• Qeveria po pretendon se vendet e punës janë shtuar, por nuk ka punëtorë të kualifikuar për ta përballuar kërkesën.
  • Ky argument ka lindur pasi pretendimet e deritanishme për rritje të punësimit po kundërshtohen nga faktorë të tjerë, si kontributet në fondin e pensioneve apo rritja ekonomike e plogësht.
  • Pagat janë indikatori kryesor për të kuptuar nëse mungojnë punëtorët e kualifikuar apo vendet e punës.
  • Ligji i kërkesë-ofertës na tregon se një ekonomi ku pagat rriten pak ose aspak nuk ka kërkesë për punëtorë të rinj, por ka mungesë vendesh pune, duke hedhur poshtë pretendimin e Qeverisë.

Prej disa kohësh tashmë, Kryeministri i vendit dhe kabineti i tij janë angazhuar në krijimin e një teorie të mirëfilltë ekonomiko-sociale për të shpjeguar problemet e vendit. Sipas kësaj teorie, problemet tona shpjegohen qartë e thjeshtë nga një deformim i thellë kulturoro-psikologjik i yni, pasi me sa duket jemi thjesht një popull dembel. Akoma më tej, Kryeministri ka thënë diçka me të vërtetë thelbësore – në Shqipëri ka punë, por nuk ka punëtorë!

Ky shpjegim i radhës nuk është i rastësishëm. Komentatorë të informuar mbi çështjet ekonomike, sidomos në portalin Reporter.al, kanë vënë re prej kohësh disa anomali statistikore në të dhënat e tregut të punës në vend. Kryesori ndër to është fakti që megjithëse pretendohet se është rritur numri i të punësuarve në vend, nuk është vërejtur një rritje analoge e kontributeve në fondin e pensioneve, ose siç njihet ndryshe fondi i sigurimeve shoqërore.

Mund të shkojmë akoma më tej duke vënë re një dukuri tjetër të çuditshme në vend. Megjithëse pretendohet se është rritur punësimi, shifrat e rritjes ekonomike janë mjaft anemike gjatë viteve përkatëse. Teoria ekonomike, në fakt, na mëson se rritja e punësimit është një tregues që ndjek rritjen ekonomike. Sipas pretendimit të Kryeminstrit, Shqipëria po bëhet një rast i rrallë ku punësimi e paraprin rritjen ekonomike. Akoma më tej, kjo rritje në punësim po ndodh me punëtorë jo-produktiv që nuk arrijnë të kontribuojnë vlerë të shtuar në ekonomi.

Në teorinë ekonomike, ligji që studion marrëdhënien ndërmjet tregut të punës dhe rritjes ekonomike njihet si Ligji i Okunit, në nder të ekonomistit Arthur Okun. Në vija të përgjithshme, ky ligj vërehet si në ekonomitë e zhvilluara si në ato në zhvillim. 

Mbase edhe për të gjetur një përgjigje ndaj këtyre fakteve të pakëndshme statistikore, prej disa kohësh tashmë Qeveria po orvatet të argumentojë se në vendin tonë ka vende pune, se bizneset duan të punësojnë njerëz të tjerë, por se fatkeqësisht shqiptarët janë ose dembelë, ose të pakualifikuar. Jo vetëm Kryeministri, por edhe ministra të kabinetit janë rreshtuar pas këtij pretendimi.

A mundet teoria ekonomike të na ofrojë një zgjidhje në lidhje me këtë dilemë? A kemi vërtetë vende pune të hapura, për aq kohë sa shqiptarët të jenë të gatshëm të punojnë?

Për këtë pyetje na vjen në ndihmë INSTAT i cili ka disa të dhëna rreth ecurisë së pagave. Përgjigja e shkurtër është se në Shqipëri rritja e pagave është e pakët ose inekzistente, duke hedhur poshtë teorinë se në treg ka vende pune që po presin punëtorë të rinj të kualifikuar.

Më konkretisht, të dhënat tregojnë se pas një rritje të ndjeshme në mesin e dekadës së shkuar, sidomos në sektorin e ndërtimit, në vitet e fundit pagat karakterizohen nga tendenca rënëse. Normat e ndryshimit variojnë nga sektori në sektor, por është e qartë dhe nga grafiku në krah se ecuria  e pagave ka një trend të përbashkët. Ajo çka e vështirëson këtë analizë është fakti se INSTAT ka të dhëna të pjesshme për 2014 dhe akoma të papublikuara për 2015 në sektorin privat.

Fatmirësisht, një tregues përafrues është paga e sektorit shtetëror, për të cilën INSTAT ka publikuar të dhëna edhe për 6-mujorin e parë të vitit 2015. Megjithëse pagat shtetërore përcaktohen nga vendime administrative, në çdo ekonomi ekziston një lidhje e fortë ndërmjet atyre dhe pagave private. Ashtu siç e vumë re dhe në grafikun e mësipërm, niveli i pagave në një ekonomi ndjek një trend të përbashkët. E kundërta do të sillte një zhvendosje të madhe të forcës punëtore nga sektori me paga më të ulëta drejt atij me paga më të mëdha. Gjatë viteve të shkuara, korrelacioni ndërmjet pagave private dhe shtetërore arrin edhe vlerën 90%, duke na provuar se zhvillimet ekonomike prekin në mënyrë gati të njëtrajtshme nivelin total, ose agregat, të pagës në vend. Gjatë vitit 2015 pagat në sektorin shtetëror janë rritur mesatarisht me një normë anemike prej 2.17%. Duke marrë parasysh një normë inflacioni prej thuajse 2% gjatë vitit 2015, mund të thuhet se në terma reale pagat nuk janë rritur aspak.

Mungesa e rritjes së pagave, qoftë në sektorin privat e qoftë në atë shtetëror, është treguesi kryesor se ekonomia jonë nuk po vuan nga mungesa e punëtorëve të kualifikuar, ndërkohë që bizneset janë gati të zgjerojnë aktivitetin e tyre e kësisoj po kërkojnë intensivisht punëtorë të rinj. Përkundrazi, ekonomia jonë dukshëm po vuan nga mungesa e vendeve të punës. Treguesit e kredisë bankare, po ashtu, vazhdojnë të jenë anemik, duke na treguar se bizneset nuk janë aspak në një fazë ekspansive siç pretendohet. Duke përdorur vetëm të dhënat zyrtare të ekonomisë tonë dhe pak intuitë ekonomike, është e qartë se pretendimi i Kryeministrit dhe pjesëtarëve të tjerë të Qeverisë për një treg pune “të uritur” për punëtorë nuk është aspak i vërtetë.

Nga ana tjetër, me përjashtimin e disa portaleve të pavarura të cilat janë shfaqur gjatë viteve të fundit, analiza ekonomike në vend lë mjaft për të dëshiruar, për aq sa një argument i tillë mund të vazhdojë të mbijetojë për muaj të tërë. Akoma më keq, ky argument tani po zë vend dhe në studiot televizive duke u marrë gati si i mirëqenë.

Burimi: http://www.ekon.al/2016/02/20/dembele-ap...

11 Komente

nji paradoks qe vej re eshte se paralelisht me venien ne dukje te mungeses se profesionalizmit, qeveria behet sponsore e agjensive te punesimit qe kerkojne shqiptare per te punuar ne Danimarke, Gjermani apo Arabi Saudite. Ne te njejten kohe se reklamon pa pike turpi se jane me mijera vende pune qe jane te vlefshme por per fat te keq, mungojne profesionistet. Vecse i meshon faktit se diku ne Danimarke, ka nje vend pune ne nje pasticeri dhe paguhet me 1 mije euro ne muaj...

Sa shkolla prefesionale qe psh pregatisin specialiste manifakturimi nga A ne Z ka ngritur qeveriu ne keto 3 vjet?

ehde sikur ti kete ngritur, me statistike vetem 20% e te diplomuareve ne arsimin e mesem profesional arrijne te punesohen, perkunder 10% te atyre me gjimnaz. 

Ne fakt, sa here shkoj ne Shqiperi, ve re ne xhamat e disa lokaleve lajmerime ku kerkohen punonjes. Kur i pyes me thone se ka qe vijne por nuk iu pelqen paga, 150 mij lek te vjetra ose 110 euro ne muaj. Nuk di kujt t'ia vesh fajin, pretenduesit per page me te larte apo pronarit qe aq ofron, por ajo qe ve re eshte se mungojne stimujt mbeshtetes financiar per punonjesin e ri nga qeveria per raste te tilla, siç jane kendej ne perendim. 

Qeveria Shqiptare apo me mire te them politika nuk e gric fare se ne cfare kushtetsh merren puntoret ne pune si ne Eu sepse po ta benin kete nuk do te kishin ate mizerje qe eshte atje!

Pjer, e di pse i kane? se mashtrojne.. i punesojne kalamajte nga nje muaj, gjasme prove, me shume pak para - 10000 leke muaj, ose fare - dhe pastaj i pushojne medemek se nuk u pelqeu, e keshtu e shtyjne 

Autori i shkrimit e paska emrin Johannes Estrada

Ma merr mendja pseudonim.

dembele -tepapune-te palare-te pangrene-borxhlinj-injorante-barkderra-arrogante-kokqepe

kishte ra kilja thane

Populli heroik shqiptar nuk eshte dembel! Ai eshte ca pertac, por jo dembel!

kur ka vende pune dhe nuk ka punetore per keto vende, ekonomia eshte ne kolaps.

ose njerezit jane formuar gabim, ose kemi mungese burimesh njerezore nga arratisja e madhe, nga ikja e trurit.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).