Aty kaluan ushtritë e Cezarit e Pompeut, apostujt e Krishtit që përhapnin lajmin e mirë, kryqëzatat për të çliruar Tokën e Shenjtë, prej aty mësynë edhe ushtritë osmane drejt Ballkanit apo edhe misionarët që përhapën Islamin…

E mbuluar nga koha, Via Egnatia po del sërish në dritë. Karvani i parë është nisur tashmë. Për një javë rresht, 35 studentë dhe profesorë të Universitetit të Venecias i janë bashkuar një projekti të iniciuar nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit për rivitalizimin e rrugës antike Via Egnatia, si një produkt turistik. Janë 263 kilometra, që nisin në Durrës e përfundojnë në Manastir, në Maqedoni. Drejtori i Agjencisë së Bregdetit, Auron Tare, në krye të këtij grupi, na tregon për idenë, synimet e projektit dhe kthimin e rrugës antike në një atraksion të vërtetë historik, në gjurmët e së shkuarës, të betejave të përgjakshme, të besimeve të mëdha, por edhe të vetvetes. 

Si lindi ideja për të “rizbuluar” Rrugën Egnatia dhe çfarë përfaqëson ajo në historinë tonë dhe atë ndërkombëtare? 
- Ideja e udhëtimit në rrugën e famshme “Egnatia” nuk është e re. Disa historianë me emër kanë udhëtuar në gjurmët e saj me qëllim identifikimin, por më së shumti për të shkruar mbi ngjarjet historike që kanë ndodhur në këtë rrugë antike. Emra të njohur si Poqueville apo Hammond janë munduar ta ndjekin Via Egnatian në segmente të ndryshme të saj, duke na lënë pas përshkrime shumë interesante. Po kështu, disa arkeologë shqiptarë, si prof. Ceka apo Llazër Papajani kanë kontribuar shumë në njohuritë tona mbi Via Egnatian dhe segmentin që përshkon Shqipërinë. Ka me dhjetëra shkrime mbi rëndësinë e Via Egnatias përgjatë periudhave të ndryshme historike. Burime që nga antikiteti e deri në Mesjetë na sjellin ngjarje nga më interesantet që kanë të bëjnë me Via Egnatian. Lufta Civile midis Cezarit dhe Pompeut u bë më së shumti përgjatë Via Egnatias. Krishterimi u përhap në Ballkan falë edhe Via Egnatias, ashtu si shekuj më vonë, po nga Lindja, erdhën misionarët e parë që sollën islamizmin nëpërmjet Via Egnatias. Ushtritë kryetare që shkonin në Tokën e Shenjtë më së shumti udhëtuan nëpërmjet Via Egnatias. Pra, e gjithë kjo pasuri e madhe historike, natyrshëm është një potencial i jashtëzakonshëm për të krijuar një produkt turistik të cilësisë së lartë. Disa vite më parë, një çift holandezësh përshkuan një pjesë të Egnatias, duke shkruar edhe një libër mjaft interesant dhe duke u bërë, si të thuash, ideatorët e parë të potencialit turistik të Egnatias. 

Çfarë synohet? 
- Synohet rikthimi i kësaj rruge në një atraksion të madh për Shqipërinë. Imagjinoni se çfarë do të thotë të ecësh në gjurmët e legjioneve romake, kryqtarëve apo misionarëve islamë, tregtarëve të Venedikut, filozofëve lindorë apo kronikanëve si Celebiu që e përshkruan me mjaft kolor udhëtimin në viset shqiptare nëpërmjet Via Egnatias. Sipas modeleve europiane të itinerareve historike si Via Frangigena, apo itineraret e Santiago de Compostela, Via Egnatia mund të shndërrohet në një arterie të rëndësishme turistike me një impakt ekonomik në zonat rurale, të cilat sot janë të përjashtuara gjeografikisht nga çdo zhvillim i turizmit. Imagjinoni nëse në zonën e malësisë së Librazhdit, për shembull, do të ketë udhëtarë që lëvizin 6 deri në 9 muaj në vit. Kjo lëvizje, nëse orientohet në mënyrë të planifikuar, do të sjellë krijimin e bujtinave lokale, guidave lokale, miniferma të cilat japin ushqim tradicional e mjaft derivate të tjera të turizmit. Pra, e reja në projektin tonë është shndërrimi i vlerave historike dhe natyrore në produkt turistik. Mendoj se mbledhja e përpjekjeve të të gjithë atyre që kanë kontribuar në vlerësimin e rrugës Egnatia dhe përkthimi në turizëm/ ekonomi/zhvillim i komuniteteve rurale është kontributi i ri i këtij projekti. 

Sa i gjatë është ky itinerar dhe për sa kohë përshkohet ai? 
- Via Egnatia fillon në Durrës dhe përfundon në Stamboll apo Kostandinopojën Perandorake. Këtu, në kryeqytetin lindor të Perandorive, ajo ndahet në dy degë, njëra shkon në Jerusalem dhe tjetra në drejtimin e Rrugës së Mëndafshit. Pra, siç e shikoni, Via Egnatia ishte ndoshta rruga më e rëndësishme europiane që lidhte Lindjen me Perëndimin. Kjo rrugë mund të përshkohet për katër javë nëse do të kemi parasysh ritmin e lëvizjeve me kuaj të kohës. Për momentin, ne jemi fokusuar në krijimin e etapës së parë, Durrës-Manastir: 263 km, duke e përshkuar atë në këmbë çdo ditë. 

Duket se nuk është edhe aq e thjeshtë, cilat kategori synoni të thithni? 
- Via Egnatia është një mundësi për të gjithë ata që kërkojnë aventurën apo vetveten. Rrugë të tilla historike janë një përpjekje e madhe e individëve, të cilët kërkojnë të njohin jo vetëm historinë shumëngjyrshme të viseve që ata përshkojnë, por në radhë të parë të vetvetes. Paulo Coelho, për shembull, ka shkruar një libër të mrekullueshëm për pelegrinazhin e tij në itinerarin e njohur si Santiago i Composteles. 

A është krijuar infrastruktura e duhur për të siguruar udhëtimin e për t’u ardhur në ndihmë udhëtarëve? 
- Deri më sot, jo. Në fakt, ky udhëtim me studentë dhe profesorë të Universitetit të Venecias kishte si synim identifikimin e të gjithë trashëgimisë kulturore, pasazheve historike dhe zonave me interes turistik. Bazuar në të gjitha faktet e mbledhura, ne do të fillojmë përcaktimin e saktë të nevojave të infrastrukturës, duke filluar me promovimin e Via Egnatias, krijimin e qendrave të informacionit, tabelizimin, vendosjen e miliareve (gurëve në modelin romak), krijimin e stacioneve të pushimit në modelin e staneve tradicionale, trajnimin e guidave e kështu me radhë. 

Priten të tjera grupe udhëtarësh paskëtaj? 
- Rivitalizmi i Via Egnatia kërkon një angazhim të disa institucioneve dhe ne po koordinojmë kontributet e atyre institucioneve të interesuara, por duhet të them se janë operatorët privatë dhe popullsia lokale, ata që do të jenë përfituesit direktë dhe njëkohësisht të interesuarit më të mëdhenj për këtë produkt. Sigurisht që grupe të tjera do të vijnë nëse ne arrijmë të krijojmë një produkt me standarde europiane. Dua të theksoj që tashmë, në aspektin ndërkombëtar, kemi marrë angazhimin në këtë projekt të National Geographic, një prej institucioneve më prestigjioze, i gatshëm të përfshihet në ringritjen e Via Egnatias.

ALMA MILE

6 Komente

rruga egnatia e tares durres-manastir.

rruga egnatia e grekut igumenice-selanik!.      ik merrja emrin po ta mbajti tare!   denoncoji tek pepinot apo ku te shkon fjala po  pate vegla dhe pastaj beje ne kembe.

 

Filloi Marshimi i Madh 

Na mbani ne kontakt deri ku ka vajtur Tarja me marrshimin.

Tare coi kangjellat e Kryeministrise vullnetarisht ne kurriz nga Tirana ne Butrint, jo me te mos beje 263 km rruge ne kembe pa kangjella n'shpine. 

Artikulli ama dobet, mungon nje foto e Auronit me kale

Vlla deri ne stamboll ne kembe????......me ki kujdes andej nga maqedonia a te keqen ,me kij kujdes ata trimat e ISIS , te bejne synet , te bejne gollomesh fare ....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).