[...]

Dëshiroj të ndaj me ju disa refleksione mbi lirinë e fjalës (fjalë që përfshin letërsinë, dëgjimin dhe mendimin), lëngun jetik të ekzistencës, gjendjen thelbësore të edukimit humanist që sapo keni marrë.

Fillojmë nga një shënim pozitiv: me shumë gjasë, sot mbi Tokë ka më shumë liri fjale, më shumë liri mendimi, më shumë liri kërkimi sesa në çdo moment tjetër të historisë së njohur (edhe duke marrë në konsideratë epokën e artë të të ashtuquajturve filozofëve “paganë”). [...] Porse liria e fjalës ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e sulmuar: nga e djathta, nga e majta, nga qendra. Sulmi do të vijë nga poshtë këmbëve tuaja, nga ekstremistët fetarë, ashtu sikurse nga ideologjitë jofetare.

Nuk është asnjëherë e rehatshme, sidomos për pushtetet më të konsoliduara, që të kenë liri fjale përreth. Siç thoshte gjithmonë miku im i ndjerë Christopher Hitchens, të takosh dikë që mendon se Toka është e sheshtë, apo që beson tek Krijimi, mund të jetë e dobishme, sepse të detyron të kujtosh arsyen e saktë përse ti je i bindur që Toka është e rrumbullakët, apo të bën të zbulosh nëse je në gjendje të mbështesësh në mënyrë efikase vlefshmërinë e teorisë së përzgjedhjes natyrore. Për këtë arsye, në parim nuk është ndonjë gjë kushedi çfarë të fusësh në burg ata që mohojnë Holokaustin apo masakrat e armenëve, siç bëjnë disa vende të qytetëruara, edhe pse bëhet fjalë për individë të neveritshëm.

Ka një gjë që duhet mbajtur mirë në mendje: liria e shprehjes është në themel të të gjitha lirive të tjera që ne gëzojmë. Pa lirinë e fjalës, demokracia është një mashtrim. Cdo liri që ne zotërojmë apo aspirojmë të zotërojmë (habeas corpus, e drejta e votës, liria e mbledhjes, barazia mes gjinive, liria e preferencave seksuale, të drejtat e fëmijëve, të drejtat e kafshëve… lista mund të vazhdojë) ka lindur sepse ka qenë e mundur ta mendojmë lirisht, ta diskutojmë lirisht, të shkruajmë lirisht për të. [...]

Nëse largoheni pak prej këtyre brigjeve, dhe jam i sigurt që shumë prej jush do ta bëjnë, do të zbuloni që situata e lirisë së shprehjes është dramatike. Në pothuajse të gjithë Lindjen e Mesme kush mendon lirisht rrezikon të vuajë pasojat, ose të vritet, nga dora e qeverive, turmave të egërsuara apo individëve të motivuar. E njëjta gjë ndodh në Bangladesh, në Pakistan, në hapësira të mëdha të Afrikës. Në vitet e fundit, hapësira publike për mendimin e lirë në Rusi është zvogëluar. Në Kinë, liria e shprehjes monitorohet prej shtetit në shkallë industriale: vetëm për të censuruar në mënyrë të përditshme rrjetin, qeveria e Pekinit vë në punë afro pesëqind mijë burokratë, një nivel shtypjeje i mendimit që nuk ka precedentë në historinë e njeriut.

Paradoksalisht, është shumë më e rëndësishme të ruajmë lirinë e shprehjes pikërisht atje ku është më e lulëzuar. Prandaj ka qenë kaq tronditëse, kohët e fundit, të shihje dhjetëra shkrimtarë amerikanë që refuzonin pjesëmarrjen në një mbrëmje të “Pen” në nder të gazetarëve të revistës satirike franceze Charlie Hebdo që u vranë në janar. “Pen” amerikan ekziston për të mbrojtur dhe nxitur lirinë e fjalës. Është shumë zhgënjyese që një numër kaq i lartë shkrimtarësh amerikanë nuk kanë ditur të vihen në krah të shkrimtarëve të tjerë dhe artistëve kurajozë, në një moment tragjik. [...] Ka një fenomen në jetën intelektuale, që unë e quaj mendimi bipolar. Nuk renditemi në krah të Charlie Hebdo, sepse mund të duket sikur miratojmë “luftën ndaj terrorit” të George Bushit. Është një formë tribalizmi intelektual mbytës dhe një mënyrë e pakëndshme të menduari.

[...] Është shqetësues edhe rasti i Ayaan Hirsi Ali, ish-myslimane, kritike e fortë kundrejt Islamit, shumë kritike madje, për disa. Ka luftuar kundër gjymtimit gjenital të femrave, ajo që edhe vetë ka qenë viktimë. Ka luftuar për të drejtat e grave myslimane. Në një libër të botuar së fundmi ka shkruar se Islami, nëse dëshiron të bashkëjetojë me modernitetin, duhet të rishohë pozicionet e tij kundrejt homoseksualizmit, interpretimit të Kur’anit si fjalë e drejtpërdrejtë e Zotit, blasfemisë, ndëshkimeve të rëndë ndaj të pafeve. Por Ayaan Hirsi Ali ka marrë kërcënime me vdekje. Dhe mbi të gjitha, në shumë universitete amerikane nuk është e mirëpritur; Brandeis University ka tërhequr ofertën për t’i dhënë çmimin “Honoris Causa”. Islami meriton respekt, ashtu siç e meriton edhe ateizmi. Ne duam që respekti të shkojë në të gjithë drejtimet. Por feja dhe ateizmi, dhe i gjithë mendimi sistemik, cdo mëtim i së vërtetës, duhet të jenë të hapura ndaj kritikës, satirës dhe deri edhe ndonjëherë talljes. Natyrisht ne s'e kemi harruar c'na ka mësuar historia e Salman Rushdies.

Mungesa e tolerancës në kampuset universitare kundrejt oratorëve të sikletshëm nuk është risi. Në vitet e largët Gjashtëdhjetë, universiteti im i ndaloi një psikologu që të promovonte teorinë që ka një komponent trashëgimie tek inteligjenca. Në vitet Shtatëdhjetë, biologu i madh amerikan Eduard Wilson u fundos prej kontestimeve, për shkak se kishte hedhur hipotezën se ekziston një element gjenetik në sjelljen shoqërore të qenieve njerëzore. Më kujtohet që të dy u quajtën fashistë: ato lloj teorish sot janë të zakonshme.

Duke e zgjeruar diskutimin, Interneti ofron  padyshim mundësi të jashtëzakonshme për lirinë e fjalës. Por, në të njëjtën kohë, na ka çuar në një terren të ashpër dhe të papritur. Ka sjellë rënien e ngadaltë të të përditshmeve lokale, duke eliminuar një zë skeptik dhe të mirinformuar të skenës politike lokale. Privatësia është një element thelbësor i lirisë së shprehjes: dokumentet e Snowdenit kanë nxjerrë në dritë nivelin e survejimit të postës elektronike, nga ana e agjencive qeveritare, sa i tepërt, aq edhe i kotë. Një tjetër element thelbësor i lirisë së shprehjes është qasja tek informacioni: Interneti ka përqendruar një pushtet shumë të madh në duart e kompanive si Google, Facebook dhe Twitter. Duhet të jemi vigjilentë, që me këtë pushtet të mos abuzohet. [...]

Kur të vendosni se çfarë pozicioni do të merrni për këto probleme, shpresoj që do të kujtoheni për vitet në Dickinson College dhe romaneve që keni lexuar këtu. Shpresa ime është që t’ju kenë stimuluar në drejtimin e lirisë mendore. Romani, si një formë letrare, ka lindur nga Iluminizmi, nga kërshëria dhe nga respekti për individin. Traditat e tij e shtyjnë drejt pluralizmit, hapjes, një dëshire për të jetuar në mendjet e të tjerëve. Sistemet totalitarë kanë të drejtë që i “kyçin” shkrimtarët, sepse romani është, ose mund të jetë, shprehja më e thellë e lirisë së fjalës.

Unë shpresoj se do të përdorni arsimimin tuaj humanist për të ruajtur, në dobi të brezave të ardhshëm, këtë kulturë të lirisë së shprehjes. Merrni me vete këto fjalë të George Washingtonit: “Nëse do të privohemi nga liria e fjalës, atëherë, të heshtur, mund të na shpien si dele drejt kasapit”. [...]

*Pjesë nga fjala e mbajtur gjatë ceremonisë së diplomimit në Dickinson College.

Fjala e plotë

Marrë nga: Bota.al

9 Komente

si dele drejt kasapit

 smiley 

... drejt kasapit mund te shkohet edhe si papagallo "thoni llafken tuaj te fundit mesje Robespjer".

                                                                                                       i Modhismiley

 

Shpresoj mos të të shpëtojë sa të ngjashëm jemi në postmodernitetin tonë stilistik (që, do të thoshte një e madhe, tregon se në thelb jemi ende modernë, fatkeqësi e madhe për disa kjo sidomos kur ke parasysh se ndonjë ideologji bashkëkohore fetare pothuajse nuk do të ekzistonte po të mos ishte kundërvënie ndaj modernitetit).

Çfar mund te dale nga nderzimi i deles me papagallin? (se me gjarprin dhe iriqin e dime)

                                                                                            i Modhismiley

 

"...Në vitet e largët Gjashtëdhjetë, universiteti im i ndaloi një psikologu që të promovonte teorinë që ka një komponent trashëgimie tek inteligjenca".

Se kam ditur këtë qendrim. Kam patur bindjen se shkenca mjeksore prej 100 vjetësh trashëgimisë i ka dhënë përparesi. Lexim më dha kënaqesi.

 

 nje doc. NOVA per Eduard Wilson, sh. i mire, rastisa ne tv para disa javesh.

"Mungesa e tolerancës në kampuset universitare kundrejt oratorëve të sikletshëm nuk është risi. Në vitet e largët Gjashtëdhjetë, universiteti im i ndaloi një psikologu që të promovonte teorinë që ka një komponent trashëgimie tek inteligjenca. Në vitet Shtatëdhjetë, biologu i madh amerikan Eduard Wilson u fundos prej kontestimeve, për shkak se kishte hedhur hipotezën se ekziston një element gjenetik në sjelljen shoqërore të qenieve njerëzore. Më kujtohet që të dy u quajtën fashistë: ato lloj teorish sot janë të zakonshme."

Nje element gjenetik qe ka perkatesi rracore. Ketu eshte fjala. Nuk tolerohen me keto gjera se jetojme ne epoke dekonstruksioni. Nuk ka rraca, nuk ka gjini, nuk ka familje, nuk ka komb, nuk ka fe, nuk ka heteroseksualitet....lista eshte e gjate. Postmodernizem.

Postmodernizem diktator. Meqe ra fjala. Helm per universitetet.

"Ka sjellë rënien e ngadaltë të të përditshmeve lokale, duke eliminuar një zë skeptik dhe të mirinformuar të skenës politike lokale."

Eshte vertet nje ze skeptik e i mireinformuar e perditshmja lokale? Sot pushteti i medias nuk eshte me te shpifja apo propaganda. Po me teper te mosbotimi i nje lajmi. Lerja menjane e nje lajmi, mospermendja e nje teme te padeshirueshme per mediat. Prandaj lulezojne blogjet mediatike te internetit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).