Bashkia e Tiranës, si kurrë ndonjëherë në këtë qytet ka prodhuar këto ditë reagim qytetar që e ka ndjerë në hapësirat publike si edhe përpara ndërtesës së vet, anash Skënderbeut.

Për të kuptuar se çfarë ndodh duhet parë nëse ka një lidhje midis protestave kundër ndërhyrjeve te Parku i Shën Prokopit dhe protestave të tregtarëve kundër rritjes të taksave lokale.

Duken pa lidhje, por lidhja është.

Sepse pushteti lokal në Tiranë prej mijra vjetësh bën të njejtën gjë. Mbledh taksa lokale që qytetari nuk ndjen se shkojnë për të mirën e tij në qytet, pastaj hap investime dhe sheshe ndërtimi që pasurojnë me metoda aspak demokratike por klienteliste personazhe afër politikanëve lokalë dhe qendrorë, pikërisht duke përdorur paratë e taksave të mbledhura nga qytetarët, dhe harxhon buxhetin në projekte gjigandomanike, a gjigandomaniake, që nuk kanë të bëjnë fare me politikat e pushtetit lokal.

Ka pasur dhe si duket vazhdon të ketë një mentalitet krejt iluzor dhe të gabuar në lidhje me pushtetin lokal të Tiranës që nuk bën ende dallimin midis Tiranës qytet dhe Tiranës si Kryeqytet.

Tirana për ne banorët e saj është një qytet si të gjitha qytetet e tjera, nuk është Shqipëria bis, pra duhen ndarë këto dy realitete. Për Tiranën si kryeqytet dhe si nyje e gjithë Shqipërisë ka kush mendon, dhe duhet përballur me buxhete të shtetit. Ne me taksat tona lokale nuk duam as të habisim të huajt me projekte fasadë apo që kalojnë fuqitë tona të vobekta si qytet, nuk duam as të plotësojmë teke pushtetarësh lokalë që kanë dashur herë pas here ta përdorin qytetin si imazh të vullnetit të tyre krijues ose për pushtet, as për të projektuar ambicje personale për të lënë gjurmë në territor si shenja eterniteti, si perandorët apo faraonët.

Ne duam urbanizim të lagjeve, rrugicave, pallateve, trotuareve ku kalojmë.

Ne paguajmë taksa për të jetuar mirë në nivelin mikro, që i takon pushtetit lokal ta bëjë, dhe jo për të kënaqur kërkesat e mësipërme, të cilat jo vetëm që nuk na vlejnë neve, por edhe na shkundin xhepat.

Pse Tirana është një qytet në krizë buxhetore, për këtë zgjidhja nuk është aspak që pesha e taksave lokale mbi kurrizërat tanë të shtohet sa të na thyejë në dysh, por duke menduar një model ekonomik efikas për qytetin tonë që është tharë nga veprimtaritë ekonomike.

Me taksat e qytetarit të Tiranës të bësh ndërtime atje ku ai ka dëshirë të shohë e të ndjejë hapësirat e gjelbërta, do të thotë edhe të mbledhësh taksa kot, edhe të bësh dëme atje ku qytetari nuk i pranon.

Ja pra ku është lidhja mes dy protestave.

Edhe njëherë, tregtari tiranas duhet të paguajë si të gjithë ne taksa kokërr më kokërr leku, por ama edhe ne si qytetarë të na jepet mundësia të themi se projektet ku harxhohen këto taksa dhe që plotësojnë këto ambicije :

1. I shërbejnë imazhit politik të pushtetarëve lokalë që e kanë si investim për më vonë.

2. E trajtojnë Tiranën jo si qytet ku jetojnë qytetarë, por si simbol, si kryeqytet i shtetit.

3. Dëshirojnë të lënë gjurmë ekzistenciale të kultit të vetvetes në qytet.

4. Për ta bërë si ekspozitë për të huajt që vijnë në Tiranë.

5. Për të përgatitur infrastrukturën parapritëse për investime nga persona të pasur që përfitojnë nga lidhjet e tyre klienteliste me pushtetin,

këto lloj rritje taksash jo vetëm, që na duken të shtrenjta, të padrejta, por edhe të kota.

Për taksat e Tiranës dhe të cdo qyteti, nuk duhet debatuar vetëm nëse janë të larta ose jo. Kjo eshtë njëra anë e cështjes ndonëse me rëndësinë e vet. Sepse të marrësh taksa duke tharë bizneset kjo dëmton punësimin, dhe nesër e pasnesër nuk ke si merr më as taksa.

Shumë taksa ose taksa shumë të ngritura, kjo nesër dëmton vetë mbledhjen e taksave sepse nuk ke kujt i merr më taksa.

Pushteti lokal në Tiranë duhet ta ketë të qartë se ne qytetarët jemi krejt të pakënaqur nga politika e taksave. Jo thjesht për nivelin e tyre financiar.

Kemi paguar deri më një taksë pastrimi, qyteti është si kosh plehrash. Trotuaret sikur i kanë ngrënë qentë. Fasadat në pikë të hallit. Furnizimin me ujë dhe energji elektrike problematik. Pa pemë, me trotuare të ngushtë e pa to, me plehra për faqe të zezë. Ndriçimi në qytet, përveç hapësirës që e shikojnë të huajt, është për ibret. E çfarë tê thuash më parë!

Ne nuk duam të monitorojmë vetëm tavanin financiar të taksave lokale, por edhe si përdoren ato. Ne duam që taksat të përdoren sidomos për urbanizimin e hapësirave urbane mikrosociale ose të shkallës mesme, dhe jo për projekte faraonike, grandomaniake që kanë të bëjnë me politika qeveritare dhe jo me pushtetin modest të Tiranës.

Bashkia e Tiranës nuk është qeveria bis.

Pra, na duhet të dimë sesi përdoren, ku përdoren taksat tona, dhe kush përfiton prej tyre. Jo thjesht sa është fatura e tyre. Se të paguash taksa se ke një kafene të shtrirë edhe në trotuar është e domosdoshme. Mirë, po i paguaj ato taksa. Madje edhe më të larta nëse me to, qyteti ta zemë ringre muzetë historikë dhe vendet e historike të qytetit, sepse më shumë turistë do të vinë, pra do të kem më shumë xhiro.

Taksa e lartë apo e ulët, jo siç diskutonte dikush televizor më televizor me ethe propagandisti, pa asnjë kompetencë në marketing, nuk është aspak vlera e saj absolute në parà, por lidhet me efikasitetin e investimit të këtyre të ardhurave për të përmirësuar jetën urbane dhe mbështetur biznesin. Nëse paguaj më shumë taksa, por të ardhurat e mia rriten disafish, atëhere një taksë më e lartë në vlerë absolute, në fakt është më e ulët sesa më parë.

Ja këtë nuk provon dot pushteti lokal në Tiranë derimëtani.

Pa na thoni pak se si rezultat i pagimit të taksave, cfarë parametrash do të përmirësohen në qytet, si do të maten nga pikëpamja statistikore?

Do të kemi më pak ndotje, temperatura më pak të larta në verë, ujë më të pastër në rubinete, shëtitore më shumë, sa metra, sa kilometra? Sa trëndafila më shumë? Sa fije bari më shumë? Sa gjethe pemësh më shumë? Sa mure të lyer me gëlqere më shumë ? Sa më pak rrjedhje dizanterie për shkak pislliku? Sa kilogram mollë a pjeshka të shitura më pak në rrugë?

Mos na thoni se te parku i Prokopit të shenjtë do të bëhen lodra për fëmijë! Cilët fëmije, sa fëmijë mund të luajnë atje, të cilave mosha, nga do të vijnë? Pse do të luajnë atje dhe jo në parqe afër banesave të tyre? Duam statistika, matje të qarta, dhe premtime sasiore. Jo ideologji.

Jo ne nuk i besojmë pushtetarët kur zenë be për shpirtin e këtij apo atij, për kokën e asaj e të kësaj, për idealin e partisë apo të rinisë.

Demokracia e parakupton politikanin si të keq, mashtrues, kumarxhi, manipulues, fems, të dhunshëm, edhe pse mund të mos jetë i tillë, prandaj edhe zbaton masa demokratike mbrojtëse. Qytetar i mirë është qytetari mosbezues, grindavec, llogarikërkues, protestues, ai që të vjen te dera e bashkisë brenda pesë minutash poqese nuk bindet se politikat e ndjekura nuk janë në të mirë të tij.

Duam të dime edhe se kush përfiton prej taksave tona.

Duam të përfitojmë sa më afër nesh sigurisht pa pretenduar që të mos mendojmë për qytetin në tërësinë e vet. Sepse ky ishte dëmi i reformës territoriale. Tani bashkia i merr taksa një biznesi pas Dajtit dhe ndërton parkun për lodra te Prokopi i shenjtë. I merr taksa banorit te Kodra e Diellit dhe i investon në Farkë. Askush nuk di se ku shkojnë taksat e paguara dhe a shkojnë apo jo për të përmirësuar jetën e vet urbane në mikro dhe media hapësirat urbane.

Pra, ne duam jo vetëm të dimë pse ngrihen nivelet e taksave tona, por edhe me cfarë parametrash objektivë sasiorë do të masim efektivitetin e investimit të tyre, kush përfiton prej tyre, dhe në cilat projekte do të harxhohen ato.

Se mbase tregtarët e vegjël nuk e dinë, por nëse bashkia mbledh taksat dhe në afërsi të tyre, me ato parà, përgatit një riformulim të hapësirave urbane, që i jep mundësi një hapësire të madhe tregtare të ngrihet në atë lagje, ata tregtarë do të zhduken, pikërisht nëpërmjet pagesës të rregullt të taksës që kanë bërë.Në këtë rast problem nuk do të ishte niveli financiar i taksave të mbledhura por përdorimi i tyre.

Ndërgjegja qytetare ka vend të maturohet për të mos luftuar thjesht për lekët individualë, që edhe ato janë shumë të rëndësishëm, por për te gjykuar për administrimin urban dhe financiar të qytetit.

Ne duam demokraci qytetare në Tiranë dhe më gjerë. Ne duam menaxhim të qytetit për ne banorët e tij, në cdo lagje dhe njësi, me buxhete të deçentralizuara, paratë tona i duam për veten tonë dhe afër vetes sonë, sepse kështu i kontrollojmë. Ne dëshirojmë administrim teknik dhe qytetar të qytetit tonë dhe jo parrulla ideologjike dhe pabarazi të padrejta sociale. Mbi të gjitha ne nuk besojmë. Kemi të drejtë të mosbesojmë sepse na keni zhgënjyer rëndë. Ne duam kontroll, por jo për sy e faqe, por sipas ekspertizës më të mirë.

marre nga faqja personale e Artan Fuges ne Facebook

3 Komente

Me popull kurioz mo nuk bo nona ,mire qe arrijne te dijne qe taksat mblidhen por duan te dine edhe se ku shkojne .

Sepse pushteti lokal ne Tirane prej mijra vjetesh ben te njejten gje.

Paska shku ne ky pop filozofi i fejsbukut per lesh.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).