Udhëtimi i Gjorgut

Udhëtimi i Gjorgut, personazhit të Kadaresë nga romani “Prilli i thyer”, nëpër krahinat e humbura të Veriut, përfaqëson, në fakt, një udhëtim kryq e tërthor traditave shekullore, të cilat kanë vepruar deri vonë në zonën e thellë të Alpeve shqiptare. Lëvizjet dhe veprimet e këtij personazhi nuk kanë shumë rëndësi. Autori përshkruan disa ditë nga jeta e një fshatari vrasës, i cili i bie pre e një vrasësi tjetër në zinxhirin e pafund të gjakmarrjes. Një krim që lahet me gjakun e një krimi tjetër, siç dëgjojmë ditë për ditë në botën tonë reale. Ajo që ka rëndësi në prozën e Kadaresë, dhe ajo që, sipas meje, ka dashur të thotë autori vetë, është çmontimi i mekanizmit të përçudnuar të gjakmarrjes dhe ekspozimi i tij përpara opinionit publik.

Pra udhëtimi i Gjorgut është vetëm preteksti i kësaj analize. Nuk mund të themi se personazhi e do vdekjen e vet. Ai është i ri, e do jetën dhe kjo kuptohet në çdo gjest të tij: në mënyrën se si e shikon Diana Vorpsin, një shikim i mallëngjyer, por edhe në kujdesin me të cilin e zgjedh rrugën e kthimit në shtëpi, e kështu me radhë. Është e qartë se Gjorgu nuk do të vdesë. Por fati do ndryshe dhe ai i nënshtrohet këtij. Në sjelljen e tij ka një prirje shumë të dobët revolte, por tradita kanunore dhe detyra morale që ai ka përpara fisit të vet e bëjnë Gjorgun fatalist dhe ai i nënshtrohet traditës. Në konkluzion, në shpirtin e tij jepet një luftë e ashpër midis dëshirës për të jetuar dhe nënshtrimit përpara fatalitetit. Dhe Gjorgu i bie viktimë dhe hyn në mekanizmin infernal të gjakmarrjes. Këto lëkundje shpirtërore i japin këtij malësori një vërtetësi të jashtëzakonshme dhe e bëjnë një nga personazhet më të arrira të veprës së Kadaresë.

Njëkohësisht, ai është një nga heronjtë e mi të preferuar.

 

Në letërsinë rumune do të zgjidhja:

Marin Preda (1922-1980) ka qenë prozatori rumun më i mirë i ditëve tona. Romani i tij i fundit, “Cel mai iubit dintre pământeni” (“Më i dashuri ndër të gjallët”, 1980) është një libër impresionant, me mbi 1000 faqe. Ai sjell para lexuesit historinë e jetës së një intelektuali rumun në vitet e para të diktaturës komuniste. Viktor Petini, një profesor filozofie i ri, gjykohet dhe dënohet me burg të rëndë për një faj imagjinar. Nga kjo pikë, jeta e tij merr tatëpjetën. Pasi lirohet nga burgu, endet neper mjedise shoqërore nga më të ndryshmet për të mbaruar prapë në pranga, i dënuar për një krim të shkaktuar nga xhelozia.

Romani është biografia e jetës së tij, e shkruar si dëshmi para dënimit. Petrini është një personazh kompleks dhe përfaqëson, në fakt, një brez të tërë intelektualësh rumunë që kanë jetuar eksperiencën komuniste. Naiv dhe i sinqertë në fillim, si në jetën familjare, ashtu edhe përpara hetuesve, me kohën ai bëhet pragmatik dhe fillon të hakmerret kundër padrejtësive. Njeh disa femra, por nuk mund të pajtohet me asnjërën prej tyre deri kur arrin, në fund të viteve ‘70-të, të kryejë një krim për të cilin do të ndëshkohet më rreptë se për “krimin” tjetër.

I botuar në periudhën e diktaturës së Çausheskut, romani prodhoi sensacion në mjediset e kulturuara, ashtu siç prodhoi edhe vetë vdekja misterioze e autorit në po atë vit. Libri i Predës u konsiderua si një roman anti-sistem dhe pati shumë sukses në publik, megjithëse autori s’ka mundur të tejkalojë caqet ideologjike të kohës. Nëpërmjet historisë së vet, Viktor Petrini mbetet simboli i intelektualit që jetoi në një regjim kriminel, i cili ndëshkoi jo vetëm njerëz dhe veprime, por edhe idetë dhe ndjenjat e tyre.

 

* Marius Dobrescu, studiues dhe përkthyes rumun. Dobresku ka qenë fitues i konkursit vjetor letrar "Penda e Argjendtë" për vitin 2006 për përkthimin e veprave të Kadaresë në gjuhën rumune.

** Ilustrimi nga Mehdi Mohammadi Rouzbahani, Iran 

*** Titulli është i Peshkut

 

1 Komente

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).