Është karakteristikë e vendeve të vogla, dhe sidomos e vendeve të vogla problematike, që të kenë krizë të imazhit të vet kundrejt vendeve të tjera në arenën ndërkombëtare. Edhe Shqipëria nuk bën përjashtim në këtë rast. Madje, Shqipëria është një përjashtim brenda përjashtimit, për arsye se jo vetëm që ajo ka problem me imazhin në rrethin e ngushtë të fqinjëve të saj, dhe në rrethin më të gjerë euroatlantik, por ajo ka një problem më specifik, i cili konsiston në imazhin që shqiptarët ia projektojnë vetes.

Çështja e imazhit të një vendi varet nga dy faktorë të rëndësishëm: nga faktori i brendshëm dhe ai i jashtëm. Faktori i brendshëm që ndërton imazhin e një vendi, përbëhet nga institucionet qeverisëse, produktet e tregut, media dhe individët, të cilët përmes përditshmërisë së tyre ndërtojnë imazh.

Ndërsa faktori i jashtëm i mazhit përbëhet nga mënyra se si shpërfaqet jashtë ngrehina që faktori i brendshëm ndërton, e cila pastaj duhet të përthithet nga institucionet, mediat dhe individët e huaj për të ndërtuar opinionin rreth nesh dhe vendit tonë. Ndërveprimi i këtyre faktorëve do të përcaktonte edhe nivelin dhe cilësinë e imazhit tonë.

Sa më harmonik të jetë ky ndërveprim, aq edhe më i suksesshëm është ndërtimi i një imazhi pozitiv ndaj të tjerëve. Dështimi në ndërtimin e këtij imazhi do të zanafillonte kur njëri nga faktorët nuk do të ishte në sintoni me tjetrin.

Rasti i Shqipërisë, si një përjashtim brenda përjashtimit, fatkeqësisht nuk karakterizohet nga harmonia e këtyre faktorëve, as edhe nga mungesa e njërit prej tyre, Shqipëria thjesht ka një problem me mosfunksionimin faktik të të dy faktorëve, ndaj edhe imazhi i saj është lënë në mëshirën e institucioneve, mediave dhe individëve të huaj, të cilët interpretojnë sipas rrethanave gjeopolitike imazhin tonë.

Paaftësia jonë në standardizimin e produkteve politiko-administrative dhe produkteve kulturore, industriale dhe turistike, përfundon me paaftësinë e ndërtimit të një imazhi të unifikuar pozitiv për Shqipërinë. Në fakt, Shqipëria nuk ka një imazh pozitiv të unifikuar jashtë saj.

Pozitivitetet e imazhit të produkteve shqiptare janë pozitivitete të copëzuara në tipare dhe persona të veçantë ku përfshihen talente, shkrimtarë, artistë dhe së fundmi edhe Kombëtarja jonë, ndërkohë që imazhi negativ për Shqipërinë është i unifikuar në vetvete, është imazh negativ i homogjenizuar për konceptin e shqiptarit dhe Shqipërisë në përgjithësi, për shkak të hershmërisë së ngjarjeve dhe personave, të cilët në formë të përsëritur, gati-gati proceduriale, ndërtojnë suksesshëm shkatërrimin e pozitiviteteve shqiptare.

Kështu, ky imazh i copëzuar i pozitivitetit tonë shpesh projektohet jashtë kontekstit shqiptar pikërisht për shkak të mungesës së produktit të brendshëm (po të kemi parasysh faktin se individët, si imazhe të copëzuara pozitive shqiptare, aktualizohen në një territor të huaj), i cili pastaj destinohet të na kthehet në boomerang. Ne jetojmë në epokën kur teknologjia i bën popujt dhe kulturat të ndërlidhura me njëratjetrën, por në të njëjtën kohë edhe të ndërvarura.

Jetojmë në kohën kur shkëmbimi ndërkulturor dominohet nga tregu, në këtë kontekst vendet më të pasura janë më të prirura të jenë përfituesit më të mëdhenj të këtij shkëmbimi kulturor dhe vendet e varfra janë humbëset e tij. Edhe Shqipëria futet në vendet humbëse në betejën për imazh, sepse produktet e tregut si një ndër përcaktueset kryesore të imazhit të vendit, jo vetëm që nuk janë konkurruese, por ata thjesht nuk janë.

Nuk janë në kuptimin e ndërtimit të brand-it shqiptar si veçanti apo tipar dallues. Prandaj kufizimi i produkteve të tregut është në të njëjtën kohë edhe kufizim i mazhit të Shqipërisë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kufizimin apo deformimin e produkteve politiko-administrative, të cilat nuk kanë arritur të ndërtojnë përmes institucioneve normalitet dhe demokraci si produkt institucional. Në ndihmë të këtij mjedisi pesimist imazhi, vjen edhe perceptimi që kemi për veten, i imazhit që ne ia projektojmë vetvetes si shqiptarë, i cili përfundimisht është i injektuar nga një kulturë dhe kompleks inferioriteti.

Për këtë arsye, nuk është çudi të gjesh shumë prej nesh, për të mos thënë një masë kritike e jona, e cila ushqen veten me slogane paaftësie e pamundësie, që pastaj së bashku me mediat shqiptare, me gjuhë humori dhe shpesh servilizmi për të huajën ndaj nesh, nxjerrin një produkt horrori që pa e kuptuar ndoshta varros thellë e më thellë atë çka mund të ketë ngelur nga imazhi ynë. E nëse ajo çka thamë më sipër kishte të bënte me problemet e faktorit të brendshëm tonin në ndërtimin e imazhit të Shqipërisë, faktori i jashtëm është akoma më kompleks.

Pasi kemi punuar zellshëm për të ndërtuar shkatërrimin e imazherisë sonë, vjen “i huaji”, “Tjetri”, i cili e përthith këtë imazh, e përpunon, pastaj e projekton në një kontekst tashmë global. Shpesh ky projektim është parë të jetë bërë duke përgjithësuar të metat, të cilat te çdo popull i gjen, në mënyrë që “i huaji” ta përkufizojë veten si superiori pikërisht përmes këtyre të metave të steriotipizuara të të voglit e të varfrit.

Ky përkufizim ka shërbyer shpesh edhe për ndërtimin e një linje ndarëse gjeografike imagjinare mes popujsh të civilizuar dhe atyre “të dënuar” të jenë të pacivilizuar, duke iu fshirë këtyre të fundmëve pothuaj çdo sukses e arritje dhe duke iu dhënë status emulativ dështimeve, këtë duke e projektuar si në botën e lajmit, po ashtu edhe të zbavitjes e spektaklit.

Kështu, hegjemonia kulturore e “të madhit” dhe “të fortit”, e ndërtuar nga bashkimi dhe loja me detajet, e kthen pothuaj në një “detyrë” kontrollin ndaj “të voglit”, “të pacivilizuarit”. Në situatën kur ne, me anë të produkteve tona cilësore të imazhit, do të duhej të frenonim pikërisht karakterin hegjemonist që vjen nga “i madhi” dhe “i forti”, i cili është gjithmonë i prirur të imponojë dhe impostojë imazhin e vet mbi atë të kulturave “inferiore” për shkak të produkteve të shumëllojshme të tij, ne, shqiptarët, kemi luksin të ekstremizojmë sociologjikisht dhe politikisht hapësirën tonë publike duke ndihmuar në mosndërtimin e imazhit të unifikuar pozitiv për ne.

Institucionet tona të kapura peng nga partitizmi, tarafi e nepotizmi, nuk kanë arritur të prodhojnë një produkt institucional imazhi. Përkundrazi, institucionet tona shpesh janë kthyer në imazh qesharak karshi faktorit të jashtëm si përthithës i këtij imazhi. Dobësia institucionale e jona ka sjellë edhe dobësinë e produkteve të tregut, të cilat në mungesë të standardizimit dhe kriterit modern tregtar e kanë bërë brand-in shqiptar inekzistent.

Media, e pastaj edhe individi, të thelluar në çarjen politike kanë meremetuar më shumë se çdo gjë tjetër përkatësinë dhe pozicionimin vetjak. Pra, mungesë totale e harmonizimit të të dy faktorëve, ku i jashtmi pa produktin e brendshëm, e ndërton vetë sipas prioriteteve të veta imazhin e munguar tonin.

Emergjenca e përmirësimit të imazhit të Shqipërisë mendoj kuptohet duke u përqendruar në dy shtylla të rëndësishme, siç janë normaliteti social dhe konsolidimi institucional. Asnjëri prej tyre nuk arrihet nëse nuk ka të paktën një të besuar dhe një të kuptuar konsensual se cilat janë prioritetet e vendit jashtë retorikave dhe metaforave të pushtetit.

22 Komente

Hmmmm, cfare te thuash per kete? Flet per imazh real, apo imazh per t'u dukur ndryshe nga cfare je realisht?

Sepse, per fat te keq, imazhi qe kane te huajt per ne eshte ne te shumten e rasteve nje fotografi reale, e pa trukuar me fotoshop. 

Po te besh disa pyetje vetes, nuk eshte e veshtire te kuptosh realitetin.

1. Te huajt thone se ne Shqiperi ka korrupsion, krim te organizuar, media te kapur, biznes nepotik dhe klientelist te lidhur me politiken.

Pergjigja: Realisht te gjitha keto egzistojne, madje shume me teper se sa mund te perceptohen nga te huajt dhe mediat nderkombetare. Te gjithe e dime gjendjen reale, katastrofike te korrupsionit, krimit, medias se kapur, biznesit.

2. Te huajt thone se ne Shqiperi dialogu politik dhe bashkpunimi mes forcave politike per interesa madhore te vendit eshte cope cope. 

Pergjigja: Ata thone vetem realitetin, sepse keshtu ka qene, eshte dhe nuk ka gjasa te ndryshoj. Te gjithe jemi deshmitare qe vendimet e konsensusit edhe per ligje ne interesin tone kombetar jane bere dhe behen vetem me ndermjetsimin e politikaneve euro amerikan. Gati njesoj sikur po negociohet mes Izraelit dhe Palestines, dhe jo ne nje vend te unifikuar!

3. Vendi ka nje klime te mrekullueshme, ka male, fusha, lumenj dhe det, por me nje infrasrukture te dobet, sherbim te dobet dhe papasterti te larte. Ky eshte imazhi i ndertuar nga mediat dhe te huajt per Shqiperine ne fushen e turizmit.

Pergjigja: Egzaktesisht ata thone te verteten e rendomte, qe te gjithe jemi deshmitar te kesaj gjendje. 

Si perfundim, ne duhet te ndryshojme vetveten, konceptet qe kemi ne per ndertimin e te mirave materiale, shtetit ligjor dhe te lirive dhe te drejtave te njeriut, medias, politikes ne pergjithesi, ne menyre qe te ndryshojme edhe imazhin tone tek te huajt. Perndryshe, cfare na duhet nje imazh i rreme? Te genjejme veten, apo te genjejme te huajt? Ne jemi te zhytur deri ne gryke, po mbytemi, nderkohe kerkojme te permiresojme "imazhin" tone.!

''...dhe papasterti te larte.'' kjo me ka ndodh ne Sarande ne vere. Nga ballkoni po i tregoja nje mikeshe gjermane nje mur te vjeter qindravjeçar. Asaj i kish ngri fytyra krejt se ngjit me te ish bere nje pirg me pagure e qese, ashtu siç dime ne ta bejme. Duhej te vinte ajo qe ta kuptoja dhe une se sa e rend ishte pamja. 

Jetojm brenda gjese prandaj dhe se vlersojm realisht sa keq jemi ne drejtim te imazhit

Tamam zotni Cullufe. Ne shqipet jemi goxha te fiksuar pas imazhit dhe aktrimit, qofte me njeri-tjetrin (deri dhe brenda familjeve, hipokrizia behet teater) e qofte me te huajt. Imazhi natyrisht ka rolin dhe rendesine e tij, po sa kohe qe ne s'ndryshojme realitetin tone, jo vetem qe eshte e pamundur te imponojme nje imazh te rreme (aq me shume sot ne nje epoke globale), por kryesorja, kemi genjyer veten duke pritur te na i zgjidhe punet imazhi.

Scapegoating has become our middle name. Jo vetem qe fajin na e kane gjithmone te tjeret, por dhe zgjidhjen e problemeve tona e presim diku nga jashte, prej te tjereve, tip, pse te mos na jape ne Evropa dhe Amerika me shume para se Greqise per planin Marshall qe ne t'i biem me dore, si specialista te dores qe jemi?

Po cfare thu mor Xhib, ne jemi ku therret qameti, dhe nderkohe qendisim artikuj shkollaresk se si mund te ndryshojme imazhin e Shqiperise! Po mor vlla, e ndryshon imazhin per mire nese punon realisht per zhvillimin e vendit, ben politika te mira sociale, largohesh konflikteve, lufton realisht mafien dhe krimin, lufton korrupsionin.... etj etj. Atehere po, te huajt do ta ndjejne pernjehere ndryshimin dhe do te shkruajn me te madhe se Shqiperia po ndryshon! 

Po cfare bejme realisht? Eksportojme droge, refugjat, disa hajdute dhe kriminela ordiner, disa tutor femrash, madje kur bejne para te madhe i fusim edhe ne parlament, bejme Kryetar Parlamenti nje kryetar te nje organizate te mirefillte kriminale qe perflitet edhe si urdherues vrasjesh, bejme kryeminister nje tip qe jep me koncension (Vini Re!) edhe mbledhjen e taksave sic eshte TVSH-ja, ne nje kohe qe kjo per dreq eshte detyra themelore kushtetuese e nje qeverie, te mbledh taksat ne shtetin e vet... dhe pastaj flasim per permiresim imazhi...

Ke duan te genjejne keta, ustallaret e Europes? Duan te genjejne ambasadoret e huaj, ShBA, Angli, Gjermani? 

Une skam asgje me artikullshkruesin, por te rrime shtrember dh te flasim drejt, ne te gjitha rastet, kur ne si popull kemi percuar ndonje vlere, dhe sigurisht qe kemi vlera si popull, media e huaj dhe vendet e huaja i kane evidentuar dhe nuk na e kane ngrene hakun. Psh, toleranca fetare. Pothuaj ne te gjitha rastet ky fakt eshte permendur si nje vlere dhe imazh i mire i vendit tone. 

Te tjerat? 

Zi dhe katran jemi! 

Une e lexova per kureshtje kete shkrim, por... me mire do te ishte sikur autori te fliste per midhjet dhe peshkun... se sa per pune imazhi, ne nje vend ku ne nje vit prodhon 100.000 azilkerkues vetem nga skamja dhe mungesa e shpreses!

Shume faleminderit Blendi qe e more parasysh kerkesen time per postim. Ky artikull i Redit mu duk shume goditur per gjendjen aktuale ne Shqiperi. Nga ky shkrim mund te deduktojme pa frike disa pika elementare.

1. imazhi i pasakte (shpeshhere negativ) qe percojne te huajt per Shqiperine.

2. imazhi shume negativ qe shqiptaret vet i japin vendit te tyre, me koshience ose pa koshience.

3. roli qe imazhi ka ne pozicionimin e Shqiperise ne marredhenie me shtet te tjera. 

4. mungesa e strategjive konkrete per formatimin e ketij imazhi, dhe per ndalimin e imponimit nga te tjeret.

A u ftofshi m'tajare me gjithe imaxh (megjithse Pjeri thone jeni ftof already). Ndaj kujt ju duhet iher? KNI?  Masanaj, po su llustru fasada tashtizaj (se ashtu osht nje pune) s'ka per tu llustru neiher.  

Natyrisht, pasi Shqiperia eshte kthyer ne Albanistan dhe kaq i mjafton fetarit tone te moderuar Edi Shehut, ai tani ka problemin qe imazhi i ketij vendi te permisohet nepermjet institucionalizimit te tij, aty brenda, e pastaj te shperfaqet jashte. Nepermjet ketij institucionalizimi (o Zot, mos i shkoje ndonjerit mendja se Edi na kerkon ndonje favor familjar apo farefisnor tek qeveria, -sic eshte tashme e zakonshme ne Albanistan- qe kjo te hapi ndonje zyre me shume per permisimin e imazhit te vendit dhe aty te punoje Edi apo ndonje nga te afermit e tij), institucionalizim qe duhet te jete i unifikuar, Edi na kujton serish ate qendrim te tij fetar-oriental "te gjithe ne nje mendje"! Keshtu ai edhe harron se ky pasqyrim (shperfaqje, sic thote) sot behet edhe nga vete te huajt, pasi ata e shohin edhe me syte e tyre kete vend, pa llogaritur ketu teknollogjin e telekomunikacionit, qe e realizon kete percjellje imazhi shpejt dhe realisht, pa shume zbukurime alla orientale! Edi duhet ta dije se e ardhmja e njerezimit eshte vete e unifikuar, per shkak te teknikes, komunikacionit dhe telekomunikacionit, ndaj imazhi i saj nuk ka nevoje per zbukurime, por ka nevoje per pasqyrime sa me reale e te shumaneshme! Kush ka frike nga kritikat apo dhe klishete e ndryshme, tregon se shikon me shume prapa se perpara; gjithashtu tregon se ka frike nga perballja me kritikat dhe klishete e drejtuara atij.

Per kete u mundove Karl efendim?

p.s. R.Edi.

Kjo deshira per te permiresuar imazhin e shqiperise, vjen nga nje ndjenje e thelle inferioriteti ndaj te huajve.

"erdhi nje Danez dhe tha keshtu e ashtu..

"pse nuk e degjove si tha i Anglezi? ..

I ka zene te gjithe atje semundja e "fasadave", dhe tani qe kemi nje "fasadaxhi" ne krye te konakut, jane shtuar kollitjet, dhe rrjedhjet e qurreve.

Une dua qe ai vend te behet mire, jo per te huajt, por per veten time. Problemi eshte se per sa kohe qe ka politikane vetem pak kriminele dhe kriminele shume politikane ai vend eshte i destinuar te lengoje ne pisllek, ne korrupsion, degjenerim total te mediave, ne degradim te arsimit dhe kultures. 

Edhe ate natyre te bukur qe ne a e dha zoti, po e shkaterrojne komplet. Edhe ISISI nuk do t'ja arrinte qellimit po te mundohej. Biles, as ajo bomba e supozuar atomike qe kishin ndermend te hidhnin amerikanet nje here e nje kohe.

Lyeji buzet e majmunit me buzekuq, sa te duash. Prape majmun mbetet.

Imazh i unifikuar ... s'e kisha degjuar ndonjehere kete artikulim

Sidoqofte djema, artikulli me pelqeu dhe qendronte. Autori e kish kapur pakez teorikisht kete çeshtje, por po te shohesh ne praktike, imazhin e Shqiperise, jemi ne qe ia japim asaj, dhe jo te huajt. 

Cohu !  smiley 

Pjer, nje fjal e urte  thote -  Eshte me te dhene dhe jo me te thene ajo puna e zgjimit ! Po ste hongri meraku nga brenda aha , thuj sa te dush cohu, zgjohu  nga krahu tjeter do te kthehet ! smiley

avash ti, avash mos u kap me pjerrin maj per maje se e ka thene vet qi s' esht kompiuterist. i shkon vala e jutubit pas 7/8 vjetesh

mos u habit!  ka nje lidhje te drejtperdrejte midis mungeses se kombetarizmit dhe mentalitetit te evgjitit 

Problemi I shqiperise eshte se eshte plot me shqiptare qe mendojne se I dine te gjitha e te cajne bithen me teorizime duke mos mbaruar asnje pune.

... imazh i unifikuar, POZITIV shqiptar. That's an oxymoron, if I ever saw one. 

Keshtu tek e tek jane te gjithe plehra... por po u unifikuan, per cudi do shndrrohen ne pozitive. Haha, si puna e bashkimi ben fuqine me demek e blah, blah.

Yeah, I know, edhe une shqiptar jam, so save it ... 

kjo foto meriton nji teme te tere me vete. Se nuk flet 1 mije por 1 milion fjale. I permbledh te gjitha ca themi per Albanien ne cdo teme

Kjo foto duhet bo gravurë thuj

kjo foto ilustron tamam "imazhin e unifikuar pozitiv shqiptar."

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).