Ndryshimet kryesore ne Ligjin 99/2015 "Për disa ndryshime në Ligjin për Procedurat Tatimore", i botuar  në Fletoren Zyrtare nr. 187, datë 28 Tetor, 2015, që ka hyrë në fuqi më 12 Nëntor, 2015. 
 
1. Mos-deklarimi i një adrese bisnesi apo mos përditësimi i të dhënave lidhur me adresat e bisnesit dënohet me 500.000 lekë gjobë.
 
2. Ndalohet mbajtja apo përdorimi i pajisjeve fiskale dhe sistemeve të monitorimit të qarkullimit, të ndryshme nga ato të përcaktuara në ligjin për Procedurat Tatimore apo aktet nënligjore në zbatim të tij. Tatimpaguesi që mban ose përdor pajisje fiskale apo sisteme të monitorimit të qarkullimit, të cilat nuk janë në përputhje me këto dispozita, dënohet me konfiskim të mallrave gjendje. Gjithashtu, administrata tatimore ushtron të drejtën për ta kallëzuar penalisht tatimpaguesin.

3. E drejta e blerësit për të mos paguar për mallin apo shërbimin nëse nuk i jepet fatura dhe/ose kuponi tatimor sipas Ligjit. Çdo blerësi, person fizik, juridik ose individ, i lind e drejta të mos kryejë transaksionin për vlerën e mallit ose shërbimit të ofruar, nëse shitësi nuk lëshon faturën tatimore ose kuponin tatimor, në përputhje me ligjin. Për këtë qëllim, tatimpaguesi detyrohet të afishojë në një vend të dukshëm, në adresën ku kryen veprimtarinë, një njoftim për blerësin në përputhje me këtë nen. Tatimpaguesi që nuk vendos një poster që tregon të drejtën e blerësit për të mos paguar për mallrat dhe shërbimet e blera, dënohet me gjobë në masën 500.000 lekë. Njoftimi i afishuar për klientët për marrjen e kuponit tatimor duhet përmirësuar bazuar në këtë dispozitë. Psh. "Të nderuar klientë merrni kuponin tatimor. Ju keni të drejtë të mos-paguani për mallin apo shërbimin e marrë nëse nuk ju jepet kuponi tatimor."

4. Mbledhja me forcë e detyrimeve tatimore. Në funksion të mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor të papaguar të tatimpaguesit, administrata tatimore mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe monitoruar në vendin e bisnesit/njësinë tregtare të tatimpaguesit, me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50 për qind të qarkullimit të realizuar, por jo më shumë se detyrimi tatimor, për të cilin ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore. Tatimpaguesi, për të cilin administrata tatimore ka filluar mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore të papaguara, nuk mund të kryejë transferim të shumave të parave nga llogaria e tij apo të shesë\të transferojë aktivet ose kapitalet e shoqërisë, me përjashtim të rasteve kur, nëpërmjet shitjes\transferimit të aktiveve, synohet shlyerja në masën 100 për qind e detyrimit tatimor të papaguar.

5. E drejta e organit tatimor ndaj palëve të treta. Në funksion të mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor të papaguar të tatimpaguesit, gjithashtu  administrata tatimore mund t’i kërkojë palës së tretë të kryejë pagesën e drejtpërdrejtë të çdo shume, që kjo palë i detyrohet tatimpaguesit, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e dërgimit të njoftimit palës së tretë.
6. Mospagimi në afat i kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin ose kësteve paraprake të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, sipas nenit 30, të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, dënohet me gjobë në masën 15 për qind të shumës së këstit për t’u paguar.

7. Kufizimi i shitjeve me kupon tatimor për bisneset e shumicës.  Tatimpaguesit që kryejnë shitje me shumicë të mallrave, por bëjnë edhe shitje me kupon tatimor për individë, deri në datën 31.3.2016 lejohen të shesin me kupon tatimor për individë deri në 10 për qind të vlerës së tatueshme (pa përfshirë TVSH-në) të mallrave të shitura në të njëjtën periudhë tatimore (muaj) të vitit të kaluar. Nga data 1 prill 2016, tatimpaguesit, që kryejnë shitje me shumicë të mallrave, nuk lejohen të shesin me kupon tatimor tek blerës, joushtrues të një veprimtarie tregtare (individë). Qëllimi i dispozitës është të minimizohen dhe eleminohen (për tatimpaguesit e shumicës) "shkarkimet me kasë" dhe shitjet me kasë në "tregjet e shumicës" ku nuk mund të ndahen blerësit bisnesorë nga ata individë. Mendoj që në udhëzimin e Ministrit të Financave do të sqarohet që ky kufizim nuk aplikohet për ata shitësa me shumicë që gjithashtu kanë dyqane apo rrjet të shitjes me pakicë, të deklaruar konform Ligjit. Nëse kufizimet e mësipërme nuk respektohen, llogariten detyrime tatimore sikur malli të tregëtohej me pakicë për konsumatorin final dhe, përveç detyrimeve shtesë, aplikohet gjobë në masën 100 për qind të vlerës së TVSH-së të llogaritur që i përket vlerës së shitjeve që tejkalojnë kufirin e lejuar për shitjet me kupon tatimor, siç përcaktohet më lart.
 
8. Mos-deklarimi i punonjësve të paktën një ditë kalendarike para fillimit të punës, përveç pagesës së detyrimeve tatimore të papaguara për ditët e punës të pa-deklaruara, përfshirë gjobat dhe kamatë-vonesat për pagesë të vonuar, dënohet edhe me një gjobë fikse prej 500.000 lekë. Shkeljet e përsëritura mund të kallëzohen për ndjekje penale.
 
9.   Mos-deklarimi i pagës reale, përveç pagesës së detyrimeve tatimore të papaguara për pjesën e padeklaruar të pagës, përfshirë gjobat dhe kamatë-vonesat për pagesë të vonuar,dënohet me një gjobë fikse prej 500.000 lekë. Shkeljet e përsëritura mund të kallëzohen për ndjekje penale.
 
10. Dënimet për transportimin dhe mbajtjen e mallrave pa dokumenta të rregullta.
 
(a) Tatimpaguesi,  që  mban  në  ruajtje,  përdor  ose  transporton  mallra  të pashoqëruara me dokumente tatimore, dënohet me  konfiskim  të  të  gjithë  sasisë  së  mallit,  që  mbahej  në  ruajtje,  përdorej  apo transportohej, i pashoqëruar me dokumente tatimore. Me kërkesë të tatimpaguesit, masa e konfiskimit zëvendësohet me pagesën e menjëhershme të një gjobe, të barabartë me vlerën e tregut për të njëjtin mall.
 
(b) Tatimpaguesi, që shet mallra me shumicë, që mban në ruajtje, përdor apo transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, dënohet me:
i)     gjobë në masën 10.000.000 lekë, dhe
ii)    konfiskim të të gjithë sasisë së mallit, që mbahej në ruajtje, përdorej apo transportohej i pashoqëruar me dokumente tatimore. Me kërkesë të tatimpaguesit, masa e konfiskimit zëvendësohet me pagesën e menjëhershme të një gjobë, të barabartë me vlerën e tregut për të njëjtin mall, dhe
iii)  rivlerësim tatimor të të ardhurave për një periudhë 6-mujore.
Kur konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mbajë në ruajtje, të përdorë apo të transportojë mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, administrata tatimore ushtron të drejtën për ta kallëzuar penalisht tatimpaguesin.
(c) Përjashtimit, për të gjithë tatimpaguesit, të cilët me vullnetin e tyre, brenda datës 31.12.2015, bëjnë vetë-deklarimin e mallit që kanë gjendje pa dokumente tatimore, me anë të një fature të përgatitur nga blerësi, sipas nenit 53 të ligjit për Procedurat Tatimore, nuk do të zbatohen penalitetet e mësipërme. Procedurat e vetëdeklarimit të mallrave gjendje nga tatimpaguesi do përcaktohen me Udhëzim të Ministrit të Financave. Tatimpaguesit nuk përfitojnë nga kjo dispozitë, nëse shkelja, është konstatuar paraprakisht nga administrata tatimore. Kjo do të thotë që formalizimi i mallit gjendje pa dokumenta duhet të bëhet sa më parë (duke lëshuar një faturë tatimore për vete sikur blerja të ishte bërë nga individë të paregjistruar në tatime). Pra duhet të inventarizohet/ evidentohet çdo lloj malli gjendje në ambjentet e bisnesit dhe të sistemohen diferencat. Për mallrat e marra pa fatura tatimore të lëshohet fatura e përgatitur nga blerësi. Të mos bëhen më blerje mallrash për bisnesin pa faturë tatimore.   
 
11. Dënimet lidhur me mos-instalimin e paisjeve fiskale dhe mos-lëshimin e kuponit tatimor.
 
(a) Tatimpaguesi që bën shitje me para në dorë dhe nuk ka instaluar paisjen fiskale dënohet me 100.000 lekë gjobë dhe duhet të instalojë paisjen brenda 10 ditëve pune. Herën e dytë të konstatimit, dënohet me gjobë në masën 500.000 lekë, dhe i jepen përsëri 10 ditë afat. Nëse edhe pas rastit të dytë nuk instalohet paisja fiskale, tatimpaguesi mund të dënohet me pezullim të veprimtarisë deri në 6 muaj, dhe nëse përsëri nuk instalohet paisja fiskale,  tatimpaguesi dënohet me mbyllje të plotë të aktivitetit.  
 
(b) Tatimpaguesi që nuk lëshon kupon tatimor për të dokumentuar shitjet me para në dorë të mallrave ose shërbimeve, për çdo konstatim (verifikim) të kryer, dënohet me një gjobë fikse prej 500.000 lekë. Përveç detyrimit të papaguar dhe kamatë vonesave, dënohet me 100% gjobë të detyrimit tatimor të padeklaruar apo të papaguar si dhe i bëhet një vlerësim tatimor për të ardhurat për 6 muajt e fundit. Rastet e përsëritura mund të kallëzohen penalisht.

(c) Tatimpaguesi që lëshon një kupon tatimor/dëftesë tatimore/biletë, me vlerë të parashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara në dispozitat përkatëse për këto dokumenta, dënohet me gjobë në masën 100.000  lekë.
 
(dh)  Moslëshimi i biletave të shërbimit me vlerë të parashtypur, të prodhuara nga institucionet e autorizuara, të përdorura në sektorë të ndryshëm, dënohet me gjobë, në masën 10.000 lekë për çdo biletë.
 
12. Dënimet për mos lëshimin e faturave tatimore, dëftesave tatimore dhe dokumentimin e transaksioneve sipas ligjit.
 
(a) Moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH nga tatimpaguesi që shet mallra me shumicë dënohet me:
i)      gjobë të barabartë me 100 për qind të detyrimit tatimor të padeklaruar ose të papaguar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç detyrimeve tatimore e interesave,dhe
ii)    me gjobë në masën 10.000.000 lekë, dhe
iii)  rivlerësim të të ardhurave për një periudhë 6-mujore.
 (b) Për çdo konstatim (verifikim) tjetër të përsëritur administrata tatimore ushtron të drejtën për  të kallëzuar penalisht tatimpaguesin.13. Dënimet për certifikimin e pasqyrave financiare nga audituesit. Në rast se nga kontrolli i bërë nga administrata tatimore tek tatimpaguesit, pasqyrat financiare të të cilëve janë certifikuar nga kompanitë audituese se janë në përputhje me legjislacionin fiskal, rezulton detyrim tatimor, masa e detyrimit tatimor i ngarkohet e plotë tatimpaguesit, ndërsa kompania certifikuese dënohet me një gjobë me masën e detyrimit tatimor që i ngarkohet tatim-paguesit.
14. Mosafishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo shërbimeve dënohet me gjobë 500.000 lekë.
15. Heqja e gjobave të sistemit të tatimeve për përgjegjësi tatimore që nuk kanë ekzistuar në momentin e aplikimit të sistemit të ri. Tatimpaguesve, të cilët me fillimin e sistemit të ri te deklarimit tatimor, edhe pse nuk kanë pasur përgjegjësinë tatimore për një tatim apo taksë të caktuar, janë ngarkuar me këtë përgjegjësi dhe, për pasojë, janë evidentuar si debitorë pranë administratës tatimore, deri në datën 31.8.2015, u shfuqizohen gjobat dhe interesat e përllogaritura.
 

 

6 Komente

Po ti kozi i lexon keto qe sjell , apo ti e ke dy dite me pas.

nxirrni blloqet e shenimit dhe filloni konspektin. 

Dje kisha kontrollin e katert brenda 20 ditesh nga tatimet...me e bukura ishte se arsyeja qe ata vijne kaq shpesh eshte per te me mbrojtur mua...hapu dhe qe te Rilindim!!!

Denime/gjoba shume te renda nese konstatohen mosrespektim te ligjshmerise ne qarkullimin e mallrave dhe te sherbimeve. Por keto masa drastike do te thoja, duhen shoqeruar edhe me trainime te sipermareseve, sidomos te atyre qe veprojne ne biznesin e vogel (te themi deri ne 8 milion leke xhiro ne vit) pasi ne shumice nuk kane te punesuar llogaritare apo financiere.

Me shume pershtypje me beri "pika 10"  -Dënimet për transportimin dhe mbajtjen e mallrave pa dokumenta të rregullta. Gjoba per kete shkelje eshte fikse dhe ne masen e 10 milion lekeve (te reja) ose rreth 72 mije euro! Perfytyroni nje rast te rendomte fare qe ndodh cdo minute tek ne: makina (vetura) qe shperndajne neper dyqane te themi buke nga nje furre shumice, ose artikuj detergjentesh. Vlera e mallrave qe mund te jene ne veture eshte apo nuk eshte ne kufirin e 100 eurove dhe nese konstatohet nga tatimori qe dokumentacionin shoqerues nuk e ka te regullt, penalizohet me nje gjobe 10 milion leke dhe konsfiksim te mallit! Une jam shume i sigurte qe kjo kategori biznesesh qe deri me tani kane bredhur e furnizuar pa nje dokumentacion konform regullave, duhen trainuar urgjentisht, pasi nuk dine. Dhe ket 10 milionshin nuk kane per ta paguar kurre, jo per gjo por nuk e kane. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).