Një botë e tërë fshihet aty brenda. Jo vetëm bota shqiptare, e cila vjen nga thellësia e shekujve, qysh kur për së pari filluan të këndoheshin në shqip formulat e shenjta mbi ballin e foshnjave, e kur Buzuku, Budi e Bogdani gdhendën në germë gjuhën e nënës. Janë dijet, përpjekjet, luftërat, dashuritë, urrejtjet, gjithë fantazitë e botës… 



Të gjitha janë mes librash. Kanë kaluar 95 vjet që nga themelimi i Bibliotekës Kombëtare, një prej institucioneve kulturore më të rëndësishme të Shqipërisë. Një nga ato institucione që të lidhte me botën, edhe atëherë kur shqiptarët ishin tërësisht të izoluar. Si institucioni i pari shtetëror, publik dhe laik në fushën e kulturës, Biblioteka Kombëtare u themelua më 10 Korrik 1920 nën drejtimin e prof. Mati Logorecit, i caktuar në atë kohë nga Ministria e Arsimit.

Në këtë rrugëtim të gjatë, gati shekullor, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë u shndërrua në burimin kryesor të dijes për të gjithë shqiptarët. Si qendra e vetme arkivore për botimet shqip, BKSH ruan thesarin kulturor të shkruar të kombit tonë. 

Në koleksionet e saj janë mbledhur dhe ruajtur me fanatizëm të skajshëm, si gurë të çmuar, e gjithë historia e shkrimit dhe botimeve shqipe, identitetit dhe kulturës së kombit shqiptar, prej Mesharit të Buzukut (1555), riprodhuar nga At Justin Rrota, deri në botimet më të fundit dalë nga shtëpitë botuese pak ditë më parë. Vetëm një fond i vogël prej 3 mijë librash të Bibliotekës së “Komisisë letrare shqipe” dhe të shoqërisë “Vllaznia” shërbeu në vitin 1920 si bërthama për krijimin dhe themelimin e Bibliotekës Kombëtare, për të arritur 95 vjet më pas në një fond prej 1.1 milion njësish, duke përfaqësuar kështu arkivin dhe thesarin më të pasur të kulturës së kombit shqiptar.


Një nga ndërtesat e para që ka shërbyer si godinë e BKSH-së

Në këtë rrugëtim, Biblioteka Kombëtare si institucion kulturor rrugëtoi në kontekstet shpesh të vështira të rrjedhës së historisë, por e mbështetur në dëshirën dhe dashurinë e fortë të shqiptarëve për librin, kulturën dhe dijen. Përgjatë vitesh, BKSH u drejtua nga patriotë e atdhetarë, personalitete dhe intelektualë të shquar të kulturës shqiptare, të cilët lanë gjurmë në historinë dhe ecurinë e saj, duke kapërcyer vështirësitë, duke sjellë risi në etapa të ndryshme të zhvillimit.

Ky zhvillim nuk mund të kuptohet pa drejtues të tillë si Karl Gurakuqi, Viskë Babatasi, Sotir Kolea, Akile Tasi, Aleks Buda, Zef Mala e Haki Stërmilli, si edhe më tej në linjë kronologjike Marika Vogli, Valdete Sala, Shpëtim Çuçka, Nermin Basha, Vjollca Gjoka dhe Aurel Plasari.

Në vitin 2002, Biblioteka Kombëtare, me rastin e 80-vjetorit të përurimit të saj, u dekorua me Urdhrin e Lartë të Artë “Nderi i Kombit”, i akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacioni “si institucioni i parë kulturor dhe më i vjetër i shtetit shqiptar, sot institucioni kryesor bibliotekar i vendit, si dhe qendër studimore shkencore që kryen njëherësh funksionin e bibliotekës kombëtare dhe publike”.


Një nga sallat e vjetra të leximit

Sot, BKSH është jo më vetëm një institucion arkivor që ruan dëshminë dhe trashëgiminë e shkruar, por mbi të gjitha, një dritare gjithnjë e hapur drejt dijes, një nxitje për të shkuar në botën e magjishme të librit, të studimit dhe nxënies. Në ditët e sotme, kur zhvillimi marramendës i teknologjisë të mundëson aksesin e shpejtë në informacion, kurdo dhe kudo, Biblioteka mbetet një burim i pashtershëm informacioni të strukturuar dhe të sigurt, gjithmonë e gatshme për t’i shërbyer lexuesit dhe për të lehtësuar qasjen në informacion.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë aktualisht numëron në fondet e saj rreth 1.176.720 materiale bibliotekare, libra, periodikë, harta, atlase, mikrofilma e materiale të tjera. Fondi i arkivit të botimeve shqip, i antikuarit, i dorëshkrimeve, hartave, si dhe fondi i albano-balkanologjisë përbëjnë pasuri me vlera të mëdha për thesarin e kulturës kombëtare shqiptare e, si të tilla, edhe të kulturës europiane. 

THEMELIMI I BIBLIOTEKËS KOMBËTARE

Institucionet bibliotekare të shqiptarëve janë relativisht të reja, por tradita bibliotekare në Shqipëri është e vjetër. Prania e tyre është e pandarë nga lashtësia e gjuhës dhe kulturës së popullit shqiptar, dëshminë e tyre e tregojnë edhe zbulimet arkeologjike. Qendra të depozitimit të dokumenteve ka pasur në Durrës, Apoloni, Lezhë, Finiq, Berat etj. Në Mesjetë qendrat kryesore të grumbullimit të librave ishin kryesisht manastiret dhe kuvendet, si ato të Svërnecit, Filatit, Gjiromerit etj. 

Një nga bibliotekat më në zë të shek. XVIII është ajo e Voskopojës. Ngritja e shtypshkronjës më 1720 dhe hapja e akademisë më 1744 u shoqërua me një bibliotekë të pasur, ku ruheshin kode, dorëshkrime, vepra të klasikëve grekë, latinë e francezë, libra të botuar në Venedik etj. Shënime të kohës dëshmojnë për ekzistencën e bibliotekave të tjera të familjeve të mëdha, si ajo e familjes Vlora në shek. XVII-XVIII, e Myftiut të Tabakëve në Shkodër, ajo e Teqes së Shën Hasanit në Berat, Manastirit të Ardenicës etj.

Në shek. XIX-XX bibliotekat ishin kryesisht pranë institucioneve fetare ose biblioteka private të personaliteteve të shquara, që jo vetëm ruajtën traditën e bibliotekave, por edhe ndikuan në forcimin e dashurisë dhe dëshirës së shqiptarëve për dije dhe kulturë. Pas shpalljes së Pavarësisë, u ndje gjithnjë edhe më tepër nevoja e krijimit të një institucioni kulturor, i cili do të shërbente për përhapjen e dijes dhe kulturës. 

Fillesa e saj ishte krijimi më 16 prill 1917 i “Komisisë Letrare” në Shkodër, si organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, me nismën e një grupi patriotësh të kryesuar nga Luigj Gurakuqi. Si fonde të kësaj biblioteke shërbyen librat që zotëronin shtypshkronjat “Nikaj” dhe “Zoja e Papërlyeme”, rreth 3000 vëllime.


Foto historike e ambienteve të brendshme të BKSH-së

Drejtues i kësaj biblioteke u caktua Hilë Mosi. Pas shpërndarjes së Komisisë Letrare në 1918, fondi kaloi në kujdestarinë e shoqërisë “Vllaznia” dhe më pas transferohet në Tiranë pranë Ministrisë së Arsimit, e cila më 10 korrik 1920 themeloi Bibliotekën Kombëtare nën drejtimin e prof. Mati Logorecit. E njohur fillimit si Biblioteka e Shtetit, pas përurimit të saj dy vite më vonë, u emërtua Biblioteka Kombëtare. 

Ky fond shërbeu si bërthamë për krijimin e të parit institucion shtetëror laik në fushën e kulturës. Karl Gurakuqi, një nga figurat më të rëndësishme të kohës, atdhetar e patriot, u emërua drejtori i parë i përkohshëm i Bibliotekës Kombëtare, pas një përvoje si sekretar i “Komisisë Letrare”, ku u përkujdes për krijimin e një biblioteke albanologjike. Ai organizoi edhe përurimin zyrtar të BK, më 28 nëntor 1922, në një datë historike për kombin shqiptar. 

Nga dita e themelit të saj u bë një përpjekje e jashtëzakonshme për pasurimin e këtij fondi, si dhe për riorganizimin e bibliotekës si institucion kombëtar. Në momentin e përurimit, ajo kishte rreth 6.000 vëllime në fondin e saj. Pas ngritjes së saj më 1920, thirrjet për dorëzimin e detyruar të ekzemplarëve dhe pasurimin e fondit te arkivit të tij, ishin të vazhdueshme. 

Përpjekjet e patriotëve e intelektualëve të kohës nuk u mjaftuan vetëm me krijimin e BK, ato vazhduan edhe me pasurimin e këtij institucioni të ri kulturor e kombëtar, si dhe me ngritjen e bibliotekave të tjera publike në mbarë vendin. Vitet e para të ekzistencës si institucion shënuan edhe fluksin më të madh të dhurimeve dhe thirrjeve për të ndihmuar në pasurimin e fondit të saj nga patriotë dhe intelektualë të kohës, së cilës iu bashkuan atdhetarë dhe shoqëri atdhetare-kulturore brenda dhe jashtë vendit. 

Biblioteka personale e një prej figurave më të shquara të kulturës kombëtare, Mithat Frashëri, ruhet në fondet e BK të Shqipërisë. Krahas Mithat Frashërit, radhiten edhe figura të shquara të kulturës e historisë shqiptare, si Ilo M. Qafëzezi, Hil Mosi, Kristo Floqi, Spiro Dine, dr. Mihal Turtulli, Rexhep Mitrovica etj. Kësaj çështjeje tejet të rëndësishme për kulturën dhe kombin shqiptar iu bashkuan dhe albanologë e balkanologë dhe dashamirës të huaj të mirënjohur, si Gustav Weigand, Karl Reinhold, Antonio Baldaçi, Leo Freundlich, Francesko Argondica etj. 

Përgjatë këtyre viteve, me një veprimtari të shquar Biblioteka Kombëtare u drejtua nga atdhetari dhe lëvruesi i gjuhës shqipe, Sotir Kolea, (1928-1937) dhe falë tij spikati edhe veprimtaria e këtij institucioni kulturor. 

Është gjithashtu meritë e tij vënia në baza shkencore dhe pasurimit të fondit të librave dhe dokumenteve me vlera të veçanta kombëtare. Rreth viteve ’30, me shtimin e personelit, të gjithë librat e mbledhur ndër këto vite filluan për herë të parë të sistemoheshin. Kjo nismë, mjaft mirë mund të konsiderohet si një punë e mirëfilltë në fushën e bibliotekonomisë, me katalogimin, regjistrimin e të dhënave, të përdoruesve të bibliotekës etj., dhe si fillesat e punës shkencore të bibliotekonomisë. 

BIBLIOTEKA KOMBËTARE PAS LUFTËS II BOTËRORE 

Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Bibliotekën Kombëtare me një koleksion prej 15 mijë vëllimesh. Ajo u vendos në një nga ndërtesat më të mira të asaj kohe, e cila shërben edhe sot si “aneks” i saj. Koleksionet me karakter albanologjik, por jo vetëm, u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit dhe sekuestrimit të disa librarive dhe bibliotekave private të personaliteteve të kulturës dhe të institucioneve fetare, pas përfundimit të luftës. 

Në fund të vitit 1947, fondi i saj numëronte rreth 100 mijë vëllime. Për herë të parë, në vitin 1948, u vendos me dekret “Mbi dërgimin e detyrueshëm të shtypshkrimeve Bibliotekës Kombëtare”, sipas të cilit asaj i dërgoheshin falas një numër ekzemplarësh të çdo shtypshkrimi të vendit. Një ngjarje tejet e rëndësishme kjo për zhvillimin e mëtejshëm të saj, si dhe pasurimit të fondit arkivor. Ky dekret e shndërroi BK-në në qendrën e vetme dhe kryesore arkivore të të gjitha botimeve në vend. 

Kjo i çeli udhën edhe hartimit dhe më pas botimit të një prej punëve përpunuese më të rëndësishme të saj, “Bibliografinë Kombëtare të librit shqip”. Dekreti i viti 1948 është ndryshuar e plotësuar disa herë. Me plotësimin që iu bë këtij vendimit në vitin 1972, kjo sasi u rrit në 15 kopje.

Nga institucion në vartësi të Institutit të Shkencave, në vitin 1959 BKSH kaloi në vartësi të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës, ndërkohë që në vitin 1966 ajo u zhvendos sërish, tanimë në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës, ku gjendet edhe sot.

Një rëndësi të veçantë përbën edhe përfshirja shumë herët në organizmat ndërkombëtarë si UNESCO dhe IFLA, të cilat kanë sjellë ndryshime radikale në ecurinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të BKSH-së. Një nga prioritetet e vazhdueshme të BKSH-së ka qenë edhe mbetet formimi dhe kualifikimi i punonjësve të bibliotekave, në mbarë vendin. 

Shkolla e Kombëtare e Bibliotekonomisë funksionon në Bibliotekën Kombëtare që nga viti 1969. Vitet ’90 sollën mundësi ndryshimi edhe në politikat e BKSh-së. Fondi i saj ishte rritur ndjeshëm përgjatë 45 viteve, duke arritur në rreth 700 mijë njësi. Tani, nga modeli i bibliotekave të Europës Lindore, me kufizime të skajshme në sigurimin e informacionit dhe shfrytëzimin e disa kategorive të literaturës, ajo kaloi në heqjen e barrierave kufizuese të kësaj natyre, duke shkuar drejt lirisë së plotë të informacionit për përdoruesit.

Në vitin 1992, dekreti për depozitimin e ekzemplarit të çdo botimi u rishikua, dhe botuesit detyrohen të depozitojnë pranë BKSH-së 5 kopje të çdo botimi të tyre. Biblioteka Kombëtare është edhe iniciatore e festimit ne Shqipëri e Ditës Ndërkombëtare të Librit -23 prill. Sot, 95 vjet nga themelimi, Biblioteka Kombëtare ruan në fondet e saj rreth 1.176.720 njësi bibliotekare. 

Në dekadën e fundit vërehet një rritje e vazhdueshme e frekuentimit të saj, veçanërisht të moshave të reja, të cilët gjithnjë e më shumë po i afrohen librit dhe bibliotekës. Biblioteka Kombëtare ka tashmë mesatarisht rreth 6 mijë anëtarë në vit dhe qarkullon mbi 200 mijë njësi bibliotekare, krahas vizitorëve të shumtë, që shfrytë- zojnë shërbimet online të BKSH-së si burime referuese. 

INKUNABULAT DHE ANTIKUARËT, THESARET E BKSH-SË

Thesari më i çmuar, jo vetëm për Bibliotekën Kombëtare, por për të gjithë kombin dhe kulturën shqiptare, është koleksioni i antikuarëve dhe inkunabulat. Koleksioni i antikuarëve përbën një fond të posaçëm, shumë të rëndësishëm, jo aq për nga numri i vëllimeve sesa nga përmbajtja e tij. 

Përmban 2464 vepra të rralla të botuara në shekujt XV-XVIII, përfshirë edhe veprat e para në gjuhën shqipe të Gjon Buzukut, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Frang Bardhit dhe të Jul Varibobës, si dhe veprat në latinisht të humanistëve shqiptarë Marin Barleti, Marin Beçikemi dhe Dhimitër Frangu. Pjesë e këtij koleksioni janë edhe botimet e Voskopojës që i takojnë shek. XVII-XVIII, si dhe 7 inkunabula.

Libri më i vjetër i këtij koleksioni është vepra e Papa Piu II “Epistolae de Conventu Mantvano”, botuar në Milano në vitin 1473, e cila është pjesë e fondit të BKSHsë falë një prej personaliteteve më të spikatura të kulturës dhe kombit shqiptar, Mithat Frashërit, i cili ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme. Vepra ka vlera të veçanta për historinë kombëtare, pasi në të theksohet mundësia e pjesëmarrjes së shqiptarëve dhe e Skënderbeut në koalicionin kundërosman të krishterëve. 

Po kaq i rëndësishëm është edhe fondi i dorëshkrimeve, rreth 1189 njësi, ku përfshihen kryesisht dorëshkrime në gjuhët orientale (arabisht, osmanisht dhe persisht). Të një rëndësie të veçantë janë edhe munsheatet për veprimtarinë e Ali Pashë Tepelenës e të Mustafa Pashë Bushatit, për historinë e qyteteve të Tiranës e të Shkodrës etj. 

Në këtë fond ruhen vepra të shkruara shqip me alfabet arab të shek. XVIIXIX, si dhe një numër i vogël dorëshkrimesh në gjuhët perëndimore, ku veçojmë veprën në dorëshkrim me 6 vëllime të albanologut hungarez Franc Nopça “Albania. Notizbücher”. Në vitin 1965, Biblioteka Kombëtare, si qendra më e madhe në vend e përpunimit të informacionit me karakter albanologjik, botoi një vepër madhore, bibliografinë tematike me shënime (shqip-anglisht), “Albanica 1”. 

BKSH, QENDRA KOMBËTARE BIBLIOGRAFIKE

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë është edhe qendra e vetme bibliografike në vend. Prej vitit 1959 përgatitet dhe publikohet Bibliografia Kombëtare e Librit që botohet në Shqipëri, ku regjistrohen të gjitha materialet e botuara në formë libri, të cilat sigurohen përmes ekzemplarit të detyruar. 

Prej vitit 1961, botohet çdo muaj Bibliografia Kombëtare e artikujve të periodikut shqiptar, ku përshkruhen artikujt kryesorë të shtypit me përparësi historinë, gjeografinë, letërsinë, kulturën dhe artet shqiptare, studimet albanologjike etj. Ndërkohë informacioni për shtypin shqiptar para vitit 1961, duke përfshirë periudhën kohore 1913-1960, është i botuar në Bibliografinë retrospektive. 

Në vitin 1969, BKSH u bë pjesë e botimit bibliografik të UNESCO-s “Index Translationum” me të gjitha përkthimet që botohen në Shqipëri. Bibliografitë e përgatitura ndër vite nga Biblioteka Kombëtare, si burime referuese, janë me vlera unike për të gjithë studiuesit. BIBLIOTEKA KOMBËTARE, NË EPOKËN DIXHITALE Në shek. XXI zhvillimi teknologjik ka qenë marramendës. Teknologjia ka ndryshuar rrënjësish mënyrën tonë të jetesës, menduarit, studiuarit, rrugën për të shkuar te informacioni. E sigurisht që, ka ndryshuar edhe zakonin tonë të të lexuarit. 

Në epokën dixhitale, ku mbizotëron Interneti, WWW (World Wide Web), e-book, e-reader, Facebook, Twitter, Instagram, Smartphone-t, dhe aksesi i shpejtë dhe i menjëhershëm në informacion, kudo dhe kurdo, “të qenurit online” është mënyrë jetese në mbarë globin. Në këtë rrjedhë të furishme ndryshimesh teknologjike, por edhe “mendësish”, Biblioteka Kombëtare kurrsesi nuk mund të mbetej pas. 

Nuk mund të flitet më për një rol dhe funksion “tradicional” të bibliotekave, jo se kjo mënyrë është shuar apo harruar, por bibliotekat dhe bibliotekarët po kërkojnë dhe po krijojnë rrugë të reja për të ndihmuar dhe orientuar publikun drejt informacionit të shpejtë dhe të saktë.

Në vitin 1994, në Bibliotekën Kombëtare filloi katalogimi në një sistem të automatizuar, përmes përpunimit dhe regjistrimit elektronik të të gjithë fondit të saj arkivor. Shfrytëzimi i kërkimit elektronik, përmes Katalogut elektronik (OPAC), ka lehtësuar rrënjësisht aksesin në informacion. 

Prej 10 vitesh, Biblioteka Kombëtare, përmes faqes së saj zyrtare (www.bksh.al), ofron një sërë shërbimesh të rëndësishme online si: Katalogët Online, Katalogët e Dixhituar, Biblioteka Dixhitale, e-Bibliografi etj., duke pasur vit pas viti rritje shumë të shpejtë të frekuentuesve të saj. 

Vetëm gjatë vitit 2014, rreth 100 000 vizitorë, nga vende te ndryshme të botës, krahas Shqipërisë, kanë shfrytëzuar si burime referuese shërbimet online të Bibliotekës Kombëtare. Prej disa vitesh ka nisur puna për dixhitimin e atij thesari të çmuar, që prej gati një shekulli ruhet me shumë fanatizëm në fondin e BKSH-së. ‘e-Albanica’ përfaqëson Bibliotekën Dixhitale Albanologjike dhe në të janë përfshirë vepra të rralla të BK-së, dorëshkrime, harta dhe periodikë, të shekujve XV-XIX në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera. 

Aktualisht janë dixhituar 16 antikuarë; 14 dorëshkrime; koleksioni prej 75 hartash të rralla; koleksionet e plota të periodikëve të rëndësishëm të historisë së shtypit shqiptar, si “Albania”, “LEKA”, “Hylli i Dritës” dhe “Diturija”. Ky fond së shpejti do të pasurohet edhe me tituj të tjerë të rëndësishëm, duke u ardhur në ndihmë të gjithë studiuesve dhe dashamirësve të saj. 

Shumë lehtë i aksesueshëm për përdoruesin është edhe fondi elektronik i disa prej bibliografive më të rëndësishme të BKSH-së përmes shërbimit online, “e-Bibliografi”. Në të gjenden në formatin elektronik dy bibliografitë më të rëndësishme të librit shqip: “Bibliografia e librit shqip 1555-1912”, R. Vozga (2010) dhe “Bibliografia e librit shqip 1913-1944”, M. Gjinaj, M. Mele, M. Elmazi (2010). 

Krahas tyre, vijnë edhe bibliografi të tjera me vlerë, ndër to, “Vepra të autorëve dhe studiuesve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët (XVI-XX)”, E. Domi, A. Sharrxhi (2001); “Vepra të autorëve dhe studiuesve italianë për Shqipërinë dhe shqiptarët (XV-XX), A. Sharrxhi, N. Basha (1995) si dhe “Bibliografia e përkthimeve në Shqipëri 2003-2014 (Index Translatioum). Pas viteve ’90, ndër projektet më të rëndësishme të Bibliotekës Kombëtare ishte edhe integrimi në portalet europiane dhe botërore. Përfshirja në dy komunitetet më të mëdha virtuale të bibliotekave, “Europeana” dhe “World Digital Library” (“Biblioteka Dixhitale Botërore). 

“Europeana”, portali dixhital i 48 Bibliotekave Kombëtare Europiane, një koleksion shumëgjuhësh online, që përmban miliona njësi të dixhituara të bibliotekave, muzeve, arkivave dhe koleksioneve multimedialë nga të gjitha vendet europiane, tanimë flet shqip. Në erën e ndryshimeve të rrënjësishme, Biblioteka Kombëtare ka ndërmarrë një nga sfidat e saj më të rëndësishme, atë të ‘Aftësimit në Informacion’, si një nga principet bazë të bibliotekonomisë bashkëkohore në nivel global. 

Aftësimin në informacion, si një formë e re komunikimi me publikun e gjerë, si një qasje në informacion, duke shfrytëzuar teknologjitë e reja si burime referuese dhe promovuese të shërbimeve të reja që ofron BKSH, do të nxisë bashkëveprimin me përdoruesit e saj. Është tejet thelbësore njohja e mjeteve dhe mënyrave të kërkimit, si dhe shfrytëzimi i tyre për të arritur tek informacioni. 

Në epokën dixhitale, në Bibliotekë më mirë se kudo, publiku mund të marrë një informacion të shpejtë, të detajuar dhe mbi të gjitha të sigurt, si për t’i kujtuar njerëzve se sa gjëra fantastike gjenden në Bibliotekë, duke iu dhënë atyre një arsye të fuqishme për ta vizituar dhe frekuentuar atë.

22 Komente

Biblioteke per tu mburru my ass.. numri i popullsise u rrit tre fish per 45 vjete, ndersa fondi i bibliotekes kombetare u rrit deri ne 700 000, me pak se dy fishi qe nga viti 1960.. ka qene e me e thjeshte me pjell nje rob se me ble ndonje liber

sa per dritare e hapur, perkundrazi, eshte e vetmja biblioteke ne bote, hic fondet private te ndonje institucioni, qe kufizon aksesin per libra te caktuar.. 

"libra te caktuar"... Kudo ne bote "librat e caktuar", per arsye te ndryshme, ruhen e trajtohen ndryshe nga te tjeret. 

Biblioteka me ter problemet qe ka, eshte si shpirt. 

Eshte permendur shume ne tekste shqip dhurimi i bibliotekes private te nje intelektuali shqiptar te kohes (A. Xhuvani apo dikush tjeter, s'po me kujtohet dreqin!) ne bibl. komb., si fondi kryesor ky i librave ne ate kohe per kete biblioteke, por sot nuk permendet me!

Per dijeni te me te rinjve, aty ne vitet 70 dhe 80, biblioteka numeronte me mijra antare. Dhe para sportelit kishte cdo minute (sidomos mbremjeve) me dhjetra lexues qe prisnin librat per te dale nga poshte, e te cilet benin llafe me sportelistet per librat e padale. Nje nga ata ishte dhe drejtori i ardhshem i saj, Aurel Plasari, i cili i perkiste atyre njerzve qe karakterizon fjala e urte popullore: qingji i urte pi dy cica. "Ua, pse biri i ... je ti?" -i foli Marika, nje nga punonjset relativisht te reja ate kohe aty, pas prezantimit qe i beri Aurelit tek ajo, nje shoqe e saj. Pas kesaj ky spinxhuk pati fatin e mire qe ti dilnin librat urte e bute, pa ze e llafe, si ne te tjeret. Vite me vone, ky intelektual na u be drejtor i bibliotekes, kohe kjo kur kjo biblioteke numeronte e shumta disa dhjetra antare, dhe ne sportelin e saj nuk shihje me shume se nje njeri, apo dhjete njerez gjate gjithe dites. Po kete kohe mua nuk me behej regjistrimi, nuk mund te terhiqja as edhe nje liber me leternjoftim, as edhe ne salle, ne kundershtim me rregullat, tek derat sundonin tre fshatare te zbritur nga te tre zonat e Albanistanit, ndersa i nderuari Aurel, qingji i urte, vazhdonte te pinte cicen tjeter te pushtetit, e te botonte studimet e tija. 

Eh, per biblioteken kombetare ka edhe me shume histori. 

Po kete kohe mua nuk me behej regjistrimi, nuk mund te terhiqja as edhe nje liber me leternjoftim, as edhe ne salle, ne kundershtim me rregullat,

 Me duket e pabesueshme kjo qe thua, po deshe na jep ndonje sqarim, si dhe pse?

 

O me fal heretik, se genjeva une, pasi do merrja nje dore me para per kete genjeshter! Oh, dhe tani genjeva, ha-ha, ne fakt ruaja nje inat te vjeter me biblioteken, ashtu kot! Hi-hi, edhe tani genjeva, sepse ne fakt inatin e kisha me Aurelon, sepse ma mori tek kthesa e Zogut te zi! Ja qe prape genjeva, c'dreqin paskam une sot, vetem genjej dhe genjej... 

Ore heretik, ne Shqiperi vriten njerez, nganjehere edhe per nje fjale goje, apo se i ngaterrojne me te tjere, e ti me kerkon llogari te jap sqarim si dhe pse nuk me sherbenin ne biblioteke! Po pse e di une pse ato dy-tre bukuroshet prapa sportelit nuk donin te mi merrnin kerkesat, ndonse vete njera prej tyre u kujtua vete per rregullin e terheqjes se librave me leternjoftim per ne salle! Ku ta di une pse nuk donin te me sherbenin pa patur une certifikaten e lagjes! Ndoshta nuk u pelqente veshja ime!? Ose fytyra ime arkaike!? Mire ato te gjendjes civile nuk jepnin nje certifikate per regjistrim ne biblioteke, pasi donin nje fature te pageses se taksave te plehrave, por keto te bibliotekes pse nuk i nxirrnin librat me pashaporte, sipas rregullit!? Te flas per vitin 2009, 2011, 2013, e sidomos per vitin 2009, ku perpjekjet per regjistrim ishin me te medha. 

Kujt ti ankohesha une? Mumjeve? Aurel Plasarit, qe as e dija se ishte drejtor keto vite, dhe as se ku e kishte zyren drejtor/-i /-esha? Ke ndonje mendim ti heretik, se ku duhet ta gjeja une te drejten e terheqjes se librave per lexim ne salle me ane te leternjoftimit te ri?... Se dukesh i rrahur me keto probleme!... 

U sqarove per sa pyete? Apo ke te tjera habira dhe pyetje, se kushedi, mund te jesh ndonje prokuror dhe sefundi fillon hetimet ndaj bibliotekes?! Aman te keqen, le ta gjejne nga te tjeret e jo nga une idiotsine e tyre. Lere qe atje tashme jane ndrruar ato te sherbimit te sportelit!  Ndoshta kane bere karriere ne shtet!

Megjithse komenti yt ishte me i gjate dhe me fshikullues se 18 brymeri, e kuptova me revelate se ku e kane patur hallin sportelistet: kane frike se emigrantet si praktike e njohur nuk i kthejne librat. Merre me mend nuk i kthejne vendalijte, te cilet as nuk i gjen se disa banojne ne vende pa kordinata zyrtare. Prandaj te kane kerkuar faturen e pageses se plehrave, si siguri qe je i kesaj nahije, e per te ditur ku te kapin nese nuk kthen librat.

 

Heretik, per cfar po flasim ketu, per shijet e sportelisteve dhe ankthet e tyre, apo per rregullat e shkruara te bibliotekes? Dhe pastaj, perse duhet te kene frike ato, kur leternjoftimi i ri (50 mij apo 90 mij leksh) qendron aty brenda ne sportel? Do marre lexuesi nje liber 5 mij leksh per te lene leternjoftimin 50 mij leksh?!? Pastaj, persa i perket fatures se pageses se plehrave, kete e kerkojne ato te gjendjes civile te sqarova, per te marre nje certifikate, dhe jo ato te bibliotekes!  E se fundi, une i kam disa te njohur sa ti marre librat qe dua, por problemi eshte ti marre sipas rregullave te shkruara. Apo ke dhe ne kete drejtim ndonje keshille nga ato mbi njohjet dhe mos-njohjet e mehallave!?

Tani pata nje revelate tjeter: ka konflikt interesi, ruaju nga sportelistet se jane antimarksiste njesoj si drejtori i tyre qe i ka emruar.

 

Cfare faji kane sportelistet ne kete rast ?  BKSH si cdo institucion tjeter ka nje rregullore dhe rregullorja thote qarte qe ti, me ane te leternjoftimit, ke te drejte te terheqesh libra nga biblioteka per t'i perdorur ne sallen e leximit. Nqs do te huazosh nje liber per ta perdorur jashte mjediseve te bibliotekes, duhet te jesh i regjistruar si anetar dhe per t'u regjistruar si anetar duhet fotografi + fotokopje ID + vertetim i vendbanimit nga njesia bashkiake perkatese. Sportelisteve nuk iu lejohet qe te mbajne peng leternjoftimin apo celularin apo ndonje mjet tjeter. Ndoshta rregullorja duhej ndryshe, nuk e di se si funksionon atje tek ty psh.

Karl Marks, je i ri ketu dhe nuk i di ca rregulla. Po ti kujtoj une veterani i ketij forumi, forumit te diaspores; Piksepari kur poston nje artikull siç postove dhe nje para 1 jave, eshte ne nderin e postuesit te marri pjese ne diskutim. Athere pse i poston. Kot. Dhe piksedyti, postimi pa marre pjese ne diskutim, e ben pa vlere artikullin qe poston dhe pa komente, siç te kane ndodhur. Pranaj nigjoje plakun, se te del me mire kur poston noi gje, megjithse nuk ishin kushedi se çfare. Here tjeter ndoshta me noi postim me interesant. 

Plakun? Po pse ajo librashitesja te "Perzjerja e aromave" Nr. 5 ja bente:

Po ku ta lesh or çun? Ti e shef se si i kemi bere kapice, ja vetem librat e shkolles kerkojne. 

Ku ishte lidhja ketu me sherbimin dhe rregulloren e bibliotekes !?! 

Lidhja eshte Vera e Qilarit!smiley

Vitet e fundit mesa kam vene re jane shtuar ndjeshem frekuentuesit. Shumica jane gjimnaziste, studente masteri etj dhe me duket kendshem qe shoh njerez para sportelit ne cdo ore te dites. Edhe nese te duhet nje liber mund ta gjesh se ku ndodhet nepermjet sistemit online dhe shpresoj qe edhe procesin e rregjistrimit dhe flete-kerkesat ti kryejne ne menyre elektronike aq me teper qe nje aplikacion i tille eshte fare i thjeshte dhe pa shpenzime per t'u implementuar e do ta permiresonte jashtezakonisht sherbimin.

Stilit prej teksti shkollor te artikullit i ka shpetur vetem fjalia e fundit:

"për t’i kujtuar njerëzve se sa gjëra fantastike gjenden në Bibliotekë, duke iu dhënë atyre një arsye të fuqishme për ta vizituar dhe frekuentuar atë."

Biblioteka Kombetare ka realisht dy probleme te medha:

1. S'ka ambiente. Ligji per kopjet e detyruara (shtepite botuese jane te detyruara te dorezojne kopje falas per Bilioteken Kombetare) shton fondin, por kerkon hapesira per vendosjen e librave. Ndertesa eshte po e njejta prej vitesh, sadoqe jane perpjekur te transferojne sa me shume koleksione ne Biblioteken e vjeter.

2. Ne Shqiperi funksionojne shume pak ose aspak bibliotekat e lagjeve dhe shkollave. Lexuesi i thjeshte nuk ka pse te kerkoje te terheqe nje roman te sapodale ne Biblioteken Kombetare. Askund nuk ndodh kjo.

ato kopjet e detyruara nuk vijne fare ne biblioteke kombetare, provo te vendosesh libra qe nga viti i botimit 2013.. nuk i gjen kurkund, as vete botuesit nuk i kane 

Ndoshta kjo eshte prirja e viteve te fundit (perpara ca viteve, ankimi ishte qe vinin shume), ose ndoshta nuk jane ende te hedhura te dhenat ne katalogun elektronik. Ama tekstet (ende pa marre formen e librit si te tille) shkojne patjeter ne Biblioteke per te marre ISBN-ene.

Biblioteka te beje ndonje marrveshnje me gugllin e t'i nxjerri hiret online, sic eshte dhe moda sot. 

nuk ma zyri syri kontributin e madh te legjendarit Kristofor Kisi i cili u vra nga komunistet e qelbur plera .

Studimet , doreshkrimet dhe puna e tij jane shfrytezuar per universitetin e tiranes asokohe por shkoi dem , si cdo gje alla shqiptarce cobance qe njeriun inteligjent ka per borxh o ta beje si vetja o ta zhduke pa gjurme

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).