Ndryshimet në Ligjin për Tregtinë Ekonomike dhe problemet e evidentuara në to.

Ligji për tregtinë Ekonomike, ndryshimet në të cilin kanë hapur një debat në lidhje me lirinë e mediave online është në vetvete një përmirësim i kuadrit ligjor ekzistues, i cili është miratuar qysh në vitin 2009 por nuk është përdorur në asnjë rast deri më tani (të paktën në dijeninë time). Megjithatë ka një seri problemesh të evidentuara në projektligjin e ri, të cilat, qëllimisht apo jo, çojnë drejt censurës së zërave online.

 Ligji parashikon se mediat online nuk kanë përgjegjësi për komentet e lëna në to nga të tretët (komentuesit) aq kohë sa nuk kanë dijeni për paligjshmërinë e tyre, por në momentin kur dikush ankohet për përmbajtjen e një komenti, media online (kur është e regjistruar në Shqipëri) ka detyrimin të çojë në autoritetin përgjegjës për ndjekje përmbajtjen e të tretit (nuk sqarohet kush është ky autoritet - por në ligj dallohet nga Gjykata, pra nuk është Gjykata), dhe ta fshijë këtë përmbajtje brenda 24 orësh nga kërkesa e gjykatës, dhe 48 orësh nga kërkesa e palës ankuese.

Komenti mund të rivendoset online kur "autoriteti përgjegjës" të ketë marrë një vendim mbi ligjshmërinë e këtij komenti, por nuk i lihet afat kohor këtij autoriteti, i cili mund të marrë edhe vite po të dojë për të vlerësuar komentin. Në rast se host-i vlerëson se komenti duhet të qëndrojë dhe vendos të mos e fshijë "me urdhërin" e palës ankuese, host-i gjonitet me 200.000 lekë të reja si shkelës i Nenit 17. Pra faqet online praktikisht bien nën kontrollin e palëve ankuese dhe "autoritetit përgjegjës" për shkak se rezistenca automatikisht gjobitet. 

Duhet të sqaroj se ky për ne është një debat parimor, pasi ligje të ngjashme ekzistojnë dhe nuk ka patur deri tani asnjë ankesë për komente në Gjykatat shqiptare. Gjithashtu, ligji nuk përfshin platformat e regjistruara jashtë vendit dhe as rrjetet sociale ku ndodh shumica dërrmuese e komenteve online - apo nuk parashikon si veprohet në rast faqesh jo-formale ku nuk ka një administrator ligjor, apo faqet komunitare të cilat nuk kanë pronarë. Gjithësesi, në vijim gjeni Nenin 17 dhe problemet teknike të projektligjit detajuar nga jursiti Darian Pavli, Drejtor i projekteve, OSFA.

LIGJI PER TREGTINE ELEKTRONIKE (LTE) 

Neni 17 

(sipas ndryshimeve të propozuara) 

Hosting 

1. Ofruesi i shërbimit të shoqërisë së informacionit që kryen hostimin e të dhënave apo ruajtjen e informacionit të siguruar nga marrësi i shërbimit, nuk është përgjegjës për përmbajtjen e informacionit nëse: 

a) nuk ka dijeni për veprimtari ose përmbajtje të paligjshme, nuk është në dijeni të fakteve a rrethanave prej të cilave rrjedh aktiviteti apo përmbajtja e paligjshme, si dhe për dëme të pretenduara. 

b) me vënien në dijeni për një veprimtari apo përmbajtje të paligjshme, vepron me shpejtësi për të hequr ose çaktivizuar aksesin në informacion si më poshtë: 

i. brenda 24 orëve nga marrja e vendimit të gjykatës apo kërkesës së autoritetit përgjegjës heq ose çaktivizon aksesin në informacion; 

ii. brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit nga një palë e cënuar, ofruesi i shërbimit përcjell njoftimin tek autoritetet përgjegjëse, sipas pikës 2 të nenit 20 të këtij ligji dhe çaktivizon aksesin në informacion, deri në marrjen e vendimit nga autoriteti përgjegjës. Me marrjen e vendimit nga autoriteti përgjegjës apo gjykata, ofruesi i shërbimit rikthen aksesin apo heq përmbajtjen sipas vendimit përkatës. 

 

2. Ofruesi i shërbimit nuk përjashtohet nga përgjegjësia sipas pikës 1 të këtij neni në rast se marrësi i shërbimit vepron në emër ose nën kontrollin e ofruesit të shërbimit.

 

DISA SQARIME PER SKEMEN LEGJISLATIVE TE PROPOZUAR

Ligji për Tregtinë Elektronike (LTE-ja) konsiderohet se ka transpozuar plotësisht në të drejtën shqiptare Direktivën e Tregtisë Elektronike (DTE) të BE-së. Në lidhje me hosting, DTE-ja krijon një “liman të sigurt” (imunitet të pjesshëm/me kusht) në lidhje me përmbajtjet e të tretëve. Hostuesit nuk mbajnë përgjegjësi ligjore nëse plotësojnë dy kushte: (i) nuk kanë dijeni për paligjshmërinë e të tretëve; dhe (ii) me marrjen dijeni, marrin masa për heqjen e përmbajtjes në fjalë (kjo njihet si notice-and-takedown system). Megjithatë, në llogari të fundit vendimi i përket host-it, i cili mund të zgjedhë ta heqë informacionin e ankimuar (dhe të ruajë imunitetin ligjor) ose ta mbajë informacionin dhe të përballet me pasojat juridike (psh kur nuk është dakord që përmbajtja është e paligjshme).

 

Sic argumentohet ne vijim, skema e propozuar nga Ministria shkon kundër këtij aspekti fondamental të autonomisë vendimarrëse të host-it që prezumohet nga DTE-ja. Kjo kryesisht sepse një nga propozimet e reja parashikon një gjobë prej 200.000 lekësh për cdo shkelje të nenit 17.

Ndryshe nga c’mund të jetë interpretuar në media, skema e nenit 17 zbatohet vetëm per përmbajtjet e të tretëve (“informacionit të siguruar nga marrësi i shërbimit” ). Për përmbajtjen e gjeneruar nga vetë portalet zbatohen normat e përgjithshme të Kodit Civil/Penal dhe rregullat e përgjegjësisë editoriale.

“Hosting” konsiderohet ruajtja e të dhënave të të tretëve në cfarëdo lloj mënyre. Pra kjo dispozitë vlen jo vetëm për portalet e informacionit, por për cdo operator që lejon komentet e të tretëve (një blog personal psh) ose që “mban” në cdo lloj mënyre përmbajtjet e të tretëve (rrjete sociale, platforma blogjesh, platforma komerciale etj).

Në parim, skema zbatohet për të gjithë ofruesit e shërbimit, të regjistruar brenda apo jashtë vendit. Sidoqoftë, nga leximi i relacionit të projektligjit dhe diskutimet me Ministrinë nuk vërehet ndonjë vullnet për ta zbatuar kundrejt ofruesve jashtë vendit.

“Përmbajtje e paligjshme” përkufizohet për qëllimet e ligjit si “përmbajtjet e përcaktuara në Kodin Penal si përmbajtje të ndaluara për t’u shpërndarë me anë të sistemeve kompjuterike.”1 Në pamje të parë, duket se kjo e kufizon aplikimin e nenit 17 të propozuar vetëm në katër/dhjetë nene të Kodit Penal, dhe duke përjashtuar fare paligjshmërinë në fushën e të drejtës civile (shkaktim dëmi ndaj reputacionit, jetës private etj). Megjithatë, gjykatat ka të ngjarë ta interpretojnë nenin 17 në sens më të gjerë.

1 Këtu përfshihen shprehimisht nenet: 74/a (shpërndarja e materialeve pro genocid); 84/a (kanosja me motive racizimi dhe ksenofobie); 119/a (shpërndarja e materialeve raciste dhe ksenofobike); 119/b (fyerja me motive racizmi dhe ksenofobie). Po ashtu mund të jenë relevante nenet: 143/b (mashtrimi kompjuterik); 186/a (falsifikimi kompjuterik); 192/b (hyrja e paautorizuar kompjuterike); 293/a (përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike); 293/b (ndërhyrja në të dhënat kompjuterike); dhe 293/c (ndërhyrja në sistemet kompjuterike).

 "Autoriteti përgjegjës” përkufizohet si “autoriteti që në bazë të legjislacionit në fuqi ka kompetencë parandalimin, monitorimin dhe mbikqyrjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e krimit kibernetik.” Krimi kibernetik nuk përkufizohet/sqarohet shprehimisht, por supozohet se i referohet të njëjtave nene të Kodit Penal si më lart, si dhe disa krimeve të tjera të përgjithshme që mund të kryhen me mjete kompjuterike (psh pornografia infantile, neni 117 KP, ose ndërhyrje të padrejta në jetën private, neni 121).

 

PROBLEMET KRYESORE TË IDENTIFIKUARA

Rreziku i censurës private

Së pari, problemi kryesor është që skema e propozuar e kthen “safe harbor” të DTE-së në një regjim penalizues, i cili e nulifikon autonominë e host-it (në lidhje me user generated content, UGC) dhe e detyron atë të heqë përmbajtjen edhe vetëm në bazë të një ankimi privat. Kjo është një skemë që sanksionon censurën private – edhe pse në teori për një periudhë të ndërmjetme, deri sa të marrë vendim autoriteti kompetent. Sidoqoftë edhe kjo “censurë e ndërmjetme” mund të ketë reperkusione mjaft negative për debatin publik, psh në një rast debati të gjallë për një temë konkrete.

Në parantezë, drafti mbështetet në një keqinterpretim të së drejtës europiane (shih referencën në nenin 20 të ligjit) duke marrë të mirëqenë se hosts kanë detyrim të njoftojnë autoritetet për cdo paligjshmëri të të tretëve (përdoruesve) për të cilën marrin dijeni. Kjo nuk është e saktë: DTE-ja parashikon një detyrim të tillë vetëm në raste të vecanta të cilat duhet të cilësohen shprehimisht nga legjislacioni vendas (gjë që legjislacioni ynë nuk e bën) dhe që kanë të bëjnë kryesisht me krime të rënda. Pra, nuk ka detyrim te pergjithshem në të drejtën europiane për të njoftuar autoritetet, dhe një gjë e tillë nuk njihet në të drejtën e vendeve anëtare të BE-së. Në dijeninë tonë, asnjë vend i BE-së nuk ndjek modelin e propozuar nga Ministria.

Për më tepër një detyrim i tillë do të gjeneronte probleme serioze kushtetuese në lidhje me respektimin e privacisë dhe të drejtave të përdoruesve që respektojnë ligjin.

Së dyti, skema e propozuar ka disa defekte shtesë që me shumë gjasa do ta kthejnë “censurën e ndërmjetme” që parashikon ligji në censurë permanente:

o Nuk është e qartë cilat janë “autoritetet përgjegjëse” dhe cili prej tyre është kompetent për shkelje të caktuara

o Ka mjaft cështje për të cilat nuk ka (dhe nuk duhet të ketë!) autoritete administrative kompetente. Psh cili autoritet është kompetent për të gjykuar ankesat për shpifje dhe fyerje? Vetëm gjykata. A detyrohet host atëherë që ta cojë cështjen në gjykatë kur merr ankim nga një person privat? Në bazë të cfarë procedure? Dhe pse duhet ta bëjë këtë host dhe jo personi që ankohet?

o Ligji parashikon afatet 24/48h për marrjen e masave nga hosts, por asnjë afat për vendimarrje nga autoritetet kompetente. Ndërkohë, përmbajtja e ankimuar mbetet e bllokuar/down dhe kjo situatë mund të vazhdojë pa fund për shkak të pasigurisë juridike që krijon ligji. Psh një autoritet mund të thotë që nuk është kompetent për cështjen dhe topi i mbetet host-it, i cili duhet të gjejë autoritetin kompetent (?). Nuk ka një mekanizëm për të zgjidhur cështjet e kompetencës. Të gjitha këto difekte do ta bëjnë skemën e propozuar praktikisht të pazbatueshme.

Rreziku i censurës shtetërore

Së treti, skema krijon rrezikun e censurës ekzekutive. Ekzistojnë vetëm pak autoritete administrative që kanë (potencialisht) tagra të qarta ligjore dhe autonomi institucionale për të marrë vendime të pranueshme për disa nga cështjet në fjalë (psh komisionierët e të dhenave personale dhe kundër diskriminimit).

Megjithatë, po të shihet përkufizimi i “autoritetit përgjegjës,” ai përfshin shumë kollaj policinë e shtetit, prokurorinë dhe një sërë agjensish të tjera që janë nën varësinë direkte të ekzekutivit. Si të tilla, ato në asnjë mënyrë nuk mund të bëhen arbitër në cështje që kanë të bëjnë me të drejtat themelore dhe vecanërisht me qarkullimin e lirë të ideve dhe informacionit në Internet.

A ka alternativa?

Po, ka modele të ndryshme alternative në hapësirën europiane etj. Një variant është që të mbahet referimi te disa autoritete kompetente, por pa gjoba për hosts dhe vetëm për ato cështje për të cilat kemi autoritete juridikisht dhe praktikisht të pavarura. Për të gjitha cështjet e tjera duhet të vendosë gjykata, mundësisht me një procedurë të ndërmjetme të përshpejtuar.

Një tjetër rregullim që kemi propozuar është që, në mënyrë përjashtimore, hosts të kenë detyrimin të bllokojnë/caktivizojnë përmbajtjen e të tretëve kur ajo është (i) haptazi e paligjshme dhe (ii) cënon rëndë dhe në mënyrë të pariparueshme të drejtat e një personi tjetër. Në këtë rast, host dhe autori i përmbajtjes ruajnë të drejtën të kërkojnë rivendosjen e përmbajtjes nqs ajo deklarohet e ligjshme (psh me vendim gjyqësor).

6 Komente

shumfishimi shkabave?

Me shume kohe per Pjeshka.

po, po. mire e tha i modhi : sikur pjeshka te kish dhembe, s' do kish mbetur shkab ne kembe

Sy shqiponje e hundskalitur

          me danezet eshte kacafytur...

Sidomos pjeshkat virgjeresha do ju rrethojne aq sa nuk do keni nevoje te nxirrni asnje llaf. Pjeri i kishte qejf pjeshkat faqemushme. Vetem kujdes, se Pjerit nuk duhet t'i mbyllet goja keshtu qe nuk duhet te haje pjeshka. 

“Hosting” konsiderohet ruajtja e të dhënave të të tretëve në cfarëdo lloj mënyre. Pra kjo dispozitë vlen jo vetëm për portalet e informacionit, por për cdo operator që lejon komentet e të tretëve (një blog personal psh) ose që “mban” në cdo lloj mënyre përmbajtjet e të tretëve (rrjete sociale, platforma blogjesh, platforma komerciale etj).

Hosting pandehja qe ishte tjeter gje. Mund te hostohesh ne nje vend dhe ti mbash te dhenat ne nje vend tjeter. Pra varet çfare sistemi datash perdor dhe çfare platforme perdor. Rrjedhimisht autoriteti i Harriles mund te mos e identifikoje teknikisht se si operon portali ( çfare fjale i kane gjet ) dhe ku operon ai. Kur e ndoqa ne nje emision para disa ditesh, zonja Ministre, si shoqe e Mirela Shqines qe eshte, nuk ishte bindese per qellimin e ndryshimeve, perfshire ketu faktin qe ligji vete ka probleme.

Nga ana tjeter, gjykata mund te gaboje ne vendim marrje, per shkak se detajimet teknike mund te jene te veshtira dhe ekspertet e saj duhet te jene te gjitheditur per teknologjine qe eshte ne perdorim. Ky do jete abuzim, si ai i videos se Ilir Kryemadhit, e ne fund te fundit do kete ndikim per censure. Ve bast 1000 euro smiley qe zonja ministre i kujton te gjithe njerezit qe u drejtohet hajvane. Por ne kete mes hajvane eshte vetem ajo dhe Mirela.

Por kushdo qe te jete vendimmarrja, populli veshderr shqiptar do gjeje forma te tjera per te fol. Do krijohet e do zgjerohet baza e sinonimeve. Psh : nuk do thuhet me qe zonja ministre eshte cope mishi me dy sy, por do shkruhet : zonja ministre eshte modele prej kercuje rrapi qe gjykata do e konsideroje si kompliment.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).