Historia e dy vëllezërve shqiptarë Arif dhe Abedin Dino në letrat europiane

Në dialogun e tij me poetin e madh francez Alain Bosquet [1], Jashar Qemali kujtonte në Paris rininë e tij dhe miqësinë me dy vëllezërit shqiptaro-turq, Arif dhe Abedin Dino, nipat e Abedin Pashë Dinos, një prej figurave të shquara të lëvizjes kombëtare të kohës së Lidhjes së Prizrenit dhe djemtë e Rasih Dinos, një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë shqiptare, por dhe emisar besnik që Qemal bej Vlora e dërgoi pranë kancelarive europiane për njohjen e shtetit të ri shqiptar. Arifin, Jashar Qemali e cilësonte si frymëzuesin e tij shpirtëror, që siç shkruante ai “përmes tij unë zbulova rrugët që të çonin te njeriu“. “Që para se Dinot të vinin në Adana, unë e njihja emrin e tyre dhe kisha dëgjuar për ta. Kisha lexuar poezitë e Arifit dhe kisha parë vizatimet e Abedinit. Në fillim u njoha me Arifin dhe i dëgjoja shumë këshillat e tij. Arifi ishte një admirues i Rimbaud (Rembosë), madje e dinte përmendësh. Bashkë kalonim orë të tëra, duke përkthyer poezi të Rembosë dhe duke folur gjatë për to. Kështu përkthyem poezinë e tij “Anija e dehur”(Bateau Ivre). Libri i parë që më ka tronditur ishte Don Kishoti. Isha shtatëmbëdhjetë vjeç kur e lexova. Ishte Arifi që më bëri të lexoja atë dhe klasikët. Kur Arif Dino (1892-1957) shiti ca toka, më dhuroi nja një qind libra të klasikëve. Kur hapa kutitë, gjeta tri kopje të Don Kishotit. Shkova dhe i thashë se gabimisht më kishte dhënë tri kopje, por ai më tha: “Jo, t‘i kam dhënë që t’i lexosh për gjithë jetën”.

Dhe në intervista të tjera në shtypin francez, si dhe në bisedat e ndryshme, Jashar Qemali nuk ka reshtur së foluri për familjen Dino, me të cilën e lidhte një miqësi gati mitike. “Arif Dino ishte një piktor i madh, si dhe vëllai i tij Abedini. Por ai nuk donte t’i ekspozonte veprat. Pikturonte për vete dhe mjaftohej duke ua treguar miqve të afërt. Miqësia me Arifin vazhdoi gjatë shtatëmbëdhjetë vjetëve, pa asnjë eklips, duke biseduar për romanin, artin, socializmin. Ai më njohu dhe me Homerin dhe tragjedianët e mëdhenj. Shkruante poezi në frëngjisht dhe në turqisht. Madje e njihte mirë gjuhën greke dhe e adhuronte Antikitetin grek. Bisedonim bashkë për letërsinë dhe pikturën. Më kujtohet një ditë kur Arifi nisi të na shpjegonte me bindje se romancierët e kohës sonë kanë frikë të krijojnë personazhe unikale, se letërsia e këtij shekulli ka marrë fund dhe se asnjë nuk e kishte madhështinë e një Don Kishoti. Për të, romani botëror duhej të ishte në llojin e Don Kishotit … Idhujt e tij ishin gjithashtu Molieri dhe Çarli Çaplin. Në maj të vitit 1951 hyra në punë në gazetën “Xhymhyriet”, ku shkrova dhe reportazhin e parë mbi Anadollin. Kalova nga Ankaraja dhe vizitova Abedinin. Isha i gëzuar dhe e njoftova se kisha filluar punën e re. Arifi ishte mik me drejtorin e gazetës dhe për këtë i kishte shkruar: “Po të dërgoj një djalosh, një ‘terracote’, që ka kaluar dy herë në furrë“.

Portreti i Arif Dinos ka mbetur disi në mjegull. Ndoshta pse vdiq herët apo ndoshta pse ishte një njeri që synonte gjithnjë përsosmërinë. Prandaj dhe nuk i botonte poezitë e mrekullueshme të tij. Disa shkrime kanë mbetur, por janë fare të pakta, si shkrime kritike p.sh., për piktorin tjetër me origjinë shqiptare, Sabri Berkel, një dishepull i Matisse, i cili është botuar në revistën "Përpjekja shqiptare" e viteve ’30 që botohej në Tiranë, por dhe gjetkë. Në revistën "La Turquie Kemaliste", duke theksuar modernitetin e piktorit të ri të influencuar nga Rilindja italiane, ai shkruan ndër të tjera se “Nga Giotto Sabri Fetahu asimiloi cilësitë e volumit dhe të konstruksionit, nga Masaçio mori frymën e lirisë në art, nga Fra Angelico solli pamjet e thella mistike. Më në fund, nga Andrea Del Castagno dhe Guirlandaio mësoi teknikën, domethënë të gjitha nuancat e vështirësitë e artit të afreskut … Mikelanxhelo pati qenë dhe mbeti për të një burim hyjnor i një fuqie e zotësie të përjetshme, një ideal i pathyer dhe një simbol i bukur i përjetësisë së artit“. Sensi i tij i kritikës ishte mjaft i mprehtë dhe me një kulturë të madhe. Sidoqoftë, ai ishte nga ata intelektualë që shihte nga Perëndimi dhe kultura perëndimore dhe, së pari nga poezia, piktura e filozofia. Arifi punonte shpesh si dekorator, veçanërisht për panairet e Izmirit, ku e ftonin çdo vit. Pastaj, kohën e kalonte duke shkruar dhe pikturuar apo duke lexuar veprat e autorëve të mëdhenj, shumë prej tyre filozofë francezë. “Në kafene vizatonte gjithnjë, – kujton Guzinte, gruaja e Abedin Dinos, vëllait të tij, piktor, i cili do të ishte një nga avangardistët e parë të Turqisë në fushën e pikturës dhe më vonë do të punonte në një atelier me Picasso-n apo Chagall (në “Madura” të Vallauris). – Atëherë ai i mësoi Abedinit dhe boksin. Bashkë bënin boks. Më vonë, kur tregonte hundën e tij, Abedini qeshte dhe thoshte se hundën ma ka shtypur Arifi me grushtet e tij. Arifi e donte shumë vëllain e vogël. Madje ndikoi në shijet dhe formimin e tij”.

Arifi ishte shtatlartë, 1.90 metra dhe i pëlqente shumë boksi. Ishte i shëndetshëm. Sa xhentëlmen ishte, po aq ishte dhe i thjeshtë, një proletar në shpirt. Kishte dëshirë të hante mirë, por kur s’kishte, nuk ankohej dhe hante si një i varfër. Kur kishte para të blinte gjithnjë një duhan holandez që i pëlqente shumë; kur nuk kishte, atëherë mjaftohej me duhanin më të keq, 4-5 paketa në ditë. Madje nuk i bënte përshtypje të flinte dhe për tokë. Asnjëherë nuk vinte kravatë, edhe pse i kishte me shumicë. Ishte i heshtur, i pëlqente më shumë të dëgjonte të tjerët. Ç’thoshte bota përreth? Me llumin e kafesë vizatonte mbi kapakët e paketave të cigares apo në copa të vogla letrash. Prandaj dhe ato vizatime që kanë mbetur prej tij janë të përmasave të vogla, vizatuar në kafene, por me një art të madh. I pëlqente të rrinte me njerëz të çmendur, të njihte botën e tyre: ç’mendonin ata, cili ishte mekanizmi i metafizikës së tyre? Kjo i kishte ndodhur dhe në Paris, në Athinë apo Stamboll. Bota në pragun tjetër. “Ai ishte një filozof, – kujtonte Abedini, në librin “Arif Dino“, – megjithëse asnjë rresht nuk shkroi për filozofinë. Ai donte ta përjetonte artin, të përjetonte të qenët artist, pak rëndësi kishte momenti i krijimit. Ja pse, ai nuk donte të linte gjurmë me veprat e tij. Ai fliste, të tjerët shkruanin për të. Te xhamia “Sulejmanie”, afër sheshit Bajazit, në kafenenë prej druri që ne e quanim “Forum”, Arifi shkonte shpesh. Atje shkonin plot artistë, mes të cilëve dhe Orhan Veliu, Fikret Mualla apo Bedri Rahmi. Të gjithë artistët e kishin bërë zakon që poezitë apo vizatimet e tyre, së pari t’ia tregonin Arifit, të dëgjonin mendimin e tij … Arifi ishte si mjeshtri i artit. Të gjithë donin të dinin nëse atij i pëlqente apo jo. Etaloni i së përkryerës“.

Kur Abedini shiti pikturën e parë të tij dhe erdhi gjithë qejf në shtëpi, ai i bërtiti. Sipas tij, ai që bënte art për të shitur, bënte një lloj prostitucioni. Ai e shihte artin si diçka të shenjtëruar: atë mund ta dhuroje, por jo ta shisje. Vite më vonë, kur ishin në Paris, sa herë i shiteshin pikturat, Abedini ndjente një lloj boshllëku apo faji dhe gjithnjë i kujtohej reagimi i vëllait të tij në Adana.

Arifi ishte një njeri me virtyte të larta dhe episodi që do të më tregonte Guzin në Paris, e vërtetonte plotësisht këtë. Në Stamboll, kur Arifi jetonte pranë xhamisë së famshme “Sulejmanie”, një nga më të mëdhatë dhe më të bukurat e Stambollit dhe të gjithë epokës osmane, në katin përdhes të godinës së tij jetonte një shofer bashkë me familjen. Arifi ishte njeri i thjeshtë dhe demokrat. Edhe pse intelektual i njohur, ishte mjaft i afrueshëm dhe me njerëzit e thjeshtë. Një ditë, shoferi po i qante hallet dhe në një moment i kishte thënë: “Nëse më ndodh ndonjë gjë, kush do të kujdeset për familjen time të gjorë. Fëmijët do të më mbesin në katër rrugët”. Për ta qetësuar Arifi i kishte thënë se do të kujdesej ai, dhe se s’do ta linte në rrugë familjen e tij. Çuditërisht, të nesërmen e asaj dite, shoferi kishte vdekur. Kjo vdekje Arifin e tronditi shumë, pasi këtë lajm e mori si një mesazh hyjnor, dërguar nga një fuqi e mbinatyrshme. Dhe me të vërtetë ai iu përkushtua asaj familjeje që të mos mbetej nëpër rrugë. Ky ishte Arifi, me një zemër të madhe …

Kur bashkë me Jusuf Vrionin takuam Abedinin në Paris, duke folur për Arifin, ai na tha: “Arifi ishte një talent i madh. Kam disa vizatime të tij në shtëpi. Por ai ndryshonte nga unë. Qëndronte në hije …”. Abedini e kishte adhuruar gjithnjë të vëllain e tij. Po kështu edhe miku i tij Jashar Qemali. Në një shkrim të tij në revistën Tarih ve Toplum të vitit 1994, bashkëkohësi dhe miku i Abedinit, Taha Toros, kujton sesi Jashari i vogël afrohej pranë tavolinës së tyre dhe si mrekullohej nga fjalët e Arifit në kafenenë e sheshit të qytetit. “Kur s’kishte vend në karrige, ai ulej në tokë dhe e dëgjonte”.

 

Adhuruesi i Rembosë dhe Apollinaire

Vite më vonë, Jashari nuk do të ndahej nga Arifi. “Pikërisht, në një cep kafeneje, me Arif Dinon përkthyem Anijen e dehur. E përkthyem në sajë të frëngjishtes së tij dhe turqishtes sime … Lexonim shkrimtarët antikë grekë e diskutonim për Don Kishotin, flisnim për Xhojsin, Kafkën, Folknerin … I mësonim përmendësh poezitë popullore: Jonuz Emré-në, Karaxha-ogllan, poetët e mëdhenj kryengritës, Pir Sulltan dhe Dadalogly. Ne nuk ishim indiferentë as ndaj mjeshtërve më të mëdhenj të marksizmit, si Marksi dhe Engelsi”. Në bisedë me Alain Bosquet, duke kujtuar Arifin, Qemali tregon: “Atëherë lexoja gjithçka që më binte në dorë mbi socializmin. Shpejt, u krijua një grup militantësh socialistë. Hymë në lidhje me punëtorët socialistë dhe intelektualët e tjerë. Natë e ditë flisnim për socializmin. ‘Manifesti i Marksit’, i kopjuar dhe i shtypur në një makinë shkrimi, qarkullonte dorë më dorë …”

Në një nga numrat e revistës së njohur franceze Lire, në bisedë me gazetarin Christian Guidicelli, Jashar Qemali kujtonte kohën e tij në Çukurova, kur jeta e tij ishte e pandarë nga ajo e Arifit. “Ishte miku im më i madh. Ai e dinte shumë mirë greqishten e vjetër. Ishte ai që më futi në botën e Homerit dhe te tragjedianët e mëdhenj të antikitetit grek. Rembonë e dinte përmendësh. Por nuk harroj Don Kishotin. Arifi thoshte: romani i shekullit XX ka marrë fund, pasi ai ka frikë nga heroi i veçantë, i llojit të Don Kishotit … Përveç grekëve të vjetër, idhuj të tij ishin Molieri dhe Çarli Çaplin. Madje unë trashëgoj të gjitha shijet e tij …”

Në ato kohë Arifi dashurohej me një turke të bukur që quhej Guli, portretet e së cilës Arifi na i ka lënë të vizatuara me një sensibilitet dhe sensualitet të jashtëzakonshëm. Ishte i dashuruar tmerrësisht pas saj dhe shkruante për të poezi. Arifi ishte në fakt një poet i dashurisë. Një mbrëmje vonë, në Jenikoi buzë Bosforit, ku banonin, ai shkroi poezinë kushtuar Guli-t. Figura e gruas, e femrës së dashuruar është shpesh në poezitë e tij: ajo është enigmatike, sensuale, epshndjellëse, nënë …

 

Flokët e tu

sytë e tu

buzët e tua

ç’udhëtim i bukur

i erës

i qiejve

i detrave

i frutave

dhe pastaj jeta ime me botën [2]

 

Në poezinë tjetër, Poezi pa titull, kushtuar Gülit, siç shkruan ai, në orën 11 të natës, Yeniköy, ai shkruan:

 

Pushtuar në boshllëk,

dëshpërim.

Ngashërimet e tua nuk kanë asnjë tingull,

heshtje nga ty,

heshtje nga unë,

heshtje.

 

Vargjet e tij ishin lirike dhe moderne. Mjaft poezi të tij duket që janë të ndikuara nga Guillaume Apollinaire apo Rimbaud. Veçanërisht nga “calligrammes” e Apollinaire, ku vargjet krijojnë figura gjeometrike apo floreale. Megjithatë, pas kësaj serie poezish, ai shkruan një lloj poezi edhe më të ndier dhe moderne. Kur ishte në Paris, ishte njohur dhe me poezinë e bashkëpatriotit të tij, Jean Moreas apo ndryshe Jani nga Morea, një pinjoll i familjes arvanitase Tombazi, e cila kishte ndihmuar shumë në revolucionin grek për pavarësi. Ai i adhuronte poezitë e këtij simbolisti mjaft të njohur të epokës, që ishte mik i afërt i Verlenit dhe i Malarmesë. Moreas ishte poet i dashurisë. Ashtu ishte dhe Arifi. Madje kishte pasur fatin ta njihte personalisht Moreasin në bistronë “Closerie de Lilas”, në bulevardin e Montparnasit. Ç’njeri i çuditshëm, ç’poet i madh! Që nga takimi me të, Arifi do të ulej të shkruante poezitë e tij …

Në Gjenevë, miku i tij më i afërt ishte shkrimtari Nurullah Ataç. Që të dy netët i kalonin duke folur për poezi dhe për artin. Në vitin 1926, Arifi shkoi në Athinë, tek i vëllai, Aliu, ku u njoh me mjaft personalitete artistike të kësaj periudhe. Mes tyre, një shoqëri të ngushtë pati me aktorin Jorgji Papas, si dhe me birin e një armatori meksikan, poet, i quajtur Iturbi. “Ishin shokë të ngushtë, – tregonte Abedini, – të tre jetuan edhe në Athinë, edhe në Paris. Që të tre e dinin gjuhën frënge si gjuhën e nënës. Që të tre çmendeshin pas Rembosë. Që të tre i donin shumë gratë …” Madje shumë poezi Arifi ia kushtoi mikut të tij meksikan, siç dëshmon dhe në hyrje të ciklit të tij Poezi orale, ku shkruan: Mikut tim, mecenit meksikan:

 

“… kokë asteku

sy moskoviti

ti ëndërron nostalgjik

madje dhe në Akropol

duhmat e kalimtarëve në bulevardet

e Parisit …

Për këtë

ne jemi

vëllezër siamezë …“ 

 

Në Greqi, grekët e njihnin për një mjeshtër të madh të vizatimit, siç e pikasën në tablotë e ekspozuara në Athinë apo dhe në afishen e Festivalit të Delfit të pikturuar nga ai, në maj të vitit 1930. Arifit i pëlqente shumë dhe Apollinaire, miku i shqiptarit të madh Faik Konica. Madje dhe në revistën Albania të Faikut, ai kishte botuar shkrime në mbrojtje të Shqipërisë. Shkruante vargje nën frymëzimin e Apollnaire:

orën

blu

lëngu

ngjitet

nga 

dega

drejt 

mollës.

Eva

e kafshon.

Lëngu

kërcen

hyn

dhe

lag

buzë

zjarri

që 

gjithnjë

kanë

etje.

 

Ja dhe një tjetër poezi dashurie, kushtuar “princeshës F.S.” siç shkruan ai në frëngjisht, me titullin Lettre d’amour (Letër dashurie):

“Dora tënde e bardhë

mund të më shpëtojë

nga simuni[3] i çmendurisë.

Nëse je

ajo që adhuroj

Eja.

Ndryshe

fshije këtë letër,

varrose këtë letër,

në kriptin

e dashurive të tua

të vdekura.

 

Shpesh, poezia e tij është dhe enigmatike, si në poezinë Gota e thyer, e shkruar në frëngjisht me titullin Verre brisé.

 

“Në tarracën me pllaka mermeri

dymbëdhjetë gota u thyen

kaskadë e qeshure kristaline

në copëza të vogla … fine …

Mbrëmje mermeri të përgjakur

natë varreze

në mëngjes qelqi i thyer

rimerr të qeshurën e tij prej drite”

 

Poezia e tij e frymëzonte gjithnjë Jashar Qemalin, ashtu si dhe linja poetike e vizatimit të tij. “Ditët që nuk shkoja në punë rrija me Arifin, nga mëngjesi në mbrëmje. Bisedonim për teatrin antik, Homerin, epopenë hitite të Kumarbi, Gilgameshin, dhe si gjithnjë për pikturën. Arif Dino ishte një piktor i madh. Ai nuk ekspozonte dhe nuk ua tregonte pikturat e tij veçse miqve. Shkruante poezi në turqisht dhe në frëngjisht.”

Padyshim që Dino ishte një nga poetët më imagjinues të Turqisë së asaj kohe dhe nga më modernët, por që mbeti i panjohur, pasi ai shkroi pak, ndryshe nga itinerari i gjatë letrar i Nazim Hikmetit, një poet po aq modern për kohën. Arifi shkruante:

 

“Shikim i dyfishtë.

Çfarë sheh

në zemrën time

?

– Shoh

shkallë të rrënuara.

Asnjë aktor.

Asnjë spektator.

Dhe në skenën

e hijes,

heshtja që

ngashëren

dramë e përjetshme

në zemër të përjetshme!”

 

Përmes poezisë së tij, Arifi kështu na çon në të tjera botë:

 

“I lodhur, dielli ulet mbi një çati.

E dëshpëruar hëna e rrëmbeu rrufepritësin

dhe bukuroshja këndoi:

Ti më do sepse unë të largohem

por unë i fshihem vetes

Dhe jehona e rizgjuar, duke u shtiqur do murmurisë

Heshtje."

 

Shumica e poezive të Arifit, të shkruara drejtpërdrejt në frëngjisht, kanë humbur apo janë grisur nga vetë ai. Poezia Triptik hebre mund të cilësohet si një poezi e nivelit të lartë, e po të njëjtit nivel me poetët e mëdhenj modernë të asaj kohe në metropolet e Europës:

 

“Nga më e bukura e sulamitëve

lulet e pemës së shenjtë të judesë

nga parfumi yt buron dhe rilind

tempulli burimi dhe dafina

dhe nga ty tek unë zgjohet

ritmi vallja dhe volupteti yt

pasi buza tënde është refleks

i pjatës së artë e të përgjakur të Salomesë …”

 

… Kështu shkruante poeti. Në këtë poezi është jo vetëm forca e fjalës dhe e figurës, por edhe kultura e tij mbi historinë biblike dhe judaizmin. Historia e kokës së prerë të Jean-Baptiste, rivjen dhe ulet në poezinë e tij, midis ngazëllimit dashuror dhe përgjakjes së një pjate të artë.

Kur vdes nëna e tij, më 27 nëntor të vitit 1930, Arifi shkruan poezinë De Profundis:

“Të qeshura, gëzim

të qara, dhimbje

dhe vdekja që vjen pas

nëna ime ka vdekur.”

 

Edhe kinemaja ishte gjithashtu një nga pasionet e tij: amerikani Grifith, sovjetiku Eizenshtein, si dhe gjermani revolucionar Piscator. Siç shkruan studiuesi Nikos Stillos, i cili u është referuar kujtimeve të Ilia Vasilas, mik i Arifit në Greqi, “Arifi u shpërngul në Athinë, ku ishte bashkëpunëtor dhe aksioner i DAG Film A.E., e cila ishte firma e parë kinematografike e Greqisë, e themeluar në vitin 1920 prej vëllezërve Gaziadhi, me prejardhje prej Stambollit. Në Athinë punoi si piktor, por edhe si aktor dhe një prej filmave më të njohur prej meje, të kinematografisë pa zë, ku ka luajtur ai, është "Porti i lotëve", i DAG Film, i xhiruar në vitin 1928, me protagonistë Athanasia Mustakën dhe Emilio Veaqin. Pas shfaqjes së parë të këtij filmi, e cila u bë në janar të vitit 1929, u rikthye në Stamboll dhe filloi të shkruajë kritikë arti në revistën Yeni Adam. Me kthimin e tij në Stamboll, në vitin 1929, sipas shkrimeve të Osman Kurrizit, të cilat janë ende të pabotuara në një libër, ai solli me vete edhe muzikantin nga Preveza, klarinetistin e njohur, Niko Xharën, për të vazhduar më tej studimet e tij, gjë që ia siguroi ai, duke i dhuruar edhe një klarinetë turke, e cila sot gjendet në koleksionin e të birit të Niko Xharës, Dhimitrit. Në vitet 1939-1942, duke botuar poezi në revistën përparimtare Yeniler, ai hyri në lëvizjen kundër pushtimit fashist dhe për pasojë u internua në qytetin e vogël Mecitozu të krahinës Çorum të Turqisë, kurse më vonë në Adana, së bashku me të vëllain e vet, Abedinin. Në vitin 1951 u rikthye në Stamboll, në shtëpinë e vogël që mori në lagjen Kuzguncuk, në pjesën aziatike Uskudar të atij qyteti, ku jetoi i vetmuar vitet e fundit të jetës së tij, pasi nuk ishte i martuar, ku edhe vdiq më 30 mars 1957”.

Kështu, tek Arifi pikëtakoheshin të tria llojet e artit: piktura, poezia dhe filmi. Dhe çdo krijim i tij ishte shprehje e filozofisë së tij humaniste, ishte një dëshirë për përsosjen shpirtërore të njeriu.

 

“Do të isha vetë Zoti

nëse do të isha tërësisht Njeri

i lirë.

Po Zoti (nëse ekziston)

a është vërtet

i lirë?”

 

Dhe në një tjetër poezi ai shtonte:

 

“S’dua të jem zero

të shtoj pas njëshit

vlerat e tij.

S’dua të jem zero

para njëshit të zhbëj

vlerat e tij.

Unë jam baras me njëshin.”

 

 

[1] Entretiens avec Bosquet, botimet “Gallimard”.

[2] Poezia e titulluar Poezi me porosi.

[3] Erë e furishme dhe e nxehtë e shkretëtirave të Arabisë dhe Saharasë.

1 Komente

Keto historite e figurave te Pavarsise, do ishte mire te shkruheshin me konçiz (permbledhur) dhe te jepen ne nje enciklopedi shqiptare, ne liber dhe media. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).