The Independent qe një pionier i medias në Britaninë e Madhe – por ajo ra viktimë e forcave që po mbysin gazetat gjithkund.

Kur BBC njoftoi vdekjen e mundshme të gazetës Independent – së paku në formatin e shtypur – mëngjesin e të enjtes, ajo shpenzoi gjithsej dhjetë sekonda mbi këtë lajm. Fakti që lajmi qe aq i shkurtër fliste shumë në vetvete për ndikimin e paktë të një gazete që një herë qe fuqia e medias – dhe e tokës.

Në të vërtetë, ndërsa kambanat për vdekjen e Independent po bien, pacienti po merr ende frymë – por vetëm kaq. Dhe jo edhe për shumë kohë. Pronarët rusë të gazetës, familja Levedev, konfirmoi të premten pasi shiti të vetmin produkt me fitim të kompanisë, tablloidin “i”, se numri i fundit i Independent do të shtypet më 26 mars.

Ngritja dhe rënia e Independent është shumë më tepër se sa saga e një gazete. Ajo i bën jehonë dhe simbolizon rënien e medias së shkruar në Perëndim në përgjithësi, ku që të gjitha gazetat po vuajnë për të gjetur një model biznesi mbi të cilin të mund të mbijetojnë në një botë të ndryshuar.

Gazeta pati lindur në një çast të rëndësishëm në Britani. Më 1987, pak para publikimit, udhëheqësja e konservatorëve Margaret Thatcher fitoi zgjedhjet e treta të përgjithshme radhazi, duke i dhënë fund debatit nëse Britania do të duhet të qeveriset sipas idealeve të saj kapitaliste apo një modeli socialist të propozuar nga Partia Laburiste dhe aleatët e saj mes sindikatave.

Në një farë mënyre, gazeta qe një fëmijë e revolucionit të Thatcher, në të cilin, fuqia e sindikatave për të ndikuar te kushtet e punës u dobësua ndjeshëm.

Themeluesit e gazetës e kapën rastin për të krijuar një media të re, duke dalluar një mundësi tregu mes lexuesve që qenë mërzitur nga luftërat mes të majtës dhe të djathtës të zhvilluara përmes gazetave të mëdha të vjetra.

Para se Independent të lindte, britanikët që kërkonin gjëra serioze për të lexuar në mëngjes kishin në thelb katër mundësi zgjedhjeje, Financial Times, Times, Guardian dhe Telegraph.

Ndërsa “FT” lexohej mes njerëzve të Biznesit ndërsa Times qe e rëndësishme për zyrtarët, dy të tjerat vepronin si tabela njoftimesh respektivisht për mbështetësit e laburistëve dhe mbështetësit e konservatorëve.

Independent kapi një treg mes qindra mijëra njerëzve që nuk e shihnin veten në asnjë prej të dy kampeve.

Në kulmin e vet, gazeta shiti 400 mijë kopje dhe ajo po rëndonte mbi qarkullimin e Guardian.

Por Independent shpejt u dobësua nga disa nga pikërisht ato faktorë që e patën ndihmuar të ngrihej.

Ndërsa panorama për median e shkruar u vrenjt dhe u errësua në vitet 1990, falë ngritjes së internetit, ata zhgënjyen lexuesit e tyre kyçë, të cilët qenë politikisht të angazhuar.

Të gjitha gazetat e mëdha në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjithkund tjetër në Perëndim kanë parë se si shitjet e tyre kanë rënë me shpejtësi përgjatë 20 viteve të fundit.

Telegraph pati shitur dikur mbi 1 milionë kopje në ditë, Times rreth 800 mijë dhe Guardian rreth gjysmë milioni.

Tashmë Telegraph shet rreth 500 mijë, Times rreth 400 mijë dhe Guardian rreth 190 mijë kopje.

Por ndërsa të gjitha ato kanë humbur së paku gjysmën e lexuesve të vet përgjatë dekadës së fundit, është ende e vështirë të imagjinohet një Britani ku as majtistët dhe as konservatorët e bindur nuk kanë një gazetë të vetën.

Gazetat e vjetra kanë gjithashtu edhe peshën e traditës pas tyre. Ato i kanë rrënjët dekada apo shekuj pas – Times nisi të botohej që më 1785 ndërsa Guardian më 1821.

Guardian jeton gjithashtu mbi një fond të pasur mbështetës, ku gjendet trashëgimia e shumë gjeneratave të së majtës të cilët i lanë asaj paratë e tyre.

Guardian mund të ketë humbje dramatike prej rreth 50 milionë paundësh çdo vit por, njësoj si një aristokrat të mësuar me keqpërdorimin e parave, ajo ka trashëguar një pasuri të madhe dhe do të duhet edhe ca kohë para se rrënimi të vijë.

Independent nuk kishte traditë të lashtë apo një grup të sigurt blerësish mes njerëzve të angazhuar politikisht për t’u mbështetur – dhe as pasuri të trashëguar. Për shumë vite, mbijetesa e saj ka qenë një mrekulli, e varur nga ambiciet dhe bujaria e familjes Lebedev dhe forcës punëtore që u pakësua dhe u rinovua vazhdimisht.

Për ata, si puna ime, që mbajnë mend ditën e parë të gazetës, kjo e gjitha është tronditëse.

Pas në ato ditë, redaksia e punëve të jashtme të Indepenent nuk qe thjeshtë një tavolinë por një dhomë e madhe përplot me telefona që binin çdo çast dhe njerëz që flisnin, të ndarë nëpër seksione, Europa Lindore, Europa Perëndimore, Amerika Latine, Afrika… Tavlla të tejmbushura dhe shishe vere në faza të ndryshme konsumi zgjateshin nëpër tavolina. E gjitha kjo duket e paimagjinueshme tashmë.

Në atë kohë askush nuk ia kishte idenë se do të gdhihej një ditë, më shpejt nga sa qe imagjinuar, kur njerëzit që dëshirojnë të lexojnë “lajmet” nuk do të jenë të shumtë – së paku jo në formën e ‘gazetës’.

Tashmë e gjitha kjo duket një ëndërr e largët. Hy në një kafene të Londrës këtë ditë dhe mund të shohësh një grusht gazetash të vendosura në një cep. Por në këtë kohë, ato zakonisht janë të palosura dhe të palexuara – më shumë një dekorim se sa një nevojë. Vështirë se ndonjë nën 40 vjeç i lexon ato.

Nëse ata dëshirojnë lajme, ata i lexojnë në një kompjuter apo celular – dhe i lexojnë falas. Pak, e pothuajse asnjë prej tyre, nuk do ta vë re zhdukjen e Independent si gazetë – ndërsa varianti në internet do të vijojë të jetë vërdallë edhe për ca kohë.

Për ata mes nesh në një gjeneratë më të moshuar, veçanërisht ata mes nesh që dikur kanë punuar te Independent, mbyllja e saj është më traumatike – një shenjë tjetër se epoka e gazetave – e cila filloi rreth 300 vjet më parë – po kalon në histori.

2 Komente

Blendo, te njejtin fat pati dhe "Zeri i popullit" para ca muajsh. Nderkohe pleqt e "1 majit" kishin kohe qe kishin kaluar te Panorama Plus. Dhe pastaj na e hedhin fajin ne, gjenerates se re. Fajin e ka gjenerata e vjeter, qe tradhetoi idealet per gjoksin e Cilit.

The Guardian me vertet shet 180 mije kopje por online e lexojne 40 milion njerez. Vetem ne UK jane 9 milion, 20 here me teper se kur dilte vetem si leter.

Prandaj kriza nuk eshte e medias se shkruar por e medias se shtypur. Per mua keto qaravitje jane si te ankohesh pse papirusi u zevendesua nga letra.Qofte edhe nga pikepamja ambientale, letra duhet evituar. Qe te shkruarit do digitalizohet, kjo eshte e paevitueshme, te tjerat jane sentimentalitete idiote.

Petroninse, meqe si ajatollah nuk mund "te hesht per ato gjera qe kane ndodhur mbas lindjes time", te them shkoqur: mos ngatrro gjeneratat me shkerdhatat dhe gjenerimin me shkerdhimin!

Ta kam llafne, nese digjitalizimi i shkrimit eshte e paevitueshme (dhe shume e mrekullueshme), nuk eshte e thene qe shkerdhimi solipsist nuk eshte e paevitueshme, ndryshe nuk do kete as ambjent me pyje, gjethe dhe dru, pa le te tjera sentimentalitete idjote.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).