Nga dita e sotme, Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për ndërtimin e Unazës së Vogël, një projekt që kishte vite i bllokuar, e që do të pajiset me korsi të dedikuara për biçikletat, autobusët, si dhe me hapësira të bollshme për këmbësorët.

Gjatë inspektimit të fillimit të punimeve në segmentin Banka e Shqipërisë deri te Ushtari i Panjohur, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ky është tjetër premtim i mbajtur dhe një nga lajmet më të bukura për qytetin, pasi po ecet përpara me projektet e mëdha për Tiranën.

“Zyrtarisht, sot Tirana është e gjitha një kantier i hapur, jo vetëm me ndryshimet që po ndodhin në infrastrukturën sociale, shkolla, kopshte e çerdhe, por edhe në infrastrukturën rrugore. Nën shembullin e rrugës së parë që nisëm, rruga “Dritan Hoxha”, do të vazhdojmë me çdo investim të ri të Tiranës, me të njëjtin parim: korsi të dedikuara për biçikletat, korsi të dedikuara për autobusët dhe hapësirë e bollshme për këmbësorët, që të kenë po aq prioritet sa kanë makinat”, u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se përpjekja dhe filozofia e bashkisë sonë ka qenë një qytet që funksionon për njerëzit, jo për makinat e mjetet.

“Kjo është arsyeja pse ne kemi kërkuar që kompania të shpejtojë punimet dhe Unaza e Vogël të mbarojë para afatit, që më pas të na mundësojë edhe neve të fillojmë me projektin e sheshit “Skënderbej”. Unë e di që çdo punë e mirë kritikohet, por mos i kushtoni rëndësi kritikave, ecni përpara, sepse po bëjmë gjënë e drejtë!”, tha Veliaj.

Ai shprehu besimin se vetëm duke qenë të fokusuar te puna, vetëm duke u dhënë qytetarëve produkte me cilësi, sjellim modernizim në Tiranë.

Kryebashkiaku i Tiranës falenderoi të gjithë qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në lirimin e këtyre shesheve. “Ftoj të gjithë qytetarët që do të preken nga Unaza e Vogël, kundrejt të gjitha detyrimeve ligjore që ne kemi për shpronësim, të jenë bashkëpunues me kompaninë, me autoritetet e Policisë Bashkiake dhe Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, për të liruar hapësirat, që të mos kemi më pengesa, në mënyrë që ky projekt kaq i rëndësishëm për trafikun dhe transportin në Tiranë, të ecë me ritmet që shpresojmë”, deklaroi Veliaj.

Më tej, kryetari i Bashkisë së Tiranës siguroi se asnjë projekt i Bashkisë së Tiranës, për të cilën ata votuan 6 muaj më parë, nuk do të ndërpritet.

“Ne do të vazhdojmë, siç premtuam, me këndin e lojërave për fëmijë, me Unazën e Vogël, me sheshin “Skënderbej”, me Pazarin e Ri dhe me strehën e kafshëve të rrugës. Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët që votuan, por edhe ata që nuk votuan, se gjithçka që u premtua do të bëhet. E vetmja kërkesë për “hienat” e politikës është: Na lini të punojmë! Nëse ne punojmë dhe nuk pengohemi, Tirana në kohë rekord mund të bëhet një qytet modern”, përfundoi Veliaj.

Përgjegjësi i punimeve për fazën e parë të projektit, Bujar Makishti, u shpreh se kompania është mobilizuar për të realizuar punimet më shpejt se koha e parashikuar në kontratë.

“Kemi rënë dakord që të punojmë me faza, të bllokojmë njërin segment, ta përfundojmë atë, e më pas të bllokojmë segmentet e tjera, me qëllim që të mos krijojmë konfuzion me trafikun e mjeteve. Mendoj se punimet do të mbyllen më shpejt se 4 muaj. Projekti parashikon zhvillimin dhe rinovimin e zonës, përfshin trotuaret, ndërtimin e dy korsive për biçikleta në dy anët e rrugës, ndërtimin e dy rripave të gjelbërimit në të dy anët e rrugës, rrugë për autobusin dhe mjetet e tjera të qarkullimit”, sqaroi Makishti.

Punimet për Unazën e Vogël do të përfshijnë 3 segmente: Segmenti i parë është nga Banka e Shqipërisë deri te Bulevardi; segmenti i dytë, nga bulevardi te rruga e “Barrikadave” dhe segmenti i tretë, rruga e “Barrikadave”, kryqëzimi me rrugën “Urani Pano” deri tek “Ushtari i Panjohur”.

14 Komente

hajt me krah te lehta.

Ide e vjeter, sh. mire qe po e konkretizojne.

Sheshi sh ok pa makina, po ka nevoje per rikonceptim... 

Fotot sikur s'mu duken te qarta. 

jane foto aplikacioni te bera ne kompjuter, Pjer. Projekt dmth. Nuk eshte vec Beluli kompjuterist i zoti...

Ketu jane bo te gjithe kompjuterista, veç une ngela mrapa smiley

epo nuk qenka e thene.

Sa te jete kjo drejtsi ne kto nivele,kshu do shijne kta nga te gjitha krahet. E shkermoqen ket ven fare,i shkerdhyne robt.

Kush e mban mend Enno Bozen ne falkultet kur vinte me.nje biciklete te.lodhur? Ndryshimi i tij eshte fytyra hajduterise dhe hipokrizise.

dore politekniku vlonjat?

Haha jo jo, por ky vinte shpesh te ekonomiku dhe gjuhet e huaja. Me duket se ka pas nja dy shoke aty. Nejse, si ky kam dhe ca shoke nga krahu tjeter qe kur i shikoj ne tv e kam te plote pikturen e shqp. 

".... në segmentin Banka e Shqipërisë deri te Ushtari i Panjohur..." Ku kalon kjo unaze? A u anullua projekti per ta kthyer tere sheshin (qendren) ne pedonale??? 

E ke te vizuar me blu .

megjithate, s'esht unaz

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).