Përshtypje leximi

Njeriu, sa të rrojë, do mësojë! Më shumë se sa në leximin e këtij libri, nuk mund të gjejë vend tjetër kjo shprehje e urtë popullore, e sidomos me fillimin e librit, ku na shpaloset një dorëshkrim i rinxjerrë nga pluhrat arkivore të fretërve françiskanë të Shkodrës, dorëshkrim gati biblik i priftit italian, pater Erazmit, i cili ka shoqëruar me jetën e tij atë të pashallëkut të Bushatllinjve në Shkodër, për disa dekada të tëra.

E kush nga historianët shqiptarë e ka ditur ndikimin e këtij prifti katolik në ngritjen e familjes së Bushatllinjve si pashallarë të Shkodrës?!. Një prift-mjek, i cili kujdeset për fëmijën e vogël të Mehmet Bushatlliut, Mahmutin, që më vonë do të thirrej Kara Mahmut Pasha. Një mjek-prift, i cili na tregon qysh në fillim një histori alla Jezui, histori gati biblike, atë të nxjerrjes së njeriut prej varri.

Sëbashku me shoqnuesin e tij, Vuk Frangun, katolik nga Malsia e Madhe, Pater Erazmi po hyte n’ Shkodër, kur ka vorret Kumone po nigjohej nji za i myt ka nantoka! Për malsorin Vuk ishte zani i t’vdekmve mysliman, q’ i munonte djalli. Por për patër Erazmin duhej me qen nji ka ato mijra raste t’njerzimit budall, qi i varrote njerzit akoma t’gjall, e tu kujtu se keshën dek. Të dy ia nisn me gërrmu, e pas pak qitn nji voglushe gati në t’maru. Pasi e solln n’vete u nisen për n’Shkoder, tu e çu cucn n’shpi t’vet.

Autori i librit, At Zef Pëllumbi nuk na jep as edhe një koment për ngjarjen, (që un e solla në dialektin veri-perëndimor dhe e tregova shumë më shkurt se dorshkrimi i përkthyer i priftit italian), po ashtu At Zef Pëllumbi na tregon jo shumë për gjetjen dhe ruajtjen e këtij dorëshkrimi mëse dy shekullor. Ajo çfarë lexuesin shqiptar do ta qartësonte edhe më shumë në lidhje me dorëshkrimin dhe me vetë autorin e tij, do të kishin qenë gojdhëna të shkodranve mbi ngjarjen në fjalë, si dhe kujtime të françeskanve të kohës së Zogut mbi pater Erazmusin! Nuk e di pse këto mungojnë në librin e At Zef Pëllumbit, si për të na lënë të dyshojmë, se mos ndoshta në dorëshkrimin e para dy shekujve të kemi nga autori një shtrim deri diku simbolik të ngjarjeve të përshkruara, siç ka qenë e zakonshme nga fetarët gjatë qindra apo dhe mijra vjetëve! Të jetë e vërtetë, që në një dinasti kaq të njohur në Ballkan, si ajo e Bushatllinjve, të kish gisht (kupto: rolin kryesor) një prift i panjohur e i pakujtuar pas 100 vjetës?!. Si ka mundësi që historianët tanë, të cilët kanë studjuar si gojdhënat, ashtu dhe arkivat e ndryshme, të mos dallonin fantin spathi të kësaj dinastie, patër Erazmin, për të cilin na flet edhe më tej në faqet e librit, At Zef Pëllumbi?!.

Sidoqoftë, duhet pohuar se, ky dorëshkrim dy-shekullor i vjetër, është pjesa më e bukur e të gjithë librit “Histori kurr e shkrueme”. Kemi më tej ngjarje të shumta nga jeta e françeskanëve shqiptarë të kohës së Zogut, si ajo e At Gjergj Fishtës, At Anton Harapit, e sa e sa të tjerëve, një pjesë e të cilve përfunduan në burgjet e sistemit të ri “socialist”, kemi ngjarje të kohës së jetuar nga vetë Zef Pëllumbi, apo edhe të dëgjuara nga ky prej më të vjetërve, ngjarje të kohës së indipendecës dhe pas shpalljes së panvarsisë, kur Shqipëria tundej e shkundej nga dallgët e kohës si një anije pa spirancë, kemi në libër intervista të ndryshme të autorit dhe priftit At Zef Pëllumbi, në të cilat dalin mjaft fakte të harruara të periudhës mbretnore dhe asaj “socialiste” më vonë, kemi edhe pjesë nga revista e françeskanve shkodranë “Hylli i Dritës”, kemi edhe nga vizita e Nënë Terezës në Shqipëri mjaft fakte interesante, kemi biles në fund të librit dhe histori të dëgjume, me një stil dhe paragjykim të vjetër letrar-romantik, të dalë kohe, si i themi sot, kemi shumë në librin e At Zef Pëllumbit, gjithshka duket interesant dhe tërheqse, por pa diskutim pjesa më interesante ngelet dorëshkrimi i pater Erazmit. Të paktën mua kështu mu duk, edhe kur kisha përfunduar librin. Ndoshta kjo, sepse ai dorshkrim i nxjerrë prej pluhrash arkivore kishte diçka të paditur, diçka të re në kronologjinë e ngjarjeve të kohës, për të cilën flet. Ndërsa të gjitha ngjarjet e tjera që na tregon At Zef Pëllumbi janë disi më të njohura. Të paktën për mua, që kam patur rastin të shfletoj edhe periodikë të vjetër, e biles një ndër më të parët e tyre, “Kalendari-n Kombiar”, i cili –në mos gaboj– ka nisur të botohet qysh në vitin 1901 në Shkodër, e të cilin unë kisha rastin ta shfletoja për javë të tëra në bibliotekën e Institutit të Historisë, asaj kohe të drejtuar nga Stefanaq Pollo. Ndaj dhe ndoshta ngjarjet prej periudhës së Panvarsisë e deri më sot më tërhoqën më pak në librin e At Zef Pëllumbit. Por kjo nuk do të thotë se libri bëhet shumë më pak interesant në faqet pasuese. Jo, ai e mban lexuesin të lidhur, panvarsisht se sa pastaj këtij në fund i mbeten jo të gjitha njëlloj në mornicën e emocioneve të kujtesës.

Lexojeni këtë libër, se është interesant!

Dhjetor 2015 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).