“Libri i artë” i Durazzo-ve/Një kryevepër e miniaturës së Rilindjes italiane

 

Për familjen e Durazzo-ve, një prej familjeve më të lavdishme të diasporës shqiptare deri më sot, është shkruar dhe më parë. Të mërguar që më 1387-n nga Durrësi drejt “Felix Italia”, gjatë rrugës nëpër Adriatik, në Mesina ata u kthyen në skllevër dhe që andej, siç shkruhet në aktet historike të “Atti della Societa Ligure di Storia Patria” të Gjenovës, ata mundën të shkojnë deri në Gjenova, ku arritën të fitojnë lirinë dhe të vendosen në kryeqytetin e Republikës gjenoveze. Përmes punës dhe inteligjencës së jashtëzakonshme të Gjergj Dursakut dhe tre bijve të tij, kjo familje arriti të ngjisë shkallët e shoqërisë gjenoveze, të shkruhet në “Librin e fisnikërisë” (Libër Nobilitatis) dhe më pas, gjatë tre shekujve, t’i japë kësaj republike 9 dozhë (presidentë të republikës), mbi 30 senatorë e ambasadorë, dy kardinalë dhe një radhë të gjatë shkencëtarësh, historianësh, mecenësh të artit, klerikë të lartë etj., duke nënvizuar dhe faktin se zemra e dozhit të fundit, Gerolamo Durazzo, ruhet ende në një urnë të panteonit francez me kërkesën e Napoléon Bonapartit. Por nga pasuria e madhe historike që lanë pas (ku në sallonet e tyre kishte një koleksion të jashtëzakonshëm me tablo të Van Dyck, Rubens, me tablo të Rembrandt, Veronese, Caravaggio, Tintoreto etj.) dallohet dhe një “Libro d’ore”, i cili ende nuk njihet në Shqipëri, kodik ky me miniatura të mrekullueshme që ruhet sot në Bibliotekën e Torinos.

Pikërisht në vitin 1847, familja Durazzo do t’i dhuronte bibliotekës së Gjenovës “Biblioteca Civica Berio” këtë kodik “miniato” mjaft të bukur dhe të rrallë, i cili kishte qenë pronë e Marcello Durazzo-s, ish-dozh i republikës dhe një nga njerëzit më të pasur të Gjenovës, aq sa në kohën që ishte dozh, në kancelaritë europiane, Republika Gjenoveze cilësohej Republika Durazzina. Në fakt, kodiku që quhej “Libro d’ore” ose “Uffiziolo Durazzo” i shkruar në pergamen “purpureo” dhe me “crisografia” (me bojë ari), ishte i jashtëzakonshëm dhe me vlera pikturale të mrekullueshme. Sipas specialistëve, ky kodik ishte pikturuar në fillim të shekullit XV prej një artisti me origjinë nga Parma, Francesco Marmitta. Në një portret që cilësohet “Parmigianino” dhe që ruhet sot në National Gallery, të viteve 1523-1524, personi i pikturuar mban në dorën e majtë pikërisht “Libro d’Ore”, çfarë konsiderohet se ai është koleksionisti i parë i këtij kodiku. Pas një qëndrimi në Parma, kodiku më pas ka shkuar në Portugali përmes Jacopo-s, birit të dytë të Francesco Marmitta-s. Dihet gjithashtu se kodiku është gjendur në Gjenova në shekullin XVIII, në fillim në duart e tregtarit të pasur Bacigalupo. Historiani Luigi Cibrario e ka cilësuar Libro d’ore Durazzo me këto fjalë: “Marchese Marcello Durazzo ha un uffiziolo di Madonna in pergamena violata e in lettera d’oro miniato con tuta grazia e bellezza ch’io lo tengo per uno de’codici piu prezziosi in questo genere”. (Markezi Durazzo ka një “uffiziolo” të Madonës në pergamen në ngjyrë violet, me germa “miniato”, me një hijeshi e bukuri që për mua është një nga kodikët më të çmuar të këtij lloji …) Në vitin 2008, Francesco Cosimo Panini Editore, nën drejtimin e Andrea de Marchi, ka realizuar në kolanën “Biblioteka e Pamundur” botimin e parë në faksimile të shkruar nga kaligrafisti i njohur bolonjez (profesor i gramatikës), Pietro Antonio Sallando, duke treguar hiret e këtij kodiku të jashtëzakonshëm dhe plot figura të habitshme, me psalme e lutje nga kishtare (Uffici), që i ndeshim në “Trecento” dhe “Quatrocento” veçanërisht në Francë apo në Vendet e Ulëta: “Libro d’Ore Durazzo. Porpora, oro e rubini per un capolavoro miniato”. Libri me 240 faqe, me riprodhimin e 45 miniaturave, që siç i cilëson kritika, kemi të bëjmë me “një kryevepër të miniaturës italiane të Rinascimento-s”, u botua vetëm në 980 kopje me një distribucion botëror. Është shkruar për këtë kodik edhe nga Laura Malfatto, La storia recente del libri d’ore Durazzo, si dhe Laura Nuvoloni, Pietro Antonio Sallanda e la scritura del Libro d’Ore Durazzo.

Në Gjenova sot ka dhe një bibliotekë të rrallë që quhet “Biblioteca Durazzo”, e cila konsiderohet si një nga bibliotekat më të pasura private të Italisë dhe padyshim meritë për këtë kanë disa nga figurat e kësaj familjeje, duke veçuar ambasadorin Giacomo Durazzo, artistin që drejtoi gjatë dhjetë vjetëve teatrot e Perandorisë së Austro-Hungarisë, para të cilit dha koncert djaloshi Mozart (kur ai ishte ambasador i Austrisë në Venedik) dhe që e shkriu pasurinë e tij me koleksionet dhe librat e rrallë, stampat, gravurat e rralla, pjesët muzikore (duke filluar me partiturat origjinale të Vivaldit) etj. Lexuesi i sotëm në ato mijëra volume, veçanërisht të shekujve të mëparshëm mund të gjejë botime që nuk janë në bibliotekat e tjera. Bëhet fjalë për libra që janë klasifikuar në kategori të ndryshme si: Manoscrito, Scriptorium, Rinascimento, Italia medioevale e umanistica, Medioevo latino etj. Midis tyre gjen 299 dorëshkrime, 448 “incunaboli” pra midis 1450-1501, 616 vepra të 1500-s, 126 “bodoniane” (të kohës së tipografit italian Giambattista Bodoni, 1740-1813), 169 “cominiane” etj., të cilat janë mbledhur në antikerët dhe librarët në tregjet europiane të fundit të shekullit XVII. Biblioteka Durazzo u krijua nën konsulencën e paleografit të njohur italian Dino Puncuh, i cili është njëkohësisht dhe president i Shoqatës Ligure Storia Patria. Ajo tashmë është ndarë në seksione të ndryshme. si Storica (1414 tituj), Belle Lettere (1041), Scienze e Arti (710), Teologia (607), Diritto, Scienze Naturali, Fisica, Matematica e Medicina.

4 Komente

Shum interesant ky hulumtim i Luan Rames per nje nga familjet e medha shqiptare ne Itali. Do ishte me interes qe per shum figura shqiptare ne bote, te beheshin dokumentare te shkurtera, te permbledhura, konçize, ne dy gjuhet kryesore, anglisht dhe frengjisht, me qellim qe bota te njihej me kulturen dhe boten shqiptare. 

Mos u merzisni, kete biblioteke dhe te tjera si kjo, me dorshkrime dhe libra te vjeter, i ka "djegur" deri ne gjysem koha moderne e diskos dhe hashashit. Gjysmen tjeter do e djegin turmat e tashme emigrante, nga qejfi dhe besimi i madh ne Zot.

Nuk kuptova asgje nga komenti jot, perveç idese se shprehjes se famshme "feja eshte opium per popullin".

 

Pak a shume kjo ishte ideja, por tashme e aktualizuar me kohen e sotme.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).