Një fotografi e panjohur e Bodlerit dhe mosbesimi i tij ndaj artit të ri, fotografisë.

Serge Plantureux është për t’u përshëndetur. Pas fotografisë së fundit të poetit emblematik, Vincent Van Gogh, të zbuluar para dy vjetësh mes miqve të tij impresionistë, ai tashmë ka zbuluar një tjetër fotografi të panjohur deri më sot të poetit të madh, Charles Baudelaire. Ai i ngjan një arkeologu që kërkon terrenet “e mbuluara të fotografisë së vjetër”, pra të fillimeve të para të fotografisë si teknikë dhe art, nga Felix Nadar e Etienne Carjat apo fotografët e tjerë të shquar në fund të shekullit XIX e më pas me personazhe të harruara nga pluhuri i kohës pas luftërave të mëdha të zhvilluara në Francë e në Europë. Atje, në atelierin e tij në Montreuil, ky eksplorator i një bote të shkuar, humbet sot midis fotografive të panjohura, mes pllakave të xhamit “autochrome”, “monokrom”, në pozitiv ose negativ, ku fshihen ende personazhe të një bote të largët të padeshifruar dhe që duhen identifikuar.

Zbulimit të tij të fundit të një fotografie të Baudelaire, ai i ka kushtuar një numër reviste Cahiers de Photographie (Nicéphore) si dhe një anketë apo studim krahasimor me burime të tjera të kohës, fotografi të vjetra, dëshmi, duke arritur në rezultatin se kjo fotografi është pikërisht ajo e poetit të madh, dalë në studion e fotografit Carjat. Në ekranin e koordinatorit të tij ai të tregon gjithë këtë proces «hetimor» çka bën vërtet një specialist në deshifrimin e një dokumenti apo zbulimin e një personazhi. Dhe këto gjëra janë gjithnjë e më të rralla, pasi duhet të njohësh rrethanat, afërsitë e personazheve, pikëtakimet e tyre me personazhe të tjera të njohura të së njëjtës kohë për të arritur në analizën e fundit: po, ajo figurë në këmbë, me kokën që zgjatet anash një ndarje, në një atelier fotografi ku po fotografohet një miku i tij, është vetë Baudelaire, ai që në kohën kur shkruante Lulet e së Keqes e më pas Spleen, nuk e donte fotografinë, edhe pse një nga miqtë e tij ishte një nga pionierët më të lavdishëm të fotografisë europiane, Felix Nadar, ai që na transmetoi portretet e figurave më të mëdha të Francës të shekullit XIX.

E megjithatë, Baudelaire ishte nga ata që e mallkoi fotografinë, duke e fshikulluar me kritika të rënda. Por në fund të jetës së tij, ishte pikërisht Baudelaire që do të joshej edhe ai nga fotografia. Pra a ishte fotografia art? A do të bëhej e tillë? Kur ndodhi kjo?…

Shumë pyetje rreth fotografisë që lidhen padyshim me zhvillimet artistike në këtë fushë dhe me emrat e gjenive të fotografisë, mes të cilëve kemi dhe Gjon Milin, shqiptarin tonë. Kur Baudelaire shkruante kritikat e tij rreth fotografisë, atij i kishte mbetur dhe një dhjetëvjeçar për të jetuar, pasi ai po shuhej ngadalë i shkatërruar nga zhgënjimet, problemet familjare, pijet, zhgënjimet në botën sentimentale, sëmundja e sifilizit në sajë të prostitutës dhe të dashurës së tij të njohur, Sarah La Louchette etj. Atë kohë Baudelaire shkruante e botonte mjaft mbresa nga Sallonet e Pikturës që zhvilloheshin çdo vit në Paris. Atëherë ai mendonte se fotografia ishte idolatri, sepse ajo i jepte përparësi imitimit, në vend që t’i jepte udhë imagjinatës artistike. “Industria, duke u futur në fushën e artit, bëhet një armike vdekjeprurëse e vetë artit, – shkruante ai. – Poezia dhe progresi janë dy ambiciozë që urrehen në mënyrë instinktive mes tyre dhe kur ata takohen gjatë rrugës, duhet që njëra nga ato t’i shërbejë tjetrës”.

Baudelaire ishte kundër kopjimit të natyrës dhe ja pse ai nuk i donte piktorët dhe poetët “natyralistë”, siç i quante ai. Në artikullin e tij “Publiku modern dhe fotografia” Baudelaire shkruante: “Dëshira për të habitur dhe për të qenë i habitur është shumë legjitime. “It’s a happiness to wonder”, pra “është një lumturi të jesh i habitur”, por gjithashtu është lumturi dhe të ëndërrosh. Çështja është se në ç’formë ju doni të krijoni ose të ndieni habinë, sepse e Bukura është gjithnjë e habitshme. Do ishte absurde të mendohej që ajo që është e habitshme është gjithnjë e bukur. Por publiku ynë, i cili është i pafuqishëm të ndiejë lumturinë e ëndërrimit ose të admirimit (shenjë kjo e shpirtrave të vegjël) kërkon të habitet nga mjetet e huaja për artin. Dhe artistët e bindur i përshtaten kësaj shije; ata duan të godasin, të fanepsin me stratagema të padenja, pasi ata janë të pazotë të çajnë në ekstazë para taktikës natyrale të artit të vërtetë. Në këto ditë të mjera, një industri e re po zhvillohet, e cila kontribuon në konfirmimin e budallallëkut që e shkatërron atë çka mund të mbetej e shenjtë në shpirtin francez…”

Duke vazhduar në shkrimin e tij mbi sallonin e artit të vitit 1859, Baudelaire shtonte se “Unë besoj, që arti është dhe nuk mund të jetë tjetër gjë veçse një riprodhim ekzakt i natyrës. Kështu, industria që do të na jepte rezultatin identik të natyrës do të ishte arti absolut. Një zot hakmarrës e realizoi dëshirën e turmës: Daguerre ishte vetë Mesia e tyre. Dhe atëherë turma tha: Meqë fotografia na jep gjithë garancitë që duam rreth saktësisë (këta të gjorë besojnë në këtë) arti atëherë është fotografia. Që nga ky çast, kjo shoqëri, bota e ulët, u dha si një Narcis për të kundruar imazhin e vet banal mbi metal. Një çmenduri, një fanatizëm i jashtëzakonshëm pushtoi këta adhurues të rinj të diellit. Kështu industria hyri në fushën e artit dhe u bë armikja më vrasëse për të ”.

Në këtë tekst të Baudelaire mund të përqendrohemi në tri çështje themelore: e para habia padyshim që kjo është gjëja e parë që na godet para të Bukurës, veprës artistike dhe të bukurës në tërësi. A e arriti fotografia këtë që nga krijimi i saj e deri më sot? Le t’u referohemi fotografëve më të mëdhenj apo njërit prej tyre, me origjinë shqiptare, Gjon Mili. A e habiti ai botën, por edhe vetë Picasso-n me fotografitë e tij? Të gjithë kritikët janë në një mendje: po, e habiti! E dyta: Baudelaire thotë se arti nuk duhet të jetë riprodhimi ekzakt i natyrës. Le t’i referohemi përsëri veprës së Gjon Milit. Vallë fotografitë e tij janë riprodhim identik i realitetit, imazhit që ka përballë, apo është një interpretim, është një imazh i menduar, një fotografi që sugjeron diçka duke përçuar madje një mesazh, çka na çon në lëmin e artit. Gjon Mili vizaton përmes dritës sikur vizaton me dritë vetë mrekullinë apo “habinë” që kërkonte Baudelaire. Ai rikrijon një realitet artistik mbi realen, pra atë që sheh vetë syri. Së treti: a mbeti publiku në stadin e Narcisit, siç paralajmëronte Baudelaire për turmën në raport me fotografinë? Varet cili publik. Është e vërtetë që në kohën e internetit, “Facebook”, miliona banorë të rruzullit tokësor kanë rënë pre e një ndjesie narcisike. Por nuk është vetëm kjo. Kjo hyn në kuadrin e dëshmisë apo të korrespondencës njerëzore, pikëtakimeve, kontakteve, njohjes së tjetrit etj.

Për sa i përket artit të fotografisë, ashtu si çdo art tjetër, ai krijohet jo për vetveten, por është një akt social, shtron një problem, kërkon të përçojë një mesazh, të sensibilizojë një shtresë, një klasë, një popullatë, pra arti kërkon të lëvizë shoqërinë drejt një ideje. Këtu jemi në sferën e artit dhe jo të aspektit narcisik të fotografisë. Edhe këtu Baudelaire ka gabuar, edhe pse ai e mbaronte shkrimin e tij me këto fjalë: «Që artisti ndikon mbi publikun dhe publiku mbi artistin, ky është një ligj i pakundërshtueshëm dhe i parezistueshëm. Dhe faktet, dëshmitare të tmerrshme, është lehtë t’i studiosh. E po kështu shkatërrimin mund ta konstatosh. Nga dita në ditë arti po e humb respektin ndaj vetvetes duke u tërhequr para realitetit të jashtëm. Piktori gjithnjë e më shumë detyrohet të pikturojë jo atë që ëndërron, por atë që shikon. Megjithatë, është lumturi të ëndërrosh dhe ishte e lavdishme të shprehje atë që dikur ëndërronim. Po ç’them? A e ka ende ai këtë lumturi? Një vëzhgues serioz do të pohonte se invazioni i fotografisë dhe çmenduria e madhe industriale, janë të huaja plotësisht. A mund të mendohet që një popull, sytë e të cilit mësohen t’i konsiderojnë rezultatet e një shkence materiale si produkt i së bukurës, pas një kohe të humbasë aftësinë të gjykojë e të ndiejë atë çka është më ajrore dhe më imateriale?…»

Baudelaire mund të vazhdonte ende në kritikën e tij, por sidoqoftë nga fundi i jetës së tij ndoshta dhe ai, i joshur nga kjo shpikje e madhe e shkencës, mendoi se ajo po bëhej gradualisht diçka që kishte të bënte me artin. Madje, tetë vjet më vonë, duke parë fotografitë e mikut tjetër, artistit Etienne Carjat, ai i shkruante: “Rrallë kam parë diçka të tillë kaq mirë. Kam turp të kërkoj kaq shumë gjëra dhe nuk di si t’u falënderoj, por nëse nuk e keni prishur klishenë, më bëni disa riprodhime… disa, dhe kjo do të thotë se ju mund t’i bëni. Dhe që të mos bëhem i pacipë, do të doja të më kthenit përgjigje, por jo të ashpër… 6 tetor, 1863.» Pikërisht në këto kohë Baudelaire i shkruante nënës së tij : «… Do doja shumë të kisha portretin tënd. Është një ide që tani më ka pushtuar…” Pra, Baudelaire, pak nga pak po kuptonte rëndësinë e fotografisë, të paktën si dëshmi historike.

Fotografia e zbuluar nga galeristi Serge Plantureux është një fotografi disi e veçantë. Baudelaire, disi pas perdes, një figurë njeriu që sheh nga aparati, kureshtar. Vallë do të thotë diçka? Çfarë?… Carjat po fotografon në studio një mikun e tij, Arnauldet, dhe duket se Baudelaire është i pranishëm gjatë asaj seance fotografimi. Vallë ka ardhur të fotografohet dhe ai? Sigurisht. Ja ku duket «redingota» e tij, e gjatë. Po, kjo fotografi e fundme i shtohet 15 portreteve që njohim gjer më sot nga Baudelaire të fotografuara nga viti 1855 deri në vitin 1866: katër fotografi të Nadar (me duar në xhepa apo dorën futur në “redingote”), tre të Carjat, (1861, 1863, Rue Laffitte), 2 të Charles Neyet (Bruxelles, 1865), etj. Sidoqoftë, fotografia e parë është ajo e Nadar në Rue St. Lazare, me dorën mbështetur në mjekrën e tij.

Mjerisht, Baudelaire nuk do ta jetonte kohën që vërtet fotografia të bëhej art. Kjo do të vinte më vonë, veçanërisht në shekullin XX, kur fotografia nga roli tregues, dëshmues, kaloi në sferën e artit, në atë të mesazhit dhe krijimit të së bukurës në art, njëlloj siç kishte kaluar kinematografia nga artizanët e saj, vëllezërit Lumières, tek iluzionisti Georges Melies, regjisori i parë i kinematografisë. Kur i sëmurë rëndë, Baudelaire u kthye në Paris, miku i tij, Nadar, shkonte dhe e merrte ta shëtiste që ai të shikonte ende botën njerëzore të cilës ai i këndoi. Por kjo do të vazhdonte veçse një vit, gjer ditën kur Nadar e gjeti atë kur sapo kishte dhënë shpirt në krahët e nënës së tij. Vite të shumta kaluan, dhe Nadar vdiq, po kështu dhe Carjat… Të tjerë gjigandë të fotografisë po ashtu, si dhe Gjon Mili që «shkruante» me dritë. Por fotografia bëri rrugën e vet, edhe pse Baudelaire e shikonte me mosbesim këtë shpikje të shkencës që më pas do të hynte në sferën e artit. Nuk ishte teknika, por shpirti që njeriu vuri në «camera obscura»…

4 Komente

smiley

jom kurioz se kush nga peshqit ka per te diskutu ne 3 temat e fundit te kendit te kultures homculus "se bunkeri zotrie ...".

 

kur duam te shijojme kulture, shkojme ne Royal Opera House, Royal Albert Hall, TATE Modern, National Portrait Gallery etc.

peshku eshte specializuar per gjera te tjera.

po ti tiku, vazhdo beji ndonje recence ketij shkrimit. look after the silent minority that makes up your fan base.

Per çfare eshte specializu Peshku, per banalitete dhe merzi, apo per te tall koqet me kushmos? Apo per te shit mend me kulturen e larte te Orkestres se Operas dhe Baletit?

Nuk ka pike kuptimi gjuetia per fansa ne gjendje anonimati, por edhe ne gjendje njohurie, pak me interesojne fansat, me interesojne vetem per te krijuar atmosferen e duhur, sepse nuk mund te ekzistohet midis urrejtjes ose mosperfilljes. Kryesisht shkruaj sepse me jep kenaqsi akti i te shkruarit, e per me teper sepse gjate shkrimit gjej ide qe ndryshe nuk do te mund t'i zbuloja. Dhe pikerisht kjo eshte kenaqsia me e madhe.

Por ç'eshte me e rendesishme shkruaj ne Peshk per te qetsuar ndergjegjen ne nje fare menyre, sepse nuk jam qylaxhi, nuk mund te marr pa dhene. Dhe ky eshte sekreti i ekzistences, çfardo lloj ekzistence, individi a komuniteti, apo blogu ne rastin tone. Nuk mund te ekzistoje nje blog me qylaxhij qe vetem hane pa i dhene kolegeve te hane. Dhe kjo eshte diferenca kryesore e Peshkut te hershem, me Peshkun e sotem.

   

Gjynah qe Baudelaire nuk e lexon dot kete shkrim. Do kish mbetur "i habitur" nga elokuenca dhe kunderprovat me te cilen hidhen poshte tri verejtjet e tij per fotografine: Gjon Mili mahniti gjer edhe Picasson; Gjon Mili nuk riprodhonte realitetin; "Është e vërtetë që në kohën e internetit, “Facebook”, miliona banorë të rruzullit tokësor kanë rënë pre e një ndjesie narcisike. Por nuk është vetëm kjo".

Nejse, faleminderit sidoqofte per hijen e ndrojtur te poetit ne cep sfondit dhe per citimin e opinionit te tij mbi fotografine.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).