"Mjaftuan disa dekorime e ndonjë post për kryerjen e operacionit të tredhjes së Shqipërisë pa e bërë pacientin të bërtasë. Tashmë aneksimi praktikisht është realizuar”. Konti Çiano

Ndërrimi i sistemit politik të Shqipërisë në vitet ’90 nuk mund të mos sillte edhe rishikimin e historisë së vendit, si dhe rivlerësimin e disa figurave kombëtare. Mirëpo, ky rishikim nuk iu nënshtrua as fakteve historike, as arsyes dhe as parimeve morale. U zgjodh rruga më e shkurtër: Ata që deri në 1990 konsideroheshin të mirë dhe atdhetarë tani e mbrapa do të etiketoheshin të këqij dhe tradhtarë, ndërsa gjithë të dënuarit e të emërtuarit si kriminelë e tradhtarë nga regjimi i 1945-1990 tani e mbrapa do të ngriheshin në piedestalin e lavdisë si atdhetarë, nacionalistë, të ndershëm, kolosë dhe gjeni të kombit. Të njëjtin fat u rezervoi ndryshimi i sistemit edhe pasardhësve të tyre. Këta, nga persona të nëpërkëmbur (padrejtësisht) për veprimtarinë e baballarëve dhe të afërmve të tyre nisën të trajtoheshin si luftëtarë heroikë kundër komunizmit. As regjimi i Enver Hoxhës nuk kishte shkuar kaq larg në sektarizmin e ndarjes në “ne të mirët” dhe “ata të këqijtë”.

“Historianët” e rinj që morën përsipër mashtrimin kombëtar vinin jo vetëm nga ish-kundërshtarët e regjimit të Hoxhës, por edhe disa partiakë apo zyrtarë të atij regjimi, si dhe bij të tyre të cilët, duke u ndjerë të frustruar ngaqë besonin se regjimi nuk i kishte shpërblyer sa duhet apo s’ua kishte mundësuar të jetonin në luks, vendosën “të hakmerreshin” deri në atë shkallë sa të ndryshojnë jo vetëm të vërtetat historike, por edhe vetë parimet e historisë si shkencë. Vendosën, pra, të shkallmojnë kriteret universale të vlerësimit të së mirës dhe të keqes, të moralit dhe të vesit, të së drejtës dhe të padrejtës, të atdhetarizmit dhe tradhtisë. Pa goditur këto parime dhe kritere vlerësimi ata e dinin se do të mund të ndryshonin disa gjëra, që, në të vërtetë, duheshin rivlerësuar e ndryshuar, por nuk do të mund të përmbysnin tërësisht historinë dhe të vërtetën. Këtu qëndron edhe gracka në të cilën e futën veten e tyre dhe që nuk mund të dalin më prej saj.

Një thënie e deputetit Ben Blushi rreth kolaboracionizmit të Lef Nosit në Luftën e Dytë Botërore ndezi edhe një herë gjakrat dhe “trimat” e dijes iu vërsulën me fyerje dhe shpifje dhe, me shpresën se do ta skualifikonin gjykimin e tij, siç veprohet me sportistët që përdorin doping, e etiketuan “komunist”. E etiketuan kështu për ta bërë të pabesueshëm në mënyrë që përrallat e tyre të treguara dendur në 25 vitet e fundit të merren nga lexuesit si Urdhërimet e Zotit. Mirëpo, në këtë botë ka jo pak njerëz që pranojnë të blejnë më mirë një mall të vërtetë me etiketën “komunist” sesa një mall fals me reklamime “antikomuniste”. Për fatin e tyre të keq këta historianë gjaknxehtë dhe mendjelehtë harrojnë se kriteri i vlerësimit të atdhetarizmit dhe tradhtisë kombëtare është universal në kohë dhe hapësirë, pavarësisht sistemeve politike dhe, si i tillë, nuk ka të bëjë fare me komunizmin.

Për brezin tonë që nuk e kemi jetuar Luftën e Dytë Botërore, mbetet e vështirë njohja e të vërtetës në qoftë se nuk arrijmë të njohim të vërtetën shqiptare brenda kuadrit të historisë së asaj lufte të përbotshme. Historikisht, luftërat kanë qenë të dëmshme sa për humbjet njerëzore dhe materiale, aq edhe për pasojat psikologjike, morale dhe sociale që i sjellin shoqërisë njerëzore, për përçarjet dhe urrejtjet që lënë pas.

Lufta e Dytë Botërore e kishte ndarë botën në dy grupime të mëdha. Nga njëra anë ishin fuqitë pushtuese me Gjermaninë në krye që, pavarësisht preteksteve dhe parullave që përdornin, si qëllim kryesor kishin pushtimin e botës, sundimin dhe grabitjen e saj, ndërsa, në anën tjetër, qëndronin vendet e botës, që kryesoheshin nga SHBA, BRSS, Anglia dhe Franca që iu kundërvunë bllokut pushtues. Siç thoshte ish-Zëvendëspresidenti amerikan i kohës, Henry A. Wallace, “Kjo është një luftë midis botës së lirë dhe botës skllavëruese”. Ndarja nuk ishte vetëm shtetërore, por edhe e brendshme. Ishte në ndërgjegjen, moralin dhe pjekurinë e çdo individi, populli apo elite kombëtare zgjedhja e rreshtimit në këtë luftë me shumë beteja. O me pushtuesin, që sillte skllavërinë e popullit dhe grabitjen e pasurive kombëtare, ose me prijësit kombëtarë e ndërkombëtarë të lirisë. Ndarja e brendshme, si rreshtim forcash, nuk ndodhi vetëm në Shqipëri, por kudo. Në këtë kuadër, ideologjia kombëtare e lirisë dhe pavarësisë qëndronte mbi ideologjitë politike dhe format e rendit shtetëror, sepse pa lirinë kombëtare nuk do të kishte kurrfarë mundësie për zgjedhjeje të sistemit politik qeverisës. Kjo ishte edhe arsyeja që vendet perëndimore me sistem pluralist politik u angazhuan në një aleancë me BS me sistem njëpartiak politik. Pra, liria kombëtare dhe botërore qëndronte mbi lirinë e zgjedhjes së ideologjive shtetërore.

Po si u rreshtuan shqiptarët në mbrojtje të pavarësisë dhe lirisë kombëtare?

Kur shohim pamjet filmike të Institutit Luçe të Italisë që tregojnë hyrjen në Tiranë të ushtrisë pushtuese italiane dhe ceremonitë e pritjes me parakalime pompoze të shumë “baballarëve të kombit”, të kryetarëve të fiseve shqiptare apo edhe të shumë klerikëve nga gjithë vendi, si dhe delegacionin e dorëzimit të kurorës mbretërore tek Viktor Emanueli i Tretë; kur shohim këto dhe lexojmë gazetat e periudhës së pushtimit ndiejmë turp dhe kujtojmë se, deri më sot, askush prej tyre dhe as prej pasardhësve, njëherësh mbështetës të tyre, nuk i ka kërkuar falje popullit shqiptar. Përkundrazi ky takëm shqiptarësh, bashkëpunues me pushtuesit, kanë mallkuar dhe vazhdojnë të mallkojnë ata që i ndëshkuan pas 1944. Përpjekja për të justifikuar bashkëpunimin me pushtuesin me kinse argumentin e “interesave të kombit” apo me “luftën kundër komunizmit” dhe “harresa” se edhe të ngjashmit e tyre në Francë, Itali, Holandë etj. patën të njëjtin fat, dëshmojnë kalbëzimin moral të tyre dhe të ftojnë të mos ndiesh kurrfarë keqardhjeje për ato që pësuan.

Pasardhësit biologjikë dhe shpirtërorë të këtyre qenieve pa moral besojnë se fakti që disa nga këta individë u dënuan nga regjimi komunist i shfajëson, madje i bën të lavdishëm. Avokatë të hapur dhe të fshehtë të tyre besojnë se fakti që dështoi sistemi i quajtur komunist mund të shërbejë si alibi e sjelljes së tyre të dikurshme vetëm pse ata ishin vetëshpallur “antikomunistë”. Mirëpo ata mbesin tradhtarë jo pse ishin antikomunistë, por sepse ishin kundër lirisë të atdheut dhe kundër humanizmit. Ata nuk ishin vetëm armiq të komunistëve por të së ardhmes së njerëzimit. Për këtë arsye Komandanti Suprem i Forcave Aleate të Mesdheut, gjenerali Willson, thoshte në qershor 1944 se: “Çdo përkrahje për ushtrinë gjermane kundër forcave të armatosura të Kombeve të Bashkuara si dhe kundër gjithë atyre që janë në krah të Kombeve të Bashkuara, me rezistencën kundër gjermanëve, janë të paralajmëruar se do të trajtohen si armiq edhe tani, edhe ditën e ardhshme të Çlirimit”. Për cilët individë e kishte fjalën gjenerali Willson, kur vjen puna të gjykojmë për Shqipërinë? Kësaj pyetje i jep përgjigje Dr. Martin B. Schliep, ish-ambasador gjerman në Shqipëri në vitet 1941-1943: “I dërguari Neubacher… dhe Mehdi Frashëri ranë dakord të njihnin statusin e Shqipërisë si “neutralitet relativ” në interes të Wehrmachtit** gjerman. Mehdi Frashëri sqaroi se Shqipëria e shihte Wehrmachtin gjerman si mik dhe se qeveria do të bënte gjithçka për të siguruar Wehrmachtin nëpërmjet përdorimit të forcave kombëtare dhe se do të ndiqte kundërshtarët e Gjermanisë për t’i bërë ata të padëmshëm… Marrja e arit dhe e bankënotave shqiptare të depozituara në Romë ishte një nga masat e para që mori i dërguari Neubacher…. Burimet e naftës së Devollit u vunë në administrimin gjerman… Mehdi Frashëri, në fjalimin e tij, me rastin e Vitit të Ri, iu drejtua popullit duke i thënë të bënin një luftë të egër kundër komunistëve. Ata (Balli Kombëtar- V.M.) u lidhën ngushtë me trupat gjermane”.

Kjo është, në të vërtetë, pozita e shumicës dërmuese të “nacionalistëve” tanë në Luftën e Dytë Botërore dhe cilësimi i merituar i kësaj pozite u dha nga Aleatët, përpara se të jepej nga regjimi i mëpasshëm shqiptar.

Në ligjërimet e herëpashershme të këtyre 25 viteve, bëhen përpjekje që personat e ndëshkuar për kolaboracionizëm (bashkëpunim) me pushtuesit të paraqiten si “patriotë, nacionalistë, demokratë, idealistë, intelektualë të klasit të parë” etj. dhe dënimet e tyre të shiten si dënime thjesht antikomunistësh. Mirëpo, antikomunistë ishin edhe Winston Churchill dhe Charles de Gaulle por ata udhëhoqën rezistencën antifashiste dhe drejtuan edhe vendet e tyre si kryeministra e presidentë. Nëse antikomunizmi dhe antisemitizmi ekstrem e bënë Hitlerin kriminelin më të madh të shekullit të 20-të, antikomunizmi ekstrem i “atdhetarëve” tanë të djeshëm e të sotëm i ka bërë ata tradhtarë dje dhe karagjozë e sharlatanë sot.

Bashkëpunimi me pushtuesit italianë apo gjermanë ua ka hequr çdo të drejtë për të pretenduar jo vetëm për atdhetarizëm, por edhe për t’u hequr si demokratë. Ai ishte një bashkëpunim me diktaturat dhe, njëkohësisht, me pushtuesit. Pra, ishte kundër parimeve të atëhershme dhe të sotme demokratike dhe, njëherësh, kundër parimeve më të moçme të atdhetarizmit. Rënkimet, shtërzimet dhe ankimet që bëjnë avokatët e tyre të sotëm për “ndarjen që na bëri regjimi komunist me Perëndimin demokratik” janë një hipokrizi e kulluar pasi “klientët” e tyre merhumë u rreshtuan pikërisht kundër këtij Perëndimi demokratik, ndërsa, kur hyri në Tiranë “Qeveria Demokratike” e Hoxhës, në tribunën e ceremonisë ndodheshin përfaqësuesit e SHBA-së, Anglisë, Francës dhe Jugosllavisë.

Sipas këtyre avokatëve, Hoxha e kishte gabim edhe gjatë luftës që u rreshtua me Perëndimin demokratik, edhe pas luftës kur ia ktheu shpinën atij; edhe kur e anëtarësoi Shqipërinë në Traktatin e Varshavës, por edhe kur doli prej tij; edhe kur lidhi marrëdhënie të ngushta me Lindjen (Jugosllavi, BRSS, Kinë etj.), edhe kur i shkëputi këto marrëdhënie; edhe kur pranoi flotën luftarake të Traktatit të Varshavës në Vlorë, por edhe kur e dëboi atë; edhe kur futi e mbajti në qeveri kriminelë si Koçi Xoxe, por edhe kur i dënoi ata; edhe kur bëri reformën agrare dhe i dha tokën fshatarëve, por edhe kur ia kufizoi këtë tokë fshatarit në minimum. Pra, ai e kishte gjithmonë gabim, ndërsa kundërshtarët e tij politikë e kishin drejt edhe gjatë luftës kur ndihmuan pushtuesit e vendit, edhe kur i shpallën luftë zyrtarisht perëndimit demokratik, edhe kur spiunuan, arrestuan, burgosën dhe vranë bashkëkombësit e tyre për llogari të pushtuesit, edhe pas luftës kur arratiseshin e kërkonin ndihmë nga Jugosllavia komuniste apo kur bëheshin kamikazë ose, siç thoshte Abaz Ermeni, “kavie laboratori” të Perëndimit dhe ktheheshin në Shqipëri për të kryer akte terroriste. Pra, ata e kishin gjithmonë drejt. E çuditshme! Të gjithë “engjëjt” ishin antikomunistë.

Zotërinj avokatë të kauzës së humbur! Hoxha e kishte gabim dhe bëri faje të dënueshme dhe të paamnistueshme, por jo kur dënoi bashkëpunëtorët e pushtuesve dhe kriminelët e luftës, por kur pasojat e veprimeve të tyre i shtriu edhe mbi pasardhësit; jo kur dënoi spiunët, terroristët, sabotatorët dhe veglat e të huajve, por kur dënoi me burg shtetasit shqiptarë për agjitacion dhe propagandë; jo kur burgosi individë që, për veprimet e tyre, do të ishin ndëshkuar në çdo vend të botës, por kur internoi individë dhe familje të tëra me vendime absurde administrative; jo kur ua sekuestroi pasuritë spekulantëve të luftës, por kur ua mori pasurinë individëve pa e vërtetuar se rridhte nga ndonjë burim kriminal; jo kur dënoi klerikë që kishin kryer krime, por kur i futi thuajse të gjithë “në një thes” dhe i hoqi popullit të drejtën e riteve fetare duke ia mbyllur institucionet e kultit. Besoj se këto mëkate janë më se të mjaftueshme për ta skualifikuar. Por, duke i kualifikuar si të gabuara dhe kriminale gjithçka ai ka bërë, në të vërtetë, bëheni të pabesueshëm edhe kur keni të drejtë. Avokatia e tradhtisë nuk është mjeti më i mirë për të shitur librin tuaj të historisë si Bibël të së Vërtetës.

Ata që mbrojnë dhe lartësojnë bashkëpunëtorët e pushtuesve janë të ngjashëm me të gjithë ata individë ekstremistë të së majtës që guxojnë të justifikojnë dhe miratojnë të gjithë gabimet dhe fajet e periudhës 1945-1990. Këta avokatë pa licencë të së keqes harrojnë se shumica e “klientëve” të tyre të kohës së pushtimit i konsideronin Duçen dhe Hitlerin si “shpëtimtarë” të Shqipërisë dhe e lavdëronin “rendin e ri botëror” të fashizmit si rendi i së ardhmes dhe drejtësisë. Kur iu thuhet se ky apo ai ishte bashkëpunëtor i pushtuesve, të përgjigjen se “Ai ishte intelektual i madh…” etj. Kjo është njëlloj si t’i thuash dikujt për një femër se është prostitutë dhe ai të të përgjigjet, “Nuk është e vërtetë, thonë ashtu se ajo është e bukur”.

Në aventurën e tyre të mbrojtjes së tradhtisë, historianët e periudhës në fjalë përpiqen të përdorin argumente që s’kanë kurrfarë lidhjesh me aktet për të cilat janë dënuar klientët e tyre. Për disa prej tyre na thonë se mjafton fakti që ka qenë firmosës i Deklaratës së Pavarësisë për ta shpallur të pafajshëm për shërbimet që iu bënë tridhjetë vjet më vonë atyre që ia shkelën pavarësinë Shqipërisë. Një gjë e tillë nuk i qëndron arsyes edhe sikur personazhet në fjalë të kishin qenë kontribuesit kryesorë të aktit të pavarësisë. E vërteta është se, përveç rrethanave të volitshme ndërkombëtare, merita e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë i takon një grushti intelektualësh me Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin në krye, që ndërmorën turnetë diplomatikë në Evropën Perëndimore si dhe luftëtarëve dhe prijësve të kryengritjeve të 1910-1912 në veri të Shqipërisë. Pjesa tjetër e firmëtarëve ishin thjeshtë pjesëmarrës në “dasmën” kombëtare që nuk kërkonte ndonjë sakrificë të madhe përveç udhëtimit disaditor me kalë ose karrocë deri në Vlorë. Akte më heroike dhe më sublime kanë bërë luftëtarët e lirisë kombëtare qysh nga koha e Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit, Lufta e Vlorës, luftëtarët e rezistencës antifashiste të 7 prillit 1939, si dhe luftëtarët e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, përfshi edhe ata pjesëtarë të Ballit Kombëtar që luftuan realisht deri në vitin 1943. Kontributet për Shqipërinë e të gjithë kolaboracionistëve tanë të marra së bashku nuk i afrohen kontributit të mareshalit Philip Petain për shpëtimin e Francës në Luftën e Parë Botërore e, megjithatë, Franca jokomuniste e dënoi me vdekje sepse kishte pranuar një armëpushim me gjermanët duke iu lëshuar atyre pjesën veriperëndimore të vendit në 1940.

Një tjetër “argument” shfajësimi është përpjekja për të evidentuar anën kulturore të disa individëve duke treguar për librat e botuar, shkollat e hapura, koleksionimin e pullave etj. Personalisht, besoj se kur bëhen simpoziume shkencore apo kulturore, këto aspekte të veprimtarisë së këtyre individëve duhen njohur, por ato nuk mund të shërbejnë si prova se edhe aktiviteti i tyre gjatë luftës ka qenë në shërbim të kombit. Nëse kontributet për popullin i bëjnë nul të gjitha fajet e tjera, atëherë E. Hoxha do të qëndronte më lart se gjithë të tjerët. Mirëpo ajo që na bën ta zbresim nga piedestalet dhe ta dërgojmë në muzeun e historisë, edhe pse ka qenë drejtuesi i një lufte çlirimtare që e nderon popullin shqiptar duke shpëtuar edhe atdheun nga copëtimi, është pikërisht kostoja e lartë me të cilën u paguan gjatë 40 viteve arsimimi i popullit, elektrifikimi i vendit, rrjeti kapilar i shërbimit mjekësor, zhdukja e gjakmarrjes dhe e sëmundjeve ngjitëse, rritja e jetëgjatësisë së popullit dhe bonifikimi i zonave fushore, industrializimi i vendit dhe zhvillimi i artit dhe kulturës.

Gabimet dhe fajet e personave të implikuar me pushtuesit e vendit tentohet të justifikohen me antikomunizmin e tyre. Këtë gjë bënë edhe shumë nga kolaboracionistët e vendeve perëndimore, mirëpo përfunduan në litar ose para togës së pushkatimit. Nganjëherë si “As” të argumenteve paraqitet fakti se ata donin bashkimin e Shqipërisë me Kosovën prandaj u sollën në atë mënyrë. Ky pohim është djallëzor. Autorët e tij e dinë mirë se shumica e popullit nuk ia ka idenë kohës së ngjarjeve dhe rendit juridik ndërkombëtar dhe, për rrjedhojë, mund të bien lehtësisht viktima të këtyre gënjeshtrave. Në kohën kur zhvilloheshin ngjarjet, Kosova ekzistonte juridikisht, ndonëse padrejtësisht, si pjesë e Jugosllavisë. Një status i tillë ishte vendosur nga Fuqitë e Mëdha në fillim të shekullit të 20-të dhe ishte konfirmuar më vonë edhe nga Lidhja e Kombeve. Gjithashtu, Fuqitë kryesore Aleate, SHBA dhe Angli, kishin nënshkruar në gusht 1941 Kartën (traktatin) e Atlantikut që, më vonë, u firmos edhe nga aleatët e tjerë. Karta shprehte vullnetin e tyre se pas luftës nuk do të njihej asnjë ndryshim territoresh të bëra gjatë luftës. Atëherë, si do të ishte i mundur realizimi i këtij bashkimi? Duket si e mundshme vetëm nëse Nazizmi dhe Fashizmi do të bëheshin rend botëror i përhershëm. Po edhe nëse ndodhte kjo rezultati do ishte një “Shqipëri Etnike” si koloni të diktaturave të Boshtit (Berlin-Romë-Tokio), pra një Shqipëri të kundërt me atë që u shpall më 28 nëntor 1912.

Lexuesit dhe dëgjuesit e vëmendshëm të argumentit “As” nuk i shmangin dot pyetje të tilla, si: Meqë pretendohet se nacionalistët tanë paskan qenë të gjithë atdhetarë dhe demokratë të klasit të parë, pse nuk hynë në bisedime me përfaqësuesit e vendeve kryesore Aleate (anglezë e amerikanë) që u luteshin të luftonin kundër pushtuesve, dhe t’iu kërkonin bashkimin kombëtar mbas luftës si garanci për të kontribuar dhe sakrifikuar në luftë kundër vendeve të Boshtit (Italisë dhe Gjermanisë)? Pse shpresuan dhe kërkuan që “Shqipëria Etnike” të arrihej nëpërmjet bashkëpunimit me diktaturat që, jo vetëm po shtypnin dhe vrisnin kundërshtarët politikë në vendet e tyre, por po pushtonin dhe sakatonin edhe popujt e tjerë? Pse nuk shpresuan dhe besuan se qëllimin e tyre të lartë (“Shqipërinë Etnike”) mund ta arrinin duke bashkëpunuar me “sivëllezërit” e tyre evropianë të rreshtuar në Aleancën Antifashiste? A, mos vallë, shumica e tyre e shihnin veten moralisht dhe politikisht, më afër Hitlerit dhe Duçes se Churchill-it, Rusvelt-it dhe De Gaulle-it?

E vërteta është se ata luajtën bixhoz me fatet e vendit. Ata zgjodhën rrugën më komode për vete, bashkëpunimin me pushtuesit dhe u pëlqente të besonin se, pas luftës, nëse fitonte Boshti nazi-fashist do ta kishin të sigurt pushtetin e tyre. Nëse fitonin Aleatët, edhe ata ishin antikomunistë dhe, sido që të vinte puna, do t’i përkrahnin për të marrë pushtetin. Ata luajtën bixhoz në kurriz të popullit shqiptar, siç thotë edhe historiani Bernt Fischer, “Bixhozi zogisto-nacionalist kishte dështuar”. Fatmirësisht, e humbën lojën sepse falimentoi kazinoja politike.

Reagimin më të ashpër ndaj mendimeve të Blushit për Lef Nosin e bëri një individ i cili ka disa vjet që përpiqet të bind shqiptarët se të gjithë ata që luftuan pushtuesit nazi-fashistë ishin injorantë dhe tradhtarë të shqiptarizmës, ndërsa të gjithë ata që i pritën pushtuesit me krahë hapur, me tufa lulesh, me parada dhe fanfara, me elozhe dhe përbetime besnikërie ishin atdhetarë të klasit të parë dhe intelektualë të kulluar. Në intervistën e tij, personi që mbahet si historian, pasi e pranoi “…implikimin e rëndë të pothuajse gjithë elitës politike, intelektuale të Shqipërisë nga dredhia fashiste dhe naziste…”, filloi mallkimin e kundërshtarëve të të përfshirëve në kolaboracionizëm, duke thënë se “… hedhin sot broçkulla të neveritshme ndaj njerëzve më të ditur dhe më atdhetarë të kombit…”. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala broçkull do të thotë “fjalë të kota, të pavërteta, gjepura…”. Nëse akuzat për bashkëpunim me pushtuesin janë “broçkulla” atëherë nuk ka vend as për “implikime të rënda” të “njerëzve më të ditur dhe më atdhetarë të kombit”, siç pranon zotëria. Këto dy përcaktime përjashtojnë njëri-tjetrën, se kur pranon se u implikuan rëndë me pushtuesit, atëherë ndaj tyre nuk hidhen broçkulla por thuhet e vërteta.

Nga Viktor Malaj në "Dita"

(Vijon)

5 Komente

Flm alidems. Po perse i sjell ketu keto? Nuk e ke parasysh cfare pritet tashme nga kjo faqe me anetaret e saj per tema si kjo?? Ekspozim per torture e masaker te metejsheme te historise, ja c'kryen postimi i temes ketu.

Jul, e kam sjell dhe do te vazhdoj te bie postime te tilla, per te bindur ata bastarde qe jane mesuar gjate gjithe kohes ti thone derrit daje... Tradhetari, apo bashkepunetori i fashizmit, apo i pushtuesit jane fara me e keqe e kombeve. Nuk ka asnje shfajesim apo arsyetim medemek perjashtues per te tillet. Ata e bene tamam si lopa, pasi e mbushen koven me qumesht nepermjet bashkepunimit me fashizmin i futen shqelmin.

Ne, brezi i sotem i shohim bemat e tyre po me syte e sotme, dhe nuk e veme veten apo nuk jemi me situatat e atyre koherave...Ashtu siç kane vepruar komunistet ne Shqiperi, po ashtu kane vepruar te gjithe evropianet pas lufte, duke e pastruar shoqerine nga tradhetaret dhe kolaboracionistet. Vetem ketu ne shqiperi vlera e ketyre felliqesirave, sot po ngrihet ne piedestal nga njerez te vegjel dhe pa moral kombetar vetem e vetem se kane qene kunder komunisteve... Po jo mor jo, komunistet shqipetar organizuan dhe udhehoqen nje lufte çlirimtare aq te lavdishme saqe e rreshtoi vendin tone ne anen e fitimtareve, perndryshe sot nuk do te kishim Shqiperi.

alidemsi, shkrime te tilla me gjithse te vonuara, ne kohe , jane te mirepritura  jane te domosdoshme, sepse deri tani kemi degjuar, lexuar  vetem antivlera nga Doktori dhe suita e tij, sahan lepirse, per vite evite me radhe, Tani mbas 25 vjet shkerdhatokraci  vertet historia duhet rishikohet , por mbi baza shkencore, nga eksperte dhe jo nga capacule si Kastriot Myftari, dhe plera te tjera , qe sme vijne ne mend ! Well done mate !

ky eshte shkrim qesharak, grotesk!

ne pergjithsi, autori ben sallate  fjalesh duke ngaterruar vlerat e koalicionit antifashist, (kryesisht perendimor),  ku vlerat  themelore ishin   liria dhe demokracia   me  ''vlerat''   e  Enver Hoxhes  dhe bandes se vet qe nuk ishin aspak te tilla!

 

Përpjekja për të justifikuar bashkëpunimin me pushtuesin me kinse argumentin e “interesave të kombit” apo me “luftën kundër komunizmit” dhe “harresa” se edhe të ngjashmit e tyre në Francë, Itali, Holandë etj. patën të njëjtin fat,

 

gjithmone me habit  lehtesia me te cilen ca e ca krahasojne  gjyqet  kunder kolaboracionisteve te L2B  qe u be ne France, Holande e gjetke ne Evrope,  me gjyqet e  kolaboracionsteve apo ''armiqeve te pushtetit''   qe bene komunistet pas çlirimit...

ne Evrope keto gjyqe u bene ne nje kohe kur popujt megjithse ishin te sapo dale nga lufta, shtetet ishin te konsoliduara dhe funksiononin me principe demokratike e kushtetuese.. keshtu, gjyqet qe shpesh zgjaten me jave  e muaj te tere , u drejtuan nga gjykates e prokurore profesioniste, derisa edhe kolaboracionistet morren denimet e merituara  pasi u mirefaktuan ligjerisht   krimet, fajet dhe gabimet e tyre.

ndersa ne Shqiperi  pushteti komunist qe u instalua, nuk kishte kurrfare lidhje me demokracine,  ishte armik i betuar i shteteve demokratike  perendimore (edhe keto qe sjell si krahasim autori), madje me mburrje  proklaminte: ''Pushteti buron nga gryka e pushkes!'' . ndersa gjyqet kunder kolaboracionistve  apo armiqve ju besuan: karrociereve apo  mekanikeve tip:  Koci Xoxe, apo Bedri Spahiu etj....

mire kjo,  por me vone  Bedri  Spahiu na duall armik  dhe Koci Xoxe tradhetar, njeri i jugosllaveve etj..  tashi sa te drejta kane qene gjykimet ketyre tradhetareve  kunder tradhetareve?!  kush na siguron qe Koci Xoxe nuk bente punen e jugosllaveve edhe kur gjykonte e denonte shqiptaret si tradhetare? 

nderkoh Bedri Spahiu qartesisht  ka kerkuar falje per krimet e komunizmit, kuptohet per pjesen qe i takonte atij si funksionar i shtetit.

 

.....nje fjale e urte e pollit te mencur somalez thote: ''mos krahaso mollet me dardhat'',  aq me teper:  mos krahaso mollet me mutin !!

 

 

 

 

 

 

 

 

+1 Belul!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).