Me arrestimin e drejtuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe të disa deputetëve të tjerë, Kosova iu bashkua një grupi vendesh si Kamboxhia, Uganda, Venezuela, Etiopia, Sudani apo Mozambiku, të vetmet vende në botë sot ku drejtues të opozitës gjenden në burg. Gjendja është e rëndë ndërkohë një kor i pështirë zërash të medias, politikës dhe fushash të tjera nën petka të rreckosura servilësh flasin se po respektohet ligji, dënojnë dhunën në parlament apo sjelljet “talebane” të opozitës.  Për të thënë të vërtetën, opozita ka zhvilluar me një energji të pashtershme dhe me mjete thuajse revolucionare një betejë për të mos lejuar miratimin e marrëveshjes që iu jep një status të veçantë komunave serbe në Kosovë dhe marrëveshjes së përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Ato besojnë se këto dy marrëveshje masakrojnë sovranitetin e Kosovës.  Opozita ka bllokuar Parlamentin duke hedhur në të gaz lotsjellës gati në çdo seancë. Qeveria, prokuroria dhe të tjerë në Kosovë nuk e kanë kuptuar që kjo nuk është një dhunë për të dëmtuar, plagosur apo vrarë njeri. Ajo është një formë ekstreme obstruksioni parlamentar që synon të mos lejojë zhvillimin e seancës. Format e obstruksionit  njihen që në Romën e vjetër, kur ligjvënësi i famshëm Cato fliste me orë të tëra në senat deri sa vinte mbrëmja (senati nuk mund të punonte natën) me qëllim që të mos lejonte miratimin e një vendimi që e quante të keq. Në një rast, Cato e bllokoi për tre muaj senatin(viti ‘60). Bllokime të tilla janë të rëndomta në vendet demokratike. Më të famshme ato janë në SHBA. Në senatin e SHBA, me anë të filibusterit një senator mund të bllokojë futjen në votim të një ligji apo vendimi duke folur pa ndalur. Procedura përcakton një kohë pa kufi diskutimi. Filibusteri në SHBA, për shumë studiues  cilësohet si një nga mjetet më të mëdha që ka mbrojtur demokracinë nga tirania. Parlamenti kanadez është sot parlamenti që e përdor më dendur filibusterin. Një procedurë e tillë obstruksioni (në formë më të ndryshme) ekziston deri edhe në Asamblenë kombëtare të Francës, Dhomën e komunëve në Britani etj. Në parlamente si ai i Kosovës (dhe i shumë vendeve të tjera) duke qenë se nuk lejohet obstruksioni i tipit filibuster, opozitat  janë të legjitimuara të përdorin metoda të tjera. Tejkalimi i masave ndëshkohet nga rregullorja e Parlamentit me përjashtim nga seanca apo me vërejtje, por kurrë opozita nuk mund të jetë subjekt i prokurorisë apo ligjit penal. Në asnjë vend demokratik nuk është dënuar me burg askush për atë që quhet dhunë në parlament. “Dhuna që nuk dënohet penalisht, – thotë profesor Windy Dryden, i Kolegjit Goldsmith në Londër, – është  ajo që lind si pasojë e bindjes absolute se personi tjetër është gabim, dhe zemërimi në debatin në seancë është aq i madh, sa arrihet në përleshje. Bëhet fjalë vetëm për dhunën në seancë”.  Profesor Windy Dryden thotë se duhet ndarë dhuna si qëllim në vetvete dhe çdo sjellje që lind nga zemërimi apo bindja se tjetri është gabim. Kjo është arsyeja pse dhuna deri në rrahje masive në parlamente si ai i Tajvanit, Koresë së Jugut, Japonisë por edhe Italisë e Greqisë nuk është dënuar ndonjëherë penalisht. Klasa politike në Kosovë është zhytur në një gjendje të thellë korrupsioni. Kjo klasë e la vendin më shumë se gjashtë vjet të tërhiqej zvarrë për shkak të luftës së paparimtë për të marrë në dorë qeverinë. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa doli i dyti në zgjedhje me 25%, pas shtatë vitesh në opozitë. Ky rezultat turpërues e detyroi t’i premtonte postin e kryeministrit Ramush Haradinajt që kishte 9,5%, vetëm që të mos qëndronte në opozitë. Pra, Isa Mustafa pranoi që Kosova të drejtohej nga një parti që kishte marrë 80 mijë vota nga 1,8 milionë votues që ka vendi. Ndërkohë kryetari i PDK-së mori 30% të votave, duke u refuzuar qartë nga votuesit. Ai megjithatë luftoi me gjithçka që të mos binte në opozitë. Megjithëse kishte vetëm 30%, ai iu imponua koalicionit opozitar që u formua, duke i kërkuar atij që të zgjidhej doemos kryetar kuvendi një njëri nga partia e tij, pavarësisht se s’kishte vota. Gjykata Kushtetuese u vu në shërbim dhe i krijoi mundësinë të shkatërronte koalicionin  e opozitës. Më pas Isa Mustafa, sikur të mos kishte ndodhur gjë, ndërtoi koalicion me Hashim Thaçin, duke ndarë postet e kryeministrit dhe zëvendësit deri sa Thaçi të bëhet president.  Ky maskarallëk zgjati 6 muaj. Nuk mbeti intrigë dhe obstruksion pa u bërë. Është ky koalicion që tani ka burgosur opozitën dhe është ky koalicion që madje vendosi të mos e lejojë atë të marrë fare pjesë në punimet e Parlamentit. Filozofi Italian, Giorgio Agamben, një nga mendjet më të mprehta sot në botë, kur shpjegon shtetin, sovranin dhe përjashtimin që iu bën ai njerëzve apo grupeve të ndryshme shoqërore, risjell një kategori të Romës së vjetër: homo sacer. Në Romë, homos sacer ishte dikush që përjashtohej nga shoqëria, nuk kishte më asnjë të drejtë,  dhe kushdo mund ta vriste atë pa mbajtur asnjë përgjegjësi. Homos sacer do të thotë njeri i përjashtuar, por edhe njeri i shenjtë. Megjithëse  mund të vritej, ai nuk mund të përdorej për sakrifikim pasi ishte aq i pavlerë, sa nuk përdorej as për këtë gjë. Ai ishte subjekt i ligjit vetëm se ligji thoshte që ai mund të vritej nga gjithkush. Agamben thotë se sovrani është ai që ka të drejtën të bëjë përjashtime të tilla, të pezullojë ligje, të trajtojë sikur janë pjesë e shoqërisë njerëz të caktuar. Ai rimerr një koncept të Aristotelit mbi jetën si gjallim fizik dhe biologjik dhe jetën si entitet i lidhur me të drejtat dhe liritë politike. Aristoteli thotë se vetëm në polis njeriu kalon nga jeta tek jeta e mirë kur para është vetëm ekzistencë fizike, ndërsa në të dytën njeriu ka liri politike, zgjedh, merr pjesë, ka të drejta etj. Homo sacer është një rast kur jo vetë të drejtat dhe liritë nuk janë më por tashmë edhe ekzistenca fizike nuk ekziston. Giorgio Agamben thotë për shembull se kampi i Aushvitzit  apo dhjetëra kampe të tjera janë tregues të këtij përjashtimi. Sovrani ka vendosur t’i llogarisë vetëm si trupa fizikë ata njerëz madje edhe si trupa fizikë mund të eliminojë pa mbajtur përgjegjësi. Sot, në shumë raste Aushvitzi i kalon muret e kampit dhe shtrihet në shoqëri. Ai gjendet në përjashtimin që i bën sovrani nga të drejtat shumë njerëzve, grupeve apo kategorive. Sovrani është ai që vendos se cili do të përfshihet në trupin politik dhe cili do të lihet jashtë, cili do të jetë vetëm ekzistencë fizike dhe cili do të jetë njeri me të drejta dhe liri politike, cili do të ketë vetëm jetë dhe cili do të ketë jetë të mirë. Sot me arrestimin e Albin Kurtit dhe të deputetëve të tjerë, me moslejimin e marrjes pjesë në seancë plenare  të opozitës, me mosdëgjimin, me sjelljen brutale të policisë jemi përpara kësaj gjendjeje përjashtimi. Opozita është homo sacer, , politikanët, mbështetësit, njerëzit e saj janë vetëm  ekzistenca fizike, por jo qenie me të drejta politike. Koalicioni qeveritar ka zgjedhur që ta përkufizojë veten si sovran në këtë mënyrë dhe me këtë lloj sovraniteti ai paradoksalisht dënon opozitën që proteston kundër cenimit të sovranitetit të vendit nga Serbia. Të gjithë ata antimarksistë apo kundërshtarë te se majtës që e janë sot kundër Vetëvendosjes se ajo  është e majtë apo marksiste duhet të kuptojnë  se Kosova po qeveriset nga një autoritarizëm i poshtër dhe gjëra shumë më te medha jane ne diskutim. Të gjithë ata të majtë apo marksistë që e përkrahin Albin Kurtin apo Vetëvendosjen sepse ajo është e majtë apo marksiste, duhet të kuptojnë se gjëra më të rëndësishme janë të kërcënuara. Albin Kurti dhe Vetëvendosja janë sot segmenti më serioz  politik në Kosovë dhe etiketimet marksist apo majtist nuk kanë asnjë vlerë. Qeveria nuk mund të lejohet të burgosë opozitën siç nuk mund të lejohet të emërojë një opozitë. Në rast se ajo do një opozitë tjetër dhe mendon se kjo e tashmja është anarkiste, e tmerrshme, revolucionare le t’i drejtohet popullit dhe le të zgjedhë ai një opozitë.  Kjo është e vetmja mënyrë.

1 Komente

Me arrestimin e drejtuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe të disa deputetëve të tjerë,

Po pse Albin Vitalisti eshte drejtues i VaVu-se? Nuk eshte ai nipi i Safa Ymerit ?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).