Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do të heqë taksën vjetore prej 25 mijë lekësh për një kategori të madhe biznesesh të vogla.

“Të gjitha ato biznese që janë të vogla me qarkullim deri në 20 mln lekë, për ata pronarë që janë të vetëpunësuar dhe që ofrojnë shërbime si elektricist, hidraulik, këpucar, berber, etj, nuk do të paguajnë gjë. Deri më sot paguanin 250 mijë lekë në vit, por nuk do të paguajnë më”, deklaroi Rama. 

Shefi i qeverisë shfrytëzoi takimin e radhës për luftën ndaj informalitetit për të informuar edhe pjesën tjetër të bizneseve se në paketën e re nuk do të ketë rritje taksash. Por paralelisht me këtë garanci, ai lëshoi një mesazh të drejtpërdrejtë, veçanërisht për biznesin e madh. 

“Ju kemi dhënë mbi 600 mln dollarë kokër më kokër secilit sipas dokumenteve dhe nuk ju kemi më borxh. Tani borxhet që keni ju do t’i paguani një më një. Bëni dhe vetëdeklarimet. Jeni interesantë ju, thoni se do të mbroni të vegjlit. Nga kush i mbroni të vegjlit, nga ne? Ne duam t’i mbrojmë ata nga ju”, tha Rama. 

Duke ju përgjigjur zërave kritikë se aksioni kundër informalitetit po godet më të varfërit, kreu i qeverisë u kujdes të nënvizonte më shumë se një rast se ky aksion po bëhet pikërisht për të mbrojtur ata. 

“Ekonomia informale godet në radhë të parë më të dobëtit. Ekonomia informale nuk lejon që të dobëtit të forcohen dhe stimulon pasurimin marramendës të një grushti njerëzish dhe dizintegrimin social”, nënvizoi Rama. 

“Fokusi i operacionit është tek sipërmarrja e madhe dhe shifrat, kur krahasuam xhirot, tregonin që rritja më e madhe e deklarimit të xhiros vinte nga bizneset e mëdha”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj. 

Por edhe përfaqësuesit e biznesit patën pretendimet e tyre. “Jam shumë kurioz të mësoj se kujt deputeti apo deputetë ish-kryeministra i shërben futja në burg e sipërmarrësit privat për një nga shkeljet e miratuara apo të propozuara”, deklaroi Nikolin Jaka. 

Në dy muajt e fundit qeveria pretendon se beteja kundër informalitetit ka dhënë rezultate përtej pritshmërive edhe më optimiste. 

“27 mijë biznese janë regjistruar në këto 2 muaj, 73 mijë është numri i të punësuarve të rinj që janë regjistruar në periudhën shtator-tetor 2015. Sa i përket kuponëve të lëshuar gjatë periudhës së aksionit kemi një rritje prej 37 milionë kuponësh më shumë”, deklaroi një tjetër zyrtare. 

“Në këtë fazë janë monitoruar 7353 subjekte dhe është ndryshuar përgjegjësia tatimore për 2291 prej tyre. Nga kjo analizë u pa se rreth 10 për qind e subjekteve deklaroheshin me xhiro deri në 2 mln lekë, ndërkohë që xhiroja arrinte mbi 8 milionë, që janë subjekte të mëdha”, tha më tej Brisida Shehaj, drejtoreshë e përgjithshme e Tatimeve. 

Kryeministri u shpreh i vendosur që aksioni kundër informaliteti të vazhdojë me të njëtin intensitet dhe pas dhjetorit qeveria do të paraqesë edhe instrumenta të rinj. 

8 Komente

“Të gjitha ato biznese që janë të vogla me qarkullim deri në 20 mln lekë, për ata pronarë që janë të vetëpunësuar dhe që ofrojnë shërbime si elektricist, hidraulik, këpucar, berber,

 

pikerisht, te tilla  biznese si keta  berberet etj  hengren  gjobat dhe burgun per pune taksash e tatimesh kete peruidhe..  po hajd mo, le te quhen martiret e pare  ne luften kunder informalitetit..

Atdheu do tu jete mirenjohes pafundesisht leshpreresve dhe  rilindjes se leshit.

smiley

Gje e mire qe e kuptoi kaq gje.

fjala 'xhiro' dhe 'qarkullim' pyes, a jane e njejta gje smiley, se ketu njera perkufizon biznesin e vogel me 2M, tjetra 20M. Ky shkrim per gazete eshte, por ne ekonomi me zerot s'para behet shaka.

xhiro dhe qarkullim eshte ka te njejtin kuptim = turn over ose sales income. Biznesi i vogel jo me shume se 2 milion leke ne vit ose rreth 18 mije USD me kursin e tanishem. 

e di, e di o kuazi (prandaj perqeshja mesiper). ti rrofsh.

Nderkohe, Way to go Edi Rama - une nuk kisha besim se do merrej dot kthesa ne 2-3 muaj gje, kur i beri verejtjen FMN ne korrik. 

E vetmja menyre efikase per te detyruar bizneset e medhaja te deklarojne realisht xhiron e tyre eshte te detyrosh klientet e tyre (bisnezet me te vogla kryesisht tregetare por jo vetem) qe te kerkojne fature tatiomore sa her furnizohen apo sherbehen nga keto big business. Por, qe te realizohet kjo, duhet qe bizneset secondare te detyrohen te punojne me kasa fiskale dhe te presin kuponin tatiomor sa here qe shesin. Eshte pune e veshtire , por jo e pamundur. Dhe ne fakt qeveria duhet perkrahur dhe jo dekurajuar. Po kujt i thua se! Hajvaneve?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).