Përshtypje leximi

Ta dinte Danteja se Ferri ishte i çarë, do të na kish dhënë ca më tepër vargje dhe personazhe në “Ferrin” e tij. Mirëpo ky Ferr i çarë do të ekzistonte rreth gjashtë shekuj gjysëm më vonë nga jeta e poetit italian, përkundruall atyre brigjeve të gadishullit ku u shkrua e gjithë Komedia Hyjnore danteske - ky ferr do të ekzistonte në Shqipëri.

Një mësues i thjeshtë myzeqar, i dërguar në një rreth të largët e të varfër verilindor të Ferrit-Shqipëri për të mësuar brezin e ri, do të ballafaqohej drejtpërdrejt me skamjen. Intelekti i tij do të përplasej direkt me padrejtësitë. Ndjenjat do të nisnin t'i strumbulloheshin përkundrejt pandjeshmërisë njerëzore, siç mund të jenë këto në një rreth ferri. Dhe shpirti do t'i plagosej nga realiteti infernal, ku shpresa lodronte si një rreze e vobektë drite, e largët, thuajse e huaj, e paarritshme.

Në këtë gjendje, këtij mësuesi do t'i lodronin nga buzët disa vargje të çiltra për jetën, blasfemi e hapur kjo në rrethin ku jetonte. Ndaj i dhanë mundësinë të riedukohej në një rreth më të vogël e disiplinor, në një rreth ferri mjaft të ashpër e të rrethuar edhe me tela (që ta vlerësonte lumturinë e pakuptuar në rrethet e tjera të ferrit?). Të riedukohej me librat që i donte aq shumë, libra me kapak të trashë, vepra të mëdha të udhëheqësit të vetëm e të vetmuar të ferrit Shqipëri. Ferri dantesk ishte kthyer kështu nga libror e vizionar në realitet jetësor me tela me gjemba pas 600 e ca vjetësh, (çfarë koincidence në këto numrat biblikë, e pikërisht me këtë 6-ën si shenjë e tersit!).

Atë fat ferri nuk mund ta ndryshonte as nëna e tij, e cila nxiton rrugëve të Tiranës të zërë të njohur e të panjohur që ta ndihmojnë për të birin. Shpejton e zeza grua të zërë për krahu miqtë letrarë të të birit, njerëz të letrave, kukulla funksionare, persona të lartë e ... të largët. Por kush mund ta ndihmojë? E pamundur! Në ferr rrathët janë të lakuar mirë, çdokush vepron vetëm në rrethin e tij, shumë-shumë në rrathët e poshtëm. 

Kujtime të hidhura gjëmojnë në rrethin me tela dhe mësuesi, tashmë nxënës, i regjistron të gjitha për t’na i sjellë ne sot me stilin e tij të veçantë. Si vargje danteske kalojnë këto kujtime ferri, e si të tilla askush nuk ka fuqi t'i ndalë ato. Disa prej tyre e kapërcejnë rrethin për të dalë jashtë, të fshehura dosido, me fat, e me atë rreze të vobektë drite, që bëhet më së fundi e arritshme edhe për ne sot. Të ndjeshme janë vargjet dhe kujtimet e shkruara deri më sot të Visar Zhitit - gjurmë të pashlyeshme të ferrit shqiptar. Skelete minatorësh, vagona kokëfortë, policë të harbuar, ndonjë bukuri femre provokuese jashtë rrethit me tela, kontrolle, fshehje, realizim norme, pamundësi, të fikët, plagosje, shtërngim dhëmbësh, e sërish ndonjë rreze drite brenda në mal, kësaj radhe nga yjet në qiell, sërish shpresë dhe plane - e pamundura pluskon në faqet e librit, si ujët pikues të minierës, dhe shpon jo vetëm shpinat e të burgosurve, por edhe zemrat e lexuesve.

Ky ferr real ishte hermetik, e aq më tepër rrethi i tij i fundit, ai me tre kordonë telash gjembaçë, "i harruar edhe prej Zotit", siç thonin të (pa)riedukuarit: i ruajtur me njerëz-automatë, të pavetëdijshëm në shkrehjen e armës, nëse paraqitej nevoja, si edhe me jetë shpirtërash të braktisur jo vetëm prej Zotit (kjo s’ishte gjë), por të braktisur edhe prej të afërmëve (oh fat i zi, s’paske fund!).

E megjithatë, edhe ky ferr u ça aty, këtu, atje, nga një mendim shprese, nga një varg i lirë, nga një ofshamë dhimbjeje dhe hakmarrjeje. Me kujdes, me një kujdes prej fatbardhi, mësuesi-nxënës i nxjerr nga ferri i zi vargjet me ndihmën e të afërmëve. Ç’fat!

Kot nuk kanë thënë të lashtët se Zoti do më parë muzikantët, e pas tyre poetët. Fuqia Qiellore nuk duhet t'i kish braktisur krijesat e veta, Rrethi i ferrit u ça, oshëtiu diku në qiell. Kushedi sa do të jenë habitur Hyjnitë. Çarje disa herë më e madhe se çarja bërë malit për të nxjerrë pirit, shumë herë më e madhe se nxjerrja e vagonit të mineralit në sipërfaqe të tokës. Se, të të zinte vagoni poshtë, humbje vetëm jetën dhe lije shpirtin të të fluturonte në qiell. Ndërsa po të të zinin poezitë poshtë gjatë kontrollit, merrje në qafë si veten ashtu edhe njerëzit e tjerë të familjes që vinin për vizitë. Do të mundoje për një kohë të pacaktuar jo vetëm shpirtin tënd, por edhe ate të familjarëve të tu.

Të mos e lexosh këtë libër, do të thotë të largohesh nga kjo botë pa e njohur atë ferr, me gjithë ngjyrat e tij, kryesisht të errta, por herë-herë edhe me ndonjë ngjyrë gëzimi dhe shprese të çelur, si në raste ndërrimi vitesh, kur të dënuarit ngroheshin nga disa pika rakie futur fshehurazi në rrathët hermetikë të ferrit shqiptar.

10 Komente

Per ferrin dantesk shqiptar, jane bere disa libra keto vitet e tranziscionit, por qe ti lexosh ato te gjitha, duhet ta kesh kohen me pash, gje qe eshte e pamundur ne perendim, ku ne mengjez nisesh per pune, e ne darke je ne shtepi. 

Pjer, ti don te thuash qe puna (ne mengjes) dhe shtepia (ne darke) jane dy ferre suplementare per ty?

Pjeri don te thote se çfar nuk eshte ferr, sepse ferr kryesisht dhe paresisht eshte koncept dhe gjendje shpirterore e brendeshme, qe me pas realizohet konkretisht jasht e ngado. Gjeje gje a gjezen, na eshte, ç'na eshte, kush eshte?

Ngado qe vete, e mer shtepine e tij me vete.

Ne ferr mund te jesh edhe ulur rehat ne minderin e kadifejte te Sallonit te Sinjores, i zhytur ne lengun acid te diskurseseve amonikale dhe fekale per fete religjioze abrahamike.

 

Pjeri po don te thote qe per 'ferrin' duhet te flasin vetem kompetentet, p.sh Xhevdet Ferri.!

Njeren di ti, tjetren nuk e di (diturine e çun bordures), Pjerdh Bordura flet per kopetent tjeter: kont Ferren.

Pastaj ti nuk di dhe ate te fundit fare: qe ne ferr mund te jesh edhe ne shtratin e ngrohte te sinjora Bertinit, ne mes shkretise te nje shkelqimi bosh!

(dmth ti e di, po e di vetem ne film Kinostudjo Shqipria e Re)

Linkun aga, linkun!

 

'ferri', eshte si nje vegim i larget lashtesie, qe civilizimi na i mohon padrejtesisht !

p.s a e din ti si e kishte emrin sinjora Bertini ?

smiley

i modh je vallaj, po mos komento mer dreq per politike, se hum pike.

Jo nuk e di emrin.

 

nuk ke si ta dish... ve bast qe edhe pjetermustakuqi nuk e di.. thuhet vetem njehere dhe shume shkarazi. vetem syte dhe veshet e mprehte mund ta kapin.smiley

Françeska e quajne sinjoren.smiley

te temat politike komentoj per gallate, dmth i pershtatem nivelit atje.. ja te bej nje koment te shpejt tema me gazetaret, sipas vendit..smiley

i larte qe tu kujtua ky trill i Franceskes...

Edhe Jakup Ferri - do thoshte dikush mbas perdes. Ky tipi mbas perdes eshte eshte......mos me vodhen stilolapsin.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).