Kushdo sot e ka të vështirë të kuptojë, përsenë e stërdhunës, përdorur nga policia kosovare kundër liderit të opozitës, Albin Kurti. Shteti më i lodhur i Europës në sfidë për tu njohur në organizata ndërkombëtare demokratike, papritur nxjerr dhëmbët prej protezave të dhuruara.

Kujt i shërben kjo strategji frike nga trupat elite? Duket sikur nuk ka një arsye, por ashtu si na mëson Homeri, gjithmonë pas një eventi njerëzor ka gjithmonë shkaktarë dhe përfitues.

A del demokracia kosovare më e fortë duke futur në burg të sigurisë së lartë Albinin dhe jo ata që plaçkisin Kosovën dhe shpërndajnë apo shesin pasuritë e një populli? Sigurisht që jo, dhe kjo përkeqëson imazhin e Kosovës tek popujt perëndimorë, më e rëndësishme edhe sesa vetë mbështetja e qeverive evropiane.

A del shteti i Kosovës më i fortë se kjo? Pavarësia e Kosovës është në radhë të parë një produkt lirie nga dhunimi dhe genocidi serb. Si mund të replikojë në ADN-në e vet shtetformuese dhunën disproporcionale dhe pa motiv në vend të drejtësisë ndaj matrapazëve të pushtetit dhe kombit?

Sfida e Kosovës nuk është të ndërtojë një shtet dosido, por një shtet demokratik dhe funksional. Të dyja këto elementë rrezikohen rëndë prej projketit të Zajednicës dhe dhunës së protektorëve të tij sot.

Demokracia, ngrihet mbi parimin e shumicës që di të respektojë pakicën. Ky është parim universal i mendimtarëve liberalë dhe komunitarë, dhe në bazë të shteteve perëndimore sot në antitezë me forma apartejdi të dikurshme, ku vendoste pakica. Ky kusht është i tashmë i deformuar nga Kushtetuta e sotme dhe prishet plotësisht prej asaj të nesërme.

Nëse pakicës do i jepet një rol bllokues në fatet e vendit, paqja sociale nuk arrihet kurrë dhe me të e gjithë armonia e një shteti sovran. Paqja sociale arrihet pikërisht nga Vetëvendosja e një populli, që di të tregohet tolerant dhe dashamirës në të drejtat e pakicave dhe jo e imponuar. Në të kundërtën kemi insitucionalizuar padrejtësinë dhe urrejtjen duke minuar përfundimisht mundësinë e një shteti demokratik.

Për të njëjta arsye nuk do kemi as një shtet sovran as një shtet funksional. Pushteti do vazhdojë të mbahet ende nga forma etero-legjitimiteti, ku problemet e brendshme do gjejnë zgjidhje jashtë dhe mekanizmat e demokracisë do mbeten lëvozhga boshe, vatër e vemjeve dhe larvave.

Projekti Zajednica, jo vetëm që godet rëndë Kushtetutën politike por dhe kushtetutën ekonomike, duke pamundësuar popullin sovran të përdorë burimet e tij në ndërtimin e një ekonomie kombëtare.

Vizoni i një totalitarizmi të ri brenda skemave të parafabrikuara, ka mbërthyer mendjet e qytetarëve dhe intelektualëve shqiptarë. Kjo i pengon të ndërgjegjësohen për ndërtimin e një shteti të fortë që di të mbrojë interesat e tij përballë një gare globale ku nuk ka të mirë apo të këqinj por vetëm lojtarë në mbrotje të interesave të veta.

Monoteizmi ekonomik global, sot kërkon pikërisht disfunksionimin e shteteve dhe marrjen e vendimeve “diku gjetkë” jashtë proçeseve demokratike të popujve sovranë. Ky presion ekziston sot dhe vetëm shtete të forta me qeveri legjitime dhe jo kuklla mund të ofrojnë këtë siguri për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar. Prandaj, kjo perpsektivë nuk përmirëson as situatën e Kosovës por as të Serbisë, të cilat do jenë vazhdimisht brenda strategjisë së tensionit, pa mundur të ndërtojnë një të ardhme miqësore mes popujve dhe shteteve.

A forcohet apo përçahet më tej uniteti kombëtar në këtë mënyrë? Kujt i intereson kjo përçarje?

Velloja e këtij totalitarizmi të ri ngrihet mbi tentativat për kozmopolitizimin e shqiptarëve. Sa patetike por dhe sa efikase për mendjet e brishta të njerëzve. Si mund të kesh dashuri për të “largëtit” nëse nuk ke për “të afërtit”, për ata që jeton dhe sheh përditë që vuajnë si ty? Të jesh kozmopolitan duke injoruar “polisin” tënd? Kjo asimetri e telekomanduar mediatike vret empatinë dhe solidaritetin komunitar, bazë e një shteti demokratik dhe funksional.

Sot shqiptarët ndihen të përçarë përballë një situate të tillë deformuar nga qarku mediatik i pushtetit nga të dy anët e kufirit. Shqiptarët edhe pse populli më i varfër dhe me pushtetarët më të kamur të kontinentit, i nënshtrohen një ligjërate quasi fetare: “Nuk keni shoqëri tjetër përveç kësaj, pranoni këtë situatë, zgjidhni të keqen më të vogël, besoni tek evolucioni dhe mjafton të ruajmë stabilitetin”.

Disa i janë nështruar kësaj ligjërate, prej manipulimit, frikës apo dhe joshjes për tu bërë aspirantë plaçkitës në një të ardhme të afërt. Një pjesë e mirë e qytetarëve nuk e pranojnë dot këtë dorëzim tek fatalizmi vrastar dhe braktisin vendin ose guxojnë të ngrenë zërin.

Pikërisht këta të fundit tashmë po shtohen sepse po ndërgjegjësohen se nuk qenkan vetëm, por paska qindra mijëra të tillë që besojnë në një perspektivë të re. Një zgjidhje ku vetë qytetarët vendosin fatet e tyre pa ia deleguar më “elitave” të ngritura mbi pazare lokale, kombëtare apo ndërkombëtare.

Në mënyrë paradoksale, arrestimi i Albinit godet rëndë etero-legjitimitetin e pushtetit aktual dhe përshpejton ndërtimin e një shteti të ri demokratik, ku legjitimiteti nuk varet nga lojrat e pushtetit por nga përmbushja e vullnetit të popullit sovran, ashtu sikundër kushtetutat e vendeve demokratike e sanksionojnë.

Prandaj burgosja e Albinit në kushtet e sigurisë së lartë godet pikeërisht “sigurinë” e vazhdimit të oligarkisë aktuale, sepse vjedhja e qytetarëve dhe shitja e Kosovës tashmë identifikohet në fytyrat e pushtetit dhe jo diku gjetkë në istanca metafizike.

4 Komente

e nxorri koken edhe Amrika; albin don't fuck with us, jeni investim i joni, mall i joni, si te tille sovranitetin ua negociojme vete.

Demokracia, ngrihet mbi parimin e shumicës që di të respektojë pakicën. Ky është parim universal i mendimtarëve liberalë dhe komunitarë, dhe në bazë të shteteve perëndimore sot në antitezë me forma apartejdi të dikurshme, ku vendoste pakica.

Me demokracine dhe multikulturalizmin, sic po shohim te zhvillohen ato, fuqine e kane pakicat dhe diversiteti (sic eshte thene edhe tjeter here ketu).

Mbi kete baze, sado paradoksale, po, eshte e mundur te ndodhe e kunderta: pakica te bllokoje shumicen! Derisa ajo te kenaqet.

Keto loopholes te demokracise po mesojne t'i perdorin gjithnje e me mire te interesuarit... The system is deeply flawed. Not to use it, eshte e vetmja rrugedalje.

Me sa me kujtohet kte Albinin dyshohej se kan perpunu shum mire Serbet....e kishin te tyren ndonese ne burg qysh ne kohen e Bombardimeve te Serbise...ku ishte qartaz kunder. 

Oligarkite nuk do ken kurre Fund....veq dites se Qametit....kur te zbresi i Modhi ne toke. Kush thote te kunderten vec ju rren.

Me sa shof nuk do kete fund as nderhyrja e Serbise, fqinjit tone te mire e te Modh ne mbarevajtjen e puneve te Shqiptareve. Vazhdo Albin, shkaterro cte mundesh se Shkija di si rregullohen punet e Shqiptareve.

Marksist e Islamik burre te mir deri me sot nuk kam pa...ndertoni Guantanamon sa nuk eshte teper teper vone.

Sfida e Kosovës nuk është të ndërtojë një shtet dosido, por një shtet demokratik dhe funksional. Të dyja këto elementë rrezikohen rëndë prej projketit të Zajednicës dhe dhunës së protektorëve të tij sot.

Sa tjerr llafe e filozofira boshe, do te beje mire te zbertheje me argumente e llogjike te shendoshe se pse rezikohen rende nga projekti i Zajdenices ndertimi i nje shteti demokratik ne Kosove. 

Albini, dhe ata te tjere politikane e deputete qe e perkrahin, nuk kane pse te bejne rolin e cubit, le te ngujoheshin ne nje greve urije per te mbrojtur "kauzen e tyre".

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).