Mbi librin "Ura e Tamarës" të autorit Qemal Vrioni

Mbi librin “Ura e Tamarës” të autorit Qemal Vrioni

Duket, deti me valët e tij të përjetshme i zbut njerzit! Me atë zhurmë dhe shkumë gati të pandryshueshme ua skalit karakteret banorve pranë tij, duke ua ngrënë si me limë çdo thepisje dhe majë të pakalueshme, duket për ti mbajtur në këtë botë e jetë, larg zahallive dhe stuhive të papritura, jo rrallë këto të krijuara prej vetë njeriut. Këtë gjë duket ka bërë edhe deti Adriatik në bregdetin durrsak me popullsinë e këtij qyteti, jo më ndryshe, edhe me njërin prej banorve të vjetër të këtij qyteti.

Quhet Qemal Vrioni, mësues po aq i lashtë sa dhe ky qytet, me shpirt artisti, po si arkitektura antike e këtij qyteti, i qetë e i shkujdesur, po si shtrirja në kohë dhe hapsirë e gurëve të qytetit bregdetar, sa të vjetër aq dhe të rinj. Gjithnjë në simbiozë të rrahjes së përjetshme të valëve në breg, gjithmonë i qetë, i bindur, punëtor, si dallgët e Adriatikut përballë qytetit të tij, përherë një vrojtues i vëmëndshëm si deti për qytetin e tij. Ai ka përthithur në telajon e tij ngjyrat e hapura blu të detit të Dyrrahut, ai ka hedhur në letër zhurmën e mekur të Durrësit.

Një lloj autobiografie letrare, e ndarë në tregime të ndryshme, pluskon nga shpirti i tij. Një jetë e kaluar mes vështirsish, shpaloset e përzier me fraza të bukura e të rrjedhshme letrare. Një përshkrim pejsazhesh, ngjarjesh dhe karakteresh zbraset me fjalë të bukura shqipe nga ky vrojtues i përjetshëm, -merita dhe e meta e tij, e ndoshta e detit, që i gaton shpirtërat e banorve pranë tij!

Një bukuri e lashtësisë, Tamara, hap e ndrojtur portat e këtij libri. Nuk është Tamara e bukur biblike e rënë në shtrat të Judës, as ajo përdhunuar nga i vëllai, Absalomi, nuk është as Tamara e brishtë e Lermontovit, e rrëmbyer nga duart përpirse të Demonit! Është një Tamarë e përthithur nga ujrat e lumit Cem, diku në veriun shqiptar, thuajse e harruar, me gjurmë të lëna në urën e fshatit me të njëjtin emër, Tamarë, ndoshta po aq e vjetër dhe simbolike sa Tamarat e tjera nëpër botë, po aq e ngjashme me Helenën e bukur e të rrëmbyer disa herë! Ajo kalon në faqet e librit të autorit tonë pa u ndjerë, dhe zhduket si uji i lumit Cem nën ‘të. Gjynah!

Kështu si portrete kalojnë thuajse të gjithë personazhet (realë) të librit. Portreti i Enver Hoxhës përballë atij të Betovenit, i Hitlerit përballë atij të vetë autorit, formulari i deklarimit të armiqve në familje dhe farefis, figura e një plaku dhe pakoja e kafesë, vetë figura reale e Zenelit të Migjenit, me fundin e tij tragjik, një përshkrim i bukur artistik prej së largu, si autori të kish frikë ti afrohej rrezikut që sjell tragjedia, tragjedia e jetës, gjë që ai nuk e mohon. E si ta mohojë?!. Vetë mbiemri i tij e tregon prejardhjen e tij nga familje latifondistësh shqiptarë. Tash vonë ai flet hapur për pushkatimin e xhaxhait nga “komunistët”, një skenë kjo e imagjinuar së largu në kohë dhe hapsirë, si e një spektator të lozhave të largëta e të.... Jo, jo, ai nuk u bë kurr spektator i llozhave të larta! Siç tregon, ai i mbeti gjithnjë besnik profesionit të tij të dizajnit, për parrullat “socialiste”, të pikturës së nisur herët në rini, e mbi të gjitha, të mësuesit letrar, i apasionuar përherë, i respektuar deri në ditët tona.

Ai nuk luftoi, se të luftosh duhet të futesh mes dallgëve të detit në stuhi e furtunë, -dhe ai e njihte detin shqiptar, një det dhjetra herë më i egër nga ai i Hemingueit. Ai nuk demostroi, se të demostrosh duhet të jesh i krisur në kokë, -ai donte të krijonte dhe vetëm të krijonte në jetë të tij. Ai nuk shau dhe mallkoi, -kjo do t’ia zvoglonte shpirtin e artistit!

Ai vetëm vrojtoi e vrojtoi me pasion. Qysh fëmijë vrojtonte për kohë të gjatë xixëllonjat që lëshonte rrahja e hekurit nga duart e Xhikut, kovaçani jevg i lagjes së tij. Ai vrojtoi prapaskenat e kolegve dhe eprorve gjatë 45 vjetëve të “socializmit”, duke u përpjekur të rrinte larg tyre. Ai vrojtoi në pleqëri Mesharin origjinal të Gjon Buzukut dhe shpatën origjinale të Skënderbeut, (e u gëzua si një fëmij). Ai i vrojtoi të gjitha gjatë jetës së tij, pa mundur (e ndoshta pa ditur) si të përshkrihej me ato xixa jete përcëlluese!

Askush nuk e kritikon atë për këtë vrojtim, paksa për së largu! Kërkush nuk i heq veshin atij për ato përshkrime, paksa sipërfaqsore! As edhe një e nënvleftëson atë për rrjedhën e jetës së tij, paksa e qetë. Ai e ka zbukuruar sado pak atë jetë të dikurshme me sjelljen e tij, me punën e palodhur të mësuesit, me dashurinë për të krijuar. Fjalët e paqme, frazat e bukura kuptimplote, toni i tij i qetë e kanë shoqëruar atë në jetë, -kjo dallohet edhe në libër.

Fatkeqësisht nuk ka në librin e tij një tregim që të veçohej mbi të tjerët. Dreqi e marrtë, mendon ndoshta lexuesi, si nuk ka një Tamarë të kohës së tij, të cilën do ta shpëtonte nga ujët e Cemit ai apo dikush tjetër!?. Si nuk ka një stuhi deti, ku ai dhe bashkqytetarët e tjerë të përleshen me dallgët për të shpëtuar një njeri ose anije!?. Si dreqin nuk bie një zjarr i madh, ku të shpalosen heroizma të padëgjuara!?. Jo, nga të gjitha këto ka shpëtuar autori i librit. Edhe gjatë një stuhie deti në shkurt, atij i del në shëtitjen shpurpuruese të flokve dielli i praruar. Çka dashur të na thotë më këtë autori, mund ta marri çdo kush me mënd vetë, mund ta ndjejë vetë sejcili. Po si tek Mona Liza! Kështu me shumë prej tregimeve të tij. Buzëqeshja dhe trishtimi pasqyrohen sipas ndjenjës së lexuesit. Gëzimi dhe shqetësimi kuptohen sipas psikollogjisë së çastit të lexuesit.

Lexuesi durrsak nuk e njeh thuajse fare autorin Qemal Vrioni. Artëdashësit durrësakë njohin fare pak piktorin Qemal Vrioni. Qytetari durrsak njeh vetëm mësuesin e nderuar Qemal Vrioni. Ky nuk është faji i tij, dhe këtu as që ka vend për faj, do të na thoshte me modesti vetë ky mësues i vjetër. Nuk ka nevojë për shpjegime. Tranzicioni shqiptar do dhe pak, disa qindra vjet, sa të kalojë, e pastaj gjithkush do të ketë pasqyrimin e krijimtarisë së tij në panteonin mediatik. Deri atëhere rreshtat letrarë të Urës së Tamarës do të vazhdojnë në myshkjen e tyre, si me shumicën e rreshtave të letrarve të tjerë shqiptarë.

Merreni dhe lexojeni librin! Është një libër i thjeshtë, siç edhe jeta e autorit. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).