Familjarët e viktimave dhe sindikatat e minatorëve ankohen se autoritetet po fajësojnë viktimat për aksidentet vdekjeprurëse në miniera, duke shmangur përgjegjësitë penale të kompanive.

Leonard Shabani vinte nga një familje minatorësh. I ati kishte punuar për 30 vjet me radhë në galeritë e kromit në Bulqizë, ndërsa 28 vjeçari ndoqi rrugën e tij deri ditën e aksidentit vdekjeprurës.

Leonardi e kishte parandjerë fatkeqësinë, përpara se të humbte jetën më 27 nëntor 2014, i shtypur nga një masiv shkëmbor në bllokun D të minierës së Bulqizës.

“Nanë- më thoshte, po iki po nuk dihet nëse kthehem i gjallë,” kujton Selvije Shabani, e ëma e minatorit të vdekur.

Selvija thotë se Leonardi punonte në një sektor që konsiderohej i rrezikshëm.

Dy vjet më parë, në të njëjtin zonë të minierës pati humbur jetën dhe një minator tjetër, Dilaver Koçi, dhe sipas Selvijes, firma që e menaxhonte galerinë nuk kishte bërë investime për të shmangur tragjedi të tjera.

Për vdekjen e Shabanit dhe plagosjen e rënda të një tjetër minatori, Ramiz Xhufi, Prokuroria e Dibrës ka marrë të pandehur brigadierin e turnit në kompaninë minerare ku ato punonin, Hajdar Celmetën, i cili akuzohet për “shkeljen e rregullave të mbrojtjes në punë.”

Megjithatë, familjarët e Shabanit shprehen se për kushtet që çuan në shembjen e galerisë është përgjegjëse firma, e cila sipas tyre ka paguar para nën dorë për të shpëtuar nga përgjegjësia penale, e cila nuk mund të qëndrojë vetëm mbi shpatullat e Celmetës.

“Firma ka dhënë lekë e prandaj i kanë mbyllur të gjitha letrat siç donin vetë,” thotë Selvije Shabani.

Selvija shton se kompania ku Leonardi punonte ka tentuar gjithashtu të blejë heshtjen e familjes, por ata kanë refuzuar pajtimin me drejtuesit e saj.

“Nuk mund të shkelnim mbi jetën e djalit tonë me disa milionë të ofruara nën dorë nga firma,” shprehet Selvija.

“Ne duam drejtësi dhe për këtë do të luftojmë deri në fund. Duam që përgjegjësit e kësaj tragjedie të vihen para bankës së të akuzuarve,” shtoi ajo.

Vdekja e Leonard Shabanit nuk është një rast i izoluar.  Vlerësohet së në 10 vitet e fundit afërsisht 300 minatorë kanë humbur jetën në minierat shqiptare.

Viti 2007 dhe 2010 konsiderohen si vitet më të rënda për sa i përket aksidenteve në punë gjatë dekadës së fundit. Vetëm në këto dy vite numërohen 32 raste aksidentesh me pasojë humbjen e jetës në vendin e punës në minierë.

Megjithatë, edhe viti 2014 do të shënonte një rekord tjetër tragjik, kur vetëm në një ditë humbën jetën 7 persona në minierën e Beragozhdit në Pogradec.

Sipas Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, ISHPSH, shkaqet kryesore të aksidenteve në miniera vijnë si pasojë e shembjes së galerive, shpërthimit të minave, moszbatimit të rregullave të sigurimit teknik, pakujdesi nga punëmarrësit apo shkarjet e dheut.

Përgjegjësja e sektorit të Sigurisë në Punë pranë ISHPSH, Irena Gjoka shprehet se gjatë viteve të fundit është rritur numri i aksidenteve dhe i vdekshmërisë në sektorin e minierave.

Që nga viti 2014 e deri në prill të vitit 2015 rezulton se aksidentet me pasojë vdekjen kanë ndodhur në miniera të licencuara. Nuk është regjistruar asnjë aksident në firma të palicencuara.

Për shkak të aksidenteve në punë, nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore janë vendosur masa administrative me gjobë në 8 subjekte ku kanë ndodhur aksidentet, me vlerën 7,720,000 lekë.

Megjithatë, sipas ligjit të vitit 2001 “Për sigurinë në punë në veprimtarinë minerare” institucioni përgjegjës që siguron zbatimin e dispozitave ligjore e akteve nënligjore në veprimtaritë minerare në Republikën e Shqipërisë nuk është Inspektorati i Punës, por Reparti Inspektim dhe Shpëtim Miniera, RISHMI.

Kjo, sipas përfaqësueseve të sindikatave të minatorëve ka krijuar një konflikt interesi në rastin e aksidenteve në miniera, pasi RISHMI në të shumtën e rasteve fajëson viktimat për aksidentet që ndodhin.

Kryetari i Konfederatës së Sindikatës së Industrisë, Tafë Koleci thotë se RISHMI ligjërisht ka për detyrë të garantojë punën nën tokë dhe për këtë arsye, nuk ka sesi po ky institucion të kryejë dhe inspektimet dhe raportet teknike të rasteve të aksidenteve.

“Nuk mundet RISHMI të kontrollojë vetveten,” thotë Koleci.  “Kontrollin në nëntokë duhet ta bëjë Inspektorati i Punës,” shtoi ai.

Sipas Kolecit, për shkeljet e rregullave të punës në miniera prokuroria vihet në veprim vetëm pasi aksidentet ndodhin dhe RISHMI dorëzon pranë organit të akuzës raportin teknik.

Nga ana tjetër, prokuroria vetë nuk ka asnjë ekspert minierash, gjë që e detyron organin e akuzës të marrë për të mirëqenë vetëm raportin e paraqitur nga RISHMI.

Njësoj si Koleci, familja e Leonard Shabanit hedh dyshime mbi raportet e RISHMI-t, duke nënvizuar se në rastin e vdekjes së djalit të tyre, inspektorët nuk erdhën kurrë për t’i intervistuar.

“Ata nuk erdhën njëherë të kontaktonin me ne familjarët, por e hartuan raportin që faji të binte mbi Leonardin,” shprehet Selvije Shabani.

“Firma i ka dhënë lekë RISHMI-t e kjo punë është mbyll…burri im kot shkon javë për javë me taku gjykatësit e prokurorët,” shtoi ajo.

Njësoj si në rastin e Leonardit, edhe vdekja e Mariana Rushitit në 19 Qershor të vitit 2010 është vlerësuar nga RISHMI si rrjedhojë e pakujdesisë së viktimës.

Nëna e divorcuar e tetë fëmijëve humbi jetën pas një manovre të gabuar të një fadrome në një fushë ku po mblidhte krom.

Flutura, vajza e saj e madhe që sot është 30-vjeç dhe kujdeset për fëmijët më të vegjël shprehet se pas aksidentit, përfaqësuesit e firmës i kanë thënë se ‘faji ka qenë i Marjanës, e cila i ka dalë përpara fadromës.’

Ashtu si Marinana Rushiti edhe Leonardi ka lënë pas një vajzë pesë vjeçare dhe të shoqen e ve, që mbijetojnë falë një pensioni prej 20 mijë lekësh.

“Ata [firma] vazhdojnë jetën për qejf, s’kanë nga çojnë lekët, ndërsa ne jemi për bukën e gojës e me lotët në sy për djalin që humbëm,” thotë Selvije Shabani.

“Të paktën të vihet drejtësia në vend…kaq kërkojmë,” shtoi ajo.

Burimi: http://www.reporter.al/vdekjet-e-minator...

13 Komente

po ta vesh re, vdekjet minatoreve nuk perbejne me lajm. shume shume  shkruhen nja dy radhe ne ndonje cep  gazete..  nderkoh, rregullisht,  cdo 1-2 muaj vdesin minatore.

Persa kohe nuk investohet per sigurine e jetes se minatorit, peraq kohe do kete vdekje ne miniere. 

Duhet te vine kinezet qe t arihet siguria e minatorve ! 

Mos e beso po deshe ! 

https://www.youtube.com/watch?v=UHkCozH-srM

Popull i mrekulueshem, i mrekulueshem me mikpritjen, por nuk dime per veten tone ! Kjo mikpritja mu me duket se tek ne me shume tregon inferioritet dhe munges dinjiteti aftesie gjithashtu , se sa sa nje gje pozitive !

 Per aq kohe qe rendin sigurine, ne pune ne jete ne ju a besojme te tjereve dhe jo vetes tone kjo qe them eshte e vertet !

Mikpritja jone eshte shenje inferioriteti ! Do mbushet Shqiperia me kinez sa te plasi !

Ka ardh kinezi nga ane e anes, ne pak muaj , dhe ka kriju disa kushte minimale per veten e tyre, puntoret dhe i bejne kinezet qe te jene me te sigurte sesa vete vendasit, bulqizaket , ne miniera dhe ne shtepite e tyre ! !  

Si su krijuan ndonje here keto siguri pune  ne miniera e kudo, per shqiptaret , c` a   trego kjo   ?!!! 

Per kinezet ilir-jani , ke material edhe tek VQ, lexoje. 

Me kete link qe na solle ti Belul, na le te kuptojme qe V Q paska edhe konkurente te tjere. mos ka kopjuar gje ky autor nga V Q apo e anasjellta?!!?smiley

Nga minatoret do i vije fundi rregjimit

Une them do i vije nga syleshet ( po mund te jem gabim).

Minator ti je, o vella ...

Haha, e paske kapur me bresheri per funin e sistemit tek 3 tema.

Po keta s'jane minatore te Valiasit.

Minator, minator
E ke gjoksin plot me lesh
Po edhe pa lesh po ta kesh
Prape, minator do jesh..

Po babezia nuk ka brire. Me shume se per jeten e gerrmusve te kromit me dhimset ajo pasuri qe po shkretohet dita dites. Galeri qe shfrytezohen vetem per mineral te paster duke groposur perfundimisht mineralin me te varfer qe ne sasi perben shumicen.
I shkaterroi Çeku i Bardhe dhe Heroi i Demokracise. Te dy i ndeshkoi zoti po per krye verremliun Berishe me duket se ka rezervuar nje finale speciale, perdersa spo e con ne hale te gomereve hala.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).