministra; për çfarë? Si i ka lejuar populli të kapërcejnë pragun e Ministrisë, pa u përgjigjur? Profesorët e bujqësisë shqiptare dogjën diplomat përpara zyrës së ish-ministrit. Këtë nuk e harron bota dhe Europa, por në Shqipëri kjo ngjarje unikale u harrua, qysh në mbrëmjen e ditës që ndodhi. Lavdia është e përjetshme për profesorët bujqësore shqiptare!

Situata e heshtjes 25 vjeçare nuk ka shpjegim. Ajo që të them me sinqeritetin e burrit është kjo: Po qe se do ta kisha krijuar unë këtë situatë, ose diçka afër kësaj, do të kisha vajtur me kohë në vetëvrasje pa u menduar dy herë!

Një koleg më ka thënë tani vonë, se pushtetarët e fshehin gjendjen e tokës së papunuar, sepse nuk i pranon Europa. Personalisht mendoj krejt të kundërtën. Europa nuk e ka vënë këtë kusht dhe nëse dikush mund ta zgjidhi këtë ngërç, është vetë Europa. Ne kemi dhënë boll prova se jemi të paaftë për një sipërmarrje të tillë mbi tokën tonë. Duhen investime të mëdha brenda një afati kohor sa më të shkurtër. A mund ta realizojmë ne këtë investim me buxhetin modest që do të kemi në çdo kohë? Europa mund ta bëjë, po t’ia kërkojmë.

Shtypi ka bërë dhe po bën sehir. Duhet të gjendet një burrë t’u kërkojë llogari pushtetarëve, në emër të popullit! Juve dhe klerikët e tjerë shqiptarë ju dhemb zemra për tokën që nuk mbillet, sepse ju i doni besimtarët e varfër. Nuk kini asnjë ngjashmëri me ministrat e korruptuar dhe të pandërgjegjshëm, për detyrën që ju ka ngarkuar populli. Nuk jeni as një gazetaruc që përgjon për ndonjë lajm sensacional.

Toka e pambjelle nuk është një gabim që riparohet me një autokritikë. U është hequr shqiptarëve alternativa më e plotë për punësim, mirëqenie dhe evitim të emigracionit marrok.

Kur themi që janë fajtorë të rinjtë që ikin, më përpara duhet të kthejmë sytë dhe vëmendjen nga ministrat e bujqësisë, që populli i ka paguar dhe vijon t’i paguajë me rroga të pakrahasueshme, për 25 vite. Unë nuk di të mallkoj. Besoj këtë do ta bëni Ju, në emër të besimtarëve që ju u shërbeni me përkushtim.

Juve keni besim tek pushtetarët e rinj të bashkive të mëdha se do të bëjnë diçka më shumë për bujqësinë, veçanërisht për kullim-ujitjen. Këtë mendim kam dhe unë, por me shumë rezerva. Pse? U bënë reforma të suksesshme në arsim, pensione, ushtri, shëndetësi, do të bëhet dhe ajo e drejtësisë, kudo. Bujqësia do të mbetet po kjo, me korrigjim të inflacionit. Bujqësinë e duan hiq e mos këput. Kjo situatë arsyetohet se ka ndryshuar struktura e mbjelljeve, sipas kërkesës së tregut. Kjo kështu ka ndodhur vërtet, por pritej. Të publikojnë sa $ merren nga një ha tokë e kadastruar. Kjo shifër na duhet për krahasim. Le të mbillet toka me se të duan; qoftë dhe manaferra.

Pak ditë përpara dëgjova zv.ministrin e Bujqësisë, që fliste se do të pastrohen më shumë kanale. Për ç’kanale flet ky zotëri? Fjala është për një rrjet të tërë inxhinierik, të eliminuar në terren. Zv.ministri optimist foli dhe për politikat bujqësore që do të formulojë më mirë Ministria, tani që “kanalet” i ka Bashkia. Po për ç’politika bëhet fjalë, kur nuk ekziston objekti alfa, nuk mbillet toka? Do të ndjehem i lumtur, nëse realizohet parashikimi juaj për punën e bashkive të mëdha. Jam ende skeptik.

Toka bujqësore nuk është “disa kanale”, siç e përcaktojnë këta “optimistë” qeveritarë. Toka bujqësore është bonifikim integral, nga Velipoja në Karaburun. Bonifikimin nuk e bëri Diktatura, por populli. Shqiptarëve ju deshën 30 vite për ta përfunduar. U prish për disa ditë dhe vijon të mos jetë funksional për 25 vjet. Kur dhe kush do ta bëjë funksional? Këtë duhet ta gjykojë drejtësia e pavarur!

Uroj të bëhet më e mira dhe në kurban Barjam të takohemi me koncepte dhe praktika të reja për tokën dhe ujërat sipërfaqësore, që gjithsesi duhet të kemi ende besim tek vendimi mbarëpopullor, i shprehur 2 herë me votë.

Me konsideratë të lartë.

(Letër pa zarf Myftiut të Pukës për mesazhin e tij të lartë)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).