Emri dhe influenca e tij intelektuale qe aq e madhe saqë  eruditi i madh arab  Ibn Sina e pagëzoi   në  mënyrë  kuptimplotë  “si princin e të  gjithë  filosofëve”. Dhe në  fakt,nuk kishte sesi të  ndodhte ndryshe,që  bota intelektuale sot i përulet me përnderim dhe i përkujton 2400 vjetorin e lindjes. Një borxh moral që  Perëndimi ia kthen simbolikisht duke e kremtuar në  kalendarin e vet kulturor. Me një  veto të  gjithëpranuar dhe unanime UNESCO e ka ripagëzuar së  dyti këtë  mendimtar duke e cilësuar vitin 2016 si “Vitin e Aristotelit”.

Aristoteli nuk qe vetëm  një  intelektual prodhimtar dhe një  mëndje enciklopedike (shkroi mbi 1000 libra në  lëmi  të  ndryshme shkencore). Ai qe i pari që  shkroi si profesor. Me traktatet e tij sistematike dhe diskutimet e ndara në  kapituj, me kujdesin e tij prej kirurgu mental dhe me këndvështrimin e tij kritiko-analitik ai qe i pari mentar antik që  shkroi si një  mësues profesionist dhe jo si një  profet i frymëzuar. Askush prej paraardhësve të  tij të  ndritur nuk e kishte bërë  këtë  gjë  më  parë.

Së  dyti, duke mos qenë  një  qënie pasionante  fetare dhe i paprekur nga “zjarri i Bakut” metoda e hulumtimit të tij filozofik, si shprehet edhe filozofja amerikane Martha Nussbaum, u shfaq në  thelb dhe mjaft dukshëm si një  pamësi antropocentrike. Krejt ndryshe nga mësuesi i vet Platoni, Ai nuk mëtoi të na shtyj që  të  rimodelojmë  mënyrën  tonë  të  jetesës dhe të sjelljes. Ajo çka Aristoteli synonte në thelb lidhej pazgjidhshmërisht  me të  thelluarit dhe të  zgjeruarit e aftësive tona për ta kuptuar sa më  mirë  dhe sa më  drejtë  botën dhe gjithë  sa ekziston. Në  këtë  kuptim, duke e qëndërzuar  dhe duke e  parë  njeriun si “qënie përsiatëse” dhe “hulumtuese” të  vetvetes dhe të  botës, ne mësuam  prej Tij të duam njeriun racional dhe shkencor perëndimor! -Nuk është  faji i tij që  filozofia skolastike mesjetare dhe ajo arabe e Kalamit i përdorën argumentat e tij  për  të  ndërtuar dhe  justifikuar teologjinë  e tyre fetare.

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, përmes logjikës formale (shpikje e tij), instrumentalizimit të saj (Organon) dhe metodës induktive të  të  arsyetuarit Ai qe i pari që  i dha metodologjinë shkencore botës perëndimore. Aristoteli jo vetëm  që  shpjegoi se ku konsiston shkenca dhe me se merret ajo por gjithashtu ai formuloi edhe idenë  e ndarjes së  shkencave nga njëra-tjetra, një  busull me të  vërtetë  e vyer  për  pasardhësit e tij  “kërshëritës.”

Që  nga biblioteka “Bodleian” e Oksfordit e cila e ka  përmbledhur korpusin e veprave të  Tij në  12 volume e deri tek  kolonat e rënda doriko-kreontike të  Harvardit, të  gjithë  punëtorët  e Intelektit po gumëzhijnë  si bletët  për të  mbajtur konferenca shkencore, për të  punuar “paper-a” dhe  për të  organizuar kumtesa dhe seminare të  ndryshme për  hir të  këtij mendimtari të  madh  dhe me gjurmë  të  pashlyeshme si në  Lindje ashtu edhe në  Perëndim. -Sepse për intelektualët  e Akademive dhe Universiteteve më  të  shquara të  Botës, të  kremtosh Arsitotelin është  njësoj sikur të  kremtosh lindjen e Krishtit në  kishë  apo Natën e Kadrit brënda në  mesxhid(xhami). Aq çast i shenjtë  është !

Por Akademia e Shkencave e Republikës së  Shqipërisë dhe fakultetet respektive brenda territorit shqiptar “heshtin”… Por përse heshtin vallë ?! -Heshtin sepse janë “të  urtë ” si plakonia intelektuale, nuk e kanë  marrë ende  vesh lajmin apo s’kanë  buxhet “mjaftueshëm” për  të bërë  një konferencë  shkencore “të denjë” për  këtë  njeri universal?! -A do të  bëhet diçka për këtë  ngjarje të madhe?! -Apo do të  kalojë  ashtu si kalon gjithmonë  “zvarritur” e “pakuptuar” dhe do ta bëjnë  një  “ngjarje të  munguar” të  akademizmit shqiptar?! -Ç’po ndodh me Tempullin e Intelektit shqiptar?! -Mos vallë kriza vleroro-intelektuale dhe vjeshta shpirtërore e  ka kapluar këtë vend? Apo për  të  ndërtuar  shtëpinë  e vet, politika e ka shembur që  nga themelet?!

Por ler të  jemi pak optimistë  dhe të  urojmë, besojmë  dhe shpresojmë  që  ka për t’u realizuar  “diçka.”-Tek e fundit , njeriu është  i lidhur pazgjidhshmërisht me Shpresën dhe ne jemi Job-ët stoik të saj! -Deri atëherë, ler të bëjmë si britanikët:“Wait & See” !-Sepse në se nuk ndodh, vjeshta epistemike e akademizmit shqiptar me siguri që  do të  na  shfaqet e  tëra  në  plotërinë  e të  florinjtës së  saj mortore. /m.g

3 Komente

Nga kategoristi perfekt metafizicist Aristoteli, lindi pseudo-metodisti metafizik I. Kanti. Nga llogjikisti dialektik Herakliti lindi dialektiku idealist G.F. Hegel. 

Akadamia e shkencave e Rep. se Shq.?... Eshte akoma ne gjume! Por se shpejti do te zgjohet nga artopalantet e xhamise se re prane saj, dhe shkencaret shqiptare do nisin lutjet ne drejtim te Mekes!

Sa te firmoset reforma Likja do lere leshtë pa qethur e rruar dhe fiks si ai do ngjase (tëpkë deri tek ecejakjet peripatike tek gjiri i Lalzit), me c'rast ringjallet dhe Aristoteli.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).