Është quajtur Perandori i sëmundjeve dhe jo më kot, kanceri është sot shkaku numër një i vdekjeve në botë, vetëm në ShBA vret gjysmë milioni njerëz në vit. Secili prej nesh ka patur një mik apo një familjar me kancer, dhe di apo ka përjetuar histori të dhimbshme të shkaktuara nga ky armik i brendshëm. Por me avancimin e shkencës, përparon edhe lufta kundër sëmundjes. Tani e dimë se kanceri nuk është një por qindra sëmundje të përmbledhura në një, ndaj lufta ndaj ti është aq e vështirë, pasi secili pacient ka specifikat e veta, dhe kura që vlen për njërin mund të jetë e padobishme për tjetrin. Me zbulimet e avancuara në fushën e ADN-së, vijnë dhe perspektiva të reja në luftën ndaj kancerit, siç janë medikamentet gjenetikisht specifike, por tani në lojë hyn edhe informatika, gërmimi i të dhënave dhe nanorobotika.

Presidenti Obama shpalli gjatë fjalimit të tij të përvitshëm (SOTU) se ShBA po ndërmerr një "ekspeditë" të re multi-miliarda dollarëshe për ta ndalur sëmundjen vrastare. Me gjasa kanceri do të vijojë të mbetet një problem, por ai mund të mos jetë më vdekjeprurësi i tmerrshëm që na bën të dridhemi sot, por një sëmundje e menaxhueshme, si Diabeti. Në krye të këtij projekti ambicioz Presidenti Obama ka emëruar Zv. Presidentin Joe Biden, i cili me këtë sëmundje e ka personale. Joe Biden humbi të birin, Beau Biden, një jurist, bashkëshort dhe baba që vdiq në moshën 46 vjeçare nga një tumor në tru. 

Ky porojekt amerikan, të cilin zv. Presidenti e quan një pjesë madhore të karrierës së tij synon koordinimin e ngushtë në një partneritet të paarritur kurrë më parë të të gjithë aktorëve në luftë me sëmundjen. Ai kërkoi që të dhënat e pacientëve të mos mbahen më sekret, por të ndahen me kërkuesit në mënyrë që përmes këtij informacioni të arrijmë tek zgjidhja. ​Progresi teknologjik do të na lejojë në të ardhmen e afërt të riparojmë ato gjene difektoze që shkaktojnë që qelizat të bëhen kanceroze. Nanoteknologjia do të na lejojë që të lëshojmë në trupin e njeriut robotë shumë të vegjël të cilët shkojnë të sulmojnë tumoret pa prekur asnjë qelizë të shëndetshme të trupit.

Në Forumin Botëror të Ekonomisë në Davos Biden tregoi më shumë për planet që ka për luftën ndaj sëmundjes, bashkimi i forcave, duke sjellë bashkë disa nga shkencëtarët më të ndritur dhe udhëheqësit e komunitetit "Big Data". Eksplorimi i të dhënave nga miliona pacientë, një fushë ku mjeksia ka mbetur pas krahasuar me revolucionin që ka ndodhur në shkencat kompjuterike. Kur mendojmë për një kurë ndaj kancerit nuk na shkon mendja tek infrastruktura informatike dhe teknologjia, por përgjigja e shumë pritur mund të jetë pikërisht atje. Bashkëpunimi mes aktorëve të ndryshëm që po punojnë kundër kancerit, dhe jo gara mes tyre mund të jetë zgjidhja. Ndarja anonime e të dhënave të pacientëve, eksplorimi përmes inteligjencës artificiale i këtyre miliona rasteve do të maksimizonte shpejtësinë, duke e sjellë më pranë ditën kur njeriu mposht kancerin.

3 Komente

Ja pra qe eshte e kot te privoni veten nga proshutet, kapikolat e sopresatat.

"Në krye të këtij projekti ambicioz Presidenti Obama ka emëruar Zv. Presidentin Joe Biden" Apo s'te maro pune Joe (ekuivalenti i NN knej). Leqe kto barazimin e kon ne xhep se ne ca muj m'kale i kane met. Duket se dun me i lon kancerin ne dere Trapit.smiley 

Lufta ka per te qene e veshtire dhe e gjate megjithe perparim e madh qe ka bere shkenca. Plus kesaj sot cdo kure e re kushton se tepermi duke e kthyr luften kunder kancerit ne fushen me fitim prurese per kompanite farmaceutike qe po kryejne spekullimin me te madh sot. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).