Përfitimet nga Komunizmi

Atdheu apo Arratia

Në fillimet e 1960-ës, Kadareja ishte tashmë i mirënjohur për serinë e poezive si Frymëzime Rinore (1953)Ëndrrat(1957) dhe veçanërisht Brezi im (1961). Rinia në përgjithësi i pëlqente mjaft veprat e tij. Helena Kadare ishte akoma  nxënëse shkolle në Fier, kur ajo i shkroi një letër si adhuruese e tij Kadaresë që ishte në Moskë, letër e cila do të çonte në martesën e tyre. Jusuf  Vrionit i kujtohet mjaft mirë admirimi që e dashura e tij kishte për poetin e ri në 1963-in. Për rininë shqiptare të pasluftës, Kadareja ishte një poet që kish diçka të re për të thënë. Ai hyri qysh herët në rrethet e shkrimtarëve dhe kishte mardhënie të mira me redaktorë e figura të letërsisë si Llazar Siliqi, Todi Lubonja e të tjerë, pas botimit të poezive të para në fillimet e 1950-ës. Pesha politike e Kadaresë u rrit në 1961, kur Enver Hoxha ndërhyri në polemikën midis shkrimtarëve të kohës së luftës dhe brezit të pasluftës që tani ishin formuar si të tillë. Kadareja sapo ishte kthyer nga Moska. Bashkë me Dritëro Agollin, Fatos Arapin e të tjerë, ai u akuzua për qëndrime anti kombëtare, kozmopolitanizëm e dekadencë. Enver Hoxha për çudi përkrahu brezin e ri kundër gardës së vjetër, të cilët mbanin qëndrim kritik ndaj liberalizmit e stilit të shkrimeve të të rinjve. Duket se qëllimi i tij nuk ishte thjesht tu bënte të ditur shokëve të tij të vjetër se autoriteti i tyre si ish partizanë  nuk vlente më. Duke futur një pykë midis brezave e duke fuqizuar të rinjtë, shkrimtarët “liberalë” të pasluftës kundrejt stalinistëve të vjetër “konservatorë”, ai fitoi besimin e tyre në një kohë ndryshimesh dhe izolimit të mundshëm. Udhëheqësi kërkoi përgjigje nga shkrimtarët e rinj, veçanërisht nga Kadareja, i cili në një moment gjatë një sulmi të egër, guxoi të ngrihej e të largohej nga mbledhja. Gjatë pushimit të drekës, Kadareja përgatiti përgjigjen duke akuzuar akuzuesit për qëndrime monarkike. Ai kishte mësuar se si ta mbronte veten gjatë mbledhjeve partiake e denoncimeve. Hoxha mund të kishte dëgjuar që më parë për shkrimtarin e ri dhe sigurisht ai e vuri re atë gjatë mbledhjes dhe menjëherë e kuptoi se ai mund ti hynte në punë atij. Askush nga ne, shkruan Kadareja, nuk mendonte se Hoxha do të merrtë anën tonë. Duke favorizuar këtë djalë të ri, Hoxha e bëri atë të paprekshëm dhe një objekt zilie në rradhët e inteligjencës krijuese. Në një shikim retrospektiv, Kadareja e kupton veprimin dinak të Hoxhës si “një nga ato veprime për të cilat ai ishte i mirënjohur e të cilat e ç`orientonin shoqërinë shqiptare”. Prej atij momenti e më pas, Kadareja pati armiq të fuqishëm mes stalinistëve ekstremistë të majtë të regjimit por edhe një protektor të fuqishëm, Enver Hoxhën. Duke marrë anën e “turqve të rinj” në çështjet e letërsisë në këtë moment kyç ndryshimesh, Hoxha tronditi dogmatikët e brezit të partizanëve në rrugën drejt revolucionit kulturor, në gjysmën e dytë të dekadës. Po ashtu ai i dha brezit të ri të inteligjencës krijuese shijen e pushtetit, e cila do ti përgatiste ata për zënien vend në nivelet e larta të klasës sunduese.

Duke punuar si gazetar, si shkrimtar dhe si redaktor i seksionit të letërsisë së huaj në gazetën letrare Drita, Kadareja vazhdonte të kishte mundësi të lexonte vepra bashkëkohore nga e gjithë bota si edhe gazeta të tilla si Le Monde. Heminguei ishte i njohur e mjaft popullor, letërsia e fundit amerikanë e europiane ishte e pranishme dhe kultura Perëndimore mund të ndiqej nëpërmjet radios e televizionit italian e jugosllav. Kadareja bëri eksperimente duke përdorur kaseta regjistrimi e forma të tjera krijimi e po ashtu ishte i interesuar rreth zhanrit të filmit. Industria e filmit ishte zhvilluar në Shqipëri me ndihmën e sovjetikëve në fund të viteve 1950-të, bile edhe qytete të vogla si Fieri në Myzeqë (ku Kadareja më vonë do të dërgohej si dënim për shkrimet e tij tepër intelektualistë) kishin sallë kinemaje.

 

Në atë copë ekran

Për herë të parë

Ne pamë një copë të botës së madhe

Në gjashtë metra katrore

Bota fund s`kish e as anë….

 

Megjithatë, kinemaja ishte e kontrolluar më nga afër prej regjimit se sa krijimtaria e shkruar dhe talenti i tij i natyrshëm për shkrime e poezi u çfaq përsëri.

"Unë iu kushtova përsëri letërsisë, por kriza la një mbresë që do të mbetej tek unë; ajo nguliti në mendjen time vendimin, që kurrë të mos u përngjaj në asnjë drejtim shkrimtarëve sovjetikë të kohës, duke filluar (sigurisht!) me pamjen e jashtme."

 

Nga veprat e tij të para, “Ditë kafenesh” (tregim i nxjerrë nga Qyteti pa Reklama) dhe tregime të tjerë të shkurtër (që më pas u përmblodhën në, Tregimet përmes Kohës dhe Njëmbëdhjetë Tregime të Shkurtër) u botuan në periodikë të tillë si Drita, Zëri i Rinisë dhe Nëntori. Në këtë fazë, Todi Lubonja ishte përgjegjës për çështjet e rinisë dhe e ndihmoi Kadarenë për të botuar veprën në gazetat e rinisë, megjithëse u ndalua menjëherë sapo doli. (Lubonja do të bëhej një mbështetje e madhe për Kadarenë brenda mureve të regjimit, deri në heqjen e tij nga posti dhe burgimin për liberalizëm në 1973, si rezultat i skandalit rreth, Dimrit të Madh). Tema, motive dhe episode nga veprat e hershme të Kadaresë, si dhe tregime e poezi të pabotuara, do të rishfaqën më vonë, ndërsa autori bën lidhjet e duhura e hulumton transformimet e jetës në komunizëm. Skicime të hershme rreth pushtimit italian, një tregim rreth shtëpisë së parë publike në qytetin e tij të lindjes dhe materiale të tjera do të çfaqën tek vepra “Aeroplani i Madh” dhe “Qyteti i Jugut”, përpara se të marrin formën përfundimtare tek Gjenerali dhe Kronikë në Gur. Poemat “Laokonti” dhe “Kali i Trojës” merren me tema që do të rishfaqen tek Përbindëshi në 1965 dhe në esenë e mëvonshme, Eskili Ky Humbës i Madh, në 1985. Romani, Dimri i Madh, merr tema nga poema, “Vitet 60”. Alegoria politike  e 1988-ës, Piramida,  nuk e ka zanafillën tek mauzoleumi i Enver Hoxhës në qëndër të Tiranës, por në poemën “Piramida e Keopsit” e 1967-ës.Qyteti pa Reklama do të presë edhe dyzet vite të tjera, i fshehur në apartamentin e Kadaresë, përpara se të botohej në formën e tij të plotë. Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur u botua pjesë pjesë tek Zëri i Rinisë në 1962, përpara botimit si libër më vete në vitin në vazhdim dhe në një version të rishikuar në 1967-ën

Pas sukseseve në rininë e tij, popullaritetit që gëzonte midis rinisë, me reputacionin e studimit në Institutin Gorki dhe në valën e suksesit të papritur mbi brezin e vjetër, Kadareja e ndjeu se atij po i ofrohej roli i shkrimtarit  kombëtar, gjatë viteve të arta të fillimit të 1960-ës:

Ndjeva se diçka e re dhe e rrezikshme po më ofrohej. Manteli i shkrimtarit kombëtar po me prekte shpatullat, manteli i rëndë i shkrimtarit kombëtar nën diktaturë. (Le Poids 298)

 

Në tregimin, “Në një Tren të Humbur gjatë  një Natë Dimri”(1964), Kadareja i rikthehet temave të patriotizmit dhe kundërshtimit të hegjemonisë sovjetike, të cilat i përjetoi gjatë kohës kur përgatitej të kthehej në atdhe. Shkrimtari i ri bën një gjumë të çrregullt gjatë udhëtimit me trenin e natës përmes fshatrave të ngrirë, nga Moska për në Jaltë, në Krime. Zhurma ritmike e lokomotivës i kujton atij emrin e gjeneral-majorit jugosllav Svetozar Vukmanoviç Tempo, i cili kohët e fundit kishte vizituar Moskën. Shqiptarët e lidhnin emrin e Vukmanovic Tempos me komplotin titist për “gllabërimin” e Shqipërisë. Ai u përpoq  të përfshinte Shqipërinë në Federatën Jugosllave qysh nga fundi i viteve 1940-të. Tempo mbahej mend nga shqiptarët për lidhjen e tij me ish ministrin e brendshëm pro jugosllav Koçi Xoxe, i cili u ekzekutua si tradhëtar në 1949-ën, pas fazës së parë të spastrimeve. Vukmanovic Tempo ishte i pranishëm në Moskë në korrik të 1955-ës, kur Hrushovi, i cli kishte ftuar Enverin e Nexhmijen në BS për “pushime”, ngriti çështjen e afrimit të shpejtë midis Shqipërisë e Jugosllavisë. Sigurisht që Hoxha e mohoi marrëveshjen sapo u largua nga BS dhe në vitin në vazhdim sfidoi sovjetikët duke ekzekutuar të ashtuquajturit spiunë të Titos dhe bashkpunëtorë të Koçi Xoxes, gjeneralin Dalip Ndreu dhe të shoqen, Liri Gega. Në tregimin e shkurtër të Kadaresë, një i panjohur rusisht folës hyn në dhomën e trenit dhe zhduket në mënyrë misterioze, duke e lënë shqiptarin të ç`orientuar e plot dyshim. Armiqësia në rritje e shkrimtarit të ri ndaj sovjetikëve duket ndërsa treni udhëton përmes rrafshinave të shkreta, duke nxjerrë në pah patriotizmin, që do të bëhet gjithnjë e më shumë i dukshëm në shkrimet e tij, duke ushqyer kundërshtimin ndaj hegjemonisë së kulturës sovjetike, ashtu si nacionalizmi i ri i Herderit kundërshtoi dominimin nga kultura franceze, dy shekuj më parë.

Megjithatë, problemet e shkrimeve në Shqipëri dalin qartë në këtë tregim. Ai pasqyron armiqësinë zyrtare kundrejt BS-së e Jugosllavisë dhe si rrjedhim ishte pa asnjë dyshim i pranueshëm për Ministrinë e Kulturës dhe Lidhjen e Shkrimtarëve. Këtu, ashtu si edhe në tregime të mëvonshme, si “Sezoni Dimëror i Kafe Rivierës” dhe Dasma, vihen re shenja të përpjekjeve të shkrimtarit për të gjetur rrugën e kompromisit dhe ne mund ta marrim me mend drejtimin e zhvillimit të shkrimeve të tij, nëse ai do të bëhej “shkrimtari kombëtar” i regjimit.

Në këtë fazë të parë, ai akoma po kërkonte pikat e orientimit në mjedisin socialist të pasluftës. Në veprat e fillimit të viteve 1960-të vemë re njëfarë pështjellimi, ndërsa shkrimtari i ri peshon alternativat e tij. Në njërën anë, ai është i kënaqur nga vëmendja që i ka kushtuar lideri dhe nga ndjenja e pashprehur se mund të bëhet “shkrimtari kombëtar”. Por nga ana tjetër, është i vetëdijshëm për kufizimet që do të ketë jeta në Shqipëri. Ndërsa tek “Nudoja” bile edhe tek Qyteti pa Reklama del në pah njëfarë pasigurie përsa i përket realizmit socialist, në veprat e tjera të fillimit të viteve 60-të fillon të çfaqet skepticizmi ndaj tij. Tema e largimit nga atdheu fillon të dalë në pah. Në tregimin e shkurtër të 1960-ës, “Në skaj të Aeroportit”, që zhvillohet në Moskë, dy të rinj të dashuruar bisedojnë me njëri tjetrin ndërsa avionët tupolevë rusë e karavellat franceze shkojnë e vijnë. Shkrimtari i ri së shpejti do të largohet nga Moska. Por për ku? Në Perëndim apo në Lindje? Në arrati apo të kthehej në atdhe? Kadareja e ka diskutuar fshehtësisht arratinë me shokun e tij Dhori Qiriazi. Në Pragë, në rrugën e kthimit nga Finlanda, në 1962-in, ai për një kohë të shkurtër qëndroi në një dhomë hoteli tej sheshit Wenceslas, me qëllim që të kërkonte azil, për shkak të situatës së padurueshme në Shqipëri. Përballë realitetit të zymtë të jetës në një vend të panjohur të Europës Lindore, ai mendoi se nuk ia vlentë të hiqtë dorë nga gjuha dhe mëmëdheu për një situatë që zor se do të ishte më e mirë. Në vitin 1990, duke hedhur vështrimin pas, ai reflekton mbi perversitetin e kërkimit të azilit në Lindje dhe jo në Perëndim (ai po kthehej në atdhe, pas vizitës në një vend Perëndimor, Finlandën). Sidoqoftë, ky është një tregues i prejardhjes prej një vendi socialist, pra Perëndimi nuk ishte çfaqur akoma në radarin e tij politik. Ai ishte rritur në një regjim komunist dhe Lindja mbetej pika e tij e natyrshme e orientimit. Vendimi i tij për tu kthyer në Shqipëri, në vend që të qëndrontë në “stepat” e Lindjes, u mor si pasojë e një nevoje më të thellë. Ai e kishte të qartë se krijimtaria e tij, që mbështetej në gjuhën e nënës, do të vyshkej e do të vdiste në arrati:

Në vend të vdekjes së heshtur në stepa, unë preferova arenën e mbushur me ulurima dhe mantelin, i cili do të detyronte shpatullat e mia të kërruseshin. Ashtu si mëkatari që nuk i reziston dot tundimit, unë u ktheva në bordin e avionit nga Praga në Tiranë, për të pranuar kurorën e mallkuar. (Le Poids 300-01)

 

Etniciteti, Patriotizmi dhe Politika.

Ndonëse identiteti etnik ishte pjesë që pranohej nga letërsia sovjetike, ai konsiderohej fenomen i socializmit tranzitor, pra dytësor në krahasim me qëllimin e madh, arritjen e shoqërisë pa klasa. Përfshirja e temave etnike në realizmin socialist konsiderohej një e metë e shoqërisë tranzitore, por megjithatë pranohej e shfrytëzohej si mjet frymëzimi në socializmin real. Enver Hoxha konsiderohej me kohë si hero kombëtar, për veprimtarinë e tij gjatë luftës dhe për mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë kundër influencave të Jugosllavisë, BS-së, bile edhe Kinës, megjithëse kostoja dhe motivet politike prapa retorikës kombëtare ishin krejt të qarta. Hoxha do ta përdorte gjithnjë e më shumë nacionalizmin shqiptar dhe vlerat e tij si luftëtar i lirisë, për të themeluar stalinizmin enverian. Qysh prej mesit të viteve 60-të, në politikën kulturore kombëtare ishte përfshirë folklori dhe dogma, “karakteri popullor i letërsisë e artit është i lidhur me pasqyrimin e vetëdijes kombëtare të një populli [..] Përmbajtja në momentin e saj historik merret me idetë si edhe me realitetin e jetës dhe kjo përfshin aspektet socialiste e folklorike”.

Bernhard Tönnes mendon se udhëheqja e Hoxhës ishte marksiste-leniniste vetëm me fjalë dhe se ajo “i kishte rrënjët në idetë kombëtare të luftrave të shqiptarëve për pavarësi në shekullin e 19-të dhe vetëm në mënyrë sipërfaqësore shprehej si marksiste-leniniste-staliniste”. Megjithatë, Tönnes nënvlerëson aspektet ekonomike të planifikimit socialist e modernizimit të Shqipërisë, i cili bazohej në principet staliniste dhe në faktin se Hoxha përdorte më shumë praktikën e Stalinit se sa tekstet teorike të heroit të tij. Ai po ashtu nuk merr në konsideratë shkatërrimin nga Hoxha, duke filluar nga mesi i viteve 60-të e në vazhdim, të zakoneve, mjedisit e vlerave tradicionale në emër të patriotizmit revolucionar. Regjimi shqiptar e shfrytëzoi në mënyre cinike patriotizmin, për të forcuar modelin stalinist të modernizimit, për të plotësuar interesat e partisë dhe fuqizuar pushtetin politik të diktatorit. Ndonëse Hoxha vërtet ishte patriot e luftëtar partizan për çështjen kombëtare, del pyetja se çfarë lloj patriotizmi ishte ai i një njeriu i cili ka vendosur të rikrijojë vendin sipas ideve të tij. Shumë nga politikat e veprimet e Hoxhës tregojnë urrejtje e jo dashuri për vendin, popullin e zakonet e tij.

Siç u tha më parë kthimi i Kadaresë në atdhe u nxit nga një ndjenjë e fortë etniciteti dhe roli i tij si shkrimtar shqiptar. Në Moskë, Kadareja e shprehu nostalgjinë e fortë  për vendlindjen me disa poezi të këndshme:

 

Më ka marrë malli për Shqipërinë tonë

Sonte kur po kthehesha me autobuz

Tymi i cigares “Partizani” që pinte dikush

Dridhej kaltëronte bënte spirale

Sikur të fshehta më thosh me gjuhën e shqiptarëve.

 

Kadareja ishte i influencuar thellë nga dy shkrimtarë shqiptarë, më të shquarit  e shekullit, Migjeni e Lazgush Poradeci, të cilët u mbështetën në traditat e hershme kombëtare.81 Bernhard Tönnes ka treguar se si bektashinjtë dhe tradita të tjera të hershme islamike, patën ndikim në krijimin e poezive të fuqishme evokative rreth vendit e kombit shqiptar. Këto ndikime u zgjeruan duke përfshirë lëvizjet patriotike të fundit të shekullit të 19-të dhe veprat e kohës së luftës të Qemal Stafës e partizanëve të tjerë komunistë e nacionalistë. Kështu, një element i fuqishëm etno-kombëtar vijoi përmes letërsisë shqiptare për në periudhën e pasluftës, pavarësisht nga përpjekjet e suksesshme të regjimit, për ta detyruar  të heshtë, pas luftës, poetin me të madh të asaj periudhe, Poradecin.

Kadareja e shprehu patriotizmin e tij të fuqishëm në poemën e gjatë, “Përse Mendohen këto Male?” e krijuar në Tiranë më 1962-64. Në këtë vepër, e cila synon të përmbushë një ndjenjë më të thellë të historisë kombëtare se sa e sotmja komuniste, pushka e fshatarit bëhet sinonim i vendit e kulturës së tij. Asocimet negative të udhëtimit natën për t'i shpëtuar gjakmarrjes janë një metaforë e longue durée të këtij vendi.

 

Një malësor ecën buzë mbrëmjes

Pushka e  gjatë

Me qindra kilometra hije lëshon mbi dhe. 

 

Udhëtimi i malësorit pasqyron ashpërsinë e vendit dhe zakonin e gjakmarrjes, si sistem ligjor i lashtë, i cili është bërë vetshkatërrues, si Saturni që gllabëroi bijtë e tij.

 

Rrokulliseshin në pjerrësitë malore

Tingujt e këmbanave

Të lëvizur nga nata

Ç`thoshin këmbanat

Ç`murmuritnin priftërit

Në gjuhra të huaja

Kishave të larta?

Logjika latine me fraza të gjata

Përpiqej të përkulte pushkën e gjatë

 

Megjithë të këqiat e gjakmarrjes e kanunit, kultura shqiptare ekziston në gjuhën dhe këngët, një mbijetesë mitologjike që ekziston para gjithë pushtuesve e që ndodhet në skutat më të thella të subkoshiencës së përbashkët.

 

 

Dhe Shqipëria prapë strukej në kasolle

Në netët e saj të zeza mitologjike

Në ca tela lahute kërkonte të thoshte diçka

Nga shpirti i pakuptueshëm i saj

me zërat e brendshëm

Që jehonin mbytur prej thellësive të tokës epike.

 

Me fillimin e modernizimit, shqiptarë të arsimuar në Perëndim u kthyen në atdhe me shpresa të mëdha te  arritja e çlirimit kombëtar, por regjimi i Zogut i shuajti shpresat për përparim.

 

Bijtë që dërgove qyteteve të Europës

Që  njohën gëzimet e huaja

Erdhën

Një nga një

Duke gjetur në atdhe trishtime

Re të ngarkuara me shi të verdhë

Monarkia si gurëthyes u thyente ëndërrimet

Erdhën

me valixhe plot iluzione

nën hije të minareve, manastireve

u endën në vjeshtra deziluzionesh

Gjersa në gji toka i mori prapë

I kalbi nën këngët monotone të shirave

 

Në rininë e tij Kadareja, ashtu si shumë bashkatdhetarë të tij, e admironte Enver Hoxhën për patriotizmin e tij dhe dëshirën për të luftuar për identitetin shqiptar, pavarësinë nga Jugosllavia si dhe kundër influencës, ndërhyrjeve dhe intervencionit sovjetik.  Ndoshta është aluzioni politik për Hoxhën dhe simbolizimi i maleve tek poema e Kadaresë, njëkohësisht me liderin dhe me faktin që jo çdo gjë shkon mirë në Shqipëri, ajo që shkaktoi probleme me poemën e mëvonshme, “Pashallarët e Kuq”. Mehmet Shehu, i dyti për nga rëndësia dhe shok i vjetër i udhëheqësit të madh, i kishte uruar 50 vjetorin e ditëlindjes në 16 tetor 1958 me një artikull në Zërin e Popullit të titulluar, “Të rrojë sa malet”. Sido që të jetë,”Përse mendohen këto male”, hapur i thur lavde komunizmit dhe udhëheqësit të madh. Malet presin për dikë që ti udhëheqë “drejt botës së re” [..] Shqipëria po pret/ Partinë Komuniste. Megjithatë Kadareja krijon një kundërshti midis historisë jetëshkurtër dhe mitit të përjetshëm, në të cilën e tanishmja komuniste duhet ti përkasë së parës dhe jo të dytës. Janë poetët dhe populli, jo liderat, priftërinjtë e hoxhallarët ata që përfaqësojnë shpirtin e Shqipërisë në këtë vepër, pavarësisht nga lavdet e shpeshta për liderin e socializmin. Hymnizimi i pamjaftueshëm i socializmit tek kjo poemë, nuk e pengoi atë të përfshihej në altarin e veprave patriotike socialiste, në historinë zyrtare të letërsisë shqipe, të botuar nga Akademia e Shkencave në fund të 1970-ës. Koço Bihiku, një nga historianët  më të njohur të letërsisë në regjimin socialist, shkruan kështu rreth saj: "Në një formë interesante Kadareja shpreh bindjen e tij, se pavarësisht nga komplotet dhe sulmet e armiqve, populli shqiptar nuk u përkul dhe ndërtimi i socializmit do të vazhdojë me vrull më të madh e pa u ndalur."

 

Poema, “Përse mendohen këto male?”, përmbush kërkesat e Hoxhës për një patriotizëm të ri, megjithëse himnet kushtuar komunizmit në të janë të pakta. Kadareja u kritikua për mungesë entuziazmi. Gjatë gjysmës së dytë të dekadës, Kadareja mbajti qëndrim më kritik kundrejt Hoxhës, për shfrytëzimin e patriotizmit dhe krijimin e “njeriut të ri”, për të fuqizuar kompaktësinë e brendshme dhe kohezionin e regjimit. Gjithsesi, forca e poezive të Kadaresë nuk mund të injorohej nga një regjim socialist që përpiqej të rriste kredibilitetin si mbrojtës i kombit. Botimi i poemës çoi në takimin e parë të Kadaresë me diktatorin. Hoxha i telefonoi për ta uruar Kadarenë për poemën, por kjo nuk ishte vetëm një telefonatë urimi. Ajo shënoi një moment historik në zhvillimin e autorit, ku diktatori i bën të ditur personalisht Kadaresë se ai kishte tërhequr vëmendjen e tij. Shkrimtari i ri e kishte të pamundur të kuptonte në këtë fazë, se sa shumë do t`ia ndryshonte jetën vëmendja e diktatorit. Hoxha tashmë njihej në Parti për kontrollin prej maniaku dhe mizorinë në çështje që kishin të bënin me pushtetin e tij. Ai kërkonte medoemos të linte trashëgiminë e tij në letërsi si edhe në politikë dhe në fazat e fundit të diktaturës iu dedikua shkrimit të kujtimeve të tij. Telefonata ishte për shkrimtarin e ri një paralajmërim, se këtej e tutje çdo fjalë e tij do të peshohej e gjykohej me kujdes.

Veprat e gjysmës së parë të viteve 60-të dominohen nga dedikimi i shkrimtarit të ri ndaj atdheut pas prishjes me BS-në dhe ndërgjegjësimi rreth problemeve të diktaturës; konflikti mes brezave dhe fërkimet midis mënyrës tradicionale  e moderne të jetës, problemet e korrupsionit e nepotizmit të regjimit, steriliteti në çështjet kulturore e shoqërore, të rinj që binin në pasivitet si rezultat i zhgënjimit e mërzitjes. Shqipëria figuron në këto vepra si sfond në çështjet e modernizimit socialist, por nga viti 1964 ndihet një ndryshim në paraqitjen e Shqipërisë. Identiteti etnik ishte bërë një forcë e fuqishme dhe e qëndrueshme në punën e shkrimtarit. Në të njëjtën kohë, në kontekstin e veprimeve të hapura të regjimit drejt socializmit kombëtar, Kadareja fillon të ndjejë konfliktin midis nacionalizmit të politizuar të regjimit dhe patriotizmit të tij të sinqertë. Në vitet e ardhshme ky konflikt do të kthehej pak a shumë në një betejë të hapur se kush do të përfaqësonte zërin e Shqipërisë. Sidoqoftë, në mes të viteve 60-të, ndërsa shkrimtari ishte akoma në kërkim të rrugës së tij, ndihet konfuzioni, ndihen nota pëlqimi e bile përputhje me regjimin dhe vështirësitë në formimin e një zëri që të ishte i ndryshëm nga ai i regjimit.

Marrë me shkurtime nga Revista Saras

 

5 Komente

Ky eshte nje kritik i rendesishem i Kadarese, dhe pjesa me lart eshte inteligjente dhe informative. Si ka mundesi qe kjo nuk eshte tek "te zgjedhura"? Pak e habitshme.

" .....Helena Kadare ishte akoma  nxënëse shkolle në Fier, kur ajo i shkroi një letër si adhuruese e tij Kadaresë që ishte në Moskë, letër e cila do të çonte në martesën e tyre. Jusuf  Vrionit i kujtohet mjaft mirë admirimi që e dashura e tij kishte për poetin e ri në 1963-in...." 

 

 A ka njeri ta perktheje kete smiley 

 

ne cfare gjuhe?

O admin o kaptin derr! Qite more shkrimin ne ndonje qoshe te dukshme, jo se po me  ben mua anonimit nder, por shkrimtarit qe pas ca ditesh ka 80 vjetorin e lindjes! U rente nje gelase mbi koke ka pas thene gjyshe Ruzhdia!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).