Reagimin më të ashpër ndaj mendimeve të Blushit për Lef Nosin e bëri një individ, i cili ka disa vjet që përpiqet të bindë shqiptarët se të gjithë ata që luftuan pushtuesit nazi-fashistë ishin injorantë dhe tradhtarë të shqiptarizmës, ndërsa të gjithë ata që i pritën pushtuesit me krahë hapur, me tufa lulesh, me parada dhe fanfara, me elozhe dhe përbetime besnikërie ishin atdhetarë të klasit të parë dhe intelektualë të kulluar. Në intervistën e tij, personi që mbahet si historian, pasi e pranoi “…implikimin e rëndë të pothuajse gjithë elitës politike, intelektuale të Shqipërisë nga dredhia fashiste dhe naziste…”, filloi mallkimin e kundërshtarëve të të përfshirëve në kolaboracionizëm, duke thënë se “… hedhin sot broçkulla të neveritshme ndaj njerëzve më të ditur dhe më atdhetarë të kombit…”. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala broçkull do të thotë “fjalë të kota, të pavërteta, gjepura…”. Nëse akuzat për bashkëpunim me pushtuesin janë “broçkulla” atëherë nuk ka vend as për “implikime të rënda” të “njerëzve më të ditur dhe më atdhetarë të kombit”, siç pranon zotëria. Këto dy përcaktime përjashtojnë njëri-tjetrën, se kur pranon se u implikuan rëndë me pushtuesit, atëherë ndaj tyre nuk hidhen broçkulla por thuhet e vërteta.

Autori i mësipërm citon një dokument të Mëkëmbësisë (autoriteti më i lartë pushtues) i vitit 1939, i cili flet për një klasë shqiptare intelektualësh dhe gjysmëintelektualësh oportunistë dhe arrivistë që gjendet gjithnjë në pushtet dhe për një klasë intelektuale shqiptare nacionaliste që beson me sinqeritet dhe bindje në bashkësinë e fateve italo-shqiptare. Duke u bazuar në këtë dokument, historiani modern shqiptar kërkon të na bindë se ata shqiptarë që besonin se Shqipëria i kishte fatet e përbashkëta me një shtet të sunduar nga një diktaturë fashiste, që praktikisht e kishte pushtuar Shqipërinë, duhen konsideruar si ajka e kombit dhe duhen nderuar edhe sot, e jo të hidhen “broçkulla” kundër tyre. Më vonë, pasi pohon se “Përfaqësuesit e Regjencës nën pushtimin gjerman ranë në… grackën gjermane”, na thotë se ata “ishin personalitete realiste dhe nëpërmjet përfshirjes në Regjencë… në kushtet e humbjes së mundshme gjermane, do t’i jepnin jetë… pavarësisë së premtuar dhe asnjanësisë, duke krijuar kështu mundësitë që… Aleatët ta njihnin qeverinë e Regjencës si zëdhënëse me autoritet e një qeverie të ligjshme shqiptare”. Pohimet e historianit tonë duken si përçartje. Që të jesh realist dhe, nga ana tjetër, të kesh rënë në grackë politike, kjo nuk shkon me normat e arsyes.

Realist është ai që i kupton rrethanat dhe bën zgjedhjen e favorshme për vete dhe për ata që janë nën drejtimin e tij dhe nuk bie viktimë e grackave. Nga ana tjetër, të pohosh se këta “realistë” i morën premtimet për pavarësi nga gjermanët dhe shpresonin se këtë pavarësi do ua njihnin dhe respektonin ata që i mundën gjermanët, do të thotë të flasësh “si e ëma e Zeqos në majë të thanës”. Këto janë vërtet broçkulla. Mos vallë Aleatët do ua njihnin pavarësinë shqiptarëve si shpërblim për shërbimet që i kishin bërë armikut të tyre, Gjermanisë naziste? Gjithashtu, autori thotë broçkullën tjetër të radhës, se Aleatët do ta njihnin qeverinë e Regjencës si zëdhënëse me autoritet e një qeverie të ligjshme. Çfarë legjitimiteti kombëtar dhe ndërkombëtar mund të kishte një qeveri e krijuar nga pushtuesi dhe si mund të njihej ajo nga armiqtë e pushtuesit?

Duke u hequr si zëdhënës i popullit shqiptar të para 70 viteve, autori thotë se “Njerëzit kishin mirëkuptuar qëllimet e tyre (të anëtarëve të Regjencës- V.M. ) vullnetmira”. Nuk dihet se për cilët njerëz e ka fjalën dhe a i pati pyetur ai këta njerëz që ua ditka sot se si paskan menduar në atë kohë. Më poshtë autori bën një pyetje: “Pas kujt do të duhej të shkonin shqiptarët në vjeshtën e trazuar 1943: pas Frashërllinjve, Lef Nosit, A. Harapit dhe djalit të Aqif Pashës, apo pas një njeriu të panjohur që operonte sipas urdhrave të delegatëve jugosllavë?”.

Koha, e atëhershmja dhe jo e sotmja, koha e luftës dhe jo koha e qejfit, e dha përgjigjen dhe nuk na la neve asnjë shans për spekulime. Një popull dinjitoz, një popull që ka zgjedhur mbijetesën në vend të nënshtrimit, nderin në vend të turpit, krenarinë në vend të poshtërimit, ai popull shkon pas atyre që i kundërvihen çdo pushtuesi, pavarësisht se sa të njohur janë dhe se sa pasuri kanë. Delet shkojnë pas atij që i josh për të mbushur plëndësin; njerëzit shkojnë pas atij që u mbush mendjen. Dhe koha tregoi se shumica e popullit shqiptar ishte kundër pushtuesve dhe kundër pushtimit prandaj ndoqi ata që i prinë drejt luftës dhe jo ata që e thërrisnin nëpër parada ku nderohej pushtuesi. Ja çfarë thotë një dokument tepër sekret britanik i 26 shtatorit 1944: “Që nga 18 shtatori 1944 është bërë e qartë se këta elementë nacionalistë… janë përpjekur të formojnë një qeveri duke bashkuar të tri partitë nacionaliste si BK, zogistët dhe fashistët katolikë… Është një qeveri vetëm në letër e cila përfaqëson pak më shumë se anëtarët e vet… Gjermania do të largohet nga Shqipëria dhe një qeveri e tillë do të përfitojë nga qëndrimi i paanshëm i organizatave aleate… Kjo do të motivojë dhunë politike civile… dhe do të shkaktohet nga një grusht njerëzish të cilët, ca më pak e ca më shumë, kanë bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme me armikun“. (Gazeta “Panorama”, 31 gusht 2014)

Besoj se pyetja që bëhet sot e ka marrë përgjigjen 70 vjet më parë. Por profesori ynë i historisë ka vendosur të bëhet qesharak deri në fund, prandaj vazhdon: “Ata (regjentët- V.M)… këtë e kanë bërë me botën e shpirtin që vetëm patriotët idealistë, burrat trima të kombit mund ta ndërmerrnin; atë vendim nuk mund ta ndërmerrnin majtistët, servitorët e sovjetizmit, aventurierët, batakçinjtë… Atë mund ta ndërmerrnin vetëm mendjet më të pastra dhe më fisnike, ata që ishin mësuar përjetësisht me ideal e për traditë personale dhe familjare të sakrifikoheshin”. Mos qesh po deshe. Kjo është pastërtisht doktrina e tradhtisë kombëtare, e nxjerrë nga valixhet moderne të shakllabanëve që, me terma dhe pretendime modernizmi dhe demokracie, përpiqen të shesin si rivlerësim moral, politik dhe kombëtar sjelljet që, qysh prej fillimeve të qytetërimit, janë vlerësuar kurdoherë të turpshme dhe të dënueshme.

Të pohosh se bashkëpunimi me pushtuesin është veprim patriotësh, idealistësh, trimash dhe njerëzish të sakrificës kombëtare, t’i vlerësosh pra sjellje dhe veprime të tilla, që gjithë bota perëndimore i dënoi pas luftës, si atdhetarizëm, kjo do të thotë të përmbysësh krejt kodin moral dhe politiko-social të njerëzimit. Dhe kjo bëhet vetëm për hatër të një grushti njerëzish, të cilëve avokati iu përket moralisht dhe politikisht. Të konsiderosh idealist dhe sakrifikues atë që e kalon ditën në kolltukët e dhuruar nga pushtuesit dhe jo atë që la shkollën dhe qejfin në Paris, Romë, Milano e kudo, qoftë dhe vatrën e ngrohtë familjare të fshatit apo qytetit shqiptar dhe rrëmbeu armën duke e kaluar një pjesë të jetës jashtë në luftë me pushtuesin; të konsiderosh trim atë që qëndron nën urdhërat e pushtuesit dhe fle i mbrojtur ditën dhe natën nga bajonetat e këtij pushtuesi dhe të konsiderosh aventurier e batakçi atë që i vë armën armikut dhe lë jetën në ndeshje me të; të konsiderosh mendje e pastër dhe fisnike atë që i premton ndihmë pushtuesit dhe nuk brengoset asfare nga burgosjet, internimet dhe vrasjet e mijëra bashkatdhetarëve prej këtij pushtuesi dhe, nga ana tjetër, të quash batakçi atë që jep jetën vetëm për të mos i treguar shokët e idealit çlirimtar tek pushtuesi, kjo do të thotë të jesh, me apo pa vetëdije, në pozitat e armikut të popullit dhe të dhunuesit të moralit njerëzor. Autori në fjalë iu bën nder “majtistëve”, siç i quan ai, kur thotë se ata nuk mund të bënin veprimet që bënë nacionalistët. Nacionalistët e tij, sepse qindra nacionalistë të tjerë shqiptarë u angazhuan në luftë kundër pushtuesve, madje duke dhënë edhe jetën. Fyerjet dhe poshtërimet që ua bën herë pas here luftëtarëve të lirisë janë gjithçka e lejojnë rrethanat e sotme të bëjë. Po të ishin rrethanat e luftës, do të bënte ato që bëri Xhaferr Deva me shokë.

Anëtarët e Regjencës nuk kanë qenë asnjëri naiv, siç përpiqet diku t’i paraqesë autori. Ata nuk kanë qenë as viganë, as gjeni dhe as kolosë të kombit, siç i portretizon ai diku tjetër. Mbi të gjitha, nuk mund të shkojnë bashkë naiviteti dhe gjenialiteti. Nuk është e nevojshme të jesh gjeni për t’i shërbyer popullit dhe vendit tënd. Gjithçka nevojitet është të jesh njeri. Këta individë e kanë ditur shumë mirë çfarë përfaqësonte Gjermania hitleriane, e kanë ditur shumë mirë se ai shtet po burgoste, internonte, vriste, helmonte, digjte në furrat e pjekjes apo sterilizonte me mijëra dhe miliona njerëz, gjermanë dhe sidomos jo gjermanë. Jo se i kishin bërë ndonjë gjë, por sepse donte të sundonte botën. Regjentët tanë e dinin se edhe qeveria që ishte nën urdhërat e tyre dhe të pushtuesit, kishte vrarë dhe po vriste me qindra dhe mijëra shqiptarë, po i burgoste dhe internonte prej nga nuk ktheheshin më. Me gjithë këtë, asnjëri nuk dha dorëheqjen, por bënte ato që na tregon ambasadori Schliep. E, si mund të kenë qenë atëherë të pafajshëm, idealistë dhe fisnikë këta shqiptarë?

Është bërë zakon që të quhen kolosë të gjithë ata që u implikuan në kolaboracionizëm me pushtuesit dhe që më vonë u ndëshkuan. E vërteta është se shumica dërmuese e tyre kanë qenë shqiptarë të vegjël. Për ta ilustruar po sjell një shembull. Ernest Koliqi ishte figura më e lartë e kohës së pushtimit fashist. Në një mbledhje me figurat kryesore qeverisëse të kohës më 4 dhjetor 1942, ky “kolos” iu kumton atyre një “lajm të lumtur”: “Me gëzim u kumtoj të ndershëmve Këshilltarë se Ministri i Oborrit Mbretnor, me urdhën të Madhnisë së tij Mbretit perandor na ka lajmue se Naltësia e Saj Princesha e Piemontit ka kapërxye lumnisht të pestin muej që asht shtatzanë”. Duartrokitje të nxehta nga “kolosët” dhe “gjenitë” e tjerë të kombit, nga idhujt e profesorit tonë të sotëm. Duhet të jesh trushpëlarë e i pashpirt që ta kursesh neverinë për këtë tragjikomedi që luhet në sallat luksoze të pushtuesit dhe për vetë aktorin, që duan të na e shesin si “kolos” të atdhetarisë.

Megjithëse profesori na flet për historinë si të ishte veteriner nuk na flet për të tredhurit e djeshëm. I shmanget pohimit të Kontit Çiano, siç bën edhe me dokumente të tjerë të kohës, sepse të tredhurit nga fashistët dhe nazistët me dekorata dhe poste janë pikërisht ata që ai quan “atdhetarë të kombit”. ” Veterinerët ” e sotëm të historisë nuk mund t’iu bëjnë derman të tredhurve politikë të djeshëm.

 

Disa përfundime

Do të ishte mirë që shoqëria shqiptare të mos merrej më me këtë periudhë dhe t’i shpenzonte energjitë e saj për ndërtimin e të sotmes dhe të ardhmes. Populli shqiptar thotë, “Mos e trazo bajgën se do i ndiesh erën”. Mbrojtja e kolaboracionizmit është një turp për ndërgjegjen tonë kombëtare. Në Evropën Perëndimore u burgosën dhe ekzekutuan qindra mijëra bashkëpunëtorë të pushtuesve dhe të afërmit e tyre nuk u ngritën me pushkë dhe as me mjete të tjera kundër shtetit që i dënoi. Edhe të djathtët evropianë nuk guxojnë të bëhen hapur avokatë të kolaboracionizmit në vendin e tyre. Siç thoshte Charles de Gaulle, këtu nuk hyjnë në punë qëndrimet partizane politike, por “Gjithë çështja duhej të ishte trajtuar vetëm nga pikëpamja e mbrojtjes dhe e pavarësisë kombëtare”.

Çështjen e vlerësimit moral dhe juridik të ndihmës që i jepet pushtuesve në forma të ndryshme e ka shpjeguar mirë z.Rami Memushaj në një shkrim të tij ku e bën të qartë se sjellje dhe veprime të tilla i ka dënuar historikisht morali njerëzor, në Shqipëri dhe në botë, se ishin parashikuar si krime edhe në të drejtën zakonore shqiptare, ashtu si edhe në legjislacionin penal të regjimit monarkist. Pra, vlerësimi për kolaboracionistët nuk ka kurrfarë lidhjeje me komunizmin. Të dalësh kundër kodeve morale, zakonore dhe penale të popullit tënd është guxim vetëvrasës.

Është e vërtetë se implikimet e kolaboracionizmit nuk kanë qenë të të njëjtës shkallë tek individë të ndryshëm. Lef Nosi dhe Patër Anton Harapi, si dhe disa të tjerë, kanë qenë individë për të cilët njeriu ndien keqardhje që morën dënime kapitale, pasi implikimet e tyre nuk mund të krahasohen askund me individë të tillë si Xhaver Deva, Isa Toska, Halil Alia, Llesh Marashi, Gjonmarkajt etj. Të kuptohemi, po krahasojmë kategori të veçanta bashkëpunëtorësh të pushtuesit dhe nuk është fjala që Nosi, Harapi e të tjerë si ata të mos dënoheshin, por që jeta mund t’u kursehej. Mirëpo, ishte koha kur timonin e drejtësisë e mbanin ende pasionet e luftës dhe jo arsyeja e paqes. Fatkeqësisht, raste të tilla jep me qindra edhe historia e vendeve evropianoperëndimore ku njerëzit dërgoheshin në litar me gjyqe disaminutshe.

Lef Nosi ishte fajtor dhe jo “një patriot pa damkë”, siç thotë historiani ynë dhe fakti që kishte përmendur emrin e Shqipërisë përpara pushkatimit nuk “mjafton për ta nderuar sot”, siç na thotë një shkruese pa mend në një gazetë. Po të lexosh historitë e vendeve perëndimore gjen dhjetëra raste që figurat kolaboracioniste të ekzekutuar thërrisnin “Rroftë Franca! Rroftë Belgjika!” etj.

Atdhetarizmi nuk është dhe as mund të jetë monopol i të djathtëve, sikundër i pëlqen të shprehet profesorit tonë të historisë, as i të majtëve. Atdhetarizmi është një ndjenjë e brendshme individuale që varet nga formimi moral, nga karakteri dhe personaliteti i çdo personi. Ndarja e qartë e atdhetarizmit nga tradhtia ka rëndësi të madhe për të ardhmen, më shumë se për të shkuarën. Gjithë çështja është se me çfarë botëkuptimi dhe morali do t’i edukojmë brezat e rinj. Nëse ne vëmë në një plan apo, akoma më keq, ngremë lart atë që, me forma e mjete të ndryshme, i shërben pushtuesit dhe denigrojmë apo injorojmë ata që rrezikojnë jetën në ballafaqim më zaptuesin e huaj, atëherë ne do të rrisim breza të padenjë.

Justifikimi dhe lartësimi i bashkëpunimit me pushtuesit gjatë luftës dhe, nga ana tjetër, përçmimi, përgojimi, tallja, fyerja dhe etiketimi i rezistencës ndaj pushtuesve, si: “e kotë”, “e pavlerë”, “e panevojshme” etj. janë ushqim i ndjenjave të tradhtisë kombëtare dhe të antishqiptarizmit. Qëndrime dhe mendime të tilla tentojnë të bëjnë nul gjithë sakrificat e popullit shqiptar për liri qysh nga koha e Skënderbeut e këtej. Edhe përcaktimet e pushtuesve ndryshe nga ç’kanë qenë, të tilla si: “Turqia ishte thjesht administruese e trojeve tona”, “Italia nuk ishte e keqe sepse na bëri disa ndërtesa dhe rrugë”, “Gjermania ishte kalimtare dhe ne shqiptarëve na kishte ‘xhan’ “, “Kosovarët nën Serbi nuk ishin edhe aq keq sepse lejoheshin të dilnin jashtë”, thënë ndryshe të boshatisnin trojet e tyre etj., janë antihistorike dhe në shërbim të antishqiptarizmit.

Mendimet dhe qëndrimet që mbahen sot ndaj pushtuesve dhe pushtimeve janë pjesë e kalbëzimit moral të shoqërisë tonë. Deri aty ka ardhur puna sa njeriu i ndershëm dhe patriot të ndihet i frustruar, ish-partizanit apo pasardhësve të tij t’iu vijë turp për sakrificat e bëra, individi që e ka kaluar jetën në shërbim të popullit në punët dhe zonat më të vështira të ndihet keq. Ndodhin këto dhe të tjera si këto sepse moral sundues po bëhet gradualisht morali i elitës së hajdutëve dhe zhvatësve të pasurive kombëtare, morali i sakrifikuesve të vendit për interesat vetjake, morali i lakuriqësisë vizive dhe zbrazëtisë parimore dhe etike të hienave të parasë së fituar pa mundim.

Virtyti e ka përherë të vështirë garën me vesin, sepse i pari ecën në këmbë ndërsa i dyti kalëron mbi instinktin. Pa “vrarë” ose frenuar instinktin, virtyti nuk mund të mbërrijë atje ku duhet, ose do të mbërrijë vonë. Kjo varet nga ne.

 

Viktor Malaj në "Dita"

32 Komente

Flm. Alidemso...

Tash le t'vije kaposhi ene te kenoje ... " me ka thane Baba mue...." " Gjyshi  im ka ken trim i madh fort" " .. Kan luftue me kulshedren e Kuce... " 

 

Filozofira te nje pendalliu te majte, per te justifikuar te keqen e madhe, qe e zuri Shqiperine me komunistet, si te keqen me te vogel pas nje zgjedhje parimore. Komunistet, nuk ishte zgjedhje e shqiptareve, ata ishin zaptues te pushtetit, qe per te justifikuar metodat e tyre revolucionare, kane shpikur alibine e bashkepunim/indeferences se elites shqiptare te asaj kohe me fashistet. Fashiste per Shqiperine dhe shqiptaret kane qene serbet, pikerisht aleatet e komunisteve gjate luftes dhe pas saj.

Një gjë duhet kuptuar; nëse Lef Nosi ka qenë kolaboracionist me fashistër, Shuteriqi ka qenë kolaboracionist me komunistët.

Mes kolerës dhe murtajës le të zgjedhë e të marrë pastaj gjithkush që mendon se duhet të nxjerrë gështenjat (kupto: gjynahet) e të tjerëve nga zjarri.

Mes kolerës dhe murtajës le të zgjedhë e të marrë

..dhe aleatet perendimore u binden shume shpejte se murtaja komuniste eshte me e keqe se kolera...ende pa mbaruar mire festa e fitores se aleateve kunder nazizmit,aleatet e kuptuan se komunistet ruse dhe ata te europes lindore do te ishin kercenimi dhe armiku kryesore per kapitalizmin perendimor.Ky konflik do ishte aq i madh sa perendimi ne shume raste neglizhoje te dorezoje edhe kriminel naziste te luftes sepse e dinin se:

The Nazi war criminals and collaborators may have been butchers, but there is no doubt that they were rabidly anti-communist  and these men would come in useful in the "upcoming" conflict between the USA and the USSR.

..dmth gozhda nxiret me gozhde.

Me qe jemi tek Pulat si argument  ! Ne shekullin 21 Kryeministri ha me duar ! Mungon piruni thika ,  kuptohet se me cfare zotnie kemi te bejm !

Clidhje ka Lef Nosi me ballistet or injorant?

Lef Nosi eshte nderi i kombit dhe lilipute si puna jote nuk ja ulni kurre vleren.

Te ishin te gjithe shqiptaret patriote sa 1/10 e Nosit dhe do te ishim si Danimarka apo Suedia sot...

smiley

Me nje lule s'vjen behari thone..smiley

Humbjet teorike dhe praktike, nga aleancat me fashistet dhe serbet, perkatesisht te nacionalisteve dhe komunisteve:

Humbjet teorike nga aleancat me fashistet:

1. Do humbisje mevetesine

2. Do shnderroheshe ne shtet dhe qeveri kukull te Gjermanise fashiste

3. Do vareshe ekonomikisht nga Gjermania

Humbjet praktike nga komunizmi dhe aleanca me serbet

1. Humbe Kosoven dhe me shume, te cilat praktikisht gjermanet ja bashkuan Shqiperise. Nuk po fus ketu Camerine

2. Humbe lirine ekonomike dhe vazhdimisht, u varem fillimisht nga jugosllavet, pastaj ruset e pastaj kinezet, derisa u dorezove fare, tek po ata "fashiste", qe cuditerisht vazhdon tu lutesh te te pranojne.

3 Humbe lirite politike

4. Humbe lirite njerezore

5. Humbe lirite klasore dhe te drejtat per te jetuar me dinjitet dhe mireqenie

6. U armiqesove me gjithe shtetet e kombet e tjera

7. U izolove si shoqeri dhe u trete brenda izolimit tend

8. Copetove kombin nga ana njerezore, serbet & CO jashte, partia brenda

Humbe, humbe, vetem humbe

Ndoshta, po ndoshta ama, fitove vetem egzistencen e Shqiperise se copetuar dhe pa pretendime, nje egzistence te perulur, te varfer dhe pa shprese, ku cdo njeri deshiron te largohet. Ky eshte bilanci, zgjedhjet bejini vete.

 

....tek po ata "fashiste", qe cuditerisht vazhdon tu lutesh te te pranojne.

  Per  Keta e  ke fjalen ?

apo per kete:

Jo per keta realët qe ndodhen vërtetë ne, brenda kufijve:

Masakratbrenda

dhe per keto jashte kufijve, qe kujdeseshin vellezerit serbe:

masakratjashteprejserbeve

Tani po rretullohesh si bubi kacurrel qe  kerkon te kafshoje bishtin e vete.

Ta perserisim tani: Cileve Fashiste po ju lutemi qe te na pranojne,?

 

 

A nuk eshte Gjermania ajo, qe sipas interesave politike, behet njehere armike dhe njehere mike, vendi i cili vendos, per tu pranuar ne BE apo jo?

I lexova te dyja shkrimet, e te them te drejten, autori ne disa vende/pika dukej sikur kish te drejte, e ne disa pika/vende dukej sikur nuk kishte te drejte. Ajo qe na intereson si shqiptare, eshte qe, keto tema delikate si dhe forma e interpretimit te ngjarjeve, te mos behen burim perçarje. Une e kam thene dhe tek VQ, se ne nuk ishim te detyruar te luftonim nje fuqi te madhe si Gjermania apo Italia. Kontradiktat qe keto fuqi kane patur dikur, te rrjedhura edhe nga traktati i Varsajes, nuk duhej te perbenin aspak rast qe ne te perfshiheshim ne lufte. Te mos harrojme se traktatet e ndryshme te fuqive te medhaja, na kane demtuar rende, na kane marre copa te medhaja trualli , e iu jane dhene armiqve komshinj tone. E nje rol negativ ketu ka lozur Anglia e vende te tjera. 

Autori mundohet qe te na hipnotizoje, me idene qe armiku i vetem qe duhej luftuar ishin shtetet fashiste dhe marreveshja me djallin(serbia dhe komunizmi) ishte parimore, derisa te vdiste fashizmi. Po ja qe fashizmi vdiq dhe djalli mbeti, per ta masakruar kombin tone perseri, brenda dhe jashte kufijve, te asaj qe kishte ngelur nga masakrimi paraardhes.

Ky shkrim duhet te jete shkruar para viteve 90 se me duket tejet i politizuar.

fashizmi vdiq dhe djalli mbeti,

komunizmi vdiq dhe djalli mbeti mbreti,

mjer vatani e mjer mileti.

                                                         i Modhismiley

 

Mos e prekni Lef Nosin!

Ky eshte mesazhi qe duhet te jepet.

Do të ishte mirë që shoqëria shqiptare të mos merrej më me këtë periudhë dhe t’i shpenzonte energjitë e saj për ndërtimin e të sotmes dhe të ardhmes.

smiley Gjeniale. Keshtu tha dhe shoku Ilir, "le te merren arkeologet".

“It is not often that nations learn from the past,even rarer that they draw the correct conclusions from it.”
― Henry Kissinger

‘Those who cannot remember the past are condemned to repeat it.’

 

  • Kush eshte autori i ketij shkrimi? Qe te merremi dhe ne me autorin sic eshte marre autori me autorin e nje shkrimi tjeter.
  • Mire do ishte te lexonim dhe perlen e pare, jo vec te dyten.
  • "Mos e humbisni" - vertete?

Autori eshte Viktor Malaj dhe i drejtohet historianit ...(te modh mer jahu).....  prof Agron Gjekmarkaj, i UET se  Çilit, i cili ka marre persiper te ngreje larte flamurin e perdhosur te Ballit Kombetar, Legalitetit dhe tere hordhise se tradhetareve qe bashkepunuan me pushtuesit  vetem e vetem se ishin kunder komunizmit...smiley

Faleminderit. Nuk e njoh z. Malaj, me siguri do te jete ndonje historian i shquar.

Per Viktor Malajn:

1

2

Cfare jane keto gjembi?

Nuk dalin fotot? Njera eshte autorizimi per Dushanin qe kishte dore te lire te bente c'te donte e tjetra dicka qe duket si deshmi e nje prej krimeve te Dushanit.

Jo, foto dalin, por te pares kam pershtypjen qe ti i ke lexuar komentin poshte dhe jo tekstin e dokumentit, sepse "te marre pjese ne vendimet" nuk do te thote te kete dore te lire (nese njohja ime e shqipes s'me le ne balte, po kush e di...).

Kurse faqja e dyte, eshte thjesht nje faqe libri (se paku ashtu duket), po se e kujt, se qysh, se tek, s'merret vesh.

E lexova. Teknikisht mund te kesh te drejte. Duke marre pjese ne vendime nuk do te thote qe edhe do te propozoje vendime? Mund te vazhdoj me hamendesim qe ne ate kohe me kete leter, sidomos per Dushanin e huaj, vendimet e Dushanit do te kene patur prioritet. Por meqe s'kam qene atje s'e them dot me siguri.

E drejte dhe per te dyten. Nuk e di kush e ka shkruar librin e cfare libri, por e thote me emer se kush ka dhene deshmine. Ky zoteria.

Në vend të shprehjes kaq të mençur të autorit që mbyll këtë shkrim kaq të gjatë:

Virtyti e ka përherë të vështirë garën me vesin, sepse i pari ecën në këmbë ndërsa i dyti kalëron mbi instinktin

dhe që i ngjan si dy pika uji proverbit francez 

Les vertus sont à pied et le vice à cheval

do të kisha preferuar atë origjinale të Aristotelit:

Virtuti është e mesmja e përkryer ndërmjet dy vesesh

 

Enver Hoxha vrau të gjithë intelektin e lartë shqiptar, i cili ishte i barabartë në vlerë me intelektin e lartë perëndimor, tamam me mllefin individual kundër lirisë perëndimore, njëlloj si bandat e ISIS-it sot. Vrau të gjithë firmëtarët e Pavarësisë Shqiptare në Vlorë: të gjithë ata që i gjeti gjallë. Vrau të gjithë ekspertët apo njerëzit e kulturës me shtetësi perëndimore në Shqiopëri. Por, ai vrau gjitmonë çdo element perëndimor. Vrau pronarë shqiptarë dhe tregtarë të ndershëm për t’iu grabitur arin. Vrau afër 200 klerikë katolikë; nuk besoj se e ka arritur këtë numur Abu Omar al Bagdadi. Enver Hoxha grabiti në mënyrë kriminale të gjitha kursimet në ar që kishte grumbulluar me breza familja shqiptare. Shpërbëri nderin dhe dinjitëtin njerëzor të shqiptarëve, dhe e shpalli veten “njeriun më të ditur dhe më pozitiv të njerëzimit”. Banda e Enver Hoxhës ishte e barazvlefshme me bandën e çmendur të ISIS-it, madje Hoxha ia arriti që me terrorin hoxhist ta izolojë plotësisht Shqipërinë nga Perëndimi: ISIS-i ende nuk e ka arritur këtë “stad të lartë” të Enver Hoxhës. Te gjitha gjykatat me gjyqtarë injorantë, që në vitit 1944-1948 denonin në Shqipëri intelektualët me vdekje, ishin tamam në nivelin injorant dhe barbar të atyre qe vrasin gazetarët perëndimore sot në shtetin e ISIS-it. S.N.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).