Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “Dokufest” vjen në edicionin e 14, i cili do të mbahet nga data 8 -16 gusht në Prizren, Kosovë. Drejtori artistik i “Dokufest”, Veton Nurkollari, pohon për një festival me më shumë filma dhe pjesëmarrje kineastësh shqiptarë dhe të huaj. Këtë herë festivali vjen me temën e migrimit, dhe pritet të ketë në vëmendje dhe panele diskutimesh dhe aktivitete të tjera që janë pjesë e tij. Në intervistën dhënë për gazetën, drejtori Nurkollari flet mbi punën që është bërë për zhvillimin e festivalit, i cili disa ditë më parë prezantoi disa filma në Tiranë.

Festivali prej vitesh nuk i ka munguar jetës artistike, sipas drejtorit Nurkollari edhe pse ka qenë një mbështetje me buxhet nga komuna e Prizrenit, dhe dy ministritë e Kulturës në Shqipëri dhe Kosovë, është bërë jo pak punë në kërkim të financimeve të tjera. Për gazetën drejtori artistik i “Dokufest” shprehet se “Creative Europe” është një mundësi e mirë për projektet, por duhet të ketë vëmendje mënyra se si bëhet aplikimi. Por kur flitet për kalendarin e përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, për Nurkollarin duhet të ketë më shumë vëmendje dhe arti bashkëkohor. 

Edicioni i 14 i “Dokufest” nis të shtunën në Prizren. Me një pjesëmarrje të lartë aplikimesh, që ju e keni cilësuar si rekord për festivalin?

“Dokufest” këtë vit nga ajo që unë shikoj do të jetë një festival ndoshta më i madhi jo vetëm për shkak të numrit të filmave, të aplikimeve, por më tepër për shkak dhe të aktiviteteve shtesë që do të jenë gjatë tij. Do të ketë më tepër diskutime, panele, punëtori dhe nga ky aspekt “Dokufest” do të shihet dhe më i madh. Do të ketë dhe kinema të hapur, dhe do të jemi festival me numër rekord të kinemave të hapura. Do të ketë më shumë të ftuar në festival, si dhe interesim më shumë nga media shqiptare dhe asaj botërore me gazetarë që i takojnë mediumit të filmit. Kemi një numër rekord të filmbërësve, që do të jenë prezent, drejtorë festivalesh në botë, etj.

Ndërkohë që “Dokufest” dhe në botë ka marrë vlerësime si festival?  

Këtë vit ne jemi vlerësuar mes 10 festivaleve në botë me kinemanë e hapur më të bukur. Por janë dhe të tjera vlerësime mbi festivalin, diku në vendin e katërt apo të gjashtë.

Këtë vit “Dokufest” vjen me temën e migrimit. Pse kjo zgjedhje?  

Këtë temë e zgjodhëm, sepse deri diku dhe na është imponuar, edhe për vetë faktin se sa është temë e rëndësishme. Por dhe me atë se çfarë është duke ndodhur sidomos në këtë pjesë të Evropës, por dhe me atë që ndodhi në fund të vitit të kaluar dhe fillim të vitit në Kosovë me një valë të madhe të migrimit të kosovarëve jashtë Kosovës. Kjo na shtyu, që ne të reflektojmë dhe ta marrim si temë, ku “Dokufest” do të jetë një platformë ku tema e migrimit do të shpaloset jo vetëm përmes filmit, por dhe me anë të paneleve të ndryshme. Është ndër temat më të rëndësishme në shoqërinë tonë në këtë moment, ku edhe ekspozita e fotografisë është po me këtë temë.  

Më herët jeni shprehur se ka një pjesëmarrje të vlerësuar të filmit shqiptar në festival. Çfarë mund të na thoni mbi prurjet e filmave nga kineastët shqiptarë?  

Janë mbi 20 filma shqiptarë në festival. Ky vit është viti më i mirë i kinemasë shqiptare për aq sa e mbaj mend unë. Mendoj që është jo vetëm për shkak të numrit të filmave, që janë në “Dokufest”, por edhe për shkak të disa filmave të tjerë, që në këtë moment nuk janë pjesë e festivalit, por kanë qenë pjesë e suksesit të tij. Nga më shumë se 20 filma, kemi filma shqiptarë që janë në garën ndërkombëtare të filmit të shkurtër, filma shqiptarë që janë në garën Ballkanike për dokumentarin, filma në garën kombëtare, dhe 7 filma që janë jashtë konkurrencës nga regjisorë shqiptarë që jetojnë jashtë.  

Ju pohoni për një festival me shumë pjesëmarrje, sa është buxheti nga Ministria e Kulturës në Kosovë dhe Shqipëri?  

Për Ministrinë e Kulturës në Shqipëri nuk kam shifra të buxhetit, për shkak që ende nuk është përfunduar, nga ministria në Kosovë kemi një buxhet 25 mijë euro, nga komuna e Prizrenit kemi një buxhet 15 mijë euro. Nga komuna buxheti është i njëjti nivel, nga ministria e Kosovës kemi rritje të vogël të buxhetit. Por buxheti i festivalit në total është me një ulje minimale në krahasim me vitin e kaluar. Më duket normale kjo në një situatë kur disa nga festivalet në Kosovë edhe janë zhvilluar, ka qenë një ndërrim në qeveri dhe përsëri kultura nuk është prioritet.  

Po flasim për skenën e pavarur kulturore: sa ju shqetësoi ajo që ndodhi në Kosovë, ku disa aktivitete nuk u zhvilluan për shkak se nuk gjetën mbështetje financiare. Si po menaxhohet për ju skena e pavarur kulturore?  

Mendoj që dhe skena e pavarur kulturore, nëse pretendon të jetë e pavarur do të duhet të mos varet vetëm nga një burim. Sikur “Dokufest” të varej vetëm nga fondet e shtetit, ose nuk do të bëhej ose do të bëhej një festival i vogël. Ekzistojnë shumë burime të tjera. Më pëlqeu kur ministrja Kumbaro ceku hapin e madh, që ka bërë qeveria e Shqipërisë me anëtarësimin në “Creative Europe” dhe tashmë dhe me programin “Media”, sepse shumica e festivaleve, ngjarjeve kulturore në Europë, financohen këtu dhe shteti i subvencionon ngas pak. Unë nuk e fajësoj as Ministrinë e Kulturës në Shqipëri dhe as në Kosovë, nëse dështimi apo suksesi kërkohet vetëm aty. Ka burime të tjera dhe kur flas për skenën e pavarur kulturore të Kosovës, mendoj që skena vetvetiu duhet të ishte më aktive në kërkimin e mundësive për të financuar aktivitetet e tyre.  

Në Shqipëri edhe pse nga MK janë financuar aktivitete, ka pakënaqësi në drejtim të ministrisë mbi mënyrën se si është bërë financimi dhe përzgjedhja e projekteve?  

Unë dua të them që në Shqipëri është hapur një derë, pra aplikimi në “Creative Europe” dhe programi “Media”, dhe në këtë moment drejt Europës ku ka fonde, unë se kuptoj pse njerëzit e skenës kulturore të pavarur të Shqipërisë akoma i kthehen akuzave dhe arsyetimeve, kur nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi të asaj dere të hapur për projektet. Tani ekziston një derë e hapur dhe ne duhet të mësohemi të jemi konkurrentë, ne duhet të dimë çfarë projekti, se si duhet ta bëjmë projektin, si të shkruhet projekti, dhe të jemi konkurrues në Europë, dhe të mos vajtojmë në vajin e njëjtë: po ministria nuk na ka dhënë buxhet. Unë kështu e kuptoj. Nuk duhet që ministria e Kulturës në Shqipëri dhe Kosovë të financojë çdo aktivitet kulturor. Ne në këtë edicion të “Dokufest” do të kemi 3 punëtori të financuar nga “Creative Europe”: janë pjesë e një projekti të madh, projekt të cilin ne si organizatë nuk kemi pasur të drejtë të jemi partner i barabartë për shkak se Kosova nuk është pjesë e “Creative Europe”. Por unë dua të shikoj më shumë projekte nga Shqipëria që të aplikohen së bashku me Kosovën në “Creative Europe”, sepse është hapur një derë e vogël, dhe për organizatat edhe të skenës së pavarur, festivaleve, botuesve, që të aplikojnë për fonde. Nuk duhet vetëm ankesa, një pjesë e fajit është dhe tek ne, ne shqiptarët duhet të mësohemi që të aplikojmë në “Creative Europe”, nëse nuk e dimë se si bëhet aplikimi për një projekt duhet të mësojmë.  

Viti i dytë i marrëveshjes për kalendarin e përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë. Për ju si është zhvilluar, dhe a ka gjëra që mund të ndryshojnë në këtë kalendar nga dy ministritë?  

Unë mendoj që kalendari i përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë mund të bëhet më mirë me aq sa unë jam i informuar. Por si ide mendoj se kalendari është i mirë, dhe sigurisht që mund të përmirësohet më tepër. Mendoj se mund të ketë më shumë shkëmbime kineastësh, punëtori të përbashkëta, apo një në Kosovë e një në Shqipëri, mund të kopjohen disa gjëra të mira që ndodhin diku tjetër dhe vetëm të adaptohen në kalendar. Personalisht ajo që nuk më pëlqen, në kalendar është ende një dozë e folklorizmit në gjithë bashkëpunimin për kalendarin e përbashkët kulturor, sidomos nga ana e Kosovës. Ekziston për mendimin tim një teprim i folklorizmit. Nëse ne kemi çfarë të ofrojmë, atëherë është folklori. Por ne kemi dhe shumë më shumë gjëra të tjera. Mendoj që në kalendarin e përbashkët kulturor duhet të ketë dhe më shumë shkëmbime në fusha të tjera, si në artin bashkëkohor. Të shikojmë diçka më shumë nga arti i Shqipërisë në Kosovë dhe nga ai i Kosovës në Shqipëri. Por është fillimi dhe e kuptoj për problematikën, por ka mundësi dhe ka vend që zhvillohen dhe të futen edhe fusha të tjera të artit dhe kulturës, të shohim pak art bashkëkohor edhe nga Shqipëria dhe Kosova që do ishte më mirë, të ketë më tepër edhe ekspozita.

Intervistoi: Julia Vrapi

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).