Çdo 21 Janar, shqiptarët përkujtojnë atë çfarë 5 vite të shkuara ndodhi përballë kryeministrisë. Atë vrasje të katër protestuesve, që u shoqërua me një zotim solemn të atij që është sot kryeministri i vendit dhe që përfundoi në një darkë ngjalash. Pjesa tjetër është histori!

Në ditën që gjykata e Tiranës deklaroi se vrasje ka pasur por vrasës nuk ka, përballë Gjykatës (në anën tjetër të trotuarit) gjendeshin as 1/100 e personave që kishin qenë në atë demonstratë të dhunshme të 21 Janarit 2011. Kjo më bëri përshtypje asokohe, duke menduar se më së paku funksionarë të qeverisë aktuale që kanë bërtitur këto dy vjet për reformën në drejtësi mund të ishin aty. Për të protestuar ndaj një vendimi që njësoj si ai i bllokut të zi, dëshmonte kapjen e drejtësisë (jo të gjykatës por të gjithë sistemit).

Askush nga ato nuk ishte aty, përjashto disa drejtorë të vegjël që sot e kësaj dite nëse bie qeveria kanë ende një kockë NGO-je (që për hir të së vërtetës i bëri të famshëm dhe të “rëndësishëm” ) ku mund të kapen sërishmi.

Mirëpo, nga viti në vit ajo që vërej me ankth është harresa kolektive që na karakterizon, e cila nuk ka prekur vetëm trurin e atyre që nuk ishin në atë demonstratë. Por, mbi të gjitha ka prekur edhe neuronet e atyre të cilët qenë në atë demonstratë dhe që panë katër prej tyre të binin në tokë. Përse gjithë ky menefregizëm? Përse kjo harresë kolektive?

Arsyeja e kësaj harrese, sipas meje, qëndron në thelbin e asaj çfarë shoqëria jonë ka ndërtuar në 25 vjet shtet post-komunist. Gjithë këtë çerek shekulli, ne kemi ndërtuar një amnezi kolektive sa i takon krimeve të kryera dje. Madje akoma më keq ne kemi krijuar edhe alibi për kriminelët e djeshëm, u kemi dhënë edhe mundësi të japin “versionin” e tyre nëpër media dhe portale e jo pak herë i kemi dhënë edhe shansin e artë për t’u “viktimizuar” dhe për të neutralizuar vuajtësit e djeshëm.

Prandaj e gjithë kjo amnezi ndaj viktimave të 21 janarit, 9 janarit, vitit 1997, vitit 1991 nuk është se vetëm një vazhdimësi e asaj çfarë kemi prodhuar për gjysmë shekulli heshtje. Kush ka pritur që qeveria aktuale, meqë ishte kaq e përlotur të nesërmen e ngjarjes, do të bënte një proces apo do ta trajtonte si çështje duket se ka harruar atë çfarë qeveritë tona bëjnë.

Për 25 vjet me radhë, mijëra familje shqiptare kanë pritur nga qeveritë tona që t’i gjejnë trupat e atyre shqiptarëve që rrëgjimi i egër komunist i vrau. Për çerek shekulli, të përndjekurit politikë kanë pritur që xhelatët e rrëgjimit të shkuar të dënohen për krimet e tyre. Duke marrë në këmbim promovimin në poste publike të tyre, shëlbimin nga mediat si edhe jo pak herë dekorimin e tyre për heroizmin në një luftë të pa luftuar.

Ajo që po ndodh sot me 21 Janarit nuk është vetëm se një plagë e vjetër që është rihapur dhe që lëngon po njësoj si dje, vetëm se kjo e fundit ka më të freskët kujtimin e atyre që u vranë në shesh. Njësoj siç në sheshe dhe mejdane janë vrarë për vite me radhë shqiptarë që sot janë mbuluar nga harresa kolektive e një populli që ka zgjedhur të heshtë përballë padrejtësive.

Në fakt, përvjetorë të tilla janë pasqyra më e mirë që na tregon fytyrën e vërtetë që kemi. Fytyrën e një shoqërie të ngritur mbi dhunën dhe padrejtësinë. Të një shoqërie që ka harruar martirët që luftuan për lirinë e saj dhe që ka falur mëkatarët që e kanë torturuar atë. Prandaj jam i bindur që derisa të shoh shqiptarë që nuk ndjejnë neveri për ato që adhurojnë portretin e diktatorit, nuk kam për të parë as shqiptarë që të ndjejnë dhembshuri për krimet e sotme. Asgjë e re nuk po ndodh sot, thjeshtë vazhdojmë të jemi bijtë e togfjalëshit “bashkëfajtor dhe bashkëvuajtës”!

 

Diary of Tirana

4 Komente

" ..... Atë vrasje të katër protestuesve, që u shoqërua me një zotim solemn të atij që është sot kryeministri i vendit dhe që përfundoi në një darkë ngjalash...." 

 

Pjesa tjeter eshte tragji-komike, do thoja une. 

Ekziston nje vidio ne youtube, ku shihet nje i ri qe bie ne toke i vrare, dhe bashkqendruesi ngjitur tij, nje burre i moshuar, largohet ate moment, duke vajtur me tej tek nje tjeter, sikur po i jep fshehtas dicka ne dore. Nisur nga kjo, si dhe nga ajo qe ne momentin e sulmit ndaj kryeministrise nuk u vra njeri, te ngrihet dyshimi qe 4 vrasjet (apo nje pjese e tyre) te mos jene bere nga policia dhe garda, por nga kundershtare te vecante te Sales, apo dhe simpatizues te PS-es, por nga ata te gardes se vjeter, per t'ia lene faturen e vrasjeve Sal malokut. Te tilla manipulime me akte deri ne vrasje behen shpesh ne bote. Ketu problemi eshte se si ka mundesi, qe me aq shume kamera ate dite te mos arrihet ne nje perfundim, qofte edhe te pjeseshem. Mos-zbardhja e asnje prej vrasjeve tregon se problemi eshte me i thelle, duke perfshire si PD-n, ashtu dhe PS-n, ne kuptimin e gardes se vjeter dhe jo ketyre te rinjve.

Ekspertiza e asaj vidio ku jane vrare 4 vete  eshte zbardhur nga FBI, or ti Karl !  Eshte shume qarte e qeruar se kush i vrau 4 vet ! 

://www.youtube.com/watch?v=ctmFsfremig

Ca je tu thone ti ? !

Ata u vrane nga garda e qeverise Berisha !

Interpretimet e tjera jane hambulli, dmth p  .me rigon ! 

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).