Asgjë personale, thjesht paradoks

Më 1 janar, rreth 20 orë pasi civilizimi ynë celebroi nisjen e një tjetër segmenti kohor, rastisa ta pija kafenë e parë të vitit 2016 në një nga pak baret ende të hapura përreth rrethrrotullimit të “Sheshit Wilson”. 1 janari me më pak pretendime se kurrë: kapuçino & biskotë me kanellë, ofertë 160 lekë. Deri kur në mes të trafikut arrita të dalloj një qenie të gjallë; e gjallë, por e çoroditur. Nuk mbaj mend në u besova syve menjëherë, apo i rrudha qepallat për të parë më mirë, me frikën se ndërrimi i viteve me gjithë garniturë mund të më kishte lënë pasoja psikotropike. Për fat isha i shoqëruar, dhe m’u evidentua verbalisht se përballë meje, mes borive të katërrotakëve prej llamarine, po vraponte mjerueshëm një katërkëmbësh prej mishi: “Shiko zemër, një gomar në mes të rrugës!”

Po, them se buzëqesha, dhe nuk më erdhi keq, aspak. Ndoshta pse pas gjithë atyre urimeve bombastike, mallëngjyese, politike, mediatike, hipokrite dhe tepër familjare, ndërsa shihja një gomar që zhdukej drejt “Librit Universitar”, imagjinova një happy ending, ashtu siç i ka hije atmosferës festive: “do ta ndalin shqiponjat ose bashkia”.

Thjesht rrokullisa mendime, standarde në raste të tilla, mbi paradoksin: një kafshë shtëpiake, me shumë mundësi e trembur nga festa jonë e zhurmshme me erë baruti, i largohet të zotit ndoshta atëherë kur ai është më se i përqendruar tek gjeli dhe tek mesazhet e urimit në masë. Një gomar i kequshqyer që sfilonte brenda rregullave të qarkullimit, “Downtown”, në krah të makinave shumë mijë euroshe. Çfarë metafore! Nga ato realet që harrohen pas pesë minutash konsumi llafollogjik në kafene, 7 like pasi i ke dhënë “slide to unlock”, pas një fotoje tek inbox-i i shokut tënd që jeton në Gjermani, sa për t’i thënë me ndjenjë sublime opozitare: shih çfarë bëhet këtej, mër plak!

Bota në pëllëmbë të dorës

7 ditë pas ndërrimit të viteve, i zhytur në rutinën e përditshme, në pëllëmbë të dorës më vjen një mesazh: “E mban mend gomarin që pamë në rrugë më 1 janar? Ka ngordhur, e kanë postuar në Facebook.”

Çfarë bezdie! Nga ato që të çarmatosin damarin grabitqar dhe të bëjnë të kontrollosh “punët e të tjerëve” në mure private, për të marrë konfirmin mbi diçka që nuk e sheh me sy, por nga i cili mund të ushqehesh vetëm me dorë. Ishte e vërtetë! Shumë qytetarë të Tiranës kishin publikuar imazhet e një gomari të shtrirë në mermerin e Piramidës, i lagur, i dorëzuar, dhe me sytë hapur drejt boshllëkut.

Nuk mbaj mend kur ka qenë hera e fundit që kam parë një gjë të gjallë në ato kushte… kafshërore. Çfarë ironie fati! Por diç më bëri vërtet keq: verbëria. Ai gomar kishte dhënë shpirt 100 metra larg vendit tim të punës, në një zonë ku kaloj gati përditë. Ku i kisha sytë për 7 ditë rresht?! Realisht, çfarë shoh në të përditshmen time?!

Para se të merrja vendimin që të hidhja dy rreshta mbi këtë rast, i bëra vetes një premtim: Nuk do flasësh për fëmijë romë që vdesin nga i ftohti dhe nga kequshqyerja; ata janë më të vegjël se një tablet, dhe pak më të mëdhenj se njësmartphone, nga ato që mund t’i blesh dhe me këste. Nuk do të flasësh për moshatarin tënd që vdiq në galeritë e Bulqizës; aty bëhet fjalë për rrëshqitje masivi dhe galeria është e thellë, e errët. Mos fol për gjëra që nuk mund t’i shohësh!

LED

Shumë e dinë tashmë çfarë teorizonte filozofi dhe shkrimtari Guy Debord me La Société du Spectacle (Shoqëria e Spektaklit) mbi mitizimin e imazhit në shoqëritë moderne, thjesht për të justifikuar proceset e korruptuara të veprimtarisë prodhuese njerëzore, ndaj, beso, është më se e tepruar që të zgjatemi tej citimit, sidomos kur kemi të bëjmë me ide me përqasje marksiste. Po… nga ato të tmerrshmet!

Në epokën kur tentohet të kapërcehet akumulimi i kapitalit me dhunë (pa rregulla loje), me anë të “formalizimit” me pahir, po provoj të kapërcej (ma falni mëkatin) vetë Debord-in, duke hedhur tezën pa përmbajtje të “Shoqërisë së LED-it”. Aty ku vëmendja nuk tërhiqet më nga imazhi (kurrsesi nga përmbajtja), por çoroditet nga dritat verbuese LED, me shpresën se përfton diçka. Ose dritë ose errësirë; asgjë me rëndësi, asgjë konkrete me pak fjalë.

Si nëpër imazhinaret futuriste dhe apokaliptike, pse jo edhe me anije hapësinore, qysh kur mora lajmin e gomarit nisa, pa dashje, ta imagjinoja ndërsa rendte mes shiut të ditëve të para të vitit në rrugët e “Downtown”-it. Në kërkim të një strehe, duke parakaluar dritat e fikura të Parrenos, a u ndal rrugës nga drita e ndonjë feneline policie? Apo thjesht e injoruan të gjithë, ndërsa e çorodisnin me fenerë dhe bori? Por kur u përball me “semaforët LED” të bashkisë, reagoi si gomar? Pse u “strehua” pikërisht tek “Qendra Kulturore”- Piramida?! Ku e pa strehën dhe ushqimin aty? Pikërisht aty e gjeti të lypte kujdes dhe zgjidhje?!

Mos fol për gjëra që nuk mund t’i shohësh!

Një fije meraku, këto ditë përmbytjesh, e pata dhe për ata. Ata që enden rrugë më rrugë, orë pa orë, me detyrën kushtetuese për të parë dhe zgjidhur gjëra, për të racionalizuar përplasjen mes rendit dhe kaosit në qytetet tona. Po ata çfarë shohin? Si mund të japë shpirt një gomar i pambrojtur në mes të ditës, në oborrin e Qendrës së Kulturës “Pjetër Arbnori”?!

E kam këtë merak, pasi në errësirën e orës 3, në periferitë e qytetit të dritave dhe ngjyrave, ndodh të të ndalë për një kontroll rutinë rendi dhe monopoli i dhunës. Ka ndodhur që në mungesë dokumentesh qenia humane të zhvishet nga rrobat dhe të tërë elementet e identitetit, gjithmonë me objektiv demaskimin e krimit. Dhe aty nis “gallata”, komentet mbi flokët, mjekrën e gjatë, “nga ta dime ne në je me NE apo me ata të malit”, “duke i rënë nga Kina” për të të thënë që mes teje dhe rendit ndodhet vetëm forma, ajo prej “islamokomunisti”. Por kurrsesi nuk do ta imagjinoja që një gomari, pa dokumenta, pa identitet, në mes të qendrës së kryeqytetit, nuk do t’i jepej të paktën alternativa e shoqërimit në komisariat/fermë kafshësh/qendër trajtimi. Çfarë nuk kanë parë tek ai gomar?

Gjithmonë, falë rrjeteve sociale, mësova se një aktiviste për mbrojtjen e kafshëve, Maria, e kishte strehuar përkohësisht atë gomar pa letërnjoftim (por të gjallë) tek qendra e saj e kujdesit ndaj qenieve të pambrojtura. Ndërsa autoritetet përkatëse nuk vonuan të paraqiteshin tek ajo me idenë “gjeniale” të eutanazisë, e me synimin për t’i mbyllur përfundimisht qendrën. Çfarë trilli verbues! Nga ana tjetër, gomari humbi ndjenjat nga i ftohti dhe kequshqyerja, mbi mermer, pak metra nga ku është lyer me merak dhe përkushtim që Tirana të na e bëjë pas… me bojë, nën dritat e LED-ëve.

12 Komente

gomari ngarkuuuar

i zoti nuke shef 

Gjynah gomari i shkret. Ta kishte marr ndonje punojes i bashkise e ta kishte çuar te kopshti zoologjik. Megjithse dhe atje po njesoj do kishte ngordhur.

Problemi eshte pikerisht qe atje eshte bere nje shoqeri 'LED'-i qe po nuk iu fafuris parasyve as denjon qe t'i hedhe syte. Edhe gomari u be i famshem pasi doli ne fcb se perndryshe do ishte nje nga te shumtit. Atje teshumte jane ata qe ikin per nje fjale goje, nje shikim shtrember, nje dashuri me te guximshme, nje parakalim te gabuar, nje tabele qe nuk eshte, nga nafta qe eshte jashte standartit, ushqimit qe nuk dihet nga vjen, nga stresi i nje qyteti te mbingarkuar e te tejndotur, etj, etj. Nderkohe, t'i gezoni LED-at qe te pakten me pamje mund te te terbojne edhe me keq. Por, sic duket shija per gjera modeste e utilitare qe bejne punen po nuk bien ne sy ka ikur me kohe dhe gjithshka duhet te behet "turbo" qe te bjere ne sy. Ndoshta eshte nje faze kalimtare, ndoshta i gjithe ky terpim e gjullurdi ndihmon ne emancipimin e asaj shoqeri qe eshte formuar si pasoje e levizjes epike te njerezve ne keto 25 vjet, ndoshta do vije nje dite... Ndoshta, por deri atehere te gezoni LED-at e shkabat e KP-se.

i qorrofte LED-i smiley

led-i eshte celebrimi i civilizimit te romeve qe pedonalojne ne dawntown. eshte lapsus aproaçi- do thoshte fevzousmiley

bringautoje led-in nga vetja jote njehere, pastaj bej antiledistin zoti zoteri.

Nuk ngordhkan me kafshet ne Shqiperi? 

Tani vdiskan? 

Sa pershtypje me ben qe pas kaq dekadash jete te pavarur si vend e si shtet, moszoterimi i kenaqshem i gjuhes shqipe, sidomos asaj te shkruares, eshte kaq i perhapur. Sikur nuk e kemi gjuhe amtare por te huaj!

mbase  e ka   perdorur  ''vdekja''  te titulli per  ''efekt'' ,  sepse ne pershkrim thote  ''ngordhi''..  

eshte  edhe nje film shqiptar qe titullohet:  ''vdekja e kalit''.

qytet-fshati i ri socialist i tiranes...pa trotuar por me gomar.

Mos ka qene ai gomari i kopshtit Zoologjik, qe e strehuan se bashku me ujkun smiley

jo Pjero, ishte kale ai  te kopshti zoologjik qe e cuan te bashkjetonte me demin dhe ky i cau barkun.. pataksen  femijet e dynjane...

po  ky gomari me mire qe paska ngordhur rrugeve..  se po te qe per bashkine, do conin te kopshti zoologjik ta strehonin me luanin..smiley

Uee, tani e kuptova se cfare u paska ndodhur semaforeve ne Tirane... ata qenkan bere LED... dhe une qe kujtoja se thjesht i kishin bere me drita me rastin e vitit te ri! Bo...

Nje shoqeri e gomarosur nuk para e ka mendjen shume tek nje antar i saj! Dhe po e ngrejti koken ashtu kot tek ndonje i vetmuar, e ben kete per shou, apo per te vjelur pak kenaqsi, mundesisht kjo te jete snobike dhe mediale. 

S.d.q., tregimi eshte shkruar mjaft ndjeshem dhe per t'na terhequr vemendjen vertet! 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).