Prej novelës “Nga letrat e panisura të një piktori”

Ndjenja më e fortë e pasurisë të jepet kur fut dorën në xhep dhe prek stërlinën e asgjësë. Një farë volie, si refleksi i vajzës së paarritshme në pasqyrë, asgjëja na është aty për të kuptuar gjithçkanë. Unë jam i bindur se asgjëja nuk mund të ekzistojë, gjithë duke patur të drejtën e ekzistencës për sa kohë pranojmë gjithçkanë. Sepse duket sikur në qoftë se ka diçka që mund ta këmbesh me asgjënë në një tram të ndershëm, kjo është gjithçkaja. Çka e fut Zotin pa radhë dhe nga dritarja në party

Përtej shakasë, them se nuk ka gjë që mund të të përkasë më shumë se sa asgjëja. Pasi këmbimi i saj është i pamundur. I mendoja këto teksa isha (përfundimisht përfundimisht?) larg teje, në vendin më të mërzitshëm në botë, një oborr hajesh në shitoren vendore të mbuluar. Nuk dua të them mall, ndërsa fjala zëvendësuese bezistan më vërtitet në kokë si një mizë që s’e gjen dot kurrë plasën e daljes dhe përplaset së brendshmi. Oborr hajesh në bezistan, sini prej bukëpeshku, pirunë plastikë, një farë gjeneral Tso në trajtë salce të ëmbël si marmalatë e ndenjur bujqish dimëror… asgjë nuk më bindte që kjo ish një gjendje e mjerë, kur si regull e në parim, siç na mësojnë edhe filmat, nuk duhet të rruhesh, duhet ta lësh veten pas dore dhe të hash marmalatë bujkrobërish nga Siberia lindore. Në gjuhën e vendit prishjen e një marrëdhënieje e thonë me ndihmën e thyerjes, dhe vërtet ka diçka prej një frakture e gjitha kjo, një goditje me krisë është gjithësesi aty.

Përfund mushkrive të mia, një orkestër harqesh luante “Golden slumber”, pastaj “Everybody hurts”, por pa u kthyer dot në mëshirë për veten, edhe pse e kërkoja mëshirën pa mëshirë në gjithë skutat e lukthit. Shkretimi nuk donte të mbërrinte, Saharaja kishte një droje rëre prej drurëve të pishave detare. Diçka nuk pranonte të vdiste. Dhe mu aty m’u shfaq ideja se zeroja s’mund të jetë tjetër veçse një relacion jo-zerosh. 
Diku duhej ta kisha dëgjuar, por ngaqë s’më kujtohej ku, po e merrja si të mirëqenë sikur më proftasi nga vetja. Bota përreth ishte në rregull, si gjithnjë domethënë. Një familje burrë-grua-dy fëmijë sollën një ajër festimi, u ulën të hanin hamburger, një lloj salce e fshehtë e zinxhirit të hajeve të çastit u vetëtinte në cepat e buzëve, me siguri do të shkonin në kinemanë ngjitur me mall-in, dhe ai kompozim statistikor (U mungonte vetëm një 40%-sh fëmije për t’u bërë të saktë si familje optimale me 2.4 fëmijë mesatarisht… por mbase ajo ishte 3.6 muajsh shtatzënë, çka është një 40%-ësh fëmije, thashë me vete, i tmerruar që po e lija veten të tërhiqesha nga ajo rrymë idiote e të menduarit. Ama në qoftë se fetusin do ta marrim si një qenie të plotë në këtë fazë, siç po debatohet aq shumë në media aktualisht, atëhere llogaria nuk del e saktë, ka ose dy, ose tre fëmijë, diskretë dhe të bukur, vazhdimësia e llojit etj., etj. Mendimet idiote kanë fuqinë e tmerrshme të një vorbulle thithëse: por prit, në qëlloftë shtatanik, atëherë gruaja, që vërtet s’merret vesh nëse është e mbushur dhe e kolme nga natyra apo shtatzënë, duhet të jetë vetëm 2.8 muajshe, ç’ka e çon datën e “zënies” dhe të fillimit të botës 84 ditë më parë, në një kohë kur unë dhe ti nuk ishim akoma asgjëja që jemi sot…), ai kompozim pra, - pasi i shkunda me bezdi gjepurat që më gëluan në kokë dhe që i vura midis kllapash për t’i flakur kollaj në koshat e mëdhenj riciklues të plehrave dhe harresës, - më dëfteu se sa mund të kushtonte lumturia, si një komoditet me bursat e saj të pafundme: në rastin konkret rreth 85 dollarë, për ta rrumbullakosur gjënë në mënyrë dhjetore me të tepërt. A kishte një inflacion të lumturisë, apo ndjekja e saj ishte bërë më e lehtë, kjo ishte çështja. Në fakt nuk kishte asnjë çështje, ose më saktë ajo ishte gjetkë, si gjithnjë. 

Sidoqoftë, m’u ndërmend siç të thashë, që zeroja është një marrëdhënie, e jo shpikje. Është një thjeshtim, një asgjësim, dhe akush nuk mund të asgjësojë tjetër “gjë” veç gjësë. Nuk ka zero, thashë, ka 5 - 5 ose 2 - 2, çka më bëri të mendoj se zerot nuk mund të jenë as të barabarta mes tyre, ato ndryshojnë pas asaj që u asgjësua, ja si kjo asgjëja jonë sot e gjithë ditën, që na përket edhe më shumë se gjëja që patëm, duke mbetur prodhim i saj, a nuk të duket kështu? Do të doja të dija se ku gjendej “antigjëja”, antimarrëdhënia, që mezi ç’priste ta asgjësonte, ta thjeshtonte punën në këtë dimërim të tanishëm me këtë bukuri shkretëtire, me dritare dhe qiej që kanë mundësitë të të thonë aq shumë e s’të thonë gjë prej gjëje. 

Çdo gazelë ka luanin e vet që endet nëpër pyll, derisa vjen çasti i sulmit. Duket sikur lidhja jonë “konkrete”, me takime, kafene, dhomën tënde, prekjet e duarve, të gjitha këto, “të prekshmet” që sapo thashë, kanë diçka prej preje, ndërsa e kundërta e tyre predatore pret në mugëtirë. Të kundërtën e tyre, antitakimet, antikafenetë, antiprekjet, antidhomat e antishtretërit nuk i shohim, mbase të zënë siç jemi me lumturi dhe dritë. Ajo qenie e errët që bubrron në zona po ashtu të errëta, si ca buburrecë të pakapshëm e me një emër shtrige, “furrtaja e zezë”, më përfytyrohet se si hap guvat e errëta të furrave të saj të frikshme me lopata të gjata druri në duar, për të djegur në ato humbella gjthë dritat tona të çmuara në tava katrore restorantesh. Furrtarin e fëminisë sime e quanin Mehdi. Sa për ta ditur, nuk di pse m’u duk e denjë kjo për të ta thënë.

Pastaj m’u mendua diçka tjetër, edhe më e sikletshme: ai shembulli me gazelë dhe luan jo vetëm çalonte, por nuk duhej as të ishte i vërtetë. Ashtu si vdekja që nuk është intervencioniste, që nuk ndodh në ditën që shënohet në çertifikatën e saj, por gjithnjë e nga një çikë, edhe çastet e asgjësimit duhej të ishin të tillë, duhej të ndodhnin vazhdimisht, si në mantrën e vjetër të lëvizjes mekanike, një zgjidhje e konfliktit të një pike në çdo çast të dhënë që është dhe nuk është aty, madje, dhe këtu u rrënqetha plotësisht, një çast mbase nuk është i tillë po nuk pati asgjësim, atë përplasje të dritës që shohim dhe të territ që nuk shohim. Ajo që perceptojmë si zero nuk është veçse një përplasje asgjësuese, dhe asgjësimi nuk është tjetër veçse bashkëqenie. It takes two to tango. Duhen dy që të bëjnë një zero. 

Më shumë m’u përforcua kjo bindje nga fakti që po të ishte zero kjo vetmi, në të nuk do të ishte ideja jote, ideja jote nuk do të ishte pa mungesën tënde, dhe se pa mungesën tënde nuk do të kishte zero… e që aty pastaj, vetëm një hap larg priste mendimi tjetër që ti nuk mund të ekzistosh veçse si zero në mua, në një dyluftim të pafund e të paprerë midis teje dhe mungesës tënde, të anti-tysë. E vetmja mënyrë se si mund të të kem duke të mos pasur, asgjëja ime e çmuar. 

Pyes vazhdmisht: si duhet të duket, në të vërtetë, anti-tia? Sado që përpiqem ta përfytyroj, t’i jap një fytyrë e një jetë (më duhet të thosha një antijetë), nuk mundem. Ne nuk mund të përfytyrojmë gjëra që nuk mund të shihen. Siç nuk mund të dimë tingullimin e ultratingullit.  
Dhe, si ai që merr vesh se i kanë zënë pritë diku, kur akrepi i egos goditi dymbëdhjetën, u alarmova: Po anti-uni? Si duhet të jetë ai që më asgjëson tashmë brenda teje, duke më shndërruar në një mungesë të njëjtë me tënden në mua?

Thuhet se kemi të njëjtit tanë në gjithësitë bashkërendëse, përmbushjet tona të ndryshme gjasore në universe të tjerë, por nuk po flas për këtë. Këta janë shumë unër, të cilët me siguri nuk kanë takuar asnjë nga ti-të përkatëse. Sepse sa janë gjasat për këtë? Zero janë. Dakord, për të qenë të drejtë deri në fund, një shans edhe është, siç thamë, varësisht nga zeroja. Por po flas për të kundërtin tim identik; që ta përshkruaj në mënyrë numerike (ma fal këtë bezdi), po flas për minus unin. Që më është më i huaj se gjithkush tjetër në këtë botë. Si i kundërti i përsosur. I panjohur dhe i panjohshëm ngaqë i pa vëzhgueshëm.

Si me shumë ngushëllime, ne gënjejmë veten edhe me kujtesën, duke i dhënë asaj lidhje me të shkuarën. E shkuara, si domen i lëndës së errët, shtrihet e pakapshme nga ne, robërit e lëndës. Ne jemi vetëm një vargan i paprerë tanish, seri zerosh në një stafetë pa fund, që i quajmë çaste ngaqë s’mund të lëmë gjë pa i vënë një emër. Pasuria e gjithëkujt varet nga sa të pasura i ka zerot e veta të tanive. Nga ç’u asgjësua në to (sa pa kuptim duket tani edhe ajo “zeroja absolute”). Pra të famshmet “Kujtime për ty” janë një iluzion. Ajo që e marrim për kujtesë është vetëm ç’na rrëfen e tashmja vazhdimisht. Vetëm me të tashmet mund të kuptohet edhe harresa, e cila ndodh kur çastet në vargan të tanive që jap-e-marrin me njëri-tjetrin vendosin të mos komunikojnë më. Për arsyet e tyre. Dhe kjo më futi një frikë prej përgjegjësie. Unë të mbart çdo çast, sikur hijen, nuk ka strofkulla ruajtjeje për ty, kasaforta për të ndryrë gjënë e çmuar e për të shkuar atje kur ta sjellë hera. Siç bëjmë me bizhutë. Unë mund ta humbas zeron tënde me çdo të tashme!  

Pashë prapë përreth. Familja statistikore kishte ikur. Me siguri në kinemanë ngjitur. M’u duk sikur vetëm ai “oborr hajesh” “të çastit” nuk do të zhdukej kurrë, rrethor dhe i mërzitshëm, si i ardhur prej një kohe të errët pa e gjetur kurrkund të kundërtin e vet të çelët në këtë botë.

 

*Ilustrimi: Foto nga një produksion i vitit 2009-ës i "Duke pritur Godonë" nga S. Beckett

21 Komente

a great, great fan e ketyre lloj shkrimeve nga ju, emigrant.

interesant si e ke ilustruar konceptin tend te zeros per secilen situate te ndryshme.

nga leximi pelqeu menjehere persiatja me familjen statistikore, artikulimi fantastik i konceptit te zeros si edhe anti-tija.

Per koincidence sa pashe dje Unbreakable (meqe kish rene fjala keto dite). Nje nga filozofite e filmit edhe ajo e ilustron shkelqyeshem idene e zeros tende.

 

Flm, July! 

Faleminderit ju. Ka per t'u lexu prape keto dite.

Kur pranohet hapur permbytja perballe personave qe skane te bejne fare me te,ti pret te diskutoje dikush per shiun si force e erret e natyres ,apo si fshires i kujtimit te ekzistences se diellit??As qe behet fjale!Nuk e kuptoj shkrimin por e shijon cdo qelize e qenies sime!!Sikurse edhe duhet pranuar me sinqeritet ne shkallen siperore qe memorja e trurit mund te mos funksionoje fare e pa problem kur ke memorjen e zemres,dhe rron si nje zemer qe i nxjerr mendte jashte perdorimit me deshire e perkushtim deri ne bezdi smiley Jashte behej lufte e dikush kerkon historianin!Hajde mendje hajde!Mendja zero,po te na rroje zemra luftetare!Le te sfidojme shkencen farmaceutike se ashtu na intereson tani nga pakuptueshmeria.Per zotin qe smarr vesh gje!Urime emigrant qe arrin te jesh kaq lehtesisht i pakuptueshem per mua!Rrofte "statistika" ne kuptimin morfologjik,pra si mbiemer.Ca llahtari per te lidhur ca fjale!Ufff i thashe...

smiley smiley
Dy lule roze per emigrantin,meqenese nuk ndodhet nje e kuqe tek Figurina!

 

Unë jam i bindur se asgjëja nuk mund të ekzistojë, gjithë duke patur të drejtën e ekzistencës për sa kohë pranojmë gjithçkanë. Sepse duket sikur në qoftë se ka diçka që mund ta këmbesh me asgjënë në një tram të ndershëm, kjo është gjithçkaja. Çka e fut Zotin pa radhë dhe nga dritarja në party. 

Përtej shakasë, them se nuk ka gjë që mund të të përkasë më shumë se sa asgjëja. Pasi këmbimi i saj është i pamundur.

Nuk e di në të thotë gjë Parmenidi (falma arrogancën e pyetjes, por nuk është vërtet i domosdoshëm për shumëkënd). Thjesht sugjerim: nëse nuk ke lexuar gjë prej tij, gjendet një fragment në internet, porse edhe në librarinë a bibliotekën aty pranë.

 

 

i vetmi vend qe kam lexuar per parmenidin ka qene nje botim i 8 nentorit. 

po pse duhet te me thote gje parmenidi? ja, thuama ti. smiley

Filozofia e Parmenidit është fort e thjeshtë e ndaj, ashtu si forcat e natyrës, madhështore: "Asgjëja nuk ka se si të jetë". Gjithashtu, Parmenidi nervozohej fort nga folja "bëhet" (werden në gjerm.), pasi, sipas tij, gjithçkaja vetëm "është", është vetëm një e ndaj nuk ka se si të shndërrohet.

Fragmenti yt më sipër (që citova në komentin e mësipërm) më kujtoi një varg të Bhagavad Gita-s: "Unë jam Perëndia e qenies dhe e mosqenies, Perëndia e gjithçkasë dhe asgjësë".

Falmë nëse krijohet mbresa (e paqëllimshme) e erudicionit; për të tilla vickla dijetarësh ortodoksë-orientalisto-zen-budistë, kemi heretikun, nuk na duhen, besoj, të tjerë...smiley

P.S.: kape pas pak, kur të hidhet sikur ta ketë pickuar grerëza...smiley

nuk kam patur fare ne mend greket per kete pjese (vertet si eshte quajtur ai libri i 8 nentorit? nuk ishte hic i keq, ne fakt.) jane keto rrekjet aktuale - 75% poezi shkencore dhe 25% shkence poetike - te kozmogonise dhe mekanikes kuantike, sidomos mbi lenden e erret (jo energjine e erret, aty s'di gje njeri), te cilat kane revolucionarizuar idene e hicit, te fushes si te tille, te vales dhe sidomos te nderveprimit si forme mbase te vetme te shprehjes se materies (me te gjitha attributet).

Edhe vetë i kam zbuluar vonë Parmenidin dhe grekët e vjetër; madje më ndodhi fenomeni (i njohur ndoshta) i mbërritjes në mënyrë autodidakte në gjëra të menduara nga njeriu 2000 e ca vjet më parë; me një fjalë m'u bë qejfi që pata arritur vetë, pa e ditur se kush qe, në të njëjtat konkluzione.

Me sa duket, kjo të ka ndodhur edhe ty kur ke shkruar këtë pjesë; nuk është gjithnjë e nevojshme të lexosh për të zbuluar; kjo ndodh shpesh edhe vetiu: leximi vetëm sa i shkurton ca rrugë të rrahura nga të tjerë më parë.

Për mendimin tim (modest) nga parasokratikët e deri te Plotini është menduar filozofia e ç'është për të menduar; ç'vjen më pas është vetëm surrogato e tyre - ndoshta duhen marrë parasysh këtu edhe kulturat orientale, të cilat nuk merren me mendimin, porse me përjetimin e botës së brendshme - mua më ngjan pothuajse e pamundur - ndonëse çdo gjë bën vaki, ë? - të thuhet diçka më shumë (a më pak) në filozofi a në të kunduarit e botës nga ç'e kanë bërë këta gjenialë.

ne pergjithesi greket jane vertetim i asaj qe per shume gjera filozofia (me sakte te menduarit) kane arritur  ne "destinacione" shekuj perpara shkences. Ideja e eterit psh eshte nje ide brilante, e cila vetem tani me fushen e higgsit (edhe ky me poezi e hamendje andej nga 60-ta) dhe me kapjen e bozoneve perkates tani vone, po kapet sadopak. natyrisht kjo gjeja e tanishme eshte ku e ku me e deshiruar dhe utilitare ne fund te fundit, por llafi qe vjen.

Ne të dy kemi një problem (filozofik) themelor: ndërsa ti deklarohesh si "materialist", unë do të thoja se sidomos zhvillimet e shekullit që shkoi e këtij që ka nisur e kanë vënë në një pikëpyetje themelore materializmin filozofik si të tillë.

Hindutë kanë një koncept për "eter"-in si element të pestë (ku nënkuptohet vetëdija hyjnore dhe ajo njerëzore; fjala "vetëdije" nuk është e saktë, por as "ndërgjegja", në atë kuptim që përdorej dikur në shkollat tona: le të themi "Geist" dhe jemi brenda), i cili më thotë më shumë për kozmologjinë se gjithë thërrmijësit e kësaj bote.

Por edhe copëtimi i së tërës në emëruesin më të vogël të mundshëm është një koncept i menduar nga grekët e vjetër dhe jo vetëm nga ata.

Sugjeroj këtu si lexim "Tao i fizikës" nga Fritjof Kapra.

https://www.youtube.com/watch?v=zxNc9jMDE3w

P.S: : sikur ta parandjeja këtë më poshtë: si nuk rri dot robi i zotit pa folur dot (shkruar)?...smiley

P.S. 2: I lutemi redaksionit të Peshku-t t'u lejojë postuesve të kenë mundësinë të redaktojnë vetë temat e tyre. Do të ishte diçka që do të mund të bëhej pa ndonjë punë të madhe.

sapo e pashe smiley

mua me duket se materializmi eshte ne formen me te mire te mundshme. hici si thjeshtim i vazhdueshem (teoria e krijimit te vazhdueshem - meqe ra fjala ne baze te kesaj pjeses ketu) eshte nje vegim madheshtor, qe e ben pyetjen e lajbnicit (ne fakt e bere edhe para tij) "pse gje dhe jo asgje" te tingelloje nga nje superpyetje ne nje belbezim femije.

Është çështje këndvështrimesh, për të cilat nuk mund të gjendet, edhe po të duam, asnjë konsens, pasi, në fund të fundit, është çështje besimi, në mos fetare.

Vetë "besoj" se hiçi nuk bën as nga ana semantike sens; është një fjalë e rehatshme, për të shmangur citimin e pjesës që mbetet; kjo vlen edhe për numrin e paqenshëm dot "zero", natyrisht.

Në këtë pikë jam me Parmenidin.

Falmë nëse krijohet mbresa (e paqëllimshme) e erudicionit; për të tilla vickla dijetarësh ortodoksë-orientalisto-zen-budistë, kemi heretikun, nuk na duhen, besoj, të tjerë...

Heretikun ju e keni nje lesh, nje lesh keni heretikun, ju keni vetem t'Modhinsmiley e Din Hykes.

 

P.S. 2: I lutemi redaksionit të Peshku-t t'u lejojë postuesve të kenë mundësinë të redaktojnë vetë temat e tyre. Do të ishte diçka që do të mund të bëhej pa ndonjë punë të madhe.

Ti po i lutesh Redaksionit te Peshkut per te redaktuar temen tende per interesint tend, per te pas nje bunker personal, nga ku mund te kruhesh me te tjeret sipas qefit dhe te tjeret te mos kene mundesi te pergjigjen.

 

titulli me kujton nje anekdode te Sokratit kur pyeti nje femije te vogel, 6-7 vjec...

-çfare di ti ?  -asgje, tha femija i habitur.  -hemm, dmth  ti dike gjithçka, tha Sokrati,  duke e lene femijen akoma me te habitur..smiley

 

Ne jemi vetëm një vargan i paprerë tanish, seri zerosh në një stafetë pa fund, që i quajmë çaste ngaqë s’mund të lëmë gjë pa i vënë një emër. Pasuria e gjithëkujt varet nga sa të pasura i ka zerot e veta të tanive. Nga ç’u asgjësua në to (sa pa kuptim duket tani edhe ajo “zeroja absolute”).

 

teoria e relativitetit, tha...  -a e dini cfare jemi.?  -grimca te ardhura nga Kozmosi.. zero absolute jemi te gjithe!..smiley

ndricim xhepa smiley

yep smiley

fillimisht thashe ky pergjithesisht eshte nje meditim mbi matematiken, ne baze te saj. Me shembujt ilustrues nga jeta qe ndodh.

me pas meqe dhe me e ngeshme kur u ula sot, mora vesh qe qenka nje persiatje dashurie, thurur teper holle po dendur.

ne te trete, e pashe me ne fund nderthurjen e njetrajteshme te te dy komponenteve mesiper me njeri tjetrin. Holle e imet dhe ne nivelet baze te secilit: zeroja, si nje dyluftim i pafund e i paprerë midis tjetrit dhe mungesës se tij, anti-tise. Shume fine, si nje material mendafshi e gjitha <-- figure letrare kjo.

Sh. sh. momente ku mund te ndalesh, faqe te tera te kete t'i mbushe nje recensure qe t'i jete e plote kesaj. E c'te themi kot falemnderit o emigrant.

(e rregullova cik, falje)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).