Vendimi i beftë i qeverisë për të hequr taksat mbi biznesin e vogël ka vënë në pikëpyetje rikonfirmimin e 5-të dhe të 6 të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në nivel stafi, kjo marrëveshje u arrit në datën 10 nëntor, pas negociatave të vështira, por edhe të tendosura mes palëve. Por, kjo ishte dakordësia në nivel teknik.

Që rikonfirmimi i radhës të kompletohet plotësisht, ai duhet të miratohet edhe nga bordi i drejtorëve të FMN-së në Uashington, çfarë do i hapte rrugën lëvrimit të këstit të radhës së kredisë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, FMN dhe Ministria e Financave njoftuan se, bordi do ta miratonte marrëveshjen me Shqipërinë në mbledhjen e radhës, që është parashikuar në janar të vitit të ardhshëm.

Por, vetëm dy ditë pasi marrëveshja u arrit në nivel teknik dhe misioni i FMN ishte larguar nga Tirana, kryeministri Edi Rama, në një dalje publike lajmëroi heqjen e taksave për bizneset me xhiro deri në 5 milionë, dhe uljen e tatimit të thjeshtuar për fitimin për bizneset me xhiro nga 5 deri në 8 milionë lekë.

Vendimi e ka kapur të papërgatitur FMN-në. Shqetësimi i këtij institucioni është se, përjashtimi nga taksat i 100 mijë bizneseve cënon integritetin e sistemit tatimor. Lajmi se, vendimi i qeverisë ka krijuar një situatë të re, të paparashikuar mes FMN dhe qeverisë, konfirmohet edhe zyrtarisht. Jens Reinke, përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar në Tiranë tha për Top Channel se “vendimi krijon probleme për qëndrueshmërinë e sistemit tatimor dhe përbën një nxitje për deformim dhe shmangie taksash”.

Por, pse heqja e taksave për bizneset e vogla, e cila në total ka një efekt të papërfillshëm me vetëm 1.3 miliardë lekë, ka krijuar kaq nervozizëm për FMN? Arsyet janë dy. E para është se, kjo lëvizje cënon ndershmërinë e sistemit tatimor, pasi ata që fitojnë të ardhura përmes biznesit nuk taksohen, ndërsa ata që jetojnë me rrogën detyrohen të paguajnë taksa. Por më shumë se elementi i ndershmërisë, FMN-në e shqetëson cënimi i sistemit tatimor.

Për shkak se fasha deri në 5 milionë lekë në vit do të jetë me taksa zero, nxitja për evazion masiv është e madhe dhe shumë biznese do të tentojnë të qëndrojnë në këtë nivel. Edhe pse kryeministri deklaroi se, të gjitha sipërmarrjet do jenë të detyruara të regjistrojnë çdo të ardhur dhe transaksion, FMN frikësohet se shumë prej tyre mund të mos e bëjnë. Risku për këtë rritet edhe nga një tjetër element, pasi edhe vet Tatimet mund të jenë më pak të fokusuara te bizneset nën 5 milionë lekë, për shkak se nga ato nuk vjelin taksa.

Por përveç evazionit, heqja e taksave dhe ulja e tyre për të gjitha bizneset e vogla krijon hapësira edhe për shmangie të ligjshme taksash. Një shembull do të ishte, që bizneset e mëdha ta copëtonin aktivitetin në disa biznese të vogla, për t’i shpëtuar taksimit; ose individët me pagat të larta t’i deklaronin të ardhurat e tyre jo si të ardhura nga paga, por si të ardhura biznesi, për të mos paguar taksa. Me sistemin e ri, çdo indvid me paga deri në 400 mijë lekë në muaj, nëse i deklaron ato si të ardhura biznesi nuk do të paguante asnjë taksë.

“Ne jemi në diskutime me qeverinë sesi të zbusim pasojat dhe shpresojmë se, rishikimi i marrëveshjes do të arrihet sipas afateve të parashikuara”, tha përfaqësuesi rezident i FMN-së për Top Channel.

Qeveria pranon se ka diskutime me FMN-në për këtë çështje. Por ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj tha se, qeveria e ka bërë pjesë të paketës fiskale dhe do ta reflektojë këtë ndryshim në marrëveshjen tashmë të negociuar me sukses me FMN-në.

Mes palëve ka kontakte dhe diskutime për të gjetur një zgjidhje për këtë ngërç. Por ende nuk ka asgjë përfundimtare. Ditët në vijim do të jenë të rëndësishme për gjetjen e një konsensusi, përpara se marrëveshja finale të miratohet në Uashington.

7 Komente

ose individët me pagat të larta t’i deklaronin të ardhurat e tyre jo si të ardhura nga paga, por si të ardhura biznesi, për të mos paguar taksa. Me sistemin e ri, çdo indvid me paga deri në 400 mijë lekë në muaj, nëse i deklaron ato si të ardhura biznesi nuk do të paguante asnjë taksë.

Ket paragrafin e mesiperm nuk e kuptova dot. Ndonje ekspert taksash mundesisht ter me sqaroje se me intereson.

Kjo qe thote gazetari/rja, Kuazo, eshte pakez fantazi e tepruar, se sistemi i pagave, sa vjen e kompjuterizohet/regjistrohet, dhe nuk mund te besh numra siç thuhet nga fantazia e tij/saj. 

Ajo qe une ve re, eshte se qeveria eshte nxituar ketu. Nuk mund te besh perjashtime te tilla. Mund te perjashtosh ate qe shet fara kungulli e luledielli, ate qe shet misra te pjekur, megjithse dhe keta nuk i shpetojne pageses se vendit tek bashkia apo komuna, pagese qe luhatet nga 100-300 leke dita, sipas vendit dhe produktit. 

Kjo dmth kshu, qe nese ti si Kuazi Mondo punon dhe paguhesh me 400.000 lek ne muaj mund te hapesh nje subjekt tregtar Kuazi Mondo sh.p.k. me nr Nipti dhe me punedhenesin te besh marreveshje qe ai nuk te ka punesur ty por ka nje kontrate sherbimesh me Kuazi Mondo sh.p.k. per sherbime qethje-rruajtje-krehje. Kuazi Mondo sh.p.k. merr ne vit 4.800.000 lek dhe nuk paguan taksa se eshte biznes i vogel, nderkohe qe nese do ishe i punesuar si Kuazi Mondo do paguaje tatim mbi te ardhurat personale.

smiley 

PO kase fiskale do te kem une? 

Me sistemin e ri, çdo indvid me paga deri në 400 mijë lekë në muaj, nëse i deklaron ato si të ardhura biznesi nuk do të paguante asnjë taksë.

Pagat me 400 000. lek te ardhura ne muaj  nuk paguajne taksa !

Biznesi me te ardhura 400 000 lek te ardhura ne muaj nuk do te paguajne taksa !

Kshu ? Shqip shkruhet po spara merret vesh !

Duket ashtu, por tani paga e references per administrator eshte bere mbi 95,000 lek ne muaj, qe per nje biznes te vogel praktikisht i bie me shtrenjte se sistemi aktual i taksimit. Me pak fjale tallje bythe me njerezit e varfer, dhe mbushje xhepash per klientet e qeverise. Aq keq po e menaxhon kete vend eDrama saqe tani edhe socialistet thone qe nuk shkohet keshtu der ne 2017. Ndoshta tani qe e vdiq mund te premtoje rilindje prap ne zgjedhjet e ardhshme. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).