“Kandidati” i Blushit: mes tregut, letërsisë dhe etikës

1. Një dhimbje në gju më detyroi të ulesha në stolin më të afërt në parkun e liqenit. Një burrë i thinjur, ndoshta në të gjashtëdhjetat, mbylli librin që po lexonte dhe, duke më parë përmbi xhamat e syzeve, nisi të më këshillonte ç’duhej të bëja me gjurin. 
Disi i bezdisur nga kjo qasje shqeto tutoriale, hodha një sy mbi kopertinën e librit dhe e pyeta: “Ç’thotë Blushi?”. “Kaq kurvar qenka ky Fevziu?”, erdhi pyetja në vend të përgjigjes. 

“Nuk është Fevziu, është Henri”, i thashë duke qeshur. “Edhe Çili qenka kurvar?”, pyeti prapë duke më shkelur syrin. “Flas për librin, i thashë, ai që ti i thua Fevzi e ka emrin Henri në roman”. “I di koka Blushit, ma priti, nxjerr drejtuesin e ‘Opinionit’ dhe thotë se është Çili, ka shqiptar që i ha këto?”
Bëra të kaloja në një temë tjetër, i bindur se kungulleshka Fevziu apo Çili nuk na shpinte gjëkundi, madje rrezikonte grindje e keqkuptime.

2.Gjithsesi bashkëbiseduesi ishte në të drejtën e vet. Si lexues profan kishte më se një arsye të mos bënte dallim mes jetës dhe artit, mes reales dhe trillimit letrar. Si njeri i thjeshtë, pa ndonjë kontakt me persona publikë, ishte i justifikuar në etjen për të zhbiriluar jetën e këtyre të fundit, mundësisht skutat më të fshehta. 
Ç’t’i bësh kur mediat kryesore të vendit amplifikojnë kungulleshka biografike, duke i bërë temë qendrore të një ngjarjeje kulturore si promovimi i këtij romani. Është kjo arsyeja pse shënimet në vijim merren kryesisht me promovimin mediatik të romanit “Kandidati”.

Po të nisesh nga sasia e prononcimeve mediatike, krijon përshtypjen se kemi të bëjmë me një ngjarje të shënuar letrare. Po të shqyrtosh përmbajtjen e tyre, provon zhgënjimin tipik që shkakton amatorizmi. 
Shumica e prononcimeve mediatike të deritanishme strukturohen në dy boshte që kundërshtojnë njëri-tjetrin. I pari synon të deskriptojë kush fshihet pas këtij apo atij personazhi, këtij apo atij vendi, blogu etj. I dyti synon të kundërtën, absolutizon pavarësinë e veprës letrare, duke ngulur këmbë se personazhi letrar është thjesht trillim dhe çdo përpjekje për të parë pas tij persona realë lidhet me edukatën e gjymtë letrare që na ka dhënë shkolla.

Nëse janë pjesë e një strategjie promovimi, të dyja këto boshte ngjajnë funksionalë, ngjallin kërshëri për veprën dhe të grishin drejt librarisë. Por si të gjitha instrumentet kanë edhe një efekt anësor: e nxisin lexuesin të përqendrohet te sensacioni dhe rrjedhimisht t’u largohet një mori çështjesh që lidhen sa me përmbajtjen e romanit, aq edhe me procesin letrar. Ky largim të sjell ndër mend thënien anekdotike: operacioni u krye me sukses, pacienti vdiq.

3.Romani “Kandidati” është strukturuar mbi groteskun dhe satirën. Tekste të këtij lloji prej vetiu gjenerojnë reagimin e lexuesit ngaqë në thelb trillojnë e stërzmadhojnë, kurse në parashtrim pretendojnë statusin e të zakonshmes, reales.
Romani i Blushit nuk mjaftohet me reaksionin që ngjall zhanri, por shton edhe atë që buron nga provokimi i drejtpërdrejtë, i qëllimshëm dhe, me rast, edhe i kërkuar. Duket se një ndër synimet e autorit ka qenë të provokojë një masë sa më të gjerë lexuesish. 

Zinxhiri i provokimeve fillon me aludimet për njerëz realë, vazhdon me disa probleme të mprehta për demokracinë, zgjedhjet, oligarkinë mes të zgjedhurve dhe biznesmenëve etj., dhe kulmon me vënien në diskutim të disa miteve që lidhen me persona historikë, traditat e një qyteti, mesianizmin e intelektualëve, sidomos shkrimtarëve dhe gazetarëve etj., etj.
Reagimet publike për romanin janë ende në fillim dhe vështirë të parashikosh gamën e tyre. Megjithatë, të bën përshtypje se deri tani vend të dukshëm, veç aludimeve për personazhe konkrete, zënë edhe ato për cenimin e miteve. Mbeten thuajse në hije reagimet për problematikën lidhur me demokracinë, politikën, korrupsionin etj. 

Në rendin normal të gjërave hierarkia e reagimeve do të ishte e kundërta. Një shoqëri funksionale reagon me përparësi për probleme që lidhen me të sotmen dhe jo me mitet. Kjo anomali duket se lidhet sa me fiksimin që kemi për historinë, aq edhe me krizën e identitetit që po përjeton një masë e madhe njerëzish në kushtet e lëvizjeve të mëdha demografike, ndryshimeve të befta të statusit pasuror e social etj. I gjendur përballë pasigurive që sjellin ndryshimet e shpejta dhe kaotike njeriu kërkon qëndrueshmërinë e miteve.

Vlerësimi i Lef Nosit zë një nga vendet e kreut në reagimet për romanin. Vështirë të thuash se kjo figurë historike përbën ndonjë mit ndikues. Reagimet burojnë së pari nga qëndrimi ekstrem, rrëzimi i shtatores, dhe pastaj, edhe nga fakti që kolaboracionizmi shqiptar i Luftës së Dytë Botërore mbetet një dukuri kontroversale, por me ndikim të dukshëm në të sotmen.
Reagimet për kolaboracionizmin, pavarësisht toneve të tepërta emocionale, duket se po arrijnë të tërheqin vëmendjen drejt një vargu dilemash konstruktive si: A mund të barazohet në çdo aspekt kolaboracionizmi shqiptar me atë të Evropës Perëndimore? A duhet gjykuar me të njëjtën intrasigjencë edhe pas më shumë se gjysmë shekulli? 

A bën që një akt apo një periudhë e jetës të zbehë dhe të zhbëjë gjithë veprimtarinë e një figure të shquar? Përse armiqësitë e luftës vazhdojnë të shfaqen thuajse të ngurtësuara edhe në brezin e tretë? Sa lidhet kjo me faktin që diktatura i dogmatizoi këto armiqësi në emër të luftës së klasave? Buron ky ngurtësim nga prirje të sinqerta për principialitet apo nga fakti që jemi shoqëri defiçitare, prodhojmë shumë më pak të mira materiale e shpirtërore krahasuar me nevojat ndaj, kur vjen puna për shpërndarjen e tyre, përpiqemi të përjashtojmë njërën apo tjetrën palë? 
Dilema të kësaj natyre janë shërbim i vyer për përpunimin e opinionit publik dhe njëkohësisht dëshmojnë sa efikase mbetet letërsia për gjenerim debatesh. 

4.Prononcimet mediatike për romanin “Kandidati” të shtyjnë të diskutosh edhe probleme të procesit krijues. Mes këtyre vendin e kreut e zënë raportet mes personazheve letrarë dhe personave realë që, në një mënyrë a në tjetrën, qëndrojnë në themel të tyre.
Duket se zbulon Amerikën pas Kolombit, kur përpiqesh të vërtetosh se Kadim Sedini nuk është kryebashkiaku aktual i Elbasanit, madje as Simon Shuteri nuk është Ben Blushi. Kushdo që ka një formim sado modest në shkencat sociale e konsideron aksiomë pohimin se pasqyrimi nuk është realiteti, shenja nuk është objekti. Kjo është e vërtetë edhe për denotacionet e kulluara, le më pastaj për karakteret letrare që janë konotacione tejet komplekse.

Për ta thënë kuptueshëm për lexuesin, fjala bukë tregon ushqimin përkatës, por nuk është bukë, sepse nuk hahet, nuk bëhet nga brumë i pjekur etj. Napoleoni i Tolstoit nuk është i njëjtë me Napoleonin e Tarlesë, megjithëse të dy pretendojnë se pasqyrojnë të njëjtin personazh historik. Sot e gjithë ditën shekspirologët vazhdojnë hulumtimet për të përcaktuar se ç’vjen nga realiteti dhe ç’vjen nga propaganda tudoriane te figura e Richard-it III.
Duke pohuar gjithë këto, nuk mund të pretendojmë se si lexues dhe, ca më tepër, si opinion publik s’kemi të drejtë të diskutojmë raportet mes një personazhi letrar dhe personit a personave realë mbi të cilët ky personazh mbështetet. Aq më pak mund të pretendojmë që diskutime të tilla janë shprehje e kulturës së gjymtë letrare që trashëgojmë nga zyshat e letërsisë.

Krahasimi mes personazhit letrar dhe personit real është më se i përligjur, madje realizohet në disa rrafshe si ai studimor, legal, moral etj. Qasja mimetike është një nga instrumentet kryesore të studiuesve letrarë, sidomos të historianëve të letërsisë. Duke shqyrtuar raportet vepër–realitet realizohen studime të vlefshme të karakterit sociologjik, biografik, psikologjik etj. Është tjetër gjë që ndër ne ka akoma alergji reaktive ndaj qasjes sociologjike në studimin e letërsisë, gjë që vjen si pasojë e vulgarizimit të saj nga disa studiues të realizmit socialist.

Në romanin “Kandidati” raportet mes personazheve dhe personave realë nuk janë thjesht çështje mimetike, por kanë edhe karakter provokativ, autori me kast ka dashur ta bëjë lexuesin të hamendësojë se pas Kadim Sedinit fshihet kryebashkiaku, pas Simonit gjendet autori, pas Henrit është Blendi etj.
Si një nga rastet klasike të qasjes provokative mbahet Dorian Grei i Oscar Wilde. Përkundër elementëve të mbinatyrshëm të subjektit, protagonisti i romanit bazohej në një person real të quajtur John Grey, mik i autorit. Wilde ruajti mbiemrin, kurse emrin ia vuri Dorian, duke aluduar për homoseksualitet, ngaqë Dorët e Greqisë antike i konsideronin të ligjshme marrëdhënie të tilla. Ky provokim i kushtoi Wilde jo vetëm prishjen me mikun e tij, por edhe një proces gjyqësor.

Shumë shtëpi botuese në Perëndim, veçanërisht në SHBA, bëjnë kujdes që mes neneve të kontratës të jetë edhe ai që përcakton se shkrimtari përballon gjithë dëmshpërblimet ligjore që vijnë si pasojë e shpifjes (libel) ndaj entitetesh reale, qofshin këta persona, kompani etj. Me një kërkim të thjeshtë gjen jo një, por disa faqe online ku juristë të specializuar këshillojnë krijuesit e rinj si të shmangin identifikimin e personave realë me personazhet e veprave të tyre. 

Në kushtet shqiptare vështirë të diskutosh për implikime legale të qasjes provokative, ngaqë mungon edhe baza ligjore, edhe procese të ngjashme. Por në rrafsh etik mund dhe duhet diskutuar, ndryshe favorizojmë një palë dhe diskriminojmë tjetrën: autorit i veshim parzmore të papërshkueshme, ndërkohë që personin real, të stigmatizuar prej tij, e lëmë cullak në sytë e gjithë mexhlisit.

12 Komente

Perseritje pambarim, te njejtat gjera gjithmone..

Por në rrafsh etik mund dhe duhet diskutuar, ndryshe favorizojmë një palë dhe diskriminojmë tjetrën: autorit i veshim parzmore të papërshkueshme, ndërkohë që personin real, të stigmatizuar prej tij, e lëmë cullak në sytë e gjithë mexhlisit.

Nxirre te shkreten! Se gjithe ky carcaf nuk merret vesh per cfare e ke fjalen. E ka fajin populli qe nuk kupton satiren apo Blushi qe nepermjet satires aludon persona reale por qe ne fakt nuk na qenkerkan ata...?

pakez reklame me disa kritika 

Po as kritike nuk di (ose nuk do) te beje. Thjesht "ben sikur" ne fjaline e fundit te shkrimit. Shume dobet.

Capajev eshte dhe ky.I prek te gjitha dhe i leshon. As mish , as peshk. Thjesht behet pjese e berihajt mediatik per promovimin e kungulleshkes se Blushit. As ndalet fare e te na thote, nese e ka takatin, ka a s'ka  libri  ndonje vlere letrare , sa i arrirre eshte letrarisht, si vjen ne kete roman Blushi si autor pas tre romaneve, ne ngjitje, mbi nivelin medioker te Otellos, tejkalon Ishullin si stil apo zhytet ne mizerabilitetin e romanit Shqiperia.

Ky thjesht analizon midene e medias,  dekonstrukton medemek qasjet mediatike dhe vete noton ne te njejtat ujra.Blushi shitet sepse vete eshte i shikueshem si person publik kontroversal , sepse ben letersi komerciale, hedh teza provokuese dhe, sidomos, sepse ka nga pas Cilin, mecenatin e artiT me tufen e mercenareve te UET.

Ka bo qoken mo.

Edhe une e lexova "Kandidatin". E mora parmbreme me dedikim.Blushi rrinte ne kembe,i gjate,i veshur casual,elegant dhe deri diku mosperfilles.Burrat e moshes se tij ne te shumten e rasteve vijne e dhjamosen,kurse ai ishte "peshk". Si? me pyti pasi i thashe emrin dhe une edhe shitsja perseritem me nje ze emrin tim.Duke mbajtur stilolapsin per bishti,ashtu ne kembe,nenshkruante mbi librat tone, te shtrire krahehapur mbi banak sikur po i therte,dhe qe afermendsh ajo qe do te shenjohej mbi liber do te dilte nje zhgarravine. E gjitha kjo, per mu ne anen tjeter te banakut, me dukej mosvlersim. Pasi beri zhgarravinen e radhes dhe te liri im,ma ktheu duke artikulu ne menyre automatike nje "te fala".

Gysmen e librit e lexova rruges per ne kthim,gjysmen tjeter pas pune. Perqasja me personazhe reale te intrigon dhe gjithe libri gjate leximit te duket sikur po e sheh ne TV.Politika e ka kthy kete popull ne nje tufe delesh, qe me koken fut te bishti i njana-tjetres, ndjekin krraben e cobanit pa marre mundimin me kuptu se nga jane duke shku. Kte thote Blushi pak a shume me "Kandidatin". Kadim Sedini,sa c'mund te jete Qazim Sejdini,mund te jete dhe Edi Rama.Gjuha e perdorur m'u duk e lezecme.Prsonazhet reale i pershkrun ashti sic edhe publik i njeh, per pjesen qe i kane terguar publikut. Fjala vjen,Fevziut publiku ja njeh pasionin e tij per historine,por sigurisht nuk mund te dije per pasionin e tij per grate. Pasioni per grate mund te jete sajese, qe i duhej per te nderlidh personazhin kryesore me studion me ngjyre blu prej kobalti te tij. Per mu, calon ne tipizimin e personazheve. Duken te gjithe njelloj. Edhe Zeron qe ne fillim na e prezanton si nje idjot "fast and furious",disa faqe me pas e shohim te artikulohet si intelektual kalibri. Etj, etj smiley

Ruje zhgarravinen se ka per t'i hyp vlera kur te kapi Noblin ky.

PS. Nuk e pyte, kujt t'i boj te fala, Rames?smiley

Faleminderit per pershtypjen, qe e beri papritur konkret librin e Blushit - derimetash e kisha perfytyruar si sajese mediatike.

Kam nje pyetje: Fevziun e sheh perdite ne tv; kur s'e sheh, e degjon, dhe kur s'e degjon si moderator a personazh te perfshire ne politike e lexon si shkrimtar... Cfare ndjen njeriu kur, pasi e perpos ketyre siper, i duhet ta kerkoje e ta gjeje Fevziun (mu si ndonje trofe te premtuar ne fund te nje leximi te kujdesshem) edhe si personazh?

Fevziun e permena meqe e ka marr si shemull dhe autori i ketij shkrimit. Aty ka perqasje dhe me persona te tjere, si Bushati,Shkullaku dhe Blushi vete, qe vecse personazhi kryesor, eshte dhe "shkrimtari qe punon pesimist". Fevziun ja jep lexusit ne menyre me te detajuar,i pershkrun studion,emisionin dhe ate vete. "i lidh faktet historike sic lidhen lidhesat e kepuceve" apo "qesh si nje femije qe sapo ka zbuluar nje sekret",thote per te. Fevziu ne liber perfaqson TV dhe rolin qe ka ne fushata politike. Zeroja,psh,qe eshte djali i Kadim Sedinit,mund t'a marresh dhe si djalin e Fullanit. Ai perfaqson pasardhsit qyryk,sic i ka qujt Olsi, te pasunareve te Shqiperise.

Nejse,liber i kanshem. Une e lexova qyl,kur i thone,pa i dediku naj kohe te madhe. Per 1 ore e gjyse qe bana ne mgjes me ardh nga Tirana te puna,lexova sic thashe gjysmen,gjysmen tjeter e marova pas punes.

sot isha nga panairi, dhe ndermes gjithe atij grumbuli kandidatesh  per brum letre spikaste me nje reklame sa nje boje njeriu edhe libri i Blushit - dukeshin sikur ecnin, ose ja kane marre doren dhe vijne verdalle me karroca plot me libra qe robt te mendojne se po shiten si simite

Kam nje kungulleshke, i tha, marr dhe nje tjeter, sa bejne!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).