Kontrolli i Lartë i Shtetit ka mbajtur këtë të hënë analizën vjetore, duke prezantuar rezultatet e arritura.

Në fjalën e tij, kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj ka deklaruar se në 4 vitet e fundit janë zbuluar shkelje me vlerë 128 miliardë lekë. 

“Në 4 vitet e fundit dëmi ekonomik është 8 herë më i madh se periudha parardhëse”, ka deklaruar Leskaj. 

Ai ka nënvizuar se, në 4 vitet e fundit kallëzimet penale janë rritur me 3.2 herë, por sipas tij ka pasur një pandëshkueshmëri të zyrtarëve të akuzuar. 

“Shumë zyrtarë mbahen në administratë edhe pse kanë bërë shkelje”, ka thënë kreu i KLSH-së. 

Duke u fokusuar tek sektori energjitik, Leskaj ka përmendur faktin se institucioni i tij ka kallëzuar një zyrtar të lartë të shtetit për situatën në CEZ, por më pas është bërë pre e sulmeve politike. 

“Por, edhe pse jemi anatemuar nga segmente politike, ne i qëndrojmë konstatimeve tona në sektorin energjitik”, ka vijuar më tej Leskaj. 

Ai ka nënvizuar se, KLSH ka gjetur mirëkuptimin dhe ka marrë mbështetje nga komisioni parlamentar i ekonomisë. 

“Në çdo auditim do të përpiqemi të mos politizohemi në aktivitetin tonë”, ka thënë më tej Leskaj.

I pranishëm në këtë analizë, kryeprokurori Adriatik Llalla ka vlerësuar rëndësinë e partneritetit mes KLSH-së dhe organit të akuzës. 

“KLSH është partneri ynë kryesor në luftën kundër krimit financiar. Në bazë të kallëzimit të KLSH u bë dhe arrestimi i ish-ministrit të Punës”, ka thënë Llalla. 

Duke nënvizuar se, “duhet vënë para përgjegjësisë çdo zyrtar që abuzon me detyrën”, ai ka shtuar se, “prokuroria do të jetë përkrah KLSH-së në luftën kundër korrupsionit”.
 

2 Komente

goxha dem

KLSh, ne fakt duhet te mbetet organ apartiak, organ shteteror dhe jo i qeverise. Do ishte me interes qe KLSh te denonconte edhe rastet kur ka nderhyrje apo presione per ta mbyllur çeshtjen apo per ta lene rehat personin apo firmen, apo organin. Duke vepruar keshtu, pra duke denoncuar presionet dhe nderhyrjet, me emra konkret, kjo gje do te beje qe politikanet e pushtetshem, te mos nderhyjne me ne punen e KLSh. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).